Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ji i vendosur që ‘dashuria jote vëllazërore të vazhdojë’!

Ji i vendosur që ‘dashuria jote vëllazërore të vazhdojë’!

«Dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë.»​—HEBR. 13:1.

KËNGËT: 72, 119

1, 2. Pse Pavli u shkroi një letër të krishterëve hebrenj?

ISHTE viti 61 i e.s. Në mbarë Izraelin, kongregacionet gëzonin njëfarë paqeje. Vërtet, apostulli Pavël ishte i burgosur në Romë, por shpresonte të lirohej së shpejti. Shoku i tij Timoteu sapo ishte liruar, dhe po planifikonin të vizitonin vëllezërit në Jude. (Hebr. 13:23) Megjithatë, brenda pesë vjetësh Jerusalemin ‘do ta rrethonin ushtritë e fushuara’, tamam siç kishte profetizuar Jezui. Të krishterëve në Jude, e sidomos atyre që jetonin në Jerusalem, do t’u duhej të vepronin pa ngurruar. Jezui i kishte paralajmëruar se duhej të largoheshin pa vonesë me t’i parë ato ngjarje.​—Luka 21:20-24.

2 Kishin rrjedhur 28 vjet nga koha kur Jezui kishte thënë atë profeci, dhe të krishterët judenj besnikë që jetonin në Izrael tashmë u kishin qëndruar shumë kundërshtimeve e përndjekjeve. (Hebr. 10:32-34) Gjithsesi, Pavli e dinte se pas pak do të kalonin një nga sprovat më të vështira të besimit. (Mat. 24:20, 21; Hebr. 12:4) Donte të ishin të përgatitur për çfarëdo gjëje që i priste. Do t’u duhej qëndrueshmëri dhe besim i jashtëzakonshëm​—një besim aq i fortë sa t’u shpëtonte jetën. (Lexo Hebrenjve 10:36-39.) Prandaj, Pavli u nxit nga fryma e Jehovait që t’u shkruante atyre motrave e vëllezërve të shtrenjtë një letër të hartuar enkas për nevojat e tyre të veçanta. Kjo letër njihet tani si Libri i Hebrenjve.

3. Pse duhet të na interesojë Libri i Hebrenjve?

3 Të gjithëve ne sot duhet të na interesojë ajo që u shkroi Pavli të krishterëve hebrenj të shekullit të parë. Pse? Sepse ndodhemi në një situatë të ngjashme. Gjatë këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’, populli i Jehovait ka hasur gjithfarë kundërshtimesh e përndjekjesh. (2 Tim. 3:1, 12) Kemi treguar pa pikë dyshimi se besimi dhe përkushtimi ynë janë të fortë. Por sot mjaft prej nesh jetojnë në një kohë pak a shumë paqësore, pa përndjekje të hapura. Sidoqoftë, ashtu si të krishterët në ditët e Pavlit, askush s’duhet ta harrojë këtë të vërtetë të rëndësishme​—së shpejti do të përballemi me sprovën të vështirë të besimit.​—Lexo Lukën 21:34-36.

4. Cili është shkrimi i vitit për 2016-n, dhe pse është me vend?

4 Ç’do të na ndihmojë të përgatitemi për ngjarjet që janë në prag? Në Librin e Hebrenjve, Pavli hedh dritë mbi shumë gjëra që do të na ndihmojnë ta forcojmë besimin. Një gjë thelbësore del në pah në vargun e parë të kapitullit të fundit. Ky varg është zgjedhur si shkrimi i vitit 2016. Ai na nxit: «Dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë.»​—Hebr. 13:1.

Shkrimi i vitit për 2016-n: «Dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë.»​—Hebrenjve 13:1

ÇFARË ËSHTË DASHURIA VËLLAZËRORE?

5. Çfarë është dashuria vëllazërore?

5 Ç’do të thotë të tregojmë dashuri vëllazërore? Termi grek që përdori Pavli, philadelphía, fjalë për fjalë ka kuptimin «përzemërsi për një vëlla». Dashuria vëllazërore është ajo lloj përzemërsie që përfshin një ndjenjë të fuqishme e të ngrohtë e cila të lidh fort me dikë, si për shembull me një familjar a një mik të ngushtë. (Gjoni 11:36) Ne nuk hiqemi si vëllezër e motra​—jemi vëllezër e motra. (Mat. 23:8) Ndjenja e thellë që na lidh me njëri-tjetrin përmblidhet bukur me këto fjalë: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Kjo lloj dashurie, e ndërthurur me dashurinë agápe që bazohet te parimet, ushqen miqësi të ngushta mes popullit të Perëndisë.

6. Çfarë nënkupton për të krishterët e vërtetë dashuria vëllazërore?

6 Sipas një studiuesi, «termi ‘dashuri vëllazërore’ përdoret relativisht rrallë jashtë literaturës së krishterë». Në judaizëm, fjala «vëlla» zakonisht përdorej për të afërmit. Por edhe atëherë kur përdorej në kuptim më të gjerë, nuk i përfshinte asnjëherë ata që s’bënin pjesë në kombin jude. Ama, mes të krishterëve të vërtetë kjo fjalë përfshin gjithë bashkëbesimtarët, pavarësisht nga çfarë kombi vijnë. (Rom. 10:12) Jehovai na ka mësuar ta duam njëri-tjetrin si vëllezër. (1 Sel. 4:9) Po pse është kaq e rëndësishme të vazhdojmë të shfaqim dashuri vëllazërore?

PSE ËSHTË JETËSORE TË VAZHDOJMË TË SHFAQIM DASHURI VËLLAZËRORE?

7. (a) Cila është arsyeja më e rëndësishme pse duhet të tregojmë dashuri vëllazërore? (b) Jepni një arsye tjetër pse është e rëndësishme ta thellojmë dashurinë për njëri-tjetrin.

7 Me dy fjalë, përgjigjja është: Jehovai kërkon nga ne të tregojmë dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin. S’mund të themi se e duam Perëndinë, nëse nga ana tjetër nuk pranojmë të duam vëllezërit tanë. (1 Gjon. 4:7, 20, 21) Veç kësaj, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë sidomos në kohë të vështira. Pavli e dinte se disa prej të krishterëve hebrenj që po u shkruante, së shpejti do t’u duhej të linin pas shtëpinë dhe të mirat materiale. Jezui kishte përshkruar se sa e mundimshme do të ishte ajo kohë. (Mar. 13:14-18; Luka 21:21-23) Ndaj, më shumë se kurrë, ata të krishterë duhej të thellonin dashurinë për njëri-tjetrin.​—Rom. 12:9.

8. Ç’duhet të bëjmë tani, pa nisur ende shtrëngimi i madh?

8 Së shpejti do të lëshohen erërat shkatërrimtare të shtrëngimit më të madh të të gjitha kohëve. (Mar. 13:19; Zbul. 7:1-3) Atëherë do të jetë e mençur t’i vëmë veshin kësaj këshille të frymëzuar: «Shko, populli im, hyr në dhomat ku je më i sigurt dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë indinjata.» (Isa. 26:20) Këto ‘dhoma të sigurta’, ose të brendshme, mund të jenë kongregacionet tona. Atje mblidhemi bashkë si vëllezër e motra që të adhurojmë Jehovain. Por nuk mjafton thjesht të mblidhemi rregullisht. Pavli u kujtoi të krishterëve hebrenj se duhej t’i përdornin ato raste që ta nxitnin shoku-shokun «për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24, 25) Kemi nevojë ta forcojmë tani dashurinë vëllazërore, pasi ajo do të na ndihmojë në çfarëdo sprove që mund të hasim në të ardhmen.

9. (a) Çfarë mundësish kemi sot që të tregojmë dashuri vëllazërore? (b) Jepni shembuj se si ka treguar dashuri vëllazërore populli i Jehovait.

9 Edhe sot, kur s’ka shpërthyer ende shtrëngimi i madh, kemi nevojë sa s’thuhet për dashuri vëllazërore. Shumë nga vëllezërit tanë kanë hequr mjaft për shkak të tërmeteve, përmbytjeve, uraganeve, tsunameve a katastrofave të tjera natyrore. Disa vëllezër po vuajnë si pasojë e kundërshtimeve dhe përndjekjeve. (Mat. 24:6-9) Si të mos mjaftonin gjithë këto, çdo ditë kalojmë vështirësi ekonomike ngaqë jetojmë në këtë sistem të korruptuar. (Zbul. 6:5, 6) Dora-dorës që probleme të tilla rëndohen, shtohen edhe mundësitë që të tregojmë sa e thellë është përzemërsia jonë për vëllezërit. Edhe pse «dashuria e shumicës do të ftohet», ne duhet të vazhdojmë të shfaqim dashuri vëllazërore.​—Mat. 24:12. [1]

SI MUND «TË VAZHDOJË» DASHURIA JONË VËLLAZËRORE?

10. Ç’do të shqyrtojmë tani?

10 Si mund të sigurohemi që dashuria jonë vëllazërore «të vazhdojë», pavarësisht se sa halle kemi? Në ç’mënyra mund ta tregojmë se ndiejmë këtë lloj përzemërsie për vëllezërit tanë? Pasi tha «dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë», apostulli Pavël renditi një sërë mënyrash si ta bëjmë këtë. Le të shqyrtojmë gjashtë prej tyre.

11, 12. Ç’do të thotë t’i mikpresim të tjerët? (Shih figurën hapëse.)

11 «Mos harroni mikpritjen.» (Lexo Hebrenjve 13:2.) Shprehja e gjuhës origjinale që është përkthyer «mikpritje» do të thotë «mirëdashje ndaj të panjohurve». Kjo na sjell ndër mend shembujt e Abrahamit dhe të Lotit. Që të dy u treguan mirëdashje vizitorëve që nuk i njihnin. Doli se ata vizitorë ishin engjëj. (Zan. 18:2-5; 19:1-3) Pavli i përmendi shkarazi këta shembuj që t’i inkurajonte të krishterët hebrenj të tregonin dashuri vëllazërore duke qenë mikpritës.

12 A i mikpresim të tjerët duke i ftuar në shtëpi për një vakt ose për pak shoqëri e inkurajim? Për të qenë mikpritës, s’ka nevojë të bëjmë gjëra të stërholluara a të shtrenjta; as nuk duam të ftojmë vetëm ata që mund të na e shpërblejnë në ndonjë mënyrë. (Luka 10:42; 14:12-14) Synimi ynë duhet të jetë të inkurajojmë, jo të lëmë mbresa! Për shembull, a jemi të gatshëm t’i mirëpresim mbikëqyrësin qarkor dhe gruan e tij, edhe nëse nuk i njohim aq mirë? (3 Gjon. 5-8) Sa e rëndësishme është ‘të mos harrojmë mikpritjen’, me gjithë programin e ngjeshur dhe streset e përditshme!

13, 14. Si mund ‘t’i kujtojmë’ ata që janë në burg?

13 «Kujtoni ata që janë në vargonj [në burg](Lexo Hebrenjve 13:3.) Pavli këtu s’e kishte fjalën për çdo lloj burgimi. Po fliste për vëllezërit që ishin në burg për shkak të besimit. Në kohën kur u shkroi këto fjalë të krishterëve hebrenj, vetë Pavli kishte qenë afro katër vjet në vargonj. (Filip. 1:12-14) Ai i lavdëroi vëllezërit që ‘u bashkuan me ndjenjat e atyre që ishin në burg’. (Hebr. 10:34) Ndryshe nga ata që e ndihmuan Pavlin personalisht kur ishte në burg, të krishterët hebrenj jetonin larg tij. Po atëherë, si mund ta kujtonin? Duke u lutur me zjarr për të.​—Hebr. 13:18, 19.

14 Edhe ne sot ndoshta jetojmë larg vëllezërve tanë që janë mbyllur në burg. Mbase nuk u japim dot ndihmë praktike si Dëshmitarët që jetojnë pranë burgut. Por prapë mund të bashkohemi me ndjenjat e tyre dhe të tregojmë dashuri vëllazërore duke i kujtuar vazhdimisht këta besnikë dhe duke iu lutur Jehovait për ta me përgjërime. Për shembull, a i mbajmë në mend ata dhjetëra vëllezër, motra, madje edhe fëmijë që janë të burgosur në Eritre, përfshirë tre vëllezërit​—Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami—​që janë në burg nga më shumë se 20 vjet?

15. Si mund ‘ta nderojmë’ martesën?

15 «Martesa të nderohet nga të gjithë.» (Lexo Hebrenjve 13:4.) Dashurinë vëllazërore mund ta tregojmë edhe duke qëndruar të dëlirë moralisht. (1 Tim. 5:1, 2) Imagjino sikur dikush ‘të arrinte deri në atë pikë sa të dëmtonte dhe të cenonte të drejtat’ e një vëllai a motre duke kryer imoralitet me të ose me të afërmit e tij a të saj. Kështu do të shkelte besimin ku bazohet dashuria vëllazërore. (1 Sel. 4:3-8) Veç kësaj, përfytyro si do të ndihej një grua po të zbulonte se i shoqi e tradhton duke parë pornografi. A do të tregonte dashuri për gruan dhe respekt për martesën një sjellje e tillë?​—Mat. 5:28.

16. Pse kur jemi të kënaqur është më e lehtë të tregojmë dashuri vëllazërore?

16 Jini «të kënaqur me gjërat që keni». (Lexo Hebrenjve 13:5.) Kënaqësia e vërtetë ka në themel besimin pa rezerva te Jehovai. Ajo na ndihmon të kemi pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. (1 Tim. 6:6-8) Falë saj, nuk harrojmë se marrëdhënia jonë me Jehovain dhe me vëllezërit është ku e ku më e rëndësishme se çdo gjë që blihet me para. Njeriu i kënaqur nuk ankohet, nuk qahet dhe nuk kapet pas të metave. As nuk e vënë poshtë zilia dhe lakmia​—ndjenja që mund t’i zënë frymën dashurisë vëllazërore. Përkundrazi, kush është i kënaqur, ka një frymë bujare.​—1 Tim. 6:17-19.

17. Pse kur kemi «shumë guxim» është më e lehtë të tregojmë dashuri vëllazërore?

17 Kini «shumë guxim». (Lexo Hebrenjve 13:6.) Besimi te Jehovai na jep guxim, çfarëdo vështirësie të hasim. Falë këtij guximi mund të kemi një qëndrim pozitiv. Dashuria vëllazërore, e ndërthurur me qëndrimin pozitiv, na ndihmon t’i forcojmë bashkëbesimtarët e t’u japim zemër. (1 Sel. 5:14, 15) Madje edhe kur bota të kalojë momentet më të errëta gjatë shtrëngimit të madh, ne ‘do të drejtojmë trupin dhe do të ngremë kokën lart’, të sigurt se çlirimi ynë është afër.​—Luka 21:25-28.

A e çmon punën që bëjnë pleqtë për ne? (Shih paragrafin 18.)

18. Si mund ta thellojmë dashurinë vëllazërore për pleqtë e kongregacionit?

18 «Kujtoni ata që marrin drejtimin.» (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Kur mendojmë për punën e palodhur që bëjnë pleqtë për ne​—e gjithë kjo pa asnjë shpërblim ekonomik—​na thellohet dashuria vëllazërore dhe çmueshmëria për ta. Kurrsesi nuk duam të humbin gëzimin ose të psherëtijnë nga diçka që bëjmë ne. Përkundrazi, me bindjen dhe nënshtrimin tonë, tregojmë se ‘i vlerësojmë së tepërmi me dashuri, për shkak të punës së tyre’.​—1 Sel. 5:13.

VAZHDO TA BËSH KËTË MË PLOTËSISHT

19, 20. Si mund të vazhdojmë të tregojmë më plotësisht dashuri vëllazërore?

19 Pa dyshim, populli i Jehovait është i mirënjohur për dashurinë vëllazërore. Pavli e pranoi se kjo ishte e vërtetë në kohën e tij. Por pastaj i nxiti të gjithë ‘të vazhdonin ta bënin këtë në masë më të plotë’. (1 Sel. 4:9, 10) Ka gjithmonë vend për përmirësim.

20 Teksa shohim gjatë këtij viti shkrimin e vitit, le të bluajmë në mend pyetjet: a mund të jem më mikpritës? Si mund t’i kujtoj vëllezërit që janë në burg? A tregoj nderimin e duhur për martesën, që e ka themeluar Perëndia? Ç’do të më ndihmojë të jem vërtet i kënaqur? Si ta forcoj besimin te Jehovai? Si të bashkëpunoj më plotësisht me ata që marrin drejtimin? Po të përpiqemi me gjithë shpirt në këto gjashtë aspekte, atëherë shkrimi i vitit s’do të jetë thjesht një tabelë në murin e Sallës së Mbretërisë. Ai do të na kujtojë t’i vëmë veshin këshillës: «Dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë.»​—Hebr. 13:1.

^ [1] (paragrafi 9) Për shembuj se si tregojnë dashuri vëllazërore Dëshmitarët e Jehovait në rast katastrofash, shih Kullën e Rojës, 15 korrik 2002, f. 8, 9, dhe librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, kap. 19, anglisht.