NJË VËSHTRIM RRETH BOTËS
Në vëmendje të publikut—Azia
Azia është kontinenti me popullsinë më të madhe. Vetëm në Kinë dhe në Indi gjendet një e treta e popullsisë botërore. Ç’vështirësi hasin shtetet e Azisë kur bëhet fjalë për edukimin e mbrojtjen e shtetasve të vet?
Edukimi është mbrojtje për fëmijët
Sipas disa ekspertëve ligjorë kinezë, fëmijët bien më lehtë pre e abuzimit nëse prindërit nuk i informojnë për seksin që në moshë të njomë. Katër vitet e fundit prokurorëve në Kinë u janë paraqitur 8.000 akuza për abuzim seksual ndaj fëmijëve. Një pedagog i drejtësisë në Universitetin Pedagogjik të Pekinit thotë se fëmijët «janë të brishtë dhe pre e lehtë. Çelësi për parandalimin e abuzimit seksual është edukimi».
ÇFARË THOTË BIBLA: Prindërit e mençur i mësojnë fëmijët si të mbrohen «nga njeriu që thotë mbrapshti».—Proverbat 2:1, 10-12.
Vdekshmëria pas tajfuneve
Sipas një studimi, mesatarja e foshnjave-vajza që vdesin vitin pas një tajfuni në Filipine është 15 herë më e madhe se numri i viktimave që shkakton vetë tajfuni. Ndër shkaktarët mund të jenë: papunësia pas stuhisë, kostoja e rindërtimit dhe mënyra si përdoren të ardhurat për t’u kujdesur për foshnjat-vajza, ku përfshihen ushqimi ose kujdesi shëndetësor.
ÇFARË THOTË BIBLA: ‘Ndaje bukën me të uriturin, fute në shtëpinë tënde atë që është i munduar e i pastrehë, vishe atë që sheh se është lakuriq.’—Isaia 58:7.
Vetëvrasjet ndër të moshuarit në Korenë e Jugut
Gjatë vitit 2011 më tepër se një e katërta e të gjithë të vetëvrarëve në Korenë e Jugut ishin 65 vjeç e lart. Disa studiues mendojnë se kjo vjen ngaqë njerëzit kanë ndryshuar pikëpamje për kujdesin ndaj të moshuarve dhe nga përkeqësimi i gjendjes ekonomike—thuajse 50 për qind e të moshuarve koreano-jugorë janë relativisht të varfër. Tani më pak se gjysma e koreano-jugorëve mendojnë se fëmijët duhet t’i mbështetin financiarisht prindërit e moshuar.
ÇFARË THOTË BIBLA: «Ndero atin dhe nënën tënde.»—Efesianëve 6:2.