NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA
Si të shkosh mirë me prindërit e bashkëshortit
VËSHTIRËSIA
«Kur ishim në mes të një halli, gruaja u tregoi prindërve. Pastaj, i ati më telefonoi që të më këshillonte për situatën. Më ngeli ca qejfi për këtë.»
—Xhejmsi. *
«Vjehrra ime thotë shpesh: ‘Sa shumë më merr malli për tim bir!’ Ajo flet për kohët kur ishin goxha të lidhur dhe kjo më bën të ndihem fajtore që u martova me të birin e që ia copëtova zemrën.»
—Natasha.
Si të mos e ktheni në problem martesor një problem me prindërit e bashkëshortit?
Ç’DUHET TË DISH
Martesa krijon një familje të re. Bibla thotë se burri që martohet, ‘lë babanë dhe nënën e lidhet ngushtë me gruan e vet’. E njëjta gjë vlen edhe për një bashkëshorte në raport me prindërit e me bashkëshortin. Në Bibël thuhet se, kur ajo martohet, bëhet «një mish i vetëm» me të shoqin. Ata janë një familje e re.
Në fillim martesa, pastaj prindërit. Këshilltari i martesave, Xhon Gotmani, shkruan: «Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të mësojë një çift është të marrin parasysh gjithmonë njëri-tjetrin në çdo gjë që bëjnë. Duam apo s’duam, krijimi ose përforcimi i lidhjes së fortë me bashkëshortin mund të kërkojë njëfarë shkëputjeje e largimi nga prindërit e mbase edhe nga motrat e vëllezërit.» *
Disa prindër mund ta kenë të vështirë të përshtaten. Një bashkëshort i ri tregon: «Para martesës gruaja i vinte gjithmonë të parat dëshirat e prindërve të saj. Pasi u martuam, mamaja e saj kuptoi se tani i pari vinte dikush tjetër. Ama s’e pati të lehtë ta pranonte këtë.»
Edhe disa të sapomartuar mund ta kenë të vështirë të përshtaten. Xhejmsi, i cituar më lart, shprehet: «Të kesh vjehërr nuk është njësoj si të kesh miq që i zgjedh vetë. Është sikur dikush të të thotë: ‘Tani ke këta dy miq, do apo nuk do ti.’ Ata janë familja jote, edhe sikur të të acarojnë.»
Ç’MUND TË BËSH
Nëse ti dhe bashkëshorti keni mosmarrëveshje për ndonjë situatë me vjehrrit, përpiquni ta zgjidhni problemin me një frymë bashkëpunimi. Zbatoni këshillën e Biblës: «Kërko paqen dhe ndiqe.»
Situatat e mëposhtme do t’ju ndihmojnë për këtë. Secila prej tyre paraqitet nga këndvështrimi i të dyve, i gruas dhe i burrit. Megjithatë, këto vështirësi i hasin të dyja palët dhe parimet e trajtuara mund t’ju ndihmojnë për një sërë problemesh me vjehrrit.
Gruaja thotë se do të donte të shkoje më mirë me mamanë e saj. Mirëpo, e ëma të duket tip i vështirë.
Sugjerim: Bisedoje problemin me gruan dhe ji gati të bësh lëshime. Çështja nuk është si ndihesh për vjehrrën, por si ndihesh për bashkëshorten tënde, së cilës i premtove se do ta doje. Gjej nja dy mënyra specifike si mund ta përmirësosh lidhjen me nënën e saj, pastaj zbatoji. Teksa gruaja vëren përpjekjet e tua, me siguri do të të respektojë më shumë.
Burri thotë se ty të intereson më shumë të kënaqësh prindërit e tu se atë.
Sugjerim: Diskutoje problemin me burrin dhe mundohu t’i shohësh gjërat siç i sheh ai. Natyrisht, bashkëshorti nuk ka pse të ndihet i kërcënuar nëse ti thjesht po nderon prindërit, siç u takon. (Proverbat 23:22) Sidoqoftë ndoshta duhet ta sigurosh me fjalë e me veprime se në jetën tënde vjen ai para prindërve. Nëse e siguron burrin për këtë, ka më pak të ngjarë të ndihet sikur po konkurron me prindërit e tu për vëmendjen tënde.
Gruaja u drejtohet prindërve për këshilla dhe jo ty.
Sugjerim: Fol me gruan dhe bini në një mendje se ku duhen vënë kufijtë. Bëj të pamundurën të jesh i arsyeshëm. A është gjithnjë e gabuar të flasësh me një prind për ndonjë problem? Kur mund të jetë e përshtatshme? Nëse të dy bini dakord për kufij të arsyeshëm, kjo çështje nuk ka pse të bëhet problem.