INTERVISTË | STIVËN TEJLORI
Një profesor i kontabilitetit financiar flet për besimin e tij
Profesor Stivën Tejlori jep mësim dhe drejton punë kërkimore në Universitetin e Teknologjisë në Sidnei të Australisë. Ai studion tregjet financiare dhe mënyrën si mund të rregullohen siç duhet. Zgjohuni! e pyeti si kanë ndikuar kërkimet te bindjet e tij fetare.
Na trego pak për të kaluarën tënde.
U rrita në një familje që shkonte rregullisht në kishë. Prindërit ishin njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Ata më nxitën të arsimohesha, ndaj studiova për ekonomi në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor. Kuptova që më pëlqente të bëja kërkime dhe vendosa të ndiqja karrierën si akademik.
Në ç’fushë bëre kërkime?
Doja të kuptoja veçanërisht si funksionon tregu i aksioneve. * Tregu i aksioneve të jep mundësi të blesh e të shesësh aksionet e një kompanie, e cila më pas i përdor fondet për aktivitetin e saj. Mes të tjerash, bëj kërkime për faktorët që ndikojnë te çmimet e aksioneve të kompanive.
A mund të na tregosh një shembull?
Kompanitë duhet t’i raportojnë rregullisht fitimet. Investitorët i shqyrtojnë këto raporte kur duan të dallojnë gjendjen financiare të një kompanie. Mirëpo, disa metoda të përdorura për të raportuar fitimet nuk janë të standardizuara. Kritikët e konsiderojnë këtë si një boshllëk në sistem që i lejon kompanitë të fshehin vlerën dhe fitimin e vërtetë. Si mund të marrin investitorët informacione të sakta e të plota? Ç’fakte u duhen rregullatorëve për t’u siguruar që tregjet financiare të funksionojnë siç duhet? Unë dhe kolegët e mi po përpiqemi t’i gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Cila është prejardhja jote fetare?
Bashkë me prindërit shkoja rregullisht në Kishën Presbiteriane por, kur isha adoleshent, u largova. Besoja te një Krijues dhe e respektoja Biblën, por s’më mbushej mendja që feja mund të na ndihmonte me problemet e jetës. Grupet fetare më dukeshin si klube sociale. Në Evropë vizitova disa kisha të mëdha dhe vrisja mendjen pse kishin kaq shumë pasuri ndërkohë që bota ishte zhytur në skamje. Ky kontrast ma bënte të vështirë të besoja dhe u bëra goxha skeptik ndaj fesë.
Pse ndryshove pikëpamje?
Gruaja ime, Xheniferi, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të shkonte në mbledhjet e tyre, kështu që mendova të shkoja me të e të shihja cilët ishin. Shpejt kuptova se nuk dija gati asgjë për Biblën dhe u çudita me veten. Ndaj fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët.
Metoda e studimit e Dëshmitarëve më bëri goxha përshtypje. Ata bënin pyetje, mblidhnin dhe shqyrtonin provat dhe pastaj nxirrnin përfundime logjike
A ta ka forcuar besimin te Bibla njohuria për ekonominë?
S’diskutohet. Për shembull, Ligji që Perëndia i dha Izraelit të lashtë trajtonte probleme ekonomike që ekonomistët nuk dinë t’i zgjidhin edhe sot e kësaj dite. Sipas Ligjit, izraelitët duhej të linin diçka mënjanë nga të korrat për të varfrit (një formë tatimi dhe siguracioni), t’u jepnin nevojtarëve hua pa kamatë (jepej mundësia të merrej kredi) dhe t’u kthenin çdo 50 vjet pronarëve fillestarë tokat e trashëguara (mbrohej e drejta e pronës). (Levitiku 19:9, 10; 25:10, 35-37; Ligji i përtërirë 24:19-21) Këto dhe masa të tjera ekonomike e ndihmuan popullin në tri mënyra të rëndësishme: (1) i mbështetnin kur kishin probleme ekonomike, (2) i ndihmonin të rimëkëmbeshin nga varfëria e zgjatur dhe (3) ulnin pabarazinë ekonomike
Gjithashtu, Bibla nxit qëndrime dhe sjellje që i kontribuojnë sigurisë ekonomike. Për shembull, na mëson të jemi të ndershëm, të besueshëm, të dhembshur dhe bujarë. (Ligji i përtërirë 15:7-11; 25:15; Psalmi 15) Është interesante se, pas krizës ekonomike globale të kohëve të fundit, disa shkolla ekonomie dhe organizata nisën t’i nxitnin profesionistët e biznesit dhe të financave të zotoheshin që të mbanin disa rregulla të caktuara etike. Sipas meje, normat morale të Biblës janë ku e ku më lart se kredot e biznesit.
Si ka ndikuar te ti besimi te Bibla?
Studimi i Biblës ka qenë «investimi» më i mirë që kam bërë
E po, Xheniferi thotë se jam bërë më i arsyeshëm. Më parë kisha prirjen të kërkoja përsosmëri dhe t’i mendoja gjërat bardhë e zi. Ndoshta prej kësaj isha i zoti me parimet e kontabilitetit. Pa dyshim, parimet biblike më kanë ndihmuar të bëj një jetë më të ekuilibruar. Tani jam shumë më i lumtur, edhe familja ime është më e lumtur. Po ashtu, me kënaqësi ua tregojmë edhe të tjerëve mençurinë praktike të Biblës. Studimi i Biblës ka qenë «investimi» më i mirë që kam bërë.
^ par. 7 I quajtur edhe tregu i kapitaleve.