TEMA KRYESORE
Pse vuajti e vdiq Jezui?
‘Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.’—Romakëve 5:12
Si do të përgjigjeshe po të të pyesnin: «A dëshiron të jetosh përgjithmonë?» Me shumë gjasa, mjaft njerëz do të thoshin se duan, por që është tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Ata thonë se vdekja është pjesë e jetës, fundi i natyrshëm i ekzistencës sonë.
Ta zëmë se pyetja do të formulohej ndryshe: «A je gati të vdesësh?» Normalisht, shumica e njerëzve do të thoshin jo. Çfarë tregon kjo? Dëshira jonë normale dhe e natyrshme është që të jetojmë, pavarësisht nga hallet e vështirësitë. Bibla tregon se Perëndia i krijoi njerëzit me dëshirën dhe vullnetin për të jetuar. Ajo thotë se «ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre».—Eklisiastiu 3:11.
Por, e vërteta është se njerëzit nuk jetojnë përgjithmonë. Pse, çfarë ndodhi? Dhe a ka bërë ndonjë gjë Zoti për ta ndrequr situatën? Përgjigjet e Biblës të japin zemër dhe lidhen drejtpërdrejt me arsyen pse vuajti e vdiq Jezui.
ÇFARË NDODHI?
Tri kapitujt e parë të librit biblik të Zanafillës na tregojnë se Perëndia u dha mundësi Adamit dhe Evës, çiftit të parë njerëzor, të jetonin përgjithmonë dhe u tha çfarë duhej të bënin për këtë. Pastaj, Bibla tregon se si ndodhi që nuk iu bindën Perëndisë dhe si e humbën atë mundësi. Ky tregim është shkruar me fjalë të thjeshta, kaq të thjeshta sa disa e konsiderojnë veçse trillim. Por, ashtu si ungjijtë, Zanafilla jep çdo provë të mundshme se është një dokumentim historik i bazuar në fakte. *
Ç’pasoja ka sjellë mosbindja e Adamit? Bibla përgjigjet: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Adami nuk iu bind Perëndisë, pra mëkatoi. Kështu humbi mundësinë për të jetuar përgjithmonë dhe me kohë vdiq. Si pasardhës të tij, kemi trashëguar mëkatin. Prandaj sëmuremi, plakemi dhe vdesim. Ky shpjegim përputhet me atë që dimë sot për gjenetikën. Por a ka bërë diçka Zoti për ta ndrequr situatën?
ÇFARË KA BËRË ZOTI?
Mori masa që të shpengonte ose ndryshe të blinte sërish për pasardhësit e Adamit atë që ky kishte humbur, domethënë mundësinë e jetës së përhershme. Si e arriti Perëndia këtë?
Te Romakëve 6:23, Bibla thotë se «paga që paguan mëkati është vdekja». Kjo nënkupton se vdekja është pasojë e mëkatit. Adami mëkatoi, prandaj vdiq. Po kështu, ne mëkatojmë prandaj paguajmë për mëkatin, vdesim. Kemi lindur mëkatarë, edhe pse jo për fajin tonë. Prandaj, nga dashuria, Perëndia dërgoi Birin e tij, Jezuin, për të paguar për ne ‘pagën e mëkatit’. Por si u arrit kjo?
Mëkatin dhe vdekjen na i solli një njeri i përsosur, Adami, pasi nuk iu bind Perëndisë, prandaj duhej një njeri i përsosur dhe i bindur deri në vdekje që të na e hiqte këtë barrë. Ja si e shpjegon Bibla: «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, shumë u bënë mëkatarë, po ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi, shumë do të bëhen të drejtë.» (Romakëve 5:19) ‘I vetmi’ për të cilin flet shkrimi, ishte Jezui. Ai la qiellin, u bë njeri i përsosur * dhe vdiq për ne. Falë kësaj mund të kemi një qëndrim të drejtë para Perëndisë dhe të fitojmë mundësinë për të jetuar përgjithmonë.
PSE VUAJTI E VDIQ JEZUI?
Pse duhej të vdiste patjetër Jezui për ta arritur këtë? A nuk mjaftonte që Perëndia i Plotfuqishëm të nxirrte një ligj që pasardhësit e Adamit të mund të jetonin përgjithmonë? Patjetër, ai e kishte këtë autoritet. Por, kjo do të shpërfillte ligjin e tij: paga e mëkatit është vdekja. Ligji nuk është diçka dosido që mund të anashkalohet ose të ndryshohet sipas qejfit. Është themelor për drejtësinë e vërtetë.—Psalmi 37:28.
Nëse Zoti do ta shpërfillte drejtësinë në këtë rast, njerëzit mund të dyshonin nëse ai do të tregohej i drejtë në çështje të tjera. Për shembull,
a do të tregohej i drejtë kur të vendoste se cili nga pasardhësit e Adamit do të meritonte të jetonte përgjithmonë? A mund të kishin besim se do t’i mbante premtimet? Fakti që Perëndia iu përmbajt drejtësisë për shpëtimin tonë, na garanton se do të bëjë gjithmonë atë që është e drejtë.Me anë të vdekjes flijuese të Jezuit, Zoti na hapi udhën që të jetojmë përgjithmonë në Parajsë në tokë. Vëre fjalët e Jezuit te Gjoni 3:16: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Vdekja e tij dëshmon jo vetëm për drejtësinë e pandryshueshme të Zotit, por sidomos për dashurinë e tij të madhe për njerëzit.
Por pse duhej të vuante e të vdiste Jezui në mënyrën e dhembshme që tregohet në ungjij? Duke pranuar të kalonte ato sprova ekstreme dhe duke qëndruar besnik, Jezui provoi një herë e mirë se nuk është i vërtetë pretendimi i Djallit se njerëzit nuk i qëndrojnë besnikë Perëndisë nën sprova. (Jobi 2:4, 5) Ky pretendim mund të dukej me vend pasi Satanai e tundoi të mëkatonte Adamin e përsosur. Kurse Jezui, që ishte ekuivalenti i përsosur i Adamit, u bind gjithmonë pavarësisht nga vuajtjet e mëdha. (1 Korintasve 15:45) Kështu provoi se edhe Adami mund t’i bindej Perëndisë po të donte. Duke duruar sprovat, Jezui na la një model. (1 Pjetrit 2:21) Perëndia e shpërbleu Birin e tij për bindjen e përsosur, duke i dhënë jetën e pavdekshme në qiell.
SI NXJERR DOBI TI?
Jezui vdiq vërtet, kështu që rruga drejt jetës së pafund është e hapur. A do që të jetosh përgjithmonë? Jezui tregoi se çfarë duhet të bëjnë njerëzit: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Botuesit e kësaj reviste të ftojnë të mësosh më tepër për Jehovain, Perëndinë e vërtetë, dhe për të Birin, Jezu Krishtin. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi. Mund të marrësh informacione të dobishme edhe në sitin tonë www.dan124.com.
^ par. 8 Shih artikullin «Adami dhe Eva—A kanë ekzistuar vërtet?» në Kullën e Rojës të 1 shtatorit 2009, f. 12-15.
^ par. 13 Perëndia e transferoi jetën e të Birit nga qielli në mitrën e Marisë dhe kjo çoi në ngjizjen e tij. Fryma e shenjtë e Perëndisë u bë mburojë që Jezui të mos trashëgonte papërsosmërinë nga Maria.—Luka 1:31, 35.