ARTIKULLI I STUDIMIT 49
«Ka një kohë të caktuar» për të punuar e për të pushuar
«Ejani të shkojmë në një vend të veçuar . . . e të pushojmë pak.»—MARKU 6:31, nwt.
KËNGA 143 Le të qëndrojmë vigjilentë dhe të presim
PËRMBLEDHJE *
1. Ç’mendim kanë shumë veta për punën?
Ç’MENDIM kanë për punën shumica aty ku jeton ti? Në shumë vende, njerëzit po punojnë si kurrë më parë. Njerëzit e mbingarkuar shpesh janë tepër të zënë që të pushojnë, të kalojnë kohë me familjen a të mendojnë për kuptimin e jetës. (Ekl. 2:23) Nga ana tjetër, disa nuk e kanë fare qejf punën dhe nxjerrin justifikime si e si të mos punojnë.—Prov. 26:13, 14.
2-3. Çfarë shembulli lënë për punën Jehovai dhe Jezui?
2 Të shohim ç’mendojnë për punën Jehovai dhe Jezui, në kontrast me pikëpamjen e paekuilibruar të botës. Pa dyshim, Jehovai është punëtor i palodhur. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17) Mendo për gjithë punën që bëri Perëndia kur krijoi engjëjt e panumërt dhe universin e paanë. Edhe në planetin tonë të bukur shohim plot dëshmi të veprave krijuese të Perëndisë. Me të drejtë psalmisti tha: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Të gjitha i ke bërë me mençuri! Toka është plot e përplot me ato që bëre ti!»—Psal. 104:24, nwt.
3 Jezui imitoi të Atin. Si mençuria e personifikuar, Biri ndihmoi kur Perëndia «bëri qiejt». Ai ishte përkrah Jehovait «si një kryemjeshtër». (Prov. 8:27-31, nwt) Shumë kohë më vonë, kur ishte në tokë, Jezui bëri një punë të jashtëzakonshme. Ajo vepër ishte si ushqim për të, dhe gjithçka që bëri në tokë, tregoi se e kishte dërguar Perëndia.—Gjoni 4:34; 5:36; 14:10.
4. Çfarë mund të mësojmë nga Jehovai dhe Jezui për pushimin?
4 Ndonëse Jehovai dhe Jezui janë punëtorë të palodhur, a nënkupton shembulli i tyre se nuk kemi nevojë të pushojmë? Aspak. Jehovai nuk lodhet kurrë, prandaj nuk ka nevojë të pushojë. Mirëpo, Bibla thotë se pasi krijoi qiellin dhe tokën, Jehovai «filloi të pushonte e të kënaqej me punën e tij». (Eks. 31:17, nwt) Me sa duket, Jehovai pushoi së krijuari dhe filloi të shijonte frytin e duarve të tij. Edhe Jezui punoi fort ndërsa ishte në tokë, por prapë gjente kohë për të pushuar e për të shijuar ndonjë vakt me miqtë.—Mat. 14:13; Luka 7:34.
5. Çfarë vështirësie hasin shumë shërbëtorë të Jehovait?
5 Bibla i nxit shërbëtorët e Perëndisë ta duan punën. Ata duhet të jenë të papërtuar e jo dembelë. (Prov. 15:19) Mbase të duhet të punosh për të mbajtur familjen. Veç kësaj, si të gjithë dishepujt e Krishtit, ke përgjegjësinë të predikosh lajmin e mirë. Mirëpo ke nevojë edhe të pushosh mjaftueshëm. A e ke të vështirë ndonjëherë të gjesh mjaft kohë për punën, për shërbimin dhe pushimin? Si ta dallojmë sa të punojmë dhe sa të pushojmë?
GJEJ EKUILIBRIN
6. Si e tregon Marku 6:30-34 se Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe pushimin?
6 Është e rëndësishme të kesh pikëpamjen e duhur për punën. Nën frymëzim, mbreti Solomon shkroi: ‘Ka një kohë të caktuar për çdo punë.’ Ai tha se ka një kohë për të mbjellë, për të ndërtuar, për të qarë, për të qeshur, për të hedhur valle e kështu me radhë. (Ekl. 3:1-8) Është e qartë se puna dhe pushimi janë dy aspekte thelbësore të jetës. Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe pushimin. Në një rast, apostujt u kthyen nga një fushatë predikimi dhe ishin aq të zënë, sa s’u doli koha as për të ngrënë. Prandaj Jezui u tha: «Ejani të shkojmë në një vend të veçuar që të rrimë vetëm e të pushojmë pak.» (Lexo Markun 6:30-34.) Edhe pse ai dhe dishepujt nuk pushonin dot gjithmonë aq sa donin, Jezui e dinte se të gjithë kishin nevojë për pushim.
7. Si do të na ndihmojë shqyrtimi i ligjit për Sabatin?
7 Ndonjëherë kemi vërtet nevojë të pushojmë a të ndryshojmë rutinën. Këtë e kuptojmë nga një masë që mori Perëndia për popullin e tij në lashtësi—Sabati i përjavshëm. Ndonëse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar ç’thoshte ai për Sabatin. Kështu mund të analizojmë pikëpamjen tonë për punën dhe pushimin.
SABATI—NJË KOHË PËR TË PUSHUAR E PËR TË ADHURUAR
8. Sipas Eksodit 31:12-15, për çfarë shërbente dita e Sabatit?
8 Bibla thotë se pas gjashtë «ditëve» të krijimit, Perëndia pushoi nga gjithë puna që kishte bërë në tokë. (Zan. 2:2) Gjithsesi, Jehovait i pëlqen shumë të punojë dhe ‘ka vazhduar të punojë’ në mënyra të tjera. (Gjoni 5:17) Ligji për Sabatin e përjavshëm ndjek modelin e ditës së pushimit të Jehovait, që përshkruhet te Zanafilla. Perëndia tha se Sabati ishte një shenjë mes tij dhe Izraelit. Ajo ditë ishte ‘pushim i plotë, diçka e shenjtë për Jehovain’. (Lexo Eksodin 31:12-15.) Askujt nuk i lejohej të punonte, as fëmijëve, as skllevërve e madje as kafshëve. (Eks. 20:10) Sabati i jepte mundësi popullit të përqendrohej më shumë tek adhurimi i Jehovait.
9. Cilën pikëpamje të gabuar për Sabatin kishin njerëzit në kohën e Jezuit?
9 Sabati i sillte dobi popullit të Perëndisë. Mirëpo, shumë udhëheqës fetarë në kohën e Jezuit zhvilluan një pikëpamje ekstremiste e të ngurtë. Ata thoshin se në Sabat nuk ishte e ligjshme madje as të këputje ca kallinj gruri a të shëroje një të sëmurë. (Mar. 2:23-27; 3:2-5) Këto pikëpamje binin ndesh me mënyrën si mendon Perëndia, dhe Jezui ua bëri të qartë këtë atyre që donin ta dëgjonin.
10. Ç’mësojmë nga Mateu 12:9-12 për pikëpamjen e Jezuit rreth Sabatit?
10 Jezui dhe dishepujt e tij judenj pushonin në Sabat ngaqë i bindeshin Ligjit të Moisiut. * Mirëpo, Jezui tregoi me fjalë e vepra se njerëzit duhej të ishin të arsyeshëm ndërsa mbanin Sabatin dhe se nuk ishte e gabuar t’u bëje mirë të tjerëve e t’i ndihmoje. Ai e tha hapur: «Është e ligjshme të bësh një të mirë në Sabat.» (Lexo Mateun 12:9-12.) Pra, ai nuk e quante shkelje të Sabatit t’u bëje mirë të tjerëve e t’i ndihmoje. Veprimet e Jezuit nxorën në pah një aspekt të rëndësishëm të Sabatit. Ngaqë pushonin nga punët e përditshme, shërbëtorët e Perëndisë kishin mundësi të përqendroheshin tek adhurimi. Jezui u rrit në një familje që duhet ta ketë përdorur Sabatin për t’iu afruar më shumë Perëndisë. Këtë e kuptojmë edhe nga ajo që bëri Jezui kur ishte në qytetin e tij, në Nazaret: «[Ai] hyri në sinagogë siç e kishte zakon ditën e Sabatit dhe u çua të lexonte.»—Luka 4:15-19, nwt.
Ç’PIKËPAMJE KE PËR PUNËN?
11. Kush i la Jezuit një shembull të mirë për punën?
11 Me siguri Jozefi pasqyronte pikëpamjen e Perëndisë për punën ndërsa e stërviste Jezuin, djalin e tij të birësuar, të bëhej zdrukthëtar. (Mat. 13:55, 56) Veç kësaj, Jezui duhet ta ketë parë Jozefin të punonte fort ditë për ditë, që të kujdesej për familjen e tij të madhe. Është interesante që më vonë Jezui u tha dishepujve: «Punëtori e meriton pagën e vet.» (Luka 10:7) Po, Jezui e dinte ç’do të thoshte të punoje fort.
12. Cilat shkrime tregojnë qëndrimin e Pavlit për punën e palodhur?
12 E njëjta gjë vlente edhe për apostullin Pavël. Aktiviteti i tij kryesor ishte të jepte dëshmi për emrin e Jezuit dhe për atë që mësoi ai. Gjithsesi, Pavli punoi për të mbajtur veten. Selanikasit e dinin se ‘me mund e përpjekje ai punoi natë e ditë’, që të mos i bëhej «barrë e rëndë» askujt. (2 Sel. 3:8, nwt; Vep. 20:34, 35) Në këto raste, Pavli mund ta ketë pasur fjalën për punën e tij si bërës tendash. Në Korint qëndroi me Akuilën e Prishilën dhe «punuan bashkë», ngaqë «zanati i tyre ishte bërës tendash». Kur lexojmë se Pavli ‘punoi natë e ditë’, nuk do të thotë se punoi pa pushim. Për shembull, ditën e Sabatit pushonte, pra nuk bënte tenda. Kështu mund t’u dëshmonte judenjve që, po njësoj, nuk punonin në Sabat.—Vep. 13:14-16, 42-44; 16:13; 18:1-4.
13. Çfarë mësojmë nga shembulli i Pavlit?
13 Apostulli Pavël la një shembull të mirë. Atij i duhej të punonte, e prapëseprapë sigurohej që të merrte pjesë rregullisht në ‘veprën e shenjtë të predikimit të lajmit të mirë të Perëndisë’. (Rom. 15:16, nwt; 2 Kor. 11:23) Ai i nxiti edhe të tjerët të bënin po njësoj. Kështu, Akuila dhe Prishila ishin ‘bashkëpunëtorët e tij në unitet me Krishtin Jezu’. (Rom. 12:11; 16:3, nwt) Pavli i nxiti korintasit të kishin «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58; 2 Kor. 9:8) Madje, Jehovai e frymëzoi apostullin Pavël të shkruante: «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!»—2 Sel. 3:10.
14. Çfarë donte të thoshte Jezui te Gjoni 14:12?
14 Vepra më e rëndësishme në këto ditë të fundit është të predikojmë e të bëjmë dishepuj. Në fakt, Jezui paratha se dishepujt do të bënin vepra edhe më të mëdha se të tijat. (Lexo Gjonin 14:12.) Me këtë nuk donte të thoshte se do të bënim mrekulli siç bëri ai. Përkundrazi, predikimi dhe mësimdhënia e dishepujve do të shtrihej në një territor më të madh e në një kohë më të gjatë, dhe do të përfshinte më shumë njerëz.
15. Çfarë pyetjesh duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse?
15 Nëse je në punë, pyet veten: «A njihem si punëtor i palodhur? A e mbaroj punën në kohë e sa më mirë të mundem?» Nëse po, ka të ngjarë të fitosh besimin e punëdhënësit. Gjithashtu, kolegëve të punës mund t’u duket më tërheqës lajmi i mirë. Kur bëhet fjalë për predikimin dhe mësimdhënien, pyet veten: «A njihem si
lajmëtar i palodhur? A përgatitem mirë për të predikuar? A kthehem pa vonesë për të biseduar me të interesuarit? A marr pjesë rregullisht në aspekte të ndryshme të shërbimit?» Nëse po, atëherë do të gjesh gëzim në shërbim.Ç’PIKËPAMJE KE PËR PUSHIMIN?
16. Si ndryshon qëndrimi që kishte Jezui dhe apostujt për pushimin nga ai i shumë njerëzve sot?
16 Jezui e dinte se ai dhe apostujt ndonjëherë kishin nevojë për pushim. Mirëpo, shumë njerëz në atë kohë dhe sot mund të krahasohen me njeriun e pasur në ilustrimin e Jezuit. Ai ia kishte mbushur mendjen vetes ‘ta merrte shtruar, të hante, të pinte dhe të kënaqej’. (Luka 12:19, nwt; 2 Tim 3:4) E kishte mendjen e zemrën te pushimi dhe te kënaqësitë. Krejt ndryshe, për Jezuin dhe apostujt gjëja më e rëndësishme në jetë nuk ishte të kënaqnin veten.
17. Si e përdorim kohën kur nuk jemi në punë?
17 Sot përpiqemi të imitojmë Jezuin duke e përdorur kohën kur nuk jemi në punë, jo vetëm për t’u çlodhur, por edhe për të bërë mirë, duke u predikuar të tjerëve e duke marrë pjesë në mbledhje. Në fakt, për ne është kaq e rëndësishme të bëjmë dishepuj e të marrim pjesë në mbledhje, sa bëjmë çmos të angazhohemi rregullisht në këto aktivitete të shenjta. (Hebr. 10:24, 25) Edhe kur shkojmë me pushime, i ndjekim mbledhjet kudo që të jemi dhe shfrytëzojmë çdo mundësi për të biseduar me ata që takojmë.—2 Tim. 4:2.
18. Çfarë dëshiron Mbreti ynë, Krishti Jezu, që të bëjmë?
18 Sa mirënjohës jemi që Mbreti ynë, Krishti Jezu, është i arsyeshëm dhe na ndihmon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe pushimin! (Hebr. 4:15) Ai dëshiron të pushojmë aq sa kemi nevojë. Gjithashtu dëshiron të punojmë fort për të siguruar gjërat e nevojshme, si edhe të marrim pjesë në veprën e bërjes së dishepujve, e cila na sjell gëzim. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë rolin që luan Jezui për të na çliruar nga një skllavëri mizore.
KËNGA 38 Ai të bën të fortë
^ par. 5 Shkrimet na mësojnë si të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe pushimin. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pikëpamjen që kemi për punën dhe pushimin, duke përdorur si shembull Sabatin e përjavshëm që mbanin izraelitët.
^ par. 10 Dishepujt kishin aq respekt për ligjin e Sabatit, saqë ndalën përgatitjet për varrimin e Jezuit derisa mbaroi Sabati.—Luka 23:55, 56.