Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Ç’duhet të dish për çrregullimet mendore

Ç’duhet të dish për çrregullimet mendore

«Ndihesha sikur nuk mbushesha dot me frymë»,—thotë Klaudia, që kohët e fundit është diagnostikuar me çrregullim bipolar dhe stres post-traumatik.—Ishte tmerrësisht e vështirë të përballoja damkën që vjen nga sëmundja mendore.»

«M’u desh shumë kohë të pranoja situatën tonë,—shprehet Marku, bashkëshorti i Klaudias.—Por kuptova se duhej të përqendrohesha te gruaja ime që ta mbështetja emocionalisht.»

SI DO të ndiheshe nëse ti ose dikush që e ke për zemër diagnostikohet me një çrregullim mendor? Sa mirë që sëmundjet mendore mund të kurohen! Të shohim disa të vërteta që duhet të dish, të cilat do të të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë çrregullimet mendore. *

 Fakte të rëndësishme për shëndetin mendor

«Çrregullimet mendore prekin qindra milionë njerëz në çdo pjesë të botës dhe ndikojnë në jetën e të afërmve. Një në katër veta preket nga ndonjë çrregullim mendor në një moment të jetës. Depresioni është kontribuesi kryesor i paaftësisë në mbarë botën. Skizofrenia dhe çrregullimi bipolar janë ndër çrregullimet më të rënda që shkaktojnë paaftësi. . . . Ndonëse prekin një numër marramendës njerëzish, çrregullimet mendore mbahen fshehur, lihen pas dore dhe paragjykohen.»—Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas OBSH-së, mjaft njerëz me sëmundje mendore ngurrojnë të kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të stigmës ose damkës si të sëmurë mendorë.

Edhe pse pjesa më e madhe e çrregullimeve mendore kurohen, Aleanca Kombëtare për Sëmundje Mendore (NAMI) raporton se në Shtetet e Bashkuara mesatarisht 60 për qind e të rriturve dhe gati 50 për qind e të rinjve 8-15 vjeç me ndonjë çrregullim mendor nuk kanë marrë trajtim vitin e kaluar.

 Të kuptojmë çrregullimet mendore

Çfarë janë sëmundjet mendore? Specialistët i përkufizojnë çrregullimet mendore si mosfunksionim serioz në mënyrën e të menduarit të dikujt, në kontrollimin e ndjenjave dhe në sjellje. Kjo gjendje shpesh e pengon personin në marrëdhëniet me të tjerët dhe të përballojë sfidat e jetës.

Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri

Shkalla e simptomave mund të ndryshojë për nga kohëzgjatja dhe intensiteti, në varësi të individit dhe të sëmundjes specifike e rrethanave. Mund të preken njerëz të çdo gjinie, moshe, kulture, race, feje ose arsimimi dhe gjendjeje ekonomike. Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri. Me anë të kujdesit të duhur shëndetësor, individët mund të kurohen e të bëjnë jetë normale e me kuptim.

Të kurojmë çrregullimet mendore

Specialistët e shëndetit mendor mund të kurojnë shumë çrregullime mendore. Prandaj, hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent që ka përvojë në kurimin e sëmundjeve mendore.

Sidoqoftë, kush vuan, do të përfitojë vetëm nëse pranon trajtimin e përshtatshëm. Për këtë mund t’i duhet të mos ngurrojë të flasë me të tjerët për çrregullimin mendor. Trajtimi mund të përfshijë biseda me specialistë të trajnuar të shëndetit mendor që mund ta ndihmojnë të kuptojë sëmundjen, të zgjidhë problemet e jetës së përditshme dhe ta bindin sa e domosdoshme është të mos heqë dorë nga mjekimi. Gjatë konsultave, një familjar ose mik mund të luajë rol jetësor duke i dhënë siguri dhe mbështetje.

Shumë njerëz kanë mësuar t’i përballojnë çrregullimet mendore pasi kanë kuptuar më mirë gjendjen e tyre dhe pasi kanë ndjekur kurën e rekomanduar nga specialistët e shëndetit mendor. Marku, i përmendur në fillim, thotë: «Para se gruaja të diagnostikohej, nuk dinim shumë për sëmundjet mendore. Por kemi mësuar t’i përballojmë me qetësi problemet njëri pas tjetrit e të përshtatemi me situatën tonë. Me kalimin e kohës, kemi nxjerrë dobi nga mbështetja e specialistëve të besueshëm si edhe nga familjarët e miqtë.»

Hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent

 Klaudia është dakord: «Në fillim m’u duk sikur do të mbyllesha në burg. Ama, edhe nëse sëmundja ime na kufizon disi të dyve, kam mësuar që pengesat në dukje të pakapërcyeshme mund të rrëzohen. Kështu e përballoj sëmundjen duke bashkëpunuar me mjekët dhe specialistët, duke u përpjekur të krijojë marrëdhënie ndërtuese me të tjerët dhe duke i marrë ditët një nga një.»

Marrëdhënia me Perëndinë është e domosdoshme

Bibla nuk thotë se marrëdhënia me Perëndinë kuron problemet mjekësore. Gjithsesi, shumë familje nëpër botë janë ngushëlluar e forcuar pa masë nga ajo që mëson Bibla. Për shembull, Bibla na siguron se Krijuesi ynë i dashur u kushton vëmendje të veçantë ‘zemërthyerve dhe atyre që e kanë frymën të dërrmuar’ duke i ngushëlluar.Psalmi 34:18.

Edhe pse Bibla nuk është një libër për shëndetin, jep këshilla praktike që mund të na ndihmojnë të përballojmë ndjenja të dhembshme dhe rrethana angështuese. Gjithashtu, na jep shpresë për një të ardhme ku jeta në tokë do të jetë pa sëmundje e dhembje. Fjala e Perëndisë premton: «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.»Isaia 35:5, 6.

^ par. 5 Mbaj parasysh se në këtë artikull termi «çrregullim mendor» përfshin sëmundjet mendore si edhe çrregullimet e sjelljes dhe çrregullimet psikike.

^ par. 32 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim mjekësor në veçanti. Të krishterët duhet të sigurohen që trajtimi që marrin, të mos bjerë ndesh me parimet e Biblës.

^ par. 40 Shih edhe artikullin «Stresi—Si ta përballosh?» në revistën Zgjohuni! të majit 2014.