Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 A ËSHTË PROJEKTUAR?

Lëkura e gjarprit

Lëkura e gjarprit

GJARPËRINJTË nuk kanë gjymtyrë për të lëvizur, prandaj u duhet një lëkurë e fortë që t’i bëjë ballë forcës së vazhdueshme të fërkimit. Disa lloje ngjiten në trungje të vrazhda pemësh, kurse lloje të tjera e gërmojnë strofullën në rërë të ashpër. Çfarë e bën lëkurën e gjarprit kaq rezistente?

Shqyrto faktet: Lëkura e gjarpërinjve mund të ndryshojë në trashësi dhe strukturë nga njëri lloj në tjetrin. Gjithsesi, lëkura e të gjithë gjarpërinjve ka një të përbashkët: është e fortë nga jashtë dhe sa vjen e bëhet më e butë nga brenda. Çfarë dobie sjell kjo? «Materiali që është i fortë nga jashtë, por që gradualisht bëhet më elastik nga brenda, është në gjendje ta shpërndajë forcën goditëse në një zonë edhe më të madhe»,—thotë studiuesja Mari-Kristin Klajn. Struktura unike e lëkurës së gjarprit krijon një fërkim të mjaftueshëm ndërmjet trupit dhe tokës, që e lejon gjarprin të lëvizë. Në të njëjtën kohë, e shpërndan njëtrajtësisht presionin nga gurët e mprehtë, që ta dëmtojë sa më pak lëkurën. Rezistenca është jetësore, pasi gjarpërinjtë e ndërrojnë lëkurën vetëm çdo dy ose tre muaj.

Materialet me karakteristikat e lëkurës së gjarprit mund të jenë të dobishme në fushën e mjekësisë, për shembull, në prodhimin e implanteve artificiale jo të rrëshqitshme dhe tejet rezistente. Gjithashtu, makineria e konvejerit që imiton strukturën e lëkurës së gjarprit, mund të kërkojë më pak lubrifikues ndotës për ambientin.

Si mendon? A erdhi lëkura e gjarprit me evolucion? Apo është projektuar?