Lëfevrë d’Etaplë—Donte që njerëzit e thjeshtë të njihnin Fjalën e Perëndisë
MËNGJESIN e një të diele në fillim të viteve 20 të shekullit të 16-të, banorët e Mosë, një qytet i vogël afër Parisit, s’u besonin dot veshëve: sapo kishin dëgjuar në kishë leximin e ungjijve në gjuhën e nënës—në frëngjisht në vend se në latinisht.
Përkthyesi i Biblës që qëndronte pas kësaj nisme, Zhak Lëfevrë d’Etaplë (latinisht Jakobus Faber Stapulensis), i shkroi më vonë një miku të ngushtë: «Nuk e merr dot me mend se me çfarë zjarri po ndikon Perëndia në mendjet e njerëzve të thjeshtë në disa vende, që ata të përqafojnë Fjalën e tij.»
Në atë kohë Kisha Katolike dhe teologët në Paris ishin kundër përdorimit të përkthimit të Biblës në gjuhën e popullit. Atëherë, çfarë e nxiti Lëfevrën ta përkthente Biblën në frëngjisht? Dhe, si ia doli t’i ndihmonte njerëzit e thjeshtë të kuptonin Fjalën e Zotit?
DUKE KËRKUAR KUPTIMIN E VËRTETË TË SHKRIMEVE
Para se të përkthente Biblën, Lëfevrë i ishte kushtuar rikthimit të kuptimit origjinal të veprave klasike të filozofisë dhe teologjisë. Ai vuri re se tekstet e lashta shpesh ishin shtrembëruar nga gabimet dhe përkthimet jo të sakta përgjatë shekujve. Ndërsa kërkonte domethënien e vërtetë të shkrimeve antike, iu fut studimit të Biblës që përdorte Kisha Katolike, Vulgatës latine.
Nga studimi i zellshëm i Shkrimeve arriti në përfundimin se «vetëm studimi i së vërtetës hyjnore sjell . . . lumturi të madhe». Ja pse hoqi dorë nga studimi i filozofisë dhe gjithë energjitë ia kushtoi përkthimit të Biblës.
Më 1509 Lëfevrë botoi një studim krahasues të pesë versioneve të ndryshme latine të Psalmeve, * përfshirë korrigjimet që i bëri Vulgatës. Ndryshe nga teologët e kohës së tij, ai u mundua të përcillte «thjesht e natyrshëm kuptimin» e vargjeve të Biblës. Mënyra si i interpretoi Shkrimet ndikoi fuqishëm te studiues të tjerë të Biblës dhe te reformatorët.—Shih kutinë « Si ndikoi Lëfevrë te Martin Luteri».
I rritur si katolik, Lëfevrë ishte i bindur se reformimi i kishës do të ndodhte vetëm nëse njerëzve të thjeshtë u mësoheshin siç duhej Shkrimet. Por, si do të nxirrnin dobi nga Shkrimet e Shenjta nëse ishin kryesisht në latinisht?
NJË PËRKTHIM I BIBLËS PËR TË GJITHË
Dashuria e thellë që kishte Lëfevrë për Fjalën e Perëndisë e bëri më të vendosur që t’ua vinte në dispozicion pjesës më të madhe të popullit. Që ta arrinte këtë synim, në qershor të 1523-shit botoi në frëngjisht ungjijtë në dy vëllime format xhepi. Ky format i vogël, që kushtonte sa gjysma e Biblës që përdorte kisha, u dha mundësinë edhe njerëzve me pak të ardhura të kishin një kopje.
Njerëzit reaguan menjëherë dhe plot entuziazëm. Si burrat, edhe gratë ishin kaq të etur t’i lexonin fjalët e Jezuit në gjuhën e nënës, sa 1.200 kopjet e para u shitën brenda disa muajsh.
QËNDRIM I GUXIMSHËM PËR BIBLËN
Në parathënien e ungjijve, Lëfevrë shpjegoi se i kishte përkthyer në frëngjisht që «njerëzit e thjeshtë» të kishës «të jenë po aq të sigurt për të vërtetën që mësojnë ungjijtë, sa ata që e lexojnë në latinisht». Por, nga buronte kjo dëshirë e zjarrtë e Lëfevrës për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë të ktheheshin tek ajo që mëson Bibla?
Lëfevrë ishte plotësisht i vetëdijshëm se mësimet dhe filozofitë njerëzore kishin korruptuar Kishën Katolike. (Marku 7:7; Kolosianëve 2:8) Përveç kësaj, ishte i bindur se kishte ardhur koha që ungjijtë «të shpalleshin përreth botës pa shtrembërime, që njerëzit të mos devijonin më nga udha për shkak të doktrinave të sajuara nga njeriu».
Gjithashtu, Lëfevrë u mundua të demaskonte argumentet e gabuara të atyre që kundërshtuan përkthimin e Biblës në frëngjisht. Ai nxori në shesh hipokrizinë e tyre kur tha: «Si do t’u mësojnë njerëzve të thjeshtë t’u binden gjithë urdhërimeve të Jezu Krishtit nëse nuk duan aspak që ta shohin e ta lexojnë ungjillin e Perëndisë në gjuhën e vet?»—Romakëve 10:14.
S’është çudi që teologët në Universitetin e Sorbonës në Paris pa humbur kohë u përpoqën t’ia mbyllnin gojën Lëfevrës. Në gusht të 1523-shit, ata dolën kundër përkthimit të Biblës dhe librave të saj shpjegues në gjuhën vendase, duke i cilësuar si «të dëmshëm për Kishën». Po të mos kishte ndërhyrë mbreti i Francës, Fransisi I, Lëfevrë do të ishte dënuar si heretik.
PËRKTHYESI ‘I HESHTUR’ PËRFUNDON PUNËN
Lëfevrë nuk lejoi që debatet e nxehta mbi veprat e tij, ta shpërqendronin nga përkthimi i Biblës. Më 1524, pasi përfundoi përkthimin e Shkrimeve Greke (e ashtuquajtura Dhiata e Re), nxori një version të Psalmeve në frëngjisht që besimtarët të luteshin «me më shumë përkushtim e ndjenjë».
Shpejt pas kësaj teologët në Sorbonë filluan t’i analizonin me lupë veprat e Lëfevrës. Menjëherë urdhëruan të digjej në publik përkthimi i tij i Shkrimeve Greke dhe disa prej shkrimeve të tjera i kritikuan si «përkrahëse të herezisë së Luterit». Kur teologët e thirrën që të mbronte pikëpamjet e tij, Lëfevrë vendosi «të heshtte» dhe u arratis në Strasburg. Atje vazhdoi përkthimin e Biblës në fshehtësi. Edhe pse për disa sjellja e tij tregonte mungesë guximi, ai besonte se kjo ishte mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur atyre që nuk i vlerësonin «margaritarët» e çmuar të të vërtetave biblike.—Mateu 7:6.
Pothuajse një vit pas arratisjes së tij, mbreti, Fransisi I, e caktoi Lëfevrën mësues të djalit të tij 4-vjeçar, Çarlit. Falë kësaj pune kishte shumë kohë të lirë për të mbaruar përkthimin e Biblës. Më 1530 Bibla e plotë e përkthyer u shtyp jashtë Francës, në Anversë të Belgjikës me miratimin e perandorit Çarli V. *
ËNDËRR E MADHE, SHPRESË E SHUAR
Gjatë gjithë jetës Lëfevrë shpresoi se kisha do t’i braktiste traditat njerëzore dhe do të kthehej te njohuria e pastër e Shkrimeve. Besoi me gjithë zemër «tek e drejta, po, te detyra e çdo të krishteri që ta lexojë e ta mësojë vetë Biblën». Ja pse punoi kaq shumë që Bibla të ishte në dispozicion të të gjithëve. Edhe pse nuk iu plotësua dëshira që të shihte reformën e kishës, trashëgimia që la Lëfevrë, është e padiskutueshme—ai i ndihmoi njerëzit e thjeshtë të njihnin Fjalën e Perëndisë.
^ par. 8 Fivefold Psalter përmbante pesë versione të Psalmeve në kolona të ndara dhe përfshinte një tabelë me tituj për Perëndinë, si dhe Tetragramin, katër shkronjat hebraike që paraqesin emrin e Zotit.
^ par. 21 Pesë vjet më vonë, më 1535, përkthyesi francez Olivetan nxori versionin e tij të Biblës, bazuar në gjuhët origjinale. Kur përktheu Shkrimet Greke, u mbështet goxha në veprat e Lëfevrës.