Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jeta ime e lumtur në shërbim të Jehovait

Jeta ime e lumtur në shërbim të Jehovait

CAKTIMI im i parë në Bethelin e Kanadasë ishte të pastroja dyshemenë në ndërtesën e shtypshkronjës. Ishte viti 1958 dhe isha 18 vjeç. Jeta ishte e bukur, e s’kaloi shumë dhe po punoja në një makineri që priste buzët e revistave pasi shtypeshin. Isha shumë i lumtur që shërbeja në Bethel.

Vitin pasues, familja Bethel u njoftua se në degën e Afrikës së Jugut kërkoheshin vullnetarë, pasi do të montohej një shtypshkronjë rotative e re. Dhashë emrin si vullnetar dhe s’më mbante vendi nga gëzimi kur më zgjodhën. Zgjodhën edhe tre vëllezër të tjerë nga Betheli i Kanadasë—Denis Liçin, Bill Meklelanin dhe Ken Nordinin. Na thanë se biletën do ta kishim vetëm «vajtje»!

Mora në telefon mamanë dhe i thashë: «Mami, kam një lajm. Do të shkoj në Afrikën e Jugut!» Ime më ishte një grua fjalëpakë, por kishte besim të fortë dhe marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Nuk foli shumë, ama isha i sigurt se më mbështeste. As ajo, as babai nuk u ankuan kurrë për vendimin tim, ndonëse ndiheshin të trishtuar që do të më kishin aq larg.

DREJT AFRIKËS SË JUGUT!

Duke udhëtuar me tren nga Kejptauni për në Johanesburg me Denis Liçin, Ken Nordinin dhe Bill Meklelanin më 1959

Ne të katërt, miq prej 60 vjetësh, kur u takuam në degën e Afrikës së Jugut më 2019

Në fillim, ne të katërt shkuam në Bethelin e Bruklinit, ku u stërvitëm të punonim me një lloj të veçantë makinerie tipografike. Më pas hipëm në një anije mallrash që shkonte në Kejptaun, në Afrikën e Jugut. Sapo kisha mbushur 20 vjeç. Kur nisëm udhëtimin e gjatë me tren nga Kejptauni për në Johanesburg ishte mbrëmje. Në agim bëmë ndalesën e parë në një qytet të vogël në rrafshnaltën e thatë të Kerusë. Gjithandej pluhur dhe vapë. Të katërt shihnim të çuditur nga dritarja dhe vritnim mendjen se çfarë vendi ishte ai. Ku po shkonim kështu vallë?! Vite më vonë u kthyem në atë zonë dhe na bënë për vete ato qyteza të lezetshme me jetën e tyre të qetë.

Për disa vjet kisha si caktim të punoja me një makineri linotip që ishte sa interesante aq edhe e komplikuar. Isha radhitës i pllakave tipografike për revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Zyra e degës shtypte revista në shumë gjuhë të Afrikës, jo vetëm për Afrikën e Jugut, por edhe për mjaft shtete të tjera në veri. Kishim ardhur nga cepi tjetër i botës për të punuar në atë shtypshkronjë rotative të re, ndaj ishim të kënaqur që po shfrytëzohej më së miri.

Më vonë, në Repartin e Fabrikës, pata një caktim tjetër që lidhej me organizimin e përkthimit, shtypjes dhe transportit të literaturës. Jeta ime ishte plot punë dhe plot gëzim.

MARTESA DHE NJË CAKTIM I RI

Bashkë me Laurën kur shërbenim si pionierë specialë më 1968

Në vitin 1968 u martova me Laura Bouenin, një pioniere që jetonte afër Bethelit. Ajo ndihmonte edhe si daktilografiste për Repartin e Përkthimit. Në atë kohë, çiftet e sapomartuara zakonisht nuk i mbanin në Bethel, prandaj dega na caktoi si pionierë specialë. Isha disi në merak. Kisha jetuar 10 vjet në Bethel ku ushqimin dhe strehimin i kisha të siguruara. Si do t’ia dilnim tani me ndihmën mujore modeste që i jepej pionierit special? Secili prej nesh do të merrte çdo muaj 25 randë (që atëherë kishin vlerën 35 dollarë amerikanë)—nëse arrinim kuotën e orëve, rivizitave dhe botimeve të shpërndara. Me aq para, duhej të paguanim qiranë, ushqimin, transportin dhe shpenzimet për shëndetin ose për gjëra të tjera.

Na caktuan në një grup të vogël afër qytetit të Durbanit, në brigjet e Oqeanit Indian. Atje kishte një popullsi të madhe indianësh. Shumë prej tyre ishin pasardhës të punëtorëve që kishin ardhur në Afrikën e Jugut nga fundi i shekullit të 19-të për të punuar në plantacionet e sheqerit. Tani kishin zanate të tjera, por i ruanin akoma traditat e gatimet karakteristike, ku përfshiheshin gatimet e shijshme me këri. Gjithashtu flisnin anglisht, prandaj e kishim të lehtë t’u predikonim.

Nga pionierët specialë pritej të kalonin 150 orë çdo muaj në shërbim. Kështu, ditën e parë, unë dhe Laura programuam të dilnim 6 orë në predikim. Ishte vapë dhe zagushi. S’kishim asnjë rivizitë dhe asnjë studim—pra do të kalonim 6 orë duke predikuar shtëpi më shtëpi. Pasi predikuam njëfarë kohe, pashë orën—kishin kaluar vetëm 40 minuta! Thashë me vete: «Si do t’ia dalim ta bëjmë këtë caktim?!»

Por shpejt bëmë një program të mirë. Çdo ditë përgatitnim sanduiçë dhe mbushnim një termus me supë ose kafe. Kur kishim nevojë të pushonim pak, parkonim Volksvagenin tonë të vogël nën hijen e ndonjë peme. Hera-herës na rrethonin fëmijë të bukur indianë që na vëzhgonin tërë kërshëri. Brenda pak ditësh, kuptuam se pas 2-3 orëve të para, pjesa tjetër e ditës rridhte pa u ndier.

Ç’kënaqësi ishte t’u flisnim për të vërtetën e Biblës njerëzve mikpritës në atë territor! Indianët ishin të respektueshëm, miqësorë dhe e nderonin thellë Perëndinë. Shumë hinduistë e mirëpritnin mesazhin që u predikonim. Atyre u pëlqente shumë të mësonin për Jehovain, Jezuin, Biblën, botën e re plot paqe dhe shpresën për ata që kanë vdekur. Pas një viti, kishim 20 studime. Çdo ditë hanim drekë me një nga familjet me të cilat studionim. Çfarë kohësh të gëzueshme ishin ato!

S’kaloi shumë dhe morëm një caktim tjetër—do të shërbenim në veprën qarkore në brigjet e Oqeanit të bukur Indian. Çdo javë kur vizitonim një kongregacion dhe dilnim në shërbim me lajmëtarët për t’u dhënë zemër, ishim mysafirë te ndonjë familje. Na trajtonin si pjesëtarë të familjes, dhe kënaqeshim kur kalonim kohë me ta e me fëmijët e tyre. Kështu fluturuan dy vite të mrekullueshme. Kur befas morëm një telefonatë nga zyra e degës. Na thanë: «Do të donim të vinit prapë në Bethel.» Iu përgjigja: «Me thënë të drejtën, jemi të lumtur këtu.» Por s’do mend, ishim të gatshëm të shkonim kudo që të na caktonin.

PRAPË NË BETHEL

Në Bethel më caktuan në Repartin e Shërbimit, ku pata privilegjin të punoja përkrah shumë vëllezërve të pjekur e me përvojë. Në atë kohë, pasi vizitonte një kongregacion, mbikëqyrësi qarkor i dërgonte një raport degës. Duke u bazuar tek ai raport, dega i dërgonte një letër çdo kongregacioni që t’i jepte inkurajimin dhe drejtimin e nevojshëm. Kjo kërkonte goxha punë nga ana e sekretarëve që përkthenin korrespondencën nga gjuhët xhose, zulu a gjuhë të tjera afrikane në anglisht, e anasjelltas. I vlerësoja shumë ata përkthyes të palodhur, të cilët më ndihmonin të kuptoja më mirë vështirësitë që hasnin motrat dhe vëllezërit zezakë në Afrikë.

Në atë kohë, Afrika e Jugut ishte nën ligjin e apartejdit. Çdo grup racial duhej të banonte në një zonë të caktuar, prandaj njerëzit e racave të ndryshme nuk shoqëroheshin me njëri-tjetrin. Vëllezërit zezakë në Afrikë flitnin në gjuhët amtare, predikonin në gjuhët amtare dhe shkonin në kongregacionet e gjuhëve të tyre.

Ngaqë kisha shërbyer gjithnjë në territore ku njerëzit flitnin anglisht, njihja fare pak afrikanë zezakë. Por ja, tani kisha mundësi të mësoja për ta, për kulturën dhe traditat e tyre. U njoha me sfidat që hasnin vëllezërit tanë për shkak të traditave vendëse dhe bindjeve fetare. Çfarë guximi tregonin kur shkëputeshin nga traditat që binin ndesh me Shkrimet! U duhej guxim edhe kur përballeshin me kundërshtimin e egër të familjes dhe të fshatit ngaqë nuk ndiqnin praktikat spiritiste! Në zonat rurale mbizotëronte skamja. Shumë veta kishin pak ose aspak shkollë, ama kishin respekt për Biblën.

Pata privilegjin të ndihmoja në disa çështje ligjore që lidheshin me lirinë e adhurimit dhe me asnjanësinë. Sa të forcohej besimi kur shihje besnikërinë dhe guximin e fëmijëve Dëshmitarë që i kishin përjashtuar nga shkolla ngaqë nuk merrnin pjesë në lutjet e himnet fetare!

Në një shtet të vogël afrikan, që atëherë quhej Suazilend, vëllezërit u përballën me një sfidë tjetër. Kur vdiq mbreti Sobuza II, të gjithë qytetarëve iu kërkua të ndiqnin disa rite mortore. Burrat duhej të rruanin kokën, ndërsa gratë duhej t’i pritnin flokët shkurt. Shumë vëllezër dhe motra i përndiqnin ngaqë nuk merrnin pjesë në këto rite të lidhura me adhurimin e të parëve. Besnikëria e tyre ndaj Jehovait na e bënte zemrën mal! Vëllezërit tanë afrikanë na mësuan shumë për besnikërinë e për durimin. Shembulli i tyre na forcoi besimin.

PRAPË NË SHTYPSHKRONJË

Më 1981 më caktuan të ndihmoja në zhvillimin e sistemit të kompjuterizuar për shtypjen e botimeve. Ja pra ku isha prapë në shtypshkronjë! Çfarë kohësh emocionuese! Metodat e shtypjes po përparonin me hapa viganë. Një agjent shitjesh në atë zonë i dha degës një makineri për fotoradhitje që ta provonte falas. Si rezultat, i zëvendësuam të nënta makineritë linotip me pesë makineri të reja për fotoradhitje. Gjithashtu u montua një shtypshkronjë e re ofset. Po shtypnim botime si kurrë më parë!

Kompjuterizimi çoi në zhvillimin e metodave të reja për faqosjen duke përdorur MEPS-in, Sistemin Elektronik Shumëgjuhësh për Botim. Sa kishte përparuar teknologjia që nga koha kur ne, katër bethelitët nga Kanadaja, kishim ardhur në Afrikën e Jugut për të punuar me ato makineri kaba! (Isa. 60:17) Tashmë të katërt ishim martuar me pioniere të mira që e donin shumë Jehovain. Unë dhe Billi shërbenim akoma në Bethel, ndërsa Keni dhe Denisi ishin bërë me fëmijë e jetonin aty pranë.

Puna në degë po merrte hov. Botimet e bazuara në Bibël përktheheshin e shtypeshin në gjithnjë e më shumë gjuhë dhe dërgoheshin në degë të tjera. Prandaj lindi nevoja për një kompleks të ri Betheli. Kompleksi u ndërtua në një zonë të bukur në perëndim të Johanesburgut dhe u kushtua në vitin 1987. Çfarë kënaqësie të isha pjesë e gjithë atij zgjerimi e të shërbeja për shumë vjet në Komitetin e Degës të Afrikës së Jugut!

NJË CAKTIM TJETËR

Në 2001-shin u surprizova kur mora ftesën të shërbeja në Komitetin e Degës të Shteteve të Bashkuara që sapo ishte formuar. Edhe pse ishim të trishtuar që do të linim caktimet dhe miqtë tanë në Afrikën e Jugut, ndiheshim të emocionuar që do të nisnim një jetë të re si pjesë e familjes Bethel të Shteteve të Bashkuara.

Mirëpo ishim në merak që do të ndaheshim nga mamaja e Laurës, e cila ishte e moshuar. Nga Nju-Jorku nuk mund të bënim shumë për të, por tri motrat e Laurës u treguan të gatshme ta ndihmonin nga ana fizike, emocionale dhe ekonomike. Ato na thanë: «Ne vetë nuk mund të shërbejmë në kohë të plotë, por nëse kujdesemi për mamanë, kjo do t’ju ndihmojë ju të vazhdoni caktimin.» U jemi jashtë mase mirënjohës.

Me të njëjtën gatishmëri, vëllai im me të shoqen, të cilët jetonin në Toronto, Kanada, po kujdeseshin për mamanë tonë që ishte vejushë. Në atë kohë, ajo kishte mbi 20 vjet që jetonte me familjen e tyre. E çmojmë sa s’ka dashurinë dhe kujdesin që treguan për të derisa vdiq pak pas mbërritjes sonë në Nju-Jork. Çfarë bekimi të kesh familjarë që të mbështetin dhe që janë të gatshëm të ndryshojnë jetën për të mbajtur një përgjegjësi goxha sfiduese hera-herës!

Për disa vjet, caktimi im në Shtetet e Bashkuara ishte të ndihmoja në botimin e literaturës, që është modernizuar dhe thjeshtuar akoma më shumë. Kohët e fundit kam punuar në Repartin e Blerjeve. Çfarë kënaqësie që kemi qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe 20 vitet e fundit—një familje që tani ka rreth 5.000 bethelitë dhe 2.000 vullnetarë të jashtëm!

Gjashtëdhjetë vjet më parë, as që më shkonte nëpër mend se një ditë do të shërbeja këtu. Laura më ka mbështetur me gjithë shpirt tërë këto vite. Sa e pasur ka qenë jeta jonë! Për ne janë të çmuara të gjitha caktimet e ndryshme që kemi pasur dhe gjithë ata njerëz të mrekullueshëm përkrah të cilëve kemi shërbyer. Mes tyre janë edhe vëllezërit e motrat në shumë degë anekënd botës, që i kemi vizituar si pjesë e caktimit tonë. Tani që jam mbi 80 vjeç kam punë me ngarkesë më të vogël, sepse ka plot vëllezër më të rinj që e kryejnë më së miri punën në Bethel.

Psalmisti shkroi: «Lum ai komb që ka Perëndi Jehovain!» (Psal. 33:12) Sa të vërteta janë këto fjalë! Më gufon zemra nga mirënjohja që e kam provuar edhe unë këtë gëzim si pjesë e popullit të lumtur të Jehovait.