Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 51

«Jehovai . . . i shpëton ata që janë të shkurajuar»

«Jehovai . . . i shpëton ata që janë të shkurajuar»

«Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që janë të shkurajuar.»—PSAL. 34:18, shën.

KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

HERA-HERËS ndoshta mendojmë sa e shkurtër dhe ‘e mbytur me halle’ është jeta jonë. (Jobi 14:1) Prandaj është e natyrshme që ndonjëherë të shkurajohemi. Kështu u ndien edhe shumë shërbëtorë të Jehovait në të kaluarën, e madje disa donin të vdisnin. (1 Mbret. 19:2-4; Jobi 3:1-3, 11; 7:15, 16) Por Jehovai—Perëndia tek i cili mbështeteshin me besim—u jepte kurdoherë zemër e forcë. Historitë e tyre u ruajtën në Shkrime që të ngushëllohemi dhe të mësojmë nga ata.—Rom. 15:4.

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembullin e disa shërbëtorëve të Jehovait që u përballën me situata shkurajuese. Do të flasim për Jozefin, birin e Jakobit, për vejushën Naomi dhe nusen e saj Ruthën, për levitin që shkroi Psalmin 73 e për apostullin Pjetër. Si u dha forcë Jehovai? Dhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na sigurojnë se «Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që janë të shkurajuar».—Psal. 34:18, shën.

JOZEFI DUROI PADREJTËSI MIZORE

3-4. Çfarë i ndodhi Jozefit kur ishte në moshë të re?

3 Jozefi ishte rreth 17 vjeç kur pa dy ëndrra që vinin nga Perëndia. Ato tregonin se një ditë Jozefi do të zinte vend të respektuar në familje. (Zan. 37:5-10) Por s’kaloi shumë dhe jeta e tij ndryshoi si nata me ditën. Vëllezërit jo vetëm që nuk e respektuan, por e shitën si skllav. Ai përfundoi në shtëpinë e një zyrtari egjiptian që quhej Potifar. (Zan. 37:21-28) Papritur Jozefi nuk ishte më biri i shtrenjtë i babait, por një skllav i papërfillshëm i një zyrtari pagan në Egjipt.—Zan. 39:1.

4 Pastaj hallet e Jozefit sa erdhën e u shtuan. Gruaja e Potifarit e akuzoi në mënyrë të rreme se ishte përpjekur ta përdhunonte. Pa bërë asnjë hetim për atë akuzë, Potifari e flaku në burg, dhe Jozefi përfundoi në pranga. (Zan. 39:14-20; Psal. 105:17, 18) Imagjino si duhet të jetë ndier Jozefi i ri që e akuzuan padrejtësisht për tentativë përdhunimi. Mendo edhe si mund ta ketë njollosur emrin e Jehovait ajo akuzë. S’diskutohet që Jozefi kishte arsye të ndihej i shkurajuar.

5. Si fitoi Jozefi mbi shkurajimin?

5 Kur ishte skllav e më pas i burgosur, Jozefi kishte liri veprimi të kufizuar e s’bënte dot gjë për ta ndryshuar situatën e tij. Çfarë e ndihmoi të mbante një pikëpamje pozitive? Jozefi nuk përqendrohej te gjërat që s’mund të bënte më, por jepte më të mirën në detyrën që i caktohej. Mbi të gjitha, meraku i tij kryesor ishte të kënaqte Jehovain. Ja pse Jehovai e bekonte Jozefin në çdo gjë që bënte.—Zan. 39:21-23.

6. Si mund t’i kenë dhënë zemër Jozefit ëndrrat profetike?

6 Jozefi mund të ketë marrë zemër edhe nga meditimi për ëndrrat profetike që kishte parë. Ato tregonin se do ta shihte prapë familjen dhe se situata e tij do të përmirësohej. E ashtu ndodhi! Kur Jozefi ishte rreth 37 vjeç, ëndrrat e tij profetike filluan të përmbusheshin në mënyrë të mahnitshme!—Zan. 37:7, 9, 10; 42:6, 9.

7. Sipas 1 Pjetrit 5:10, çfarë do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave?

7 Mësime për ne. Historia e Jozefit na kujton se jetojmë në një botë mizore dhe se të tjerët do të na trajtojnë padrejtësisht. Madje këtë mund ta bëjë edhe një vëlla a motër. Megjithatë, nëse e shohim Jehovain si Shkëmbin ose Strehën tonë, nuk do të na lëshojë zemra e nuk do të largohemi nga adhurimi i tij. (Psal. 62:6, 7; lexo 1 Pjetrit 5:10.) Të kujtojmë edhe se Jozefi mund të ketë qenë rreth 17 vjeç kur Jehovai i kushtoi vëmendje të veçantë. Pa dyshim, Jehovai ka besim te shërbëtorët e tij në moshë të re. Sot ka shumë të rinj që i ngjajnë Jozefit. Edhe ata kanë besim të fortë te Jehovai. E disa madje i kanë burgosur padrejtësisht ngaqë nuk pranojnë të bëjnë kompromis me besnikërinë ndaj Perëndisë.—Psal. 110:3.

DY GRA TË MBYTURA NGA PIKËLLIMI

8. Çfarë u kishte ndodhur Naomit dhe Ruthës?

8 Për shkak të një zie buke të rëndë, Naomi dhe familja e saj ikën nga vendi i tyre, Juda, dhe banuan si të huaj në Moab. Atje Elimeleku, burri i Naomit, vdiq, dhe ajo mbeti me dy djemtë. Me kohë, djemtë u martuan me dy gra moabite që quheshin Rutha dhe Orpa. Afro dhjetë vjet më vonë, edhe djemtë e Naomit vdiqën, e nuk lanë fëmijë. (Rutha 1:1-5) Përfytyro sa të helmuar e kishin shpirtin ato tri gra! Sigurisht, Rutha dhe Orpa mund të martoheshin prapë. Por, kush do të kujdesej për Naomin e moshuar? Naomi ishte aq e dëshpëruar, sa tha: «Mos më quani Naomi. Më quani Mara, sepse i Plotfuqishmi ma ka hidhëruar shumë jetën.» Me zemër të vrerosur, ajo vendosi të kthehej në Betlehem, dhe Rutha shkoi me të.—Rutha 1:7, 18-20.

Perëndia u tregoi Naomit dhe Ruthës se është në gjendje t’i ndihmojë adhuruesit e tij ta mposhtin shkurajimin e trishtimin. A nuk mendon se do të të ndihmojë edhe ty? (Shih paragrafët 8-13) *

9. Sipas Ruthës 1:16, 17, 22, si e inkurajoi Rutha Naomin?

9 Ilaçi për pikëllimin e Naomit ishte dashuria besnike. Për shembull, Rutha i tregoi dashuri besnike duke qëndruar me të. (Lexo Ruthën 1:16, 17, 22.) Në Betlehem, ajo punonte pa u lodhur që të mblidhte kallinj elbi për vete e për Naomin, e kështu fitoi një reputacion të shkëlqyer.—Rutha 3:11; 4:15.

10. Si tregonte dashuri Jehovai për të varfrit si Naomi dhe Rutha?

10 Jehovai u kishte dhënë izraelitëve një ligj që tregonte dhembshuri për të varfrit si Naomi dhe Rutha. Ai e urdhëroi popullin e tij të mos i korrnin cepat e arave, por t’i linin kallinjtë e mbetur për të varfrit. (Lev. 19:9, 10) Kështu Naomit dhe Ruthës nuk u duhej të lypnin, por mund ta fitonin bukën e gojës me dinjitet.

11-12. Si u zbukurua jeta e Naomit dhe Ruthës falë Boazit?

11 Ara ku mblidhte kallinj Rutha ishte e një të pasuri që quhej Boaz. Ai u prek aq shumë nga besnikëria e Ruthës karshi Naomit dhe nga dashuria që tregonte për të vjehrrën, sa e ribleu trashëgiminë e familjes së tyre dhe u martua me Ruthën. (Rutha 4:9-13) Çiftit i lindi një djalë që e quajtën Obed; ai u bë gjyshi i mbretit David.—Rutha 4:17.

12 Imagjino gëzimin e Naomit tek mbante në krahë Obedin e vogël dhe i vërshonin nga zemra falënderime për Jehovain! Por Naomin dhe Ruthën i presin shpërblime akoma më të mëdha. Kur të ringjallen, ato do të mësojnë se Obedi ishte paraardhës i Mesisë së premtuar, Jezu Krishtit!

13. Çfarë mësimesh të rëndësishme mund të nxjerrim nga historia e Naomit dhe Ruthës?

13 Mësime për ne. Kur kalojmë sprova, mund të ndihemi të shkurajuar, madje edhe zemërthyer. Ndoshta nuk shohim asnjë rrugëdalje nga problemet tona. Në rrethana të tilla, duhet të mbështetemi me besim të plotë tek Ati ynë dhe të mbajmë lidhje të ngushta me vëllezërit e motrat. Natyrisht, Jehovai mund të mos na e heqë sprovën. Në fund të fundit, ai nuk ia ktheu Naomit burrin dhe djemtë që i kishin vdekur. Por Ati ynë do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave, duke na e shprehur dashurinë besnike ndoshta nëpërmjet familjes sonë në besim.—Prov. 17:17.

NJË LEVIT QË PËR PAK U LARGUA NGA JEHOVAI

Nga zilia për mirëqenien e atyre që s’e kishin Perëndinë në qendër të jetës, shkrimtari i Psalmit 73 gati u largua nga Jehovai. Kjo mund të na ndodhë edhe neve (Shih paragrafët 14-16)

14. Pse e mbyti shkurajimi një levit?

14 Shkrimtari i Psalmit 73 ishte levit, pra kishte privilegjin e rrallë të shërbente në vendin e adhurimit të Jehovait. Gjithsesi, edhe atë e mbyti shkurajimi gjatë një periudhe të jetës. Pse? Sepse filloi t’i kishte zili të ligjtë dhe arrogantët, jo ngaqë donte të bënte edhe vetë gjëra të këqija, por ngaqë shihte mirëqenien e tyre. (Psal. 73:2-9, 11-14) Dukej sikur kishin gjithçka—pasuri, jetë luksoze e asnjë ankth. Ndërsa vërente këtë, psalmisti u shkurajua aq shumë sa tha: «Më kot e paskam ruajtur zemrën të pastër! Më kot i paskam larë duart në pafajësi!» Shihet qartë që ishte në rrezik të madh të humbte miqësinë me Jehovain.

15. Sipas Psalmit 73:16-19, 22-25, si e mposhti shkurajimin leviti që shkroi këtë psalm?

15 Lexo Psalmin 73:16-19, 22-25. Leviti ‘hyri në shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë’. Atje, mes adhuruesve të tjerë të Jehovait, mund ta analizonte situatën e tij qetësisht, me kthjelltësi e në lutje. Si rezultat, kuptoi se po mendonte marrëzisht dhe se ishte futur në një shteg të rrezikshëm që do ta ndante nga Jehovai. Gjithashtu kuptoi se të ligjtë janë «në vende të rrëshqitshme» dhe i pret «një fund i tmerrshëm». Pasi i pa gjërat me syrin e Jehovait, psalmisti levit u shërua nga ndjenjat e zilisë dhe të shkurajimit. Kështu kishte prapë paqe në zemër dhe ndihej i lumtur. Ai tha: «Veç [Jehovait], s’kam tjetër kënaqësi mbi dhé!»

16. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga shembulli i levitit?

16 Mësime për ne. Të mos na brejë kurrë zilia për të ligjtë që duket sikur u shkon jeta vaj. Lumturia e tyre është sipërfaqësore dhe kalimtare; ata nuk kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë. (Ekl. 8:12, 13) Nëse i kemi zili, i hapim derën shkurajimit dhe rrezikojmë të humbim miqësinë me Jehovain. Prandaj, nëse ndodh të ndiesh zili për suksesin në dukje të të ligjve, vepro si leviti. Vërua veshin këshillave të dashura të Jehovait dhe shoqërohu me ata që bëjnë vullnetin e Tij. Po ta duash Jehovain mbi gjithçka tjetër, do të jesh vërtet i lumtur dhe do të qëndrosh në rrugën drejt ‘jetës së vërtetë’.—1 Tim. 6:19.

PJETRIN E SHKURAJUAN DOBËSITË E VETA

Meditimi për shembullin e Pjetrit mund të na ndihmojë ta mposhtim shkurajimin e të përqendrohemi te shërbimi i Jehovait. E mund të ndihmojmë edhe të tjerët duke ua drejtuar vëmendjen te shembulli i Pjetrit (Shih paragrafët 17-19)

17. Përse mund të ndihej i shkurajuar Pjetri?

17 Apostulli Pjetër ishte njeri energjik; por mund të ishte edhe goxha impulsiv, e hera-herës nxitohej kur shprehte ndjenjat e tij. Prandaj kishte raste që bëhej pishman për fjalët ose veprimet e veta. Për shembull, kur Jezui u tha apostujve se do të vuante e do të vdiste, Pjetri e qortoi: «Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» (Mat. 16:21-23) Pas kësaj, Jezui e ndreqi Pjetrin. Kur një turmë shkoi të arrestonte Jezuin, Pjetri veproi rrëmbyer dhe i preu veshin një skllavi të kryepriftit. (Gjoni 18:10, 11) Edhe një herë, Jezui e ndreqi apostullin. Gjithashtu, Pjetri ishte mburrur se, edhe sikur apostujve të tjerë t’u lëkundej besimi për shkak të Krishtit, atij nuk do t’i ndodhte kurrë kjo! (Mat. 26:33) Mirëpo vetëbesimit të tepruar ia zuri vendin frika nga njeriu, dhe Pjetri e mohoi tri herë Zotërinë e tij. I dërrmuar nga shkurajimi, Pjetri «doli përjashta dhe qau me dënesë». (Mat. 26:69-75) Ai duhet të ketë vrarë mendjen nëse do ta falte ndonjëherë Jezui.

18. Si e ndihmoi Jezui Pjetrin të mposhtte shkurajimin?

18 Sidoqoftë, Pjetri nuk lejoi ta vinte poshtë shkurajimi. Pasi gaboi, rimori forcë dhe vazhdoi t’i shërbente Jehovait me apostujt e tjerë. (Gjoni 21:1-3; Vep. 1:15, 16) Çfarë ia përtëriu forcat? Jezui ishte lutur që besimi i Pjetrit të mos mpakej, dhe e kishte nxitur të kthehej e të forconte vëllezërit. Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje nga zemra. Më vonë, Jezui vetë iu shfaq Pjetrit, pa dyshim për ta inkurajuar. (Luka 22:32; 24:33, 34; 1 Kor. 15:5) Jezui iu shfaq edhe të gjithë apostujve ndërsa ktheheshin duarbosh pas një nate peshkimi. Në atë rast, i dha mundësi Pjetrit t’i përsëriste sa e donte. Jezui e kishte falur mikun e tij të dashur dhe i besoi detyra të tjera të rëndësishme.—Gjoni 21:15-17.

19. Si na ndihmon Psalmi 103:13, 14 t’i shohim gabimet tona me syrin e Jehovait?

19 Mësime për ne. Të bie në sy me sa mëshirë e trajtoi Jezui Pjetrin. E Jezui pasqyron në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij. Prandaj, kur gabojmë, të mos e gjykojmë veten si të pandreqshëm a të pafalshëm. Të mos harrojmë se tamam kështu dëshiron Satanai të mendojmë. Në vend të kësaj, të përpiqemi me të gjitha forcat ta shohim veten—dhe ata që gabojnë ndaj nesh—me sytë e dhembshur e të dashur të Atit tonë qiellor.—Lexo Psalmin 103:13, 14.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Shembulli i Jozefit, i Naomit e Ruthës, i levitit dhe i Pjetrit na sigurojnë se «Jehovai u rri pranë zemërthyerve». (Psal. 34:18) Ai lejon që hera-herës të kalojmë sprova e të ndihemi të shkurajuar. Ama, kur u bëjmë ballë sprovave falë ndihmës së Jehovait, besimi ynë forcohet. (1 Pjet. 1:6, 7) Në artikullin tjetër do të shohim më tej si i mbështet Jehovai shërbëtorët e tij besnikë kur ndihen të shkurajuar, ndoshta për shkak të papërsosmërive të tyre ose të rrethanave të vështira.

KËNGA 7 Jehova, je forca jonë

^ par. 5 Jozefi, Naomi e Rutha, një levit dhe apostulli Pjetër u përballën me situata shkurajuese. Në këtë artikull do të shohim si ua ngrohu zemrën e u dha forcë Jehovai. Gjithashtu do të nxjerrim mësime nga shembulli i tyre dhe nga mënyra si i ndihmoi me dhembshuri Perëndia.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Naomi, Rutha dhe Orpa të pikëlluara e të shkurajuara nga vdekja e bashkëshortëve të tyre. Më vonë, Rutha dhe Naomi gëzojnë bashkë me Boazin për lindjen e Obedit.