Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MENÇURI NGA LASHTËSIA PËR JETËN SOT

Mos jini në ankth!

Mos jini në ankth!

PARIMI BIBLIK: «Mos jini më në ankth për [jetën] tuaj.»​—Mateu 6:25.

Çfarë do të thotë? Jezui i tha këto fjalë në Predikimin në Mal. Sipas një fjalori biblik, folja greke e përkthyer «të jesh në ankth» mund t’i referohet «reagimit të natyrshëm të njeriut ndaj varfërisë, urisë dhe halleve të tjera të jetës së përditshme». Shpesh ankthi përfshin të merakosesh për gjëra që mund të ndodhin në të ardhmen. Është normale dhe me vend të shqetësohemi për nevojat materiale dhe për mirëqenien e njerëzve tanë të dashur. (Filipianëve 2:20) Por, kur Jezui tha «mos jini kurrë në ankth», po i këshillonte dishepujt të shmangnin merakun e panevojshëm​—frikën e tepruar për të nesërmen që ia heq gëzimin jetës sot.​—Mateu 6:31, 34.

A vlen edhe sot? Bëjmë mirë t’ia vëmë veshin këshillës së Jezuit. Pse? Disa vepra referimi sugjerojnë se, kur njerëzit merakosen jashtë mase, sistemi i tyre nervor simpatik vazhdon të jetë aktiv, dhe kjo gjendje «shkakton probleme mjekësore, si: ulcerë, sëmundje të zemrës dhe astmë».

Jezui dha një arsye bindëse për të shmangur ankthin e tepërt: nuk sjell asnjë dobi. Ai pyeti: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» (Mateu 6:27) Po të jemi gjithnjë në merak për problemet, nuk do ta zgjatim jetën as edhe një fragment të sekondës, e jo më ta përmirësojmë. Përveç kësaj, shpesh gjërat nuk dalin siç ia kishim frikën. Një studiues shprehet kështu: «Meraku për të ardhmen është energji e çuar dëm, dhe e ardhmja rrallëherë del aq e keqe sa kemi frikë.»

Si mund ta shmangim ankthin? Së pari, të besojmë te Zoti. Nëse Perëndia siguron ushqim për zogjtë dhe i vesh bukur lulet, a nuk do të sigurojë gjërat e nevojshme edhe për njerëzit që e përqendrojnë jetën tek adhurimi i tij? (Mateu 6:25, 26, 28-30) Së dyti, t’i marrim ditët një e nga një. Jezui tha: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» A nuk je dakord se «secilës ditë i mjafton e keqja e vet»?​—Mateu 6:34.

Duke ia vënë veshin këshillës së mençur të Jezuit, ruajmë shëndetin fizik. Për më tepër, gjejmë paqe të brendshme, të cilën Bibla e quan «paqja e Perëndisë».​—Filipianëve 4:6, 7.