Diabeti—A mund ta zvogëlosh rrezikun?
RASTET e prekjes nga diabeti po shtohen kaq shpejt sa ai është bërë një epidemi globale. Ka dy tipa kryesorë të diabetit. Tipi 1 fillon kryesisht në fëmijëri, dhe aktualisht mjekët nuk dinë si ta parandalojnë. Ky artikull flet për tipin 2, të cilin e kanë rreth 90 për qind e gjithë diabetikëve.
Ndonëse në të kaluarën mendohej se diabeti i tipit 2 prekte vetëm të rriturit, kohët e fundit është parë se ai prek edhe fëmijët. Megjithatë, specialistët thonë se rreziku i diabetit të tipit 2 mund të zvogëlohet. Ajo që mund të të ndihmojë është njohuria e përgjithshme për këtë sëmundje të fshehtë. *
Çfarë është diabeti?
Diabeti është një sëmundje që shkakton nivel të lartë të sheqerit në gjak. Ai çrregullon procesin normal të kalimit të sheqerit nga enët e gjakut në qeliza, të cilave u nevojitet për të prodhuar energji. Si pasojë, dëmtohen organet jetësore dhe çrregullohet qarkullimi i gjakut. Ndonjëherë çon në prerje të gishtit të madh të këmbës ose të gjithë pjesës së poshtme të këmbës, në verbëri dhe në sëmundje të veshkave. Një numër i madh i pacientëve diabetikë vdesin nga infarkti ose iktusi.
Sasia e tepërt e dhjamit në trup mund të jetë një faktor madhor i diabetit të tipit 2. Specialistët besojnë se dhjami i grumbulluar në bark dhe në bel mund të sinjalizojë një rrezik më të lartë për t’u prekur nga diabeti. E thënë më specifikisht, yndyrnat në pankreas dhe në mëlçi duket se prishin aftësinë e trupit për të rregulluar nivelin e sheqerit në gjak. Çfarë mund të bësh që të jesh më pak i rrezikuar?
Tre hapa që mund ta zvogëlojnë rrezikun e diabetit
1. Bëj analizë të nivelit të sheqerit në gjak nëse je ndër ata me rrezikshmëri të lartë. Çrregullimi shëndetësor që njihet gjerësisht si paradiabet,—një gjendje ku sheqeri në gjak ka nivel pak më të lartë se normalja—shpesh i paraprin diabetit të tipit 2. Të dyja gjendjet përbëjnë rrezik për shëndetin, por ka një ndryshim: megjithëse diabeti mund të mbahet nën kontroll, ai nuk mund të kurohet. Nga ana tjetër, disa paradiabetikë kanë arritur ta çojnë në nivele normale sheqerin në gjak. Paradiabetikët mund të mos kenë asnjë simptomë të dukshme. Kështu, kjo gjendje mund të mos dallohet. Sipas statistikave, rreth 316 milionë njerëz anembanë botës vuajnë nga paradiabeti e megjithatë shumë prej tyre nuk e kuptojnë. Për shembull, vetëm në Shtetet e Bashkuara rreth 90 për qind e paradiabetikëve nuk e dallojnë që janë të tillë.
Gjithsesi, paradiabeti nuk është i padëmshëm. Përveçse është pararendës i diabetit të tipit 2, kohët e fundit mendohet se shoqërohet me një rrezik gjithnjë e në rritje për t’u prekur nga demenca. Nëse je mbipeshë, nuk merresh me aktivitete fizike ose ke të afërm me diabet, tashmë mund të kesh paradiabet. Një analizë gjaku mund të të tregojë nëse ke.
2. Zgjidh ushqime të shëndetshme. Mund të nxjerrësh dobi nëse vepron si më poshtë sa herë që të jetë e mundur dhe praktike: ha racione më të vogla se zakonisht. Në vend të lëngut të frutave që i është shtuar sheqer dhe të pijeve të gazuara, pi ujë, çaj ose kafe. Ha me masë bukë, oriz dhe makarona integrale në vend të ushqimeve që s’i kanë të gjitha vlerat ushqyese. Ha mish pa dhjamë, peshk, fruta të thata dhe fasule.
3. Bëj aktivitete fizike. Fizkultura mund të ta ulë sheqerin në gjak dhe mund të të ndihmojë të mbash një peshë normale. Një specialist rekomandon t’i marrim ca kohë televizorit dhe t’ua kushtojmë ushtrimeve fizike.
Gjenet nuk mund t’i ndryshosh, por mënyrën e jetesës po. Ia vlen barra qiranë të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur një shëndet më të mirë.
^ par. 3 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë dietë të veçantë ose rutinë ushtrimesh. Para se të marrim vendime për shëndetin, secili prej nesh duhet t’i peshojë me kujdes mundësitë dhe të konsultohet me një mjek nëse është e nevojshme.