Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të jesh një mik i vërtetë

Si të jesh një mik i vërtetë

A JE ndier ndonjëherë fillikat përballë problemeve të jetës? Po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», ndaj mund të ndihemi të shkurajuar dhe të izoluar. (2 Tim. 3:1) Megjithatë s’kemi pse t’i përballojmë të vetëm vështirësitë që na sjell jeta. Bibla thekson sa e rëndësishme është të kemi përkrah miq të vërtetë në «ditë të vështira».—Prov. 17:17.

SI MUND TË NDIHMOJNË MIQTË E VËRTETË

Falë mbështetjes së miqve besnikë, Pavli ia doli ta kryente shërbimin e tij edhe pse në arrest shtëpie

Apostulli Pavël nxori shumë dobi nga ndihma e vyer e miqve të tij gjatë udhëtimeve misionare. (Kolos. 4:7-11) Kur ishte i burgosur në Romë, shokët e ndihmuan Pavlin me disa gjëra që nuk i bënte dot vetë. Për shembull, Epafroditi i solli gjëra të nevojshme që ia kishin dërguar vëllezërit dhe motrat nga Filipia. (Filip. 4:18) Tikiku u çoi disa kongregacioneve letrat e Pavlit. (Kolos. 4:7) Falë mbështetjes së miqve, Pavli ia doli të kryente shërbimin e tij edhe pse në arrest shtëpie ose i izoluar në burg. Po ti, si mund të jesh mik i vërtetë?

Plot vëllezër e motra po tregojnë me vepra çfarë do të thotë të jesh mik i vërtetë. Le të shohim shembullin e një motre e cila u bë mike e vërtetë për Elisabetën, një pioniere e rregullt në Spanjë. Kur mamaja e Elisabetës u diagnostikua me kancer të pashërueshëm, motra i dërgonte shumë mesazhe zemërdhënëse që përmbanin vargje nga Bibla. Elisabeta shprehet: «Mesazhet e saj më jepnin forcë ditë pas dite dhe më siguronin se nuk isha vetëm.»—Prov. 18:24.

Lidhemi më ngushtë me bashkëbesimtarët kur i ndihmojmë të marrin pjesë në aktivitetet e kongregacionit. Për shembull, a mund të shoqërosh me makinë një vëlla a motër të moshuar për në mbledhje ose për në shërbim? Po ta bësh këtë, me shumë mundësi të dy do të inkurajoheni nga besimi i njëri-tjetrit. (Rom. 1:12) Mirëpo, disa bashkëbesimtarë janë të izoluar në shtëpi. Si mund të jemi miq të vërtetë edhe për ta?

JI MIK I VËRTETË PËR BASHKËBESIMTARËT E IZOLUAR NË SHTËPI

Disa vëllezër e motra nuk i ndjekin dot mbledhjet në Sallën e Mbretërisë për shkak të problemeve shëndetësore ose të rrethanave të tjera. Le të ndalemi te rasti i Davidit, i cili u diagnostikua me kancer. Ai bëri kimioterapi për më shumë se gjashtë muaj. Gjatë asaj periudhe, Davidi dhe e shoqja, Lidia, i ndiqnin mbledhjet me anë të videokonferencës.

Si iu bë krah kongregacioni? Pas çdo mbledhjeje, disa vëllezër e motra në Sallën e Mbretërisë përpiqeshin të flitnin me Davidin dhe Lidian nëpërmjet videokonferencës. Veç kësaj, kur Davidi dhe Lidia komentonin, disa bashkëbesimtarë u dërgonin mesazhe inkurajuese në fund të mbledhjes. Cili ishte rezultati? Davidi dhe Lidia nuk ndiheshin më edhe aq të izoluar.

Lër kohë të dalësh në shërbim me ata që janë të izoluar në shtëpi

A mund të planifikojmë të dalim në shërbim me vëllezërit e motrat e izoluar në shtëpi? Mund të na duhen vetëm ca përshtatje të vogla për t’u treguar këtyre bashkëbesimtarëve se nuk i kemi lënë në harresë. (Prov. 3:27) Mbase mund të lëmë takim me ta që të japim dëshmi me letra ose me telefon. Kurse pleqtë mund të marrin masa që mbledhjet e shërbimit të ndiqen edhe nëpërmjet videokonferencës. Davidi dhe Lidia e çmuan shumë këtë masë. Davidi shprehet: «Na ngrihej zemra peshë thjesht ngaqë lidheshim me vëllezërit e motrat dhe dëgjonim mbledhjen e shërbimit dhe lutjen.» Gjithashtu, hera-herës mund të pyesësh një vëlla a motër që nuk del dot nga shtëpia, nëse është dakord që të shkosh me ndonjë student të Biblës për të bërë studimin atje.

Kur bashkëpunojmë me lajmëtarët që janë të izoluar, shohim nga afër cilësitë e tyre të bukura, e kjo na afron më shumë me ta. Për shembull, kur del në shërbim me ta dhe vëren me sa zotësi e përdorin Fjalën e Perëndisë për të prekur zemrat e njerëzve, ka shumë gjasa që t’i admirosh më shumë. Kur i ndihmon bashkëbesimtarët të marrin pjesë në aktivitete teokratike, pasurohesh me plot miq të rinj.—2 Kor. 6:13.

Pavli u ngushëllua shumë kur shkoi ta takonte miku i tij Titi. (2 Kor. 7:5-7) Rasti i tij na kujton se mund t’i ngushëllojmë ata që po hasin vështirësi jo vetëm me fjalë inkurajuese, por edhe me vepra, pra duke kaluar kohë me ta e duke bërë çmos për t’i mbështetur.—1 Gjon. 3:18.

JI MIK I VËRTETË NË KOHË PËRNDJEKJESH

Vëllezërit e motrat në Rusi po na lënë një shembull të shkëlqyer duke e mbështetur njëri-tjetrin. Të shohim eksperiencën e Sergeit dhe gruas së tij Tatjanës. Pasi policia u kontrolloi shtëpinë, i çuan në rajon për t’i marrë në pyetje. Meqë Tatjanën e liruan të parën, ajo u kthye në shtëpi. Sergei tregon: «Sapo [Tatjana] mbërriti në shtëpi, te dera i trokiti një motër guximtare. Pastaj erdhën motra e vëllezër të tjerë që na ndihmuan të sistemonim apartamentin pas kontrollit.»

Sergei shton: «Gjithmonë më ka pëlqyer Proverbat 17:17, ku thuhet: ‘Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.’ Por, këto fjalë kanë marrë edhe më shumë peshë tani gjatë përndjekjes, kur nuk ia dal dot t’i përballoj gjërat vetëm. Jehovai më ka dhënë miq sypatrembur që janë gati të më vijnë në ndihmë kur jam në hall.» a

Ndërsa hasim situata gjithnjë e më të vështira, kemi nevojë për miq ku të mbështetemi. E gjatë shtrëngimit të madh do të kemi nevojë më shumë se kurrë për ta. Prandaj, le të bëjmë çmos të jemi miq të vërtetë që sot!—1 Pjet. 4:7, 8.

a Shih në jw.org artikullin «Jehovai më ka dhënë miq sypatrembur».