Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ne do të vijmë me ju»

«Ne do të vijmë me ju»

«Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»​—ZAK. 8:23.

KËNGËT: 65, 122

1, 2. (a) Çfarë do të ndodhte në kohën tonë, sipas fjalëve të Jehovait? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull? (Shih figurën hapëse.)

JA ÇFARË paratha Jehovai duke folur për kohën tonë: «Ato ditë, dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zak. 8:23) Ashtu si dhjetë burrat simbolikë, ata që kanë shpresën të jetojnë në tokë ‘kanë mbërthyer cepin e rrobës së një judeu’. Ndihen krenarë që shoqërohen me «Izraelin e Perëndisë» të mirosur nga fryma, pasi e dinë mirë se Jehovai po i bekon të mirosurit e vet.​—Gal. 6:16.

2 Sikurse profeti Zakaria, edhe Jezui nxori në pah unitetin përtëritës që gëzon populli i Perëndisë. Ai i përshkroi dishepujt e tij si dy grupe​—një «kope e vogël» dhe «dele të tjera»—​por tha se ata do të bëheshin «një kope e vetme» me «një bari të vetëm». (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Mirëpo, nga marrëdhënia që ekziston mes këtyre dy grupeve lindin disa pyetje: (1) A ka nevojë që pjesëtarët e deleve të tjera të dinë emrat e gjithë të mirosurve sot? (2) Ç’pikëpamje duhet të kenë për veten të mirosurit? (3) Si duhet të reagosh nëse dikush në kongregacionin tënd fillon të marrë simbolet në Përkujtim? (4) A duhet të merakosesh nëse rritet numri i atyre që marrin simbolet? Le t’i shohim një nga një përgjigjet e këtyre pyetjeve.

A KA NEVOJË TË DIMË EMRAT E GJITHË TË MIROSURVE SOT?

3. Pse nuk është e mundur ta dimë me siguri cilët do të bëjnë pjesë te 144.000-t?

3 A ka nevojë që delet e tjera të dinë emrat e gjithë të mirosurve sot? E thënë shkurt, jo. Përse jo? Sepse, edhe sikur dikush ta ketë marrë thirrjen qiellore, kjo është vetëm një ftesë, jo konfirmimi përfundimtar për shpërblimin. Ja pse Satanai nxjerr «profetë të rremë . . . që të mashtrojnë mundësisht edhe të zgjedhurit». (Mat. 24:24) Askush nuk mund ta dijë nëse një i mirosur do ta marrë shpërblimin qiellor deri atëherë kur Jehovai ta gjykojë të denjë për një çmim të tillë. Këtë e vendos Jehovai dhe ai ia jep vulosjen përfundimtare ose para se të vdesë besnik, ose para se të shpërthejë «shtrëngimi i madh». (Zbul. 2:10; 7:3, 14) Pra, do të ishte fare e kotë që dikush sot në tokë të përpiqej të përcaktonte cilët shërbëtorë të Perëndisë do të jenë përfundimisht pjesë e 144.000-ve. [1]

4. Nëse s’është e mundur t’i dimë emrat e gjithë të mirosurve që janë në tokë sot, si mund ‘të shkojmë me’ ta?

4 Nëse nuk është e mundur të dihen me siguri emrat e të gjithë izraelitëve të lindur nga fryma që janë në tokë sot, atëherë si mund ‘të shkojnë me’ ta delet e tjera? Vër re çfarë thotë profecia e Zakarisë për dhjetë burrat e figurshëm. Ata ‘do të mbërthenin cepin e rrobës së një judeu e do të thoshin: “Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.”’ Edhe pse këtu përmendet veç një jude, të dyja herët përemri «ju» tregon më shumë se një person. Pra, ky jude simbolik duhet të jetë një grup njerëzish, jo një individ i vetëm. Kështu, s’ka nevojë të identifikojmë çdo jude të lindur nga fryma dhe pastaj ‘të shkojmë me’ të. Përkundrazi, duhet t’i identifikojmë si grup dhe pastaj t’i mbështetim si të tillë. Shkrimet nuk na nxitin në asnjë mënyrë të shkojmë pas një individi. Udhëheqësi ynë është Jezui.​—Mat. 23:10.

Ç’PIKËPAMJE DUHET TË KENË PËR VETEN TË MIROSURIT?

5. Për cilin paralajmërim duhet të mendojnë seriozisht të mirosurit, dhe pse?

5 Ata që marrin simbolet në Përkujtim duhet të mendojnë seriozisht për paralajmërimin që gjendet te 1 Korintasve 11:27-29. (Lexoje.) Çfarë po thekson apostulli Pavël këtu? Nëse një i mirosur nuk do të mbante një marrëdhënie të mirë me Jehovain, atëherë do t’i merrte padenjësisht simbolet. (Hebr. 6:4-6; 10:26-29) Ky paralajmërim u kujton të mirosurve se ende nuk e kanë marrë shpërblimin. Duhet të vazhdojnë të sulen «drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu».​—Filip. 3:13-16.

6. Ç’pikëpamje duhet të kenë për veten të mirosurit?

6 I frymëzuar nga Perëndia, Pavli u përgjërohet të mirosurve ‘të ecin denjësisht për thirrjen e tyre’. Si duhet ta bëjnë këtë? Ashtu si thotë më tej Pavli, ‘me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin me dashuri dhe duke u përpjekur me zell që të ruajnë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:1-3) Fryma e Jehovait nxit përulësinë, jo krenarinë. (Kolos. 3:12) Me modesti, të mirosurit e pranojnë se nuk kanë medoemos më shumë frymë të shenjtë se ata me shpresë tokësore. Nuk pretendojnë se u janë zbuluar gjëra speciale a se kanë njohuri të veçantë; as nuk përpiqen të tregojnë se qëndrojnë më lart se të tjerët në ndonjë mënyrë. Gjithashtu, kurrë nuk do t’i sugjeronin dikujt që të fillonte të merrte simbolet ngaqë mendojnë se është i mirosur; përkundrazi, e pranojnë me përulësi se ai që i fton ose i thërret të mirosurit është Jehovai.

7, 8. Çfarë nuk presin të mirosurit, dhe pse?

7 Edhe pse është privilegj i mrekullueshëm të kesh thirrjen qiellore, të mirosurit nuk presin t’u bëhen nderime të veçanta. (Efes. 1:18, 19; lexo Filipianëve 2:2, 3.) Fryma e Jehovait u dha dëshmi personalisht; nuk u bë një njoftim para gjithë botës. Prandaj nuk habiten nëse disa nuk e besojnë menjëherë se janë mirosur vërtet nga fryma e shenjtë. Tekefundit, e kanë të qartë se Shkrimet këshillojnë të mos i besojmë shpejt dikujt që pohon se ka një emërim të veçantë nga Perëndia. (Zbul. 2:2) Kështu, nuk e përdorin kurrsesi mirosjen e tyre si një «kartëvizitë» për t’u prezantuar. Në përgjithësi, nuk e zënë në gojë fare këtë përvojë personale, që të mos tërheqin vëmendjen te vetja; as nuk duan të mburren për shpërblimin që i pret.​—1 Kor. 1:28, 29; lexo 1 Korintasve 4:6-8.

8 Veç kësaj, të krishterët e mirosur nuk e shohin veten si pjesë e një parie ose elite. Nuk përpiqen të gjejnë të tjerë që thonë se kanë të njëjtën thirrje, me mendimin që të krijojnë lidhje të ngushta ose të formojnë grupe private për të studiuar Biblën. (Gal. 1:15-17) Përpjekje të tilla do të shkaktonin përçarje në kongregacion dhe do t’i kundërviheshin frymës së shenjtë, e cila nxit paqen dhe unitetin.​—Lexo Romakëve 16:17, 18.

SI DUHET TË REAGOSH?

9. Pse duhet të bësh kujdes se si i trajton ata që hanë nga buka dhe pinë nga vera në Përkujtim? (Shih kutinë « Dashuria ‘nuk sillet në mënyrë të pahijshme’».)

9 Si duhet ta trajtosh dikë që merr simbolet e Përkujtimit? Jezui u tha dishepujve: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» Më pas shtoi: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Mat. 23:8-12) Pra do të ishte e gabuar të ngrinim në piedestal individë, qofshin këta edhe vëllezër të mirosur të Krishtit. Kur flet për pleqtë e kongregacionit, Bibla na nxit të imitojmë besimin e atyre që marrin drejtimin, por kurrë nuk na urdhëron të lartësojmë ndonjë njeri si udhëheqësin tonë. (Hebr. 13:7) Vërtet, Shkrimet thonë se disa «çmohen të denjë për nderim të dyfishtë». Megjithatë, këta e meritojnë të nderohen jo ngaqë janë të mirosur, por ngaqë «drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer» dhe «punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie». (1 Tim. 5:17) Prandaj, ata që kanë thirrjen qiellore do të viheshin në siklet nëse të tjerët do t’i mbytnin me lëvdata ose do t’u kushtonin vëmendje të tepruar. Ç’është më e keqja, po të trajtohen në mënyrë të veçantë, të mirosurit mund ta kenë të vështirë të mbeten të përulur. (Rom. 12:3) Asnjë prej nesh nuk do të donte të pengonte një nga vëllezërit e Krishtit!​—Luka 17:2.

Si duhet ta trajtosh dikë që merr simbolet e Përkujtimit? (Shih paragrafët 9-11.)

10. Si mund ta tregosh se i respekton të mirosurit?

10 Si mund të tregojmë respektin e duhur për ata që Jehovai zgjedh t’i mirosë? Nuk u bëjmë pyetje personale për mirosjen e tyre, e kështu nuk përzihemi në gjëra që s’na takojnë. (1 Sel. 4:11; 2 Sel. 3:11) As nuk duhet të shkojmë me hamendjen se edhe prindërit, bashkëshorti a të afërm të tjerë të të mirosurit janë të mirosur. Gjenet ose martesa nuk luajnë rol fare në këtë proces. (1 Sel. 2:12) Gjithashtu, duhet t’i rezistojmë impulsit që t’i pyesim bashkëshortët e të mirosurve se si ndihen që në të ardhmen do të jetojnë pa burrin ose gruan e tyre në tokën parajsore. Në vend se të bëjmë pyetje që mund të lëndojnë, të gjithë ne mund të kemi besim të plotë se Jehovai do të hapë dorën dhe do të plotësojë «dëshirën e çdo krijese».​—Psal. 145:16.

11. Si e mbrojmë veten nëse nuk ‘admirojmë personalitetet’?

11 Ata që i trajtojnë siç duhet të mirosurit mbrojnë veten nga një rrezik tinëzar. Shkrimet tregojnë se në kongregacion mund të hyjnë dhelpërisht ‘vëllezër të rremë’. (Gal. 2:4, 5; 1 Gjon. 2:19) Këta mashtrues mund të pretendojnë madje se janë të mirosur. Veç kësaj, disa të mirosur mund të devijojnë nga besimi. (Mat. 25:10-12; 2 Pjet. 2:20, 21) Nëse bëjmë kujdes që të mos biem në grackën e ‘admirimit të personaliteteve’, këta njerëz nuk do të na largojnë nga e vërteta; as besimi ynë nuk do të marrë një goditje dërrmuese sikur një i krishterë i njohur ose që i ka shërbyer Jehovait prej vitesh të mos qëndrojë besnik.​—Jud. 16.

PO NUMRI I ATYRE QË MARRIN SIMBOLET NË PËRKUJTIM?

12, 13. Pse nuk duhet të na shqetësojë numri i atyre që hanë nga buka dhe pinë nga vera në Përkujtim?

12 Prej dekadash kemi vërejtur se numri i atyre që marrin simbolet në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit po zvogëlohej. Por kjo bën kontrast me atë që kemi parë vitet e fundit: një rritje në numrin e atyre që marrin simbolet. A duhet të na shqetësojë kjo rritje? Jo. Le të shohim disa faktorë të rëndësishëm që duhet të mbajmë ndër mend.

13 «Jehovai i njeh ata që i përkasin.» (2 Tim. 2:19) Ata që bëjnë numërimin në Përkujtim nuk mund të gjykojnë cilët e kanë vërtet shpresën qiellore. Te numri i atyre që marrin simbolet përfshihen edhe ata që mendojnë gabimisht se janë të mirosur. Disa filluan t’i merrnin simbolet në njëfarë momenti, por më vonë nuk i morën më. Të tjerë mund të kenë probleme mendore ose emocionale që i bëjnë të besojnë se do të qeverisin me Krishtin në qiell. Prandaj, numri i atyre që marrin simbolet nuk tregon saktësisht numrin e të mirosurve që kanë mbetur në tokë.

14. Çfarë thotë Bibla për numrin e të mirosurve që do të jenë në tokë kur të nisë shtrëngimi i madh?

14 Kur të vijë Jezui për t’i mbledhur të mirosurit në qiell, do të ketë të mirosur në shumë pjesë të tokës. Duke folur për atë kohë, Bibla thotë për Jezuin: «Ai do të dërgojë engjëjt e vet me një trumbetë që buçet, dhe ata do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër anët, nga njëri skaj i qiellit në skajin tjetër.» (Mat. 24:31) Vërtet, Shkrimet tregojnë se në tokë do të ketë vetëm një mbetje të mirosurish gjatë ditëve të fundit. (Zbul. 12:17) Gjithsesi, Bibla nuk e thotë se sa do të jenë në tokë në kohën kur të nisë shtrëngimi i madh.

15, 16. Ç’duhet të kuptojmë për 144.000-t e zgjedhur nga Jehovai?

15 Jehovai e vendos në cilën pikë të historisë do të zgjedhë të mirosur. (Rom. 8:28-30) Jehovai filloi të zgjidhte të mirosur pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, dhe duket se në kongregacionin e shekullit të parë të gjithë ishin të mirosur. Që nga shekulli i parë e deri në fillim të ditëve të fundit, pjesa dërrmuese e atyre që pohonin se ndiqnin Krishtin ishin të krishterë të rremë. Jezui i krahasoi këta me «egjrat». Prapëseprapë, gjatë gjithë asaj kohe Jehovai vazhdoi të miroste disa besnikë, dhe ata e treguan me vepra se ishin si ‘gruri’ që përshkroi Jezui. (Mat. 13:24-30) Gjatë ditëve të fundit, Jehovai ka vazhduar të zgjedhë ata që do të jenë pjesë e 144.000-ve. [2] Nëse ai vendos të presë derisa të jemi nga fundi i kësaj periudhe e atëherë të zgjedhë disa për këtë privilegj, kush jemi ne që të vëmë në dyshim mençurinë e tij? (Isa. 45:9; Dan. 4:35; lexo Romakëve 9:11, 16.) [3] Duhet të bëjmë kujdes të mos reagojmë si punëtorët që varën turinjtë dhe u ankuan për mënyrën si i trajtoi zotëria i tyre punëtorët e orës së 11-të.​—Lexo Mateun 20:8-15.

16 Jo të gjithë ata që kanë shpresën qiellore janë pjesë e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Sikurse në shekullin e parë, sot Jehovai dhe Jezui po ushqejnë një shumicë nga duart e pakicës. Në shekullin e parë, vetëm pak të krishterë të mirosur u përdorën për të shkruar Shkrimet e Krishtere Greke. Po ashtu edhe sot, vetëm pak të mirosur janë caktuar të sigurojnë «ushqim në kohën e duhur».

17. Çfarë ke mësuar falë këtij artikulli?

17 Çfarë kemi mësuar nga ky studim? Jehovai ka zgjedhur të japë dy shpërblime të ndryshme​—jetën në qiell për judenjtë e lindur nga fryma dhe jetën në tokë për dhjetë burrat simbolikë. Sidoqoftë, ai pret të njëjtin standard besnikërie si nga ata që kanë thirrjen qiellore, edhe nga ata me shpresë tokësore. Që të dyja grupet duhet të mbeten të përulura. Që të dyja grupet duhet të jenë në unitet. E që të dyja grupet duhet të nxitin paqen në kongregacion. Ndërsa ditët e fundit po perëndojnë, qofshim të gjithë të vendosur të shërbejmë si një kope e vetme me Krishtin në krye!

^ [1] (paragrafi 3) Psalmi 87:5, 6 tregon se ka të ngjarë që në të ardhmen të zbulohen emrat e të gjithë atyre që janë marrë për të qeverisur me Jezuin në qiell.​—Rom. 8:19.

^ [2] (paragrafi 15) Edhe pse Veprat 2:33 tregojnë se Jezui merr pjesë në procesin e përzgjedhjes, Autori i ftesës është Jehovai.

^ [3] (paragrafi 15) Për më shumë informacion, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 maj 2007, f. 30, 31.