Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

LEXUESIT PYESIN . . .

A janë Krishtlindjet për të krishterët?

A janë Krishtlindjet për të krishterët?

Miliona veta përreth botës besojnë se tradita e Krishtlindjeve është festimi i ditëlindjes së Jezu Krishtit. Megjithatë, a e ke pyetur ndonjëherë veten nëse të krishterët e shekullit të parë, ata që e njihnin më nga afër Jezuin, i festonin Krishtlindjet? Përveç kësaj, a e di se çfarë thotë Bibla për ditëlindjet? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojnë të përcaktojmë nëse Krishtlindjet janë për të krishterët.

Së pari, Bibla nuk përmend asnjë rast që të jetë festuar ditëlindja e Jezuit ose e ndonjë adhuruesi tjetër besnik të Perëndisë. Shkrimet përmendin vetëm dy persona që festuan ditëlindjen. Asnjëri nuk ishte adhurues i Jehovait, Perëndisë së Biblës, dhe festimet e ditëlindjeve të tyre u paraqitën në dritë negative. (Zanafilla 40:20; Marku 6:21) Sipas Encyclopædia Britannica, të krishterët e hershëm ishin kundër «zakonit pagan të festimit të ditëlindjeve».

Në ç’datë lindi Jezui?

Bibla nuk e thotë datën e saktë të lindjes së Jezuit. «Dita e lindjes së Krishtit nuk mund të zbulohet nga B[esëlidhja] e R[e] dhe, në të vërtetë, as nga ndonjë burim tjetër»,​—thotë Cyclopædia e autorëve Meklintok dhe Strong. Sigurisht, nëse Jezui donte që dishepujt e tij t’ia festonin ditëlindjen, do të sigurohej ta dinin datën e lindjes së tij.

Së dyti, në Bibël nuk thuhet se Jezui ose ndonjë nga dishepujt e tij të ketë festuar Krishtlindjet. Sipas New Catholic Encyclopedia, festimi i Krishtlindjeve u përmend për herë të parë te vepra «Kronografi i Filokalusit, një kalendar romak, dorëshkrimi origjinal i të cilit mund të datojë në vitin 336 [të e.s.].» Pra, shumë kohë pas përfundimit të Biblës dhe shekuj pasi Jezui jetoi në tokë. Prandaj, në veprën e Meklintokut dhe të Strongut thuhet se «kremtimi i Krishtlindjeve nuk është caktuar nga Perëndia dhe as e ka origjinën në B[esëlidhjen] e R[e].» *

Cilin rast i udhëzoi Jezui dishepujt e tij të përkujtonin?

Si Mësuesi i Madh, Jezui dha udhëzime të qarta se çfarë donte të bënin dishepujt e tij, dhe këto janë dokumentuar në Bibël. Gjithsesi, festimi i Krishtlindjeve nuk është një prej tyre. Ashtu si një mësues nuk do që nxënësit e tij të shkojnë përtej udhëzimeve që u jepen, edhe Jezui nuk do që dishepujt e tij ‘të shkojnë përtej gjërave të shkruara’ në Shkrimet e Shenjta.—1 Korintasve 4:6.

Nga ana tjetër, ekziston një rast i rëndësishëm që të krishterët e hershëm e njihnin mjaft mirë​—Përkujtimi i vdekjes së Jezuit. Ai u tha vetë dishepujve kur ta kremtonin Përkujtimin, si edhe u tregoi si ta bënin. Këto udhëzime specifike, bashkë me datën e vdekjes së tij, janë të dokumentuara në Bibël.​—Luka 22:7, 19; 1 Korintasve 11:25.

Siç e pamë, Krishtlindjet janë një festim ditëlindjeje dhe të krishterët e hershëm nuk e ndiqnin këtë zakon pagan. Përveç kësaj, në Bibël nuk thuhet se Jezui ose ndonjë tjetër të ketë festuar Krishtlindjet. Nën dritën e këtyre fakteve, miliona të krishterë në mbarë botën kanë nxjerrë përfundimin se festa e Krishtlindjeve nuk është për ta.

^ par. 6 Për më shumë informacion për origjinën e shumicës së traditave të Krishtlindjeve, shih artikullin «Lexuesit pyesin . . . Cila është e vërteta për Krishtlindjet?» te Kulla e Rojës 1 dhjetor 2014, e cila disponohet online në www.dan124.com.