Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«I drejti do të gëzojë falë Jehovait»

«I drejti do të gëzojë falë Jehovait»

DIANA është mbi 80 vjeçe. I shoqi vuante nga sëmundja e Alcajmerit dhe kaloi disa vjet në një qendër shëndetësore para se të vdiste. Veç kësaj, ajo përballoi dhimbjen e vdekjes së dy djemve dhe luftoi me kancerin e gjirit. Megjithatë, kur e shohin në Sallën e Mbretërisë ose në shërbim, pjesëtarët e kongregacionit vërejnë se Diana është përherë e gëzuar.

Xhoni shërbeu si mbikëqyrës udhëtues për më shumë se 43 vjet. Ai caktim ishte i shtrenjtë për të—ishte jeta e tij! Mirëpo e ndërpreu shërbimin në veprën udhëtuese që të kujdesej për një të afërm të sëmurë dhe tani shërben në një kongregacion vendës. Kur motrat e vëllezërit që e njihnin më parë, e takojnë Xhonin në një asamble a kongres, vërejnë se nuk ka ndryshuar aspak. Ai ende rrezaton gëzim.

Si është e mundur që Diana dhe Xhoni janë të gëzuar? Si mund të ndihet i gëzuar dikush që ka dhimbje emocionale e fizike? Dhe si mund të jetë ende i gëzuar dikush që s’e ka më një caktim që e kishte për zemër? Bibla hedh dritë mbi arsyen e këtij gëzimi kur thotë: «I drejti do të gëzojë falë Jehovait.» (Psal. 64:10) Mund ta kuptojmë më qartë këtë të vërtetë jetësore nëse dimë cilat gjëra na e mbushin zemrën me një gëzim që nuk shuhet dhe cilat jo.

GËZIME KALIMTARE

Siç e di, ka disa gjëra që thuajse gjithmonë sjellin gëzim. Mendo për një çift të dashuruar që po martohen. Ose mendo për dikë që bëhet prind a që merr një privilegj teokratik. Gjëra të tilla të mbushin me gëzim, dhe me të drejtë, sepse janë dhurata nga Jehovai. Ai themeloi martesën, bëri të mundur që njerëzit të lindin fëmijë dhe na jep caktime nëpërmjet kongregacionit të krishterë.—Zan. 2:18, 22; Psal. 127:3; 1 Tim. 3:1.

Sidoqoftë, disa shkaqe gëzimi mund të jenë kalimtare. Mjerisht, një bashkëshort mund të mos qëndrojë besnik ose mund të vdesë. (Ezek. 24:18; Hoz. 3:1) Disa fëmijë nuk u binden prindërve dhe Perëndisë, e ndoshta edhe përjashtohen. Bijtë e Samuelit nuk i shërbenin Jehovait në mënyrë të pranueshme, dhe Davidit i ndodhën gjëma në familje si pasojë e veprimeve të veta. (1 Sam. 8:1-3; 2 Sam. 12:11) Ngjarje të tilla patjetër që nuk na sjellin gëzim, por hidhërim e vuajtje.

Po ashtu, disa privilegje shërbimi mes popullit të Perëndisë mund të marrin fund, mbase për shkak të shëndetit të dobët, të detyrimeve familjare ose të ndryshimeve teokratike. Shumë nga ata që përjetojnë ndryshime të tilla, e pranojnë se u mungon kënaqësia që u falte caktimi i tyre.

E kuptojmë se deri diku këto burime gëzimi mund të jenë relative ose kalimtare. A ka, pra, ndonjë lloj tjetër gëzimi, një gëzim që nuk shuhet as kur jeta merr një kthesë të vështirë? Duhet të ketë, sepse Samueli, Davidi e të tjerë nuk e humbën gëzimin ndërsa hiqnin sprova.

NJË GËZIM QË NUK SHUHET

Jezui e dinte çfarë është gëzimi i vërtetë. Gjatë jetës së tij në qiell para se të vinte në tokë, kur kushtet pa dyshim ishin të shkëlqyera, ai ‘gëzohej para [Jehovait] gjithë kohës’. (Prov. 8:30) Mirëpo në tokë ai hasi herë pas here sprova të rënda. Prapëseprapë, Jezui gjente kënaqësi ndërsa bënte vullnetin e Atit. (Gjoni 4:34) Ç’të themi për orët e fundit aq të dhimbshme të jetës së tij? Në Shkrime lexojmë: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture.» (Hebr. 12:2) Prandaj, mund të mësojmë shumë duke u ndalur te dy komente të Jezuit për gëzimin e vërtetë.

Në një rast, 70 dishepuj u kthyen te Jezui pas një caktimi në predikim. Fluturonin nga gëzimi sepse kishin kryer vepra të fuqishme, e madje kishin dëbuar demonë. Atëherë Jezui u tha: «Mos u gëzoni që frymërat ju nënshtrohen, por gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.» (Luka 10:1-9, 17, 20) Po, ishte më e rëndësishme të kishin miratimin e Jehovait sesa të gëzonin çfarëdo privilegji të veçantë. Jehovai i kujton për mirë dishepujt besnikë—dhe ky është një burim gëzimi shumë më i madh.

Në një rast tjetër, Jezui po fliste para një turme. Një gruaje judeje i la aq mbresa ai mësues i shkëlqyer, sa tha se nëna e tij duhej të ishte e lumtur. Por Jezui e ndreqi me fjalët: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Luka 11:27, 28) Të ndihesh krenar si prind mund të jetë një ndjenjë fantastike. Ama, të jesh mik i Jehovait ngaqë i bindesh është një arsye shumë më e madhe për të gëzuar.

Vërtet, të ndiesh miratimin e Jehovait është çelësi për të pasur gëzim të thellë në zemër. Sprovat, edhe pse nuk janë aspak të këndshme, nuk na e ndryshojnë këtë siguri të brendshme. Përkundrazi, kur qëndrojmë duke mbajtur integritetin, kjo është një fitore që sjell një gjendje të mirë të zemrës. (Rom. 5:3-5) Veç kësaj, Jehovai u jep frymën e tij atyre që kanë besim tek ai, dhe gëzimi është pjesë e frytit të saj. (Gal. 5:22) Kjo na ndihmon të kuptojmë pse janë të goditura fjalët e Psalmit 64:10: «I drejti do të gëzojë falë Jehovait.»

Çfarë e ka ndihmuar Xhonin të ruajë gëzimin?

Pra, kjo është arsyeja pse Diana dhe Xhoni, të përmendur më sipër, arritën ta ruanin gëzimin në zemër kur përballuan rrethana të vështira. Diana thotë: «Kam gjetur strehë te Jehovai, ashtu siç gjen strehë fëmija te prindi.» Si e ndien ajo miratimin e Perëndisë? «Ndiej se ai më ka bekuar duke më dhënë mundësi të predikoj rregullisht me një buzëqeshje në fytyrë.» Xhoni shpjegon çfarë e ndihmoi të ruante zellin në shërbim dhe gëzimin pasi nuk shërbente më në veprën udhëtuese që e kishte për zemër. Ai thotë: «Që nga viti 1998 kur më caktuan të jepja mësim në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, kam bërë studim personal më shumë se kurrë ndonjëherë.» Pastaj, duke folur për veten dhe të shoqen, shton: «Qëndrimi që kemi pasur ndër vite për t’i shërbyer Jehovait në çfarëdo caktimi që na jepte, na e ka bërë relativisht të lehtë këtë përshtatje. Nuk jemi aspak pishman që kemi vepruar kështu.»

Ka shumë të tjerë që e kanë shijuar sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 64:10. Të marrim rastin e një çifti që shërbeu mbi 30 vjet në Bethelin e Shteteve të Bashkuara. Më pas i caktuan si pionierë specialë. Me realizëm, ata pranuan: «Kur humb diçka që e do, pikëllimi është një proces i natyrshëm.» Por pastaj shtuan: «Ama, nuk mund të jesh i pikëlluar përgjithmonë.» Ata u dhanë shpejt pas shërbimit bashkë me kongregacionin. Gjithashtu, çifti tha: «U lutëm për disa gjëra mjaft specifike. Pastaj, tek shihnim përgjigjet e lutjeve tona, merrnim zemër dhe mbusheshim me gëzim. Pak pasi shkuam në caktimin e ri, të tjerë në kongregacion filluan të shërbenin si pionierë, dhe u bekuam me dy studime biblike që përparonin.»

«GJITHMONË TË GËZUAR»

Kuptohet, s’është gjithmonë e lehtë të jesh i gëzuar, dhe patjetër që do të kemi ulje e ngritje. Prapëseprapë, Jehovai frymëzoi fjalët e Psalmit 64:10 që na ngrohin zemrën. Edhe kur jemi të shkurajuar, mund të jemi të sigurt se «i drejti», që qëndron besnik pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave, «do të gëzojë falë Jehovait». Veç kësaj, mund të presim plot shpresë përmbushjen e premtimit të Jehovait për «qiej të rinj dhe një tokë të re». Atëherë papërsosmëria do të zhduket me rrënjë. Çdo shërbëtor i Perëndisë ‘do të ngazëllojë e do të jetë gjithmonë i gëzuar’ për gjithçka që krijon e siguron ai.​—Isa. 65:17, 18.

Përfytyroje pak atë kohë: do të gëzojmë shëndet të përsosur dhe do ta nisim çdo ditë plot energji. Pavarësisht se çfarë plagësh të thella emocionale kishim në të kaluarën, kujtimet e dhimbshme do të fshihen fare. Jehovai na siguron se «gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër». E falë mrekullisë së ringjalljes, do të ribashkohemi me njerëzit tanë të dashur. Miliona e miliona veta do të ndihen si prindërit e vajzës 12-vjeçare që ktheu në jetë Jezui: «Ata mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.» (Mar. 5:42) Me kohë, çdo njeri në tokë do të jetë një ‘i drejtë’ në kuptimin më të plotë të fjalës dhe për gjithë përjetësinë «do të gëzojë falë Jehovait».