Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 51

Sa mirë e njeh Jehovain?

Sa mirë e njeh Jehovain?

«Ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti. Ti, o Jehova, nuk do t’i braktisësh kurrë ata që të kërkojnë.»​—PSAL. 9:10, nwt.

KËNGA 56 Jetoje të vërtetën

PËRMBLEDHJE *

1-2. Siç e tregon rasti i Angelitos, çfarë duhet të bëjë secili nga ne?

A JANË prindërit e tu Dëshmitarë të Jehovait? Nëse po, mos harro se është e pamundur ta trashëgosh miqësinë me Jehovain nga prindërit. Pavarësisht nëse ata i shërbejnë Perëndisë apo jo, secili nga ne duhet të ndërtojë miqësinë e vet me Jehovain.

2 Mendo për rastin e një vëllai që quhet Angelito. Ai u rrit në një familje Dëshmitarësh. Megjithatë, në adoleshencë nuk gëzonte një miqësi edhe aq të fortë me Perëndinë. Ai pranon: «I shërbeja Jehovait thjesht ngaqë doja të bëja siç bënte familja ime.» Gjithsesi, Angelito vendosi t’i kushtonte më shumë kohë leximit dhe meditimit për Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu filloi t’i lutej më shpesh Jehovait. Rezultati? Ai thotë: «Kuptova se e vetmja mënyrë për të gëzuar një miqësi të fortë me Atin tim të dashur, Jehovain, është ta njoh vetë.» Rasti i Angelitos ngre këto pyetje të rëndësishme: ç’ndryshim ka mes të dish diçka për Jehovain dhe ta njohësh mirë atë? Dhe çfarë mund të bëjmë që ta njohim mirë Jehovain?

3. Si ndryshon të dimë disa gjëra për Jehovain dhe ta njohim mirë atë?

3 Mund të mendojmë se e njohim Jehovain ngaqë dimë emrin e tij ose disa gjëra që ka thënë a ka bërë. Por, që ta njohim mirë Jehovain, kërkohet më tepër. Kemi nevojë të rezervojmë kohë që të mësojmë për të dhe cilësitë e tij të mrekullueshme. Vetëm atëherë mund të fillojmë të kuptojmë çfarë e motivon të thotë a të bëjë diçka. Kjo do të na ndihmojë të dallojmë nëse i miraton opinionet, vendimet dhe veprimet tona. Pasi e kuptojmë çfarë dëshiron Jehovai të bëjmë, duhet të veprojmë.

4. Si do të na ndihmojë shqyrtimi i shembujve nga Bibla?

4 Disa mund të na tallin ngaqë duam t’i shërbejmë Jehovait dhe mund të na kundërvihen akoma më shumë kur fillojmë të shoqërohemi me popullin e tij. Mirëpo, nëse kemi besim te Jehovai, ai nuk do të na braktisë kurrë. Kështu do të hedhim themelin e miqësisë me Perëndinë, një miqësi që do të zgjatë tërë jetën. A mund ta njohim vërtet Jehovain kaq mirë? Pa diskutim! Shembujt e njerëzve të papërsosur, si Moisiu dhe mbreti David, tregojnë se kjo është e mundur. Ndërsa shqyrtojmë çfarë bënë ata, do t’u përgjigjemi dy pyetjeve: Si e njohën ata Jehovain? Cilat mësime mund të nxjerrim nga shembulli i tyre?

MOISIU PA «ATË QË ËSHTË I PADUKSHËM»

5. Çfarë zgjodhi të bënte Moisiu?

5 Moisiu vepronte sipas asaj që mësonte. Kur ishte rreth 40 vjeç, Moisiu zgjodhi të bashkohej me popullin e Perëndisë, me hebrenjtë, në vend që të njihej si «biri i bijës së faraonit». (Hebr. 11:24) Ai hoqi dorë nga një pozitë e rëndësishme. Duke marrë anën e hebrenjve që ishin skllevër në Egjipt, rrezikoi t’i ndizte zemërimin faraonit, një sundimtari të fuqishëm që konsiderohej perëndi. Çfarë besimi të jashtëzakonshëm tregoi! Moisiu u mbështet me besim te Jehovai. Një besim i tillë është gur themeli për një miqësi jetëgjatë.—Prov. 3:5.

6. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moisiut?

6 Çfarë mësimi nxjerrim? Ashtu si Moisiu, të gjithë ne duhet të marrim një vendim: a do të zgjedhim t’i shërbejmë Perëndisë dhe të bashkohemi me popullin e tij? Mund të na duhet të bëjmë sakrifica për t’i shërbyer Perëndisë dhe ka rrezik të hasim kundërshtime nga ata që nuk e njohin Jehovain. Por, nëse kemi besim tek Ati ynë qiellor, mund të jemi të sigurt se do të na mbështetë.

7-8. Çfarë vazhdoi të mësonte Moisiu?

7 Moisiu vazhdoi të mësonte për cilësitë e Jehovait dhe të bënte vullnetin e Tij. Për shembull, kur Jehovai i kërkoi ta nxirrte kombin e Izraelit nga Egjipti, Moisiu s’kishte besim te vetja dhe i tha disa herë Jehovait se ndihej i paaftë. Me përgjigjen që dha, Perëndia tregoi se ndiente vërtet dhembshuri për Moisiun dhe i siguroi ndihmë. (Eks. 4:10-16) Si rezultat, Moisiu arriti t’i jepte faraonit mesazhet e fuqishme të gjykimit. E pas kësaj Moisiu pa çfarë fuqie tregoi Jehovai kur shpëtoi izraelitët dhe shfarosi në Detin e Kuq faraonin me ushtrinë e tij.—Eks. 14:26-31; Psal. 136:15.

8 Pasi Moisiu i nxori nga Egjipti, izraelitët gjenin orë e çast ndonjë sebep për t’u ankuar. Megjithatë, Moisiu shihte sa shumë durim tregonte Jehovai me popullin që Ai vetë e kishte çliruar nga skllavëria. (Psal. 78:40-43) Moisiu pa edhe përulësinë e jashtëzakonshme që tregoi Jehovai kur ndërroi mendje pasi Moisiu i kërkoi ta mendonte edhe një herë një vendim.—Eks. 32:9-14.

9. Sipas Hebrenjve 11:27, sa e ngushtë ishte miqësia e Moisiut me Jehovain?

9 Pas Eksodit, miqësia e Moisiut me Jehovain u bë aq e ngushtë, sa ai ndihej sikur e shihte Atin e tij qiellor. (Lexo Hebrenjve 11:27.) Shkrimet e tregojnë sa e ngushtë ishte kjo miqësi kur thonë: «Jehovai i fliste Moisiut sy për sy, siç flet një njeri me një tjetër.»—Eks. 33:11, nwt.

10. Çfarë duhet të bëjmë që ta njohim mirë Jehovain?

10 Çfarë mësimi nxjerrim? Që ta njohim mirë Jehovain, duhet jo vetëm të mësojmë për cilësitë e tij, por edhe të bëjmë vullnetin e tij. Vullneti i Jehovait sot është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën». (1 Tim. 2:3, 4, nwt) Një mënyrë si e bëjmë vullnetin e Jehovait, është t’u mësojmë të tjerëve për të.

11. Si e njohim më mirë Jehovain kur u mësojmë të tjerëve për të?

11 Zakonisht kur u mësojmë të tjerëve për Jehovain, e njohim edhe vetë më mirë. Për shembull, shohim me sytë tanë dëshmi të dhembshurisë së Jehovait kur na drejton te njerëzit që duan të jenë miq të tij. (Gjoni 6:44; Vep. 13:48) Dallojmë si ushtron fuqi Fjala e Perëndisë kur shohim që studentët e Biblës heqin veset dhe fillojnë të veshin personalitetin e ri. (Kolos. 3:9, 10) Shohim edhe durimin e Perëndisë ndërsa u jep mundësi të shumta njerëzve në territor të mësojnë për të e të shpëtojnë.—Rom. 10:13-15.

12. Siç tregon Eksodi 33:13, çfarë kërkoi Moisiu, dhe pse?

12 Moisiu nuk e humbi çmueshmërinë për miqësinë me Jehovain. Edhe pasi bëri vepra të fuqishme në emrin e Jehovait, Moisiu i kërkoi me respekt që ta ndihmonte ta njihte më mirë. (Lexo Eksodin 33:13.) Kur bëri këtë kërkesë, ai ishte në të 80-at, por e dinte se ende kishte plot gjëra për të mësuar rreth Atit të tij të dashur.

13. Cila është një mënyrë si e tregojmë se e vlerësojmë miqësinë me Perëndinë?

13 Çfarë mësimi nxjerrim? Pavarësisht nga sa kohë i shërbejmë Jehovait, të mos e humbim kurrë çmueshmërinë për miqësinë e tij. Një mënyrë si mund ta tregojmë se e vlerësojmë miqësinë me Perëndinë, është të flasim me të në lutje.

14. Pse lutjet janë jetësore për ta njohur më mirë Perëndinë?

14 Komunikimi i mirë është jetësor për një marrëdhënie të fortë. Prandaj afrohu me Perëndinë duke iu lutur shpesh, pa u druajtur kurrë t’i shprehësh mendimet dhe ndjenjat më të thella. (Efes. 6:18) Krista, që jeton në Turqi, thotë: «Dashuria ime për Jehovain dhe besimi tek ai forcohen çdo herë që i shpreh në lutje mendimet e mia, e pastaj shoh si më ndihmon. Ndërsa vërej si u përgjigjet lutjeve të mia, arrij ta shoh Jehovain si Atë dhe Mik.»

NJË NJERI SIÇ IA DONTE ZEMRA JEHOVAIT

15. Si e quajti Jehovai mbretin David?

15 Mbreti David lindi në një komb të kushtuar ndaj Perëndisë Jehova. Por nuk u mjaftua thjesht duke ndjekur traditat fetare të familjes. Ai zhvilloi miqësinë e vet me Perëndinë. E Jehovai e kishte shumë për zemër Davidin dhe e quajti «një njeri siç ma do zemra». (Vep. 13:22) Si lidhi Davidi një miqësi kaq të ngushtë me Jehovain?

16. Çfarë mësonte Davidi për Jehovain duke soditur krijimin?

16 Davidi mësonte për Jehovain nga krijimi. Në fëmijëri, Davidi kalonte orë të tëra në natyrë ndërsa kulloste delet e të atit. Ndoshta atëherë filloi të meditonte për gjërat që kishte bërë Jehovai. Për shembull, natën, kur ngrinte sytë lart, Davidi nuk shihte vetëm qiellin e qëndisur me yje, por dallonte edhe cilësitë e Atij që i kishte krijuar. Ja pse i dolën nga zemra këto fjalë: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, kupa qiellore i bën jehonë veprës së duarve të tij.» (Psal. 19:1, 2, nwt) Kur mendonte për mënyrën si ishte krijuar njeriu, Davidi shihte mençurinë e mahnitshme të Jehovait. (Psal. 139:14) Ndërsa meditonte për veprat e Jehovait, Davidi ndihej fare i vogël para tij.—Psal. 139:6.

17. Çfarë mund të mësojmë nëse meditojmë për krijimin?

17 Çfarë mësimi nxjerrim? Ji kureshtar për krijimin. Mos u mjafto me faktin që ekziston në këtë botë të bukur që ka krijuar Jehovai; mahnitu me të! Në jetën e përditshme, medito çfarë të mëson për Jehovain krijimi rreth teje—bimët, kafshët dhe njerëzit. Kështu do të zbulosh çdo ditë plot gjëra për Atin tënd të dashur. (Rom. 1:20) E çdo ditë do të ndiesh si të thellohet dashuria për të.

18. Siç e tregon Psalmi 18, çfarë dallonte Davidi?

18 Davidi e dallonte dorën e Jehovait në jetën e tij. Për shembull, kur i mbrojti delet e të atit nga një luan dhe nga një ari, Davidi e kuptoi se ishte Jehovai ai që e ndihmoi t’i mundte ata grabitqarë të fuqishëm. Kur mposhti luftëtarin gjigant Goliad, Davidi e dalloi qartë se ishte Jehovai ai që e udhëhoqi. (1 Sam. 17:37) Gjithashtu, kur u çlirua nga mbreti xheloz Saul, Davidi e kuptoi se ishte Jehovai ai që e shpëtoi. (Psal. 18:Mbishkrimi) Një njeri krenar mund t’i kishte marrë për vete meritat e atyre arritjeve. Por Davidi ishte i përulur, ndaj e dallonte dorën e Jehovait në jetën e tij.—Psal. 138:6.

19. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Davidit?

19 Çfarë mësimi nxjerrim? Nuk mjafton t’i lutemi për ndihmë Jehovait. Duhet edhe të përpiqemi të dallojmë kur dhe si na ndihmon ai. Nëse i pranojmë me përulësi kufizimet tona, do ta shohim qartë se Jehovai na ndihmon aty ku s’ia dalim dot vetë. E sa herë të shohim dorën e Jehovait në jetën tonë, miqësia me të do të forcohet. Isaku, një vëlla në Fixhi që i ka shërbyer Jehovait për shumë vjet, e ka provuar sa e vërtetë është kjo. Ai thotë: «Kur mendoj për jetën time, dalloj si më ka ndihmuar Jehovai qysh nga koha kur fillova të studioja Biblën e deri më sot. Si rezultat, Jehovai është shumë real për mua.»

20. Çfarë mund të mësojmë nga miqësia e Davidit me Perëndinë?

20 Davidi imitonte cilësitë e Jehovait. Jehovai na krijoi me aftësinë që t’i imitojmë cilësitë e tij. (Zan. 1:26) Sa më shumë mësojmë për cilësitë e Jehovait, aq më të lehtë e kemi ta imitojmë. Davidi e njihte mirë Atin e tij qiellor, prandaj arrinte ta imitonte në marrëdhëniet me të tjerët. Të marrim vetëm një shembull. Davidi mëkatoi kundër Jehovait kur kreu kurorëshkelje me Betshebën dhe pastaj i manovroi gjërat që i shoqi të vritej. (2 Sam. 11:1-4, 15) Mirëpo Jehovai vendosi t’i tregonte mëshirë Davidit, meqë edhe ai u kishte treguar mëshirë të tjerëve. Falë kësaj miqësie kaq të fortë Jehovain, Davidi u bë një nga mbretërit më të dashur të Izraelit dhe standardi me të cilin Jehovai krahasonte mbretërit e tjerë.—1 Mbret. 15:11; 2 Mbret. 14:1-3.

21. Sipas Efesianëve 4:24 dhe 5:1, çfarë rezultatesh kemi kur bëhemi «imitues të Perëndisë»?

21 Çfarë mësimi nxjerrim? Duhet të jemi «imitues të Perëndisë». Kjo jo vetëm na sjell dobi, por edhe na ndihmon të njohim Perëndinë. Kur e modelojmë personalitetin tonë sipas personalitetit të tij, tregojmë se jemi bij e bija të Perëndisë.—Lexo Efesianëve 4:24; 5:1.

PËRPIQU TA NJOHËSH JEHOVAIN MË MIRË

22-23. Çfarë do të ndodhë nëse e zbatojmë atë që mësojmë për Jehovain?

22 Siç e pamë, Jehovai na i zbulon cilësitë e tij nëpërmjet krijimit dhe nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Ky libër unik është plot me shembuj të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që mund t’i imitojmë, si Moisiu dhe Davidi. Jehovai ka bërë pjesën e tij. Pjesa jonë është t’i mbajmë hapur sytë, veshët dhe zemrën që ta njohim sa më mirë.

23 Nuk do të reshtim kurrë së mësuari për Jehovain. (Ekl. 3:11) Ajo që ka rëndësi, nuk është sa dimë për të, por çfarë bëjmë me atë që dimë. Nëse e zbatojmë atë që mësojmë dhe përpiqemi të imitojmë Atin tonë të dashur, ai do të vazhdojë të na afrohet. (Jak. 4:8) Me anë të Fjalës së tij, Jehovai na siguron se nuk do t’i braktisë kurrë ata që e kërkojnë.

KËNGA 80 «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!»

^ par. 5 Shumë veta besojnë se ka një Zot, por nuk e njohin vërtet. Çfarë do të thotë ta njohim Jehovain? Si na ndihmon shembulli i Moisiut dhe i mbretit David të ndërtojmë një miqësi të fortë me Të? Artikulli do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.