Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Shihemi në Parajsë!»

«Shihemi në Parajsë!»

«Ti do të jesh me mua në Parajsë.»​—LUKA 23:43.

KËNGËT: 145, 139

1, 2. Cilat janë disa ide që kanë njerëzit për parajsën?

ISHTE një skenë mjaft prekëse. Ndërsa delegatët e huaj largoheshin nga stadiumi pas një kongresi në Seul, Kore, Dëshmitarët vendës u mblodhën turmë rreth tyre. Shumë i përshëndetnin me dorë e thërritnin: «Shihemi në Parajsë!» Për cilën parajsë mendon se e kishin fjalën?

2 Fjala «parajsë» ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Disa thonë se ajo është një fantazi. Të tjerë thonë se parajsa është çdo vend ku ndihen të gëzuar e të lumtur. Një njeri i uritur që është shtruar në një banket mund të ndihet sikur është në parajsë. Në shekullin e 19-të, një grua që pa një luginë të veshur me lule, thirri: «Ua, çfarë parajse!» Ai vend mban sot e kësaj dite emrin Parajsë, edhe pse atje bie mbi 15 metra borë në vit. Po ty ç’të vjen ndër mend kur dëgjon fjalën Parajsë? A shpreson që ajo të vijë?

3. Ku del në pah për herë të parë në Bibël ideja e parajsës?

3 Bibla flet qoftë për një parajsë që ekzistonte dikur, qoftë për një parajsë që do të ekzistojë në të ardhmen. Ideja e parajsës del në pah qysh në faqet e para të Biblës. Në një version katolik të Biblës, që është përkthyer nga latinishtja, Zanafilla 2:8 thotë: «Zoti Perëndi kishte mbjellë një parajsë kënaqësie qysh në fillim: atje ai vendosi [Adamin] që kishte formuar.» (Douay Version; kursivi është yni.) Teksti hebraik flet për kopshtin e Edenit. Eden do të thotë «kënaqësi», dhe ai kopsht ishte vërtet i këndshëm. Atje ushqimi ishte me bollëk, peizazhet ishin fantastike dhe kishe kënaqësinë të rrije në paqe me lloj-lloj kafshësh.—Zan. 1:29-31.

4. Pse mund ta quajmë parajsë kopshtin e Edenit?

4 Parádeisos është fjala greke e përdorur për të përkthyer fjalën hebraike për «kopsht». Ja çfarë thotë një enciklopedi (Cyclopaedia e Meklintokut dhe Strongut) për idenë që përcillte fjala parádeisos: «Një park i madh e i gjerë, i rrethuar për të shmangur çdo dëm, por me një bukuri natyrore të virgjër, me pyje plot pemë madhështore, shumë nga të cilat jepnin fryt, i vaditur nga lumenj të kristaltë, në brigjet e të cilëve kishte tufa të mëdha me antilopa ose dele—këtë peizazh i sillte në mendje kjo fjalë udhëtarit grek.»—Krahaso Zanafillën 2:15, 16.

5, 6. Si e humbën njerëzit privilegjin për të jetuar në Parajsë, dhe cila pyetje lind nga kjo?

5 Perëndia i vendosi Adamin dhe Evën në një parajsë të tillë, por ata nuk qëndruan atje. Pse? Sepse e skualifikuan veten për atë privilegj ngaqë nuk iu bindën Perëndisë. Kështu, ata dhe pasardhësit e tyre e humbën Parajsën. (Zan. 3:23, 24) Duket se ai kopsht vazhdoi të ekzistonte deri në Përmbytjen e kohës së Noesë, ndonëse atje nuk banonte më asnjë njeri.

6 Disa ndoshta pyesin: «A do të ketë ndonjëherë mundësi një burrë, një grua a një fëmijë të gëzojë Parajsën në tokë?» Çfarë tregojnë faktet? Nëse shpreson të jetosh me njerëzit e tu të dashur në Parajsë, a ke arsye të forta për shpresën tënde? A mund të shpjegosh përse është e sigurt se Parajsa do të vijë?

DËSHMI PËR NJË PARAJSË NË TË ARDHMEN

7, 8. (a) Çfarë premtimi i bëri Perëndia Abrahamit? (b) Për çfarë mund të ketë menduar Abrahami pasi dëgjoi premtimin e Perëndisë?

7 Është logjike që përgjigjet e këtyre pyetjeve t’i gjejmë në librin që frymëzoi Krijuesi i Parajsës së hershme. Të mendojmë për atë që i tha Perëndia mikut të tij, Abrahamit. Jehovai i tha se do t’i shumonte pasardhësit e tij «si kokrrizat e rërës në breg të detit». Pastaj bëri këtë premtim tepër të rëndësishëm: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e dëgjove zërin tim.» (Zan. 22:17, 18) Më vonë Perëndia i përsëriti në thelb të njëjtin premtim birit dhe nipit të Abrahamit.—Lexo Zanafillën 26:4; 28:14.

8 Askund në Bibël nuk tregohet se Abrahami mendonte që njerëzit do ta merrnin shpërblimin e fundit në një parajsë qiellore. Ndaj, kur Perëndia foli për bekimin e ‘të gjitha kombeve të tokës’, është logjike që Abrahami të ketë menduar për bekimet në tokë. Ai premtim ishte nga Perëndia dhe nënkuptonte se «të gjitha kombet e tokës» do të jetonin në kushte më të mira. Por, a pati dëshmi të tjera gjatë historisë së popullit të Perëndisë që ta mbështetnin këtë ide?

9, 10. Pas kohës së Abrahamit, cilat premtime siguruan një bazë për të pritur bekime në të ardhmen?

9 Davidi, një pasardhës i Abrahamit, foli për një kohë në të ardhmen kur ‘keqbërësit’ dhe «ata që bëjnë padrejtësi» do të zhdukeshin. Pra, «i ligu nuk do të jetë më». (Psal. 37:1, 2, 10) Në vend të kësaj, «zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». Gjithashtu, Davidi u frymëzua të parathoshte: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psal. 37:11, 29; 2 Sam. 23:2) Si mendon se ndikuan këto premtime te njerëzit që donin të bënin vullnetin e Perëndisë? Meqë premtimet tregonin se në tokë do të jetonin vetëm të drejtët, ata kishin një bazë për të pritur që toka me kohë të bëhej sërish parajsë si kopshti i Edenit.

10 Me kalimin e kohës, shumica e izraelitëve që pohonin se i shërbenin Jehovait, i kthyen shpinën atij dhe adhurimit të vërtetë. Prandaj Perëndia lejoi që babilonasit ta mundnin popullin e tij, ta shkretonin vendin e tyre dhe t’i çonin shumë izraelitë në mërgim. (2 Kron. 36:15-21; Jer. 4:22-27) Gjithsesi, profetët e Perëndisë parathanë se pas 70 vjetësh, populli i tij do të kthehej në atdhe. Ato profeci u përmbushën. Por ato janë domethënëse edhe për ne sot. Ndërsa shqyrtojmë disa prej tyre, le të mbajmë në mendje thelbin e diskutimit tonë—një parajsë në të ardhmen në tokë.

11. Si u përmbush fillimisht Isaia 11:6-9, por cila pyetje kërkon ende përgjigje?

11 Lexo Isainë 11:6-9. Nëpërmjet Isaisë, Perëndia paratha se pasi të kthehej në atdhe, popullit të Tij nuk do t’i duhej të luftonte me kushtet e këqija e të rrezikshme të motit; as nuk do të kishte pse të trembej se mos e sulmonin kafshët a njerëzit me tipare shtazarake. Të gjithë do të ishin të sigurt, i madh e i vogël. A nuk të sjell ndër mend kjo kushtet që krijoi Perëndia në kopshtin e Edenit? (Isa. 51:3) Kjo profeci e Isaisë parathoshte edhe se mbarë toka—jo vetëm kombi i Izraelit—‘do të mbushej me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin’. Kur do të ndodhë kjo?

12. (a) Cilat bekime shijuan ata që u kthyen nga mërgimi në Babiloni? (b) Ç’gjë tregon se Isaia 35:5-10 ka edhe një përmbushje tjetër?

12 Lexo Isainë 35:5-10. Më tej Isaia theksoi se të kthyerve nga mërgimi nuk do t’u kanosej asnjë rrezik nga kafshët ose nga njerëzit. Toka e tyre do të jepte prodhime të pasura, ngaqë do të vaditej bollshëm me ujë, ashtu siç ujitej kopshti i Edenit dikur. (Zan. 2:10-14; Jer. 31:12) A do të ishte kjo e vetmja përmbushje? Nuk ka asnjë dëshmi se të mërguarit e kthyer në atdhe u shëruan me mrekulli. Për shembull, të verbrit nuk e rifituan shikimin. Pra, Perëndia po tregonte se shërimet fizike do të ndodhnin në të ardhmen.

13, 14. Si e provuan ish-mërgimtarët plotësimin e Isaisë 65:21-23, por cila pjesë e kësaj profecie pritet të përmbushet në të ardhmen? (Shih figurën hapëse.)

13 Lexo Isainë 65:21-23. Judenjtë nuk u kthyen në shtëpi të rehatshme, e as gjetën ara dhe vreshta të kultivuara. Ama, ndërsa Perëndia i bekonte, situata ndryshoi. Çfarë gëzimi ishte për ta të ndërtonin shtëpi e të jetonin në to! Ata mund të mbillnin e të shijonin ushqime të shëndetshme, frytin e duarve të tyre.

14 Të ndalemi te një hollësi e rëndësishme e kësaj profecie. A do të vijë ajo kohë kur ditët tona «do të jenë si ditët e një peme»? Disa pemë jetojnë me mijëra vjet. Që të jetojnë kaq gjatë, njerëzit duhet të gëzojnë shëndet të mirë. E nëse mund të jetojnë në kushtet që paratha Isaia, kjo do të jetë një ëndërr e bërë realitet, një parajsë e vërtetë! Kjo profeci ka për t’u përmbushur!

Si do të plotësohet premtimi që bëri Jezui për Parajsën? (Shih paragrafët 15, 16.)

15. Si do t’i përmblidhje disa bekime që përmenden në librin e Isaisë?

15 Mendo pak si flasin për një parajsë të ardhshme premtimet që sapo shqyrtuam: njerëzit në mbarë tokën do të bekohen nga Perëndia. Askujt nuk do t’i kanoset ndonjë rrezik nga kafshët ose nga njerëzit me tipare shtazarake. Të verbrit, të shurdhrit dhe të çalët do të shërohen. Njerëzit do të kenë mundësi të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe të kënaqen teksa kultivojnë vetë ushqime të shëndetshme. Ata do të jetojnë më gjatë se pemët. Po, në Bibël gjejmë dëshmi se kjo është e ardhmja që na pret. Mirëpo disa mund të thonë se po nxjerrim nga këto profeci më tepër se ç’thonë realisht. Si do të përgjigjeshe ti? Çfarë arsye të fortë ke që të presësh një parajsë të vërtetë në tokë? Njeriu më i madh i gjithë kohërave na dha një arsye të fortë.

TI DO TË JESH NË PARAJSË!

16, 17. Në cilën situatë ndodhej Jezui kur foli për Parajsën?

16 Ndonëse ishte i pafajshëm, Jezuin e dënuan dhe e varën në një shtyllë që të vdiste, mes dy kriminelëve judenj. Para se të vdiste, njëri prej tyre e pranoi se Jezui ishte mbret dhe i bëri këtë kërkesë: «Jezu, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» (Luka 23:39-42) Përgjigjja e Jezuit, që gjendet te Luka 23:43, ka lidhje me të ardhmen tënde. Disa studiues të sotëm e përkthejnë kështu fjalë për fjalë këtë varg: «Vërtet po të them: sot me mua ti do të jesh në Parajsë.» Por, ç’donte të thoshte Jezui me fjalën «sot»? Për këtë ka pikëpamje të ndryshme.

17 Në shumë gjuhë të sotme përdoret dypikëshi ose presja që të përcillet a të qartësohet kuptimi i një fjalie. Por, në dorëshkrimet më të hershme greke që janë gjetur, nuk përdoren gjithmonë shenjat e pikësimit. Pra, lind pyetja: A po thoshte Jezui: «Po të them: sot ti do të jesh me mua në Parajsë»? Apo po thoshte: «Po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë»? Përkthyesit mund të shtojnë një dypikësh a një presje sipas pikëpamjes së tyre për atë që donte të thoshte Jezui, dhe në përkthimet e Biblës që përdoren sot ndeshen të dyja variantet.

18, 19. Çfarë na ndihmon ta kuptojmë atë që donte të thoshte Jezui?

18 Megjithatë, të kujtojmë çfarë u kishte thënë më parë Jezui dishepujve të tij: «Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.» Gjithashtu tha: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve, të cilët do ta vrasin. Por ditën e tretë ai do të ngrihet.» (Mat. 12:40; 16:21; 17:22, 23; Mar. 10:34) Apostulli Pjetër tregon se kështu ndodhi. (Vep. 10:39, 40) Pra, Jezui nuk shkoi në ndonjë Parajsë ditën kur ai dhe krimineli pranë tij vdiqën. Jezui qëndroi «në Hades» deri ditën e tretë kur Perëndia e ringjalli.—Vep. 2:31, 32. *

19 Pra, nga kjo mund të kuptojmë se Jezui e nisi premtimin që i bëri kriminelit me shprehjen: «Vërtet po të them sot.» Kjo mënyrë të shprehuri ishte e zakonshme edhe në kohën e Moisiut. Ai tha: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot.»—Ligj. 6:6; 7:11; 8:1, 19; 30:15.

20. Ku mbështetet kuptueshmëria jonë për atë që tha Jezui?

20 Ja çfarë shkruante një përkthyes i Biblës nga Lindja e Mesme për përgjigjen e Jezuit: «Theksi te ky varg bie te fjala ‘sot’, dhe ai duhet përkthyer: ‘Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.’ Premtimi u bë atë ditë dhe do të përmbushej më vonë. Kjo është një karakteristikë e të folurit oriental, që nënkupton se premtimi u bë në një ditë të përcaktuar dhe do të plotësohej pa diskutim.» Ja pse një version siriak i shekullit të pestë e përkthen kështu përgjigjen e Jezuit: «Amen, po të them sot se me mua ti do të jesh në Kopshtin e Edenit.» Ky premtim duhet të na japë zemër të gjithëve.

21. Cili privilegj nuk iu dha kriminelit, dhe përse?

21 Krimineli që ishte buzë vdekjes, nuk e dinte se Jezui kishte bërë një besëlidhje me apostujt e tij besnikë për të qeverisur me të në Mbretërinë qiellore. (Luka 22:29) Veç kësaj, ai kriminel as ishte pagëzuar. (Gjoni 3:3-6, 12) Kështu, është e qartë se ai nuk ishte zgjedhur të shkonte në qiell. Ndaj kur i bëri atë premtim, Jezui duhej ta kishte fjalën për një parajsë tokësore. Vite më vonë, apostulli Pavël tregoi një vegim për një njeri që «u rrëmbye në parajsë». (2 Kor. 12:1-4) Ndryshe nga krimineli në prag të vdekjes, Pavli dhe apostujt e tjerë besnikë ishin zgjedhur të shkonin në qiell për të qeverisur me Jezuin në Mbretëri. Gjithsesi, Pavli e kishte fjalën për diçka që do të vinte në të ardhmen—për një «parajsë» të ardhshme. * A do ta përfshinte tokën ajo parajsë? A mund të jesh edhe ti atje?

ÇFARË MUND TË PRESËSH

22, 23. Për çfarë mund të shpresosh?

22 Të kujtojmë se Davidi foli në mënyrë profetike për kohën kur «të drejtët do të trashëgojnë tokën». (Psal. 37:29; 2 Pjet. 3:13) Davidi e kishte fjalën për kohën kur njerëzit në tokë do të jetonin sipas udhëve të drejta të Perëndisë. Profecia tek Isaia 65:22 thotë: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme.» Kjo nënkupton se njerëzit do të jetojnë me mijëra vjet. A mund të presësh që kjo të bëhet realitet? Po, sepse Zbulesa 21:1-4 tregon që Perëndia do ta drejtojë vëmendjen nga njerëzimi dhe një nga bekimet e premtuara është se «nuk do të ketë më vdekje» për ata që i shërbejnë Perëndisë në botën e tij të re e të drejtë.

23 Pra, tabloja është e qartë. Adami dhe Eva e humbën Parajsën në Eden, por shpresa e Parajsës nuk humbi përgjithmonë. Siç ka premtuar, Perëndia do t’i bekojë banorët e tokës. Nën frymëzim, Davidi tha se zemërbutët dhe të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të jetojnë përgjithmonë në të. Profecitë e librit të Isaisë na shtyjnë ta presim më me zjarr kohën kur do të mbretërojnë kushte parajsore. Kur do të vijë ajo ditë? Kur të plotësohet premtimi që i bëri Jezui kriminelit jude. Ti mund të jesh në atë Parajsë. Në atë kohë, do të bëhet realitet thirrja e atyre delegatëve në Kore: «Shihemi në Parajsë!»

^ par. 18 Profesori Marvin Pejt shkroi: «Në përgjithësi, mendohet se fjala ‘sot’ i referohet në kuptimin kronologjik një periudhe 24-orëshe. Problemi i kësaj pikëpamjeje është se bie ndesh me atë që mësojnë fragmente të tjera të Biblës. Ato tregojnë se pasi vdiq, Jezui në fillim ‘zbriti’ në hades (Mat. 12:40; Vep. 2:31; Rom. 10:7) dhe pas kësaj u ngjit në qiell.»

^ par. 21 Shih «Pyetje nga lexuesit» në këtë revistë.