Elias Huteri dhe Biblat e tij mbresëlënëse në hebraisht
A DI ta lexosh hebraishten e Biblës? Ka të ngjarë që jo. Ndoshta s’ke parë kurrë një Bibël në hebraisht. Sidoqoftë, do ta çmosh edhe më tepër kopjen tënde të Shkrimeve të Shenjta duke mësuar diçka për Elias Huterin, studiues i shekullit të 16-të, dhe për dy përkthimet e tij të Biblës në hebraisht.
Elias Huteri lindi më 1553 në Gorlitz, një qytezë pranë kufirit të sotëm të Gjermanisë me Poloninë dhe Republikën Çeke. Ai studioi gjuhët e Lindjes së Mesme në Universitetin Luteran të Jenës. Sapo kishte mbushur 24 vjeç kur e caktuan profesor të hebraishtes në Lajpcig. Si mësues novator, më vonë themeloi një shkollë në Nuremberg ku nxënësit mund të mësonin hebraisht, greqisht, latinisht dhe gjermanisht brenda katër vjetësh. Në atë kohë kjo ishte e pamundur në ndonjë shkollë a universitet tjetër.
‘BOTIM I SHKËLQYER’
Më 1587 Huteri nxori një përkthim në hebraisht të asaj që njihet si Dhiata e Vjetër. Përkthimi e mori emrin nga Isaia 35:8 dhe u quajt Derekh ha-Kodesh, që do të thotë «Udha e Shenjtërisë». Duke marrë shkas nga lloji i bukur i shkrimit, u komentua: «Çdo gjë dëshmon se ky botim është i shkëlqyer.» Por, kjo Bibël ishte veçanërisht e çmuar, sepse ishte mjet i efektshëm për studentët që donin të mësonin hebraisht.
Për të kuptuar pse Bibla e tij në hebraisht ishte kaq e dobishme, shqyrto dy vështirësi që haste një student teksa përpiqej ta lexonte Biblën në hebraisht. Së pari, Bibla është shkruar me një alfabet të ndryshëm e të panjohur, që lexohet nga e djathta në të majtë. Dhe së dyti, meqë parashtesat dhe prapashtesat janë pjesë e fjalës, rrënja e saj mezi dallohet. Për shembull, shqyrto fjalën hebraike נפשׁ (të transliteruar néfesh) që do të thotë «shpirt». Tek Ezekieli 18:4 fjalës i vendoset parashtesa ה (ha) dhe formohet fjala e përbërë הנפשׁ (hannéfesh), që do të thotë «shpirti». Për një sy të pastërvitur, fjala הנפשׁ (hannéfesh) mund të duket komplet ndryshe nga fjala נפשׁ (néfesh).
Për t’i ndihmuar studentët, Huteri përdori një teknikë shtypjeje gjeniale: disa shkronja i shtypi me ngjyrë të zezë që të dallonin nga të tjerat. Ezekieli 18:4 në Biblën e Huterit në hebraisht dhe te shënimi i të njëjtit varg në Biblën me Referime (anglisht).
Rrënjën e çdo fjale e la me ngjyrë të zezë që të ishte ndryshe nga parashtesat e prapashtesat. Kjo metodë e thjeshtë ua bëri më të lehtë studentëve të dallonin rrënjën e fjalëve hebraike dhe i ndihmoi teksa mësonin gjuhën. Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, me referime (anglisht) përdor një metodë të ngjashme praktike te shënimet. Rrënja e transliteruar e fjalës shkruhet me shkronja të zeza që të dallojë nga parashtesat dhe prapashtesat. Pjesët e theksuara te figurat tregojnë llojin e shkrimit të përdorur tek«DHIATA E RE» NË HEBRAISHT
Huteri shtypi edhe atë që njihet si Dhiata e Re, teksti i së cilës ishte përkthyer në 12 gjuhë. Ky botim doli më 1599 në Nuremberg dhe shpesh quhet Shumëgjuhëshja e Nurembergut. Mes këtyre 12 gjuhëve, Huteri dëshironte të përfshinte edhe përkthimin në hebraisht të Shkrimeve të Krishtere Greke. Megjithatë, ai tha se edhe ‘po të ishte i gatshëm të paguante një mal me para’ që ta gjente në hebraisht këtë përkthim, do të kishte qenë e kotë. * Ndaj vendosi ta përkthente vetë Dhiatën e Re nga greqishtja në hebraisht. Huteri la mënjanë gjithçka tjetër dhe për një vit mbaroi gjithë projektin e përkthimit.
Por sa i mirë ishte përkthimi në hebraisht i Shkrimeve të Krishtere Greke nga Huteri? Franz Delitshi, studiues i njohur i hebraishtes në shekullin e 19-të, shkroi: «Përkthimi i tij në hebraisht flet për një kuptueshmëri gjuhe të rrallë mes të krishterëve, të cilit ia vlen ende t’i referohesh, pasi varg pas vargu, ai ka qenë më i suksesshmi për të zgjedhur pikërisht shprehjen e duhur.»
NDIKIM AFATGJATË
Puna e përkthimit nuk e pasuroi Huterin; nga sa duket botimet e tij nuk u shitën shumë. Prapëseprapë, vepra e tij ka pasur një ndikim të rëndësishëm dhe afatgjatë. Për shembull, Dhiata e Re që përktheu në hebraisht, u rishikua dhe u shtyp përsëri më 1661 nga Uilliam Robertsoni dhe më 1798 nga Riçard Kadiku. Duke përkthyer nga greqishtja origjinale, Huteri i përktheu siç duhet titujt Kírios (Zotëri) dhe Theós (Perëndi), pra «Jehova» (יהוה, JHVH), aty ku citohej nga Shkrimet Hebraike ose ku mendonte se i referohej Jehovait. Kjo është interesante sepse, ndonëse mjaft përkthime të Dhiatës së Re nuk e përdorin emrin e Perëndisë, përkthimi i Huterit e përdor, prandaj është një provë më shumë që mbështet rivendosjen e këtij emri në Shkrimet e Krishtere Greke.
Herën tjetër që do të lexosh në Shkrimet e Krishtere Greke emrin e Zotit, Jehova, kujto punën e Elias Huterit dhe Biblat e tij mbresëlënëse në hebraisht.
^ par. 9 Me sa duket, disa studiues e kishin përkthyer më parë Dhiatën e Re në hebraisht. Një prej tyre ishte Simon Atumanosi, murg bizantin, rreth vitit 1360. Një tjetër ishte Osvald Shrekënfuksi, studiues gjerman, rreth vitit 1565. Këto përkthime nuk u botuan kurrë dhe tani kanë humbur.