Mësojnë shkrim e lexim falë arsimimit biblik
«Çdo njeri ka të drejtë të mësojë shkrim e lexim, pasi kjo ndihmon në emancipimin e tij dhe në zhvillimin shoqëror e njerëzor.»
—UNESCO. *
SIPAS raporteve botërore, mbi 700 milionë njerëz të moshave 15 vjeç e lart nuk dinë shkrim e lexim. Si pasojë nuk eksplorojnë dot botën e gjerë të njohurisë, ku futen edhe mësimet e shkëlqyera të Biblës për moralin dhe për Perëndinë që ‘u shkruan për mësimin tonë’. (Romakëve 15:4) Ja pse në mjaft vende Dëshmitarët e Jehovait përfshijnë në programin e arsimimit biblik edhe kurse për të mësuar shkrim e lexim, dhe gjithçka ofrohet falas. A ka pasur rezultat ky program?
Le të shohim çfarë kanë arritur Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë, ku flitet kryesisht spanjisht. Që nga viti 1946, Dëshmitarët u kanë mësuar shkrim e lexim më tepër se 152.000 vetave, shumë prej të cilëve më vonë u bënë edhe vetë mësues në këto kurse. Dëshmitarët kanë marrë mjaft letra nga qeveria në shenjë vlerësimi për punën e tyre. Në një nga këto letra thuhej:
«Drejtoria e Arsimimit ju vlerëson dhe ju përgëzon për bashkëpunimin në zhvillimin e Programit për Arsimimin e të Rriturve.»Nga ky program kanë nxjerrë dobi të rinj e të moshuar. Për shembull, Jozefina ishte 101 vjeçe kur hyri në kurs dhe e mbaroi me sukses brenda dy vjetësh.
Ndonëse gjuha kryesore në Meksikë është spanjishtja, këto kurse mbahen edhe në gjuhë të tjera. Në vitin 2013 me anë të këtij programi mësuan shkrim e lexim në gjuhën amtare njerëz nga tetë grupe indigjene.
Të dish shkrim e lexim është një pasuri e çmuar që të hap dyert e dijes. Por, mbi të gjitha u jep mundësi njerëzve të çdo lloji të lexojnë Biblën, një libër hyjnor që i çliron nga bestytnitë skllavëruese, nga bindjet e rreme fetare dhe nga sjellja e keqe.
^ par. 2 Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.