E vërteta për Mbretërinë e Perëndisë
Jezui i mësoi dishepujt e tij të luten kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!» (Mateu 6:9, 10) Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Çfarë po bën? Dhe pse duhet të lutemi për të?
Jezui është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë.
Luka 1:31-33: «Do t’ia vësh emrin Jezu. Ky do të jetë i madh e do të quhet Bir i Më të Lartit, dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit, dhe Mbretëria e tij s’do të ketë fund.»
Mbretëria ishte tema kryesore e predikimit të Jezuit.
Mateu 9:35: «Jezui nisi një udhëtim nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, që të mësonte në sinagogat e tyre, të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të shëronte çdo lloj lëngate e sëmundjeje.»
Jezui u dha dishepujve një shenjë që të dallonin periudhën kur do të vinte Mbretëria.
Mateu 24:7: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.»
Sot, dishepujt e Jezuit po predikojnë në mbarë botën për këtë Mbretëri.
Mateu 24:14: «Dhe ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»