Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 A ËSHTË PROJEKTUAR?

Aftësia orientuese e brumbullit

Aftësia orientuese e brumbullit

BRUMBULLI i bajgave i përdor jashtëqitjet e kafshëve për shumë qëllime. I ha dhe shtron vezët në to. Disa brumbuj meshkuj i ofrojnë një pjesë të madhe femrës me shpresën për t’i prishur mendjen. Konkurrenca për pleh të freskët kafshësh është e fortë. Njëherë studiuesit vëzhguan rreth 16.000 brumbuj të mbledhur në një pirg jashtëqitjeje elefanti që e zhvendosën vetëm brenda dy orësh.

Disa lloje brumbuj bajgash ikin nga turma duke formuar një top nga pirgu i madh i bajgave, të cilin e largojnë duke e rrotulluar. Pastaj e groposin në tokë të butë. Brumbulli e shtyn topin në vijë të drejtë, pasi kjo është rrugëdalja më e shpejtë dhe nuk rrezikon t’ia vjedhin brumbujt e tjerë.

Por si ka mundësi që ky lloj brumbulli nuk lëviz në formë rrethi, sidomos natën?

Shqyrto faktet: Studimet e mëparshme kanë treguar se ai mund të orientohet me anë të dritës së diellit ose të hënës. Madje mund të lëvizë në vijë të drejtë edhe në netët pa hënë dhe pa re. Studiuesit në Afrikën e Jugut kanë zbuluar se brumbujt e arrijnë këtë jo duke parë yje të veçanta, por duke iu referuar shiritit të dritës që krijon galaktika Udha e Qumështit. Sipas një reviste (Current Biology), kjo është «hera e parë që dokumentohet përdorimi i Udhës së Qumështit si orientim në mbretërinë e kafshëve».

Studiuesi Markus Bërn thotë se brumbujt e bajgave kanë «një sistem të efektshëm orientimi pamor që mund të funksionojë edhe nën dritën më të dobët të yjeve me anë të aftësive llogaritëse të kufizuara». Ai shton: «Prandaj ata kanë potencialin t’u mësojnë njerëzve si të zgjidhin problemet komplekse në përpunimin e pamjes.» Për shembull, mund të programohet një dron (aeroplan pa pilot) për të bërë kërkime në një ndërtesë të shembur duke imituar sistemin orientues të këtij brumbulli.

Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia orientuese e brumbullit të bajgave? Apo është projektuar?

A e dije?

Brumbulli i bajgave e shkrifton dhe e ushqen tokën, përhap farat e bimëve dhe mban nën kontroll popullatat e mizave.