Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

A po braktiset feja?

A po braktiset feja?

Feja i mësonte Xhafarit nga Turqia se Perëndia është hakmarrës, dhe kjo e trazonte. E shoqja, Hedija, nisi të dyshonte te feja e saj që në moshën nëntëvjeçare. Ajo thotë: «Më mësuan të besoja te fati. Ngaqë isha jetime, pyesja veten: ‘Çfarë kam bërë për ta merituar këtë?’ Shpesh qaja gjithë natën. Në moshën 15-vjeçare, thellë në zemër e kisha braktisur fenë time.»

A KE hequr dorë nga feja? Nëse po, nuk je i vetmi. Në mjaft vende po rritet numri i atyre që deklarohen si «jofetarë», prirje që tregon një të ardhme të pasigurt për institucionin e fesë. Më poshtë tregohen disa prej këtyre vendeve.

Pse ky largim në masë?

Njerëzit po zhgënjehen nga feja për arsye të ndryshme. Këtu futen dhuna e terrori të motivuar ose të përkrahur nga feja, skandalet seksuale të udhëheqësve fetarë, si edhe faktorë më pak të dukshëm, që mund të largojnë edhe më tepër njerëz nga feja. Te këta të fundit futen:

  • Begatia materiale: «Sa më i pasur të bëhesh, aq më pak fetar e quan veten»,—tregon një sondazh nga Global Index of Religion and Atheism. Ky pohim flet shumë, sepse në mjaft vende mirëqenia është rritur ndjeshëm. Xhon Nai, profesor ekonomie, u shpreh se në disa vende njerëzit gëzojnë «një standard aq të lartë jetese, sa edhe mbreti më i madh para dyqind vjetësh do të plaste nga zilia».

    ÇFARË THOTË BIBLA: Ajo paratha se «në ditët e fundit» dashuria për para dhe për kënaqësi do të zëvendësonte dashurinë për Zotin e për të afërmin. (2 Timoteut 3:1-5) Një shkrimtar biblik që ishte i vetëdijshëm se sa rrezikohet besimi nga pasuria, i tha Perëndisë Jehova: «Mos më jep as varfëri, as pasuri.» Pse u shpreh kështu? Ai vazhdoi: «Që të mos ngopem e pastaj të të mohoj.»Proverbat 30:8, 9.

  • Traditat dhe normat fetare: Mjaft veta, sidomos të rinjtë, e shohin fenë si diçka të padobishme ose jopraktike për jetën sot. Të tjerë e kanë humbur besimin te feja. Tim Meguajëri, një zëdhënës i medias (Humanist Society Scotland), tha: «Kur mendojmë për sjelljen e kishave gjatë shekujve, kuptojmë se njerëzit janë larguar prej tyre ngaqë nuk besojnë më se ato janë autoriteti për normat morale.»

    ÇFARË THOTË BIBLA: Jezu Krishti na paralajmëroi për mësuesit e rremë: «Do t’i njihni nga frytet e tyre. . . . Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.» (Mateu 7:15-18) Te ‘frytet e këqija’ futen ndërhyrja në politikë dhe miratimi i sjelljeve që fyejnë Perëndinë, si homoseksualizmi. (Gjoni 15:19; Romakëve 1:25-27) Gjithashtu futen edhe ritet e traditat boshe që kanë zëvendësuar mësimet e shëndosha të Shkrimeve. (Mateu 15:3, 9) Jezui tha: «Ushqeji delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:17) Kështu ai theksoi nevojën e njerëzve që dikush t’i mësojë për Perëndinë e të kujdeset për ta. Por sot krerët fetarë nuk e kanë bërë këtë. Prandaj kjo nevojë mbetet e paplotësuar.

  • Feja dhe paratë: Sipas një qendre (Pew Research Center), shumë njerëz mendojnë se feja u jep tepër rëndësi parave. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa funksionarë të fesë—ndryshe nga delet e tyre—jetojnë në luks. Për shembull, në një qytet gjerman ku shumë anëtarë të kishës mezi plotësojnë nevojat bazë, peshkopi është akuzuar ngaqë jeton në luks të paparë. Kjo lloj jete ka revoltuar shumë prej katolikëve vendës. Edhe një raport në revistën GEO thotë se në Nigeri, «ku 100 milionë veta jetojnë me më pak se 1 euro në ditë, po bëhet problem jeta ekstravagante e disa pastorëve».

    ÇFARË THOTË BIBLA: Pavli, një shkrimtar biblik, shkroi: «Nuk jemi si shumë të tjerë që po bëjnë tregti me fjalën e Hyjit.» (2 Korintasve 2:17, Simon Filipaj) Ndonëse Pavli ishte një shërbëtor shumë i njohur në kongregacionin e hershëm të krishterë, shpesh bënte punë krahu që të mos u bëhej barrë të tjerëve. (Veprat 20:34) Qëndrimi i tij pasqyronte bindjen ndaj urdhrit të Jezuit: «Falas morët, falas jepni.»Mateu 10:7, 8.

Në përputhje me këto parime, Dëshmitarët e Jehovait nuk kërkojnë para për botimet ose për mësimdhënien biblike. As nuk kërkojnë të dhjetën e nuk mbledhin para në mbledhjet e tyre. Përkundrazi, fondet e nevojshme mblidhen nga kontributet që jep secili vullnetarisht.Mateu 6:2, 3.

Largimi në masë nga feja ishte parathënë

Jo shumë dekada më parë, do të kishte qenë e vështirë të përfytyrohej gjendja si është katandisur sot feja. Mirëpo Zoti e parashikoi këtë dhe e shpalli që më përpara në Bibël. Me një gjuhë figurative, Perëndia i krahasoi të gjitha fetë jobesnike ndaj tij me një prostitutë ekstravagante të quajtur «Babilonia e Madhe».Zbulesa 17:1, 5.

Ky krahasim është i përshtatshëm, sepse feja e rreme ka bashkëpunuar me qeveritarët e botës për të fituar pushtet e pasuri, kur në të njëjtën kohë pretendon se i qëndron besnike Zotit. Zbulesa 18:9 thotë: «Mbretërit e tokës . . . u kurvëruan me të.» Edhe fjala ‘Babiloni’ është me vend sepse shumë mësime e zakone të rreme fetare, si pavdekësia e shpirtit, perënditë trinitet dhe okultizmi, i kanë rrënjët te Babilonia e lashtë, një qytet i zhytur në fenë e rreme dhe në bestytni. *Isaia 47:1, 8-11.

Babilonia e fuqishme ra kur ujërat e saj mbrojtëse—një hendek i ushqyer nga lumi Eufrat—‘u thanë’ duke i hapur rrugën një ushtrie me medë e persë që pushtuan qytetin. (Jeremia 50:1, 2, 38) Faktikisht ata e morën Babiloninë brenda një nate.Danieli 5:7, 28, 30.

Edhe Babilonia e Madhe «rri ulur mbi shumë ujëra». Këto ujëra, siç tregon Bibla, përfaqësojnë ‘popuj e turma’, domethënë miliona njerëzit që përkrahin fenë e rreme. (Zbulesa 17:1, 15) Bibla paratha se këto ujëra simbolike do të thaheshin—një ngjarje që paralajmëron shkatërrimin e afërt e të menjëhershëm të Babilonisë së ditëve tona. (Zbulesa 16:12; 18:8) Por nga kush? Nga bashkëpunëtorët politikë, dashuria e të cilëve do të kthehet në urrejtje për të. Gjithashtu ata do ta plaçkitin ose, në kuptimin e figurshëm, do të gllabërojnë mishrat e saj.Zbulesa 17:16, 17. *

Shterimi i ujërave përreth Babilonisë simbolizon largimin e njerëzve nga Babilonia e Madhe

«Dilni prej saj»

Ngaqë Zoti e di se çfarë e pret Babiloninë e Madhe, na paralajmëron me dashuri: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.» (Zbulesa 18:4) Siç vihet re, fjala «nëse» në këtë shkrim përmendet dy herë. Po, ky paralajmërim është për ata që shqetësohen nga mësimet e dëmshme dhe duan miratimin e Zotit, për njerëz si Xhafari dhe Hedija të përmendur në fillim të artikullit.

Para se të studionte Biblën, Xhafari e shihte Zotin si dikë që duhej t’i bindej kryesisht nga frika. Ai tha: «U lehtësova kur mësova se Jehovai është Perëndi i dashurisë dhe se do që t’i bindemi kryesisht nga dashuria.» (1 Gjonit 4:8; 5:3) Hedija gjeti paqe shpirtërore kur mësoi se nuk e kishte lënë Zoti jetime dhe se rrethanat e saj nuk ishin vendosur nga fati. U lehtësua nga shkrime të tilla biblike, si Jakovi 1:13, ku thuhet se Zoti nuk i sprovon njerëzit me gjëra të liga. Ajo dhe Xhafari përqafuan të vërtetën biblike dhe dolën nga «Babilonia».Gjoni 17:17.

Kur Babilonia e Madhe të shkatërrohet, asgjë e keqe nuk do t’i gjejë ata që janë bindur dhe kanë dalë prej saj që «të adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23) Ata kanë shpresën të shohin tokën «të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin».Isaia 11:9.

Po, adhurimi i rremë dhe frytet e tij të shëmtuara do të marrin fund, sepse Perëndia «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Kurse adhurimi i vërtetë do të lulëzojë përgjithmonë!

^ par. 16 Për të mësuar më shumë për Babiloninë e Madhe dhe se çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve, për natyrën e Perëndisë e për okultizmin, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Disponohet online në www.dan124.com.

^ par. 18 Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës—Fundi i botës» në këtë revistë.