Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si t’i lavdërosh fëmijët

Si t’i lavdërosh fëmijët

VËSHTIRËSIA

Disa thonë se lavdërimet nuk janë asnjëherë të tepërta. Të tjerë mendojnë se lavdërimet e shpeshta i llastojnë fëmijët duke i bërë të ndihen si mbretër të botës.

Përveçse sa shpesh duhet ta lavdërosh fëmijën, bën mirë të mendosh edhe për llojin e lavdërimeve. Cilat lavdërime u japin zemër fëmijëve? Cilat mund t’i shkurajojnë? Si të bësh ato lloj lavdërimesh që do ta ndihmojnë vërtet?

Ç’DUHET TË DISH?

Jo të gjitha lavdërimet janë njësoj. Le të shohim disa prej tyre.

Lavdërimet e tepërta mund të ndikojnë për keq. Në përpjekje për të rritur vetëvlerësimin e fëmijës, disa prindër japin lavdërime të pamerituara. Por, siç i paralajmëron prindërit dr. Dejvid Uolshi, të rinjtë «janë aq të zgjuar sa të dallojnë kur lavdërimi është i tepruar dhe arrijnë në përfundimin se ti nuk e mendon vërtet atë që u thua. . . . Ata e dinë se nuk e meritonin [lavdërimin] dhe ndoshta mendojnë se nuk mund të të zënë besë». *

Lavdërimet për aftësitë ndikojnë për mirë. Ta zëmë se vajza jote ka talent për pikturë. Natyrshëm të vjen ta lavdërosh për këtë që të motivohet të përmirësojë edhe më tej. Por këtu mund të lindë një problem. Lavdërimet vetëm për talentin mund ta bëjnë fëmijën të mendojë se të vetmet aftësi që ia vlen të zhvillojë janë ato që i vijnë natyrshëm. Madje mund t’u bëjë bisht sfidave të reja nga frika se mos dështon. Ajo arsyeton: «Nëse duhet të përpiqem kaq shumë, kjo do të thotë se nuk jam e prerë për këtë punë. Kështu që pse t’i hyj kot?»

Lavdërimet për përpjekjet ndikojnë edhe më mirë. Fëmijët që i lavdërojnë për punën e palodhur dhe për këmbënguljen në vend se thjesht për talentet, kuptojnë këtë të vërtetë jetësore: që të fitosh aftësi, kërkohet durim e përpjekje. Duke ditur këtë, siç thotë një libër, «ata i futen punës për të arritur rezultatet e dëshiruara. Edhe kur dështojnë, nuk e shohin veten si dështakë, por si njerëz që po mësojnë».—Libri Letting Go With Love and Confidence.

Ç’MUND TË BËSH?

Lavdëroje për përpjekjet, jo vetëm për talentin. Nëse i thua fëmijës «e shoh që ke menduar shumë si ta bësh këtë vizatim», mund të ndikosh shumë më mirë tek ai sesa po t’i thuash «je artist i lindur». Të dyja këto shprehje lavdërojnë, por e dyta mund të nënkuptojë pa dashje se fëmija do të shkëlqejë vetëm aty ku ka aftësi të lindura.

Kur e lavdëron për përpjekjet, i mëson fëmijës se aftësitë mund të përmirësohen me praktikë. Kështu fëmija mund të marrë përsipër sfida të reja duke pasur më shumë besim te vetja.Parimi biblik: Proverbat 14:23.

Ndihmoje fëmijën të përballojë dështimin. Edhe njerëzit e mirë bëjnë gabime, ndoshta edhe të përsëritura. (Proverbat 24:16) Ama pas çdo rënieje, ata ngrihen, mësojnë nga përvoja dhe bëjnë përpara. Si ta ndihmosh fëmijën të zhvillojë këtë qëndrim pozitiv?

Edhe në këtë rast përqendrohu te përpjekjet. Ja një shembull. Ta zëmë se i thua shpesh vajzës: «Ti ke lindur gjeni në matematikë.» Por pastaj ajo ngel në një provim matematike. Vajza mund të arrijë në përfundimin se e ka humbur gjenialitetin, prandaj pse të përpiqet të përmirësojë?

Megjithatë, kur përqendrohesh te përpjekjet, e ndihmon fëmijën të mësojë qëndrueshmërinë. Kështu do ta shohë rënien për atë që është, e jo si fundin e botës. Prandaj, në vend që të dorëzohet, mund të provojë diçka ndryshe ose thjesht të punojë më fort.Parimi biblik: Jakovi 3:2.

Bëj kritika që e ndihmojnë. Vërejtjet e bëra në mënyrën e duhur e ndihmojnë fëmijën, në vend që ta shkurajojnë fare. Gjithashtu, nëse bën vazhdimisht lavdërime të përshtatshme, ka gjasa që fëmija t’i mirëpresë vërejtjet për përmirësim. Kështu, arritjet do të jenë burim kënaqësie si për të, edhe për ty.Parimi biblik: Proverbat 13:4.

^ par. 8 Nga libri No: Why Kids—of All Ages—Need to Hear It and Ways Parents Can Say It.