Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer

MES Dëshmitarëve të zellshëm që shërbejnë në vende ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, ka shumë e shumë motra beqare. Disa nga ato kanë shërbyer prej dekadash në vende të huaja. Çfarë i ndihmoi vite më parë të transferoheshin në një shtet tjetër? Çfarë kanë mësuar nga shërbimi në një vend të huaj? Si ka vajtur jeta e tyre? Kemi intervistuar disa prej këtyre motrave me përvojë. Nëse je motër beqare dhe dëshiron me gjithë zemër të marrësh pjesë në një shërbim që të kënaq shpirtin, jemi të sigurt se do të nxjerrësh dobi nga komentet e tyre. E në fakt, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë mund të përfitojnë nga shqyrtimi i shembullit të tyre.

KAPËRCEJNË DYSHIMET

Anita

A e pyet ndonjëherë veten nëse i ke cilësitë që duhen për të shërbyer me sukses si pioniere në një vend të huaj? Anita, tani në mes të të 70-ve, dyshonte goxha te aftësitë e saj. Ajo u rrit në Angli dhe filloi shërbimin si pioniere në moshën 18-vjeçare. Anita thotë: «Më pëlqente t’i mësoja të tjerët për Jehovain, por s’më kishte vajtur kurrë në mendje se mund të shërbeja jashtë shtetit. Nuk kisha studiuar kurrë një gjuhë të huaj dhe isha e bindur se nuk e mësoja dot. Prandaj shtanga kur mora ftesën për të ndjekur Shkollën e Galaadit. Si mund të merrte një ftesë të tillë një njeri kaq i papërfillshëm si unë! Por mendova: ‘Nëse Jehovai mendon se mund t’ia dal, do ta provoj.’ Kjo ndodhi 50 vjet më parë. Që nga ajo kohë, kam shërbyer si misionare në Japoni.» Anita shton: «Ndonjëherë, me një shikim çapkën u them motrave më të reja: ‘Hidh çantën pas shpine e bashkohu me mua në aventurën më fantastike në histori!’ Me kënaqësi them se shumë motra janë bashkuar me mua.»

MARRIN GUXIM

Shumë motra që kanë shërbyer në një vend tjetër, në fillim ngurronin të transferoheshin. Ku e gjetën guximin që u duhej?

Morina

Morina, tani në mes të të 60-ve, thotë: «Ndërsa rritesha, doja shumë të bëja një jetë me qëllim ku mund të ndihmoja të tjerët.» Kur mbushi 20 vjeç, u transferua në Kuebek, Kanada, ku kishte mjaft nevojë për më shumë pionierë. Ajo thotë: «Më vonë, mora ftesën për të ndjekur Shkollën e Galaadit, por kisha frikë të shkoja drejt së panjohurës pa miqtë e mi.» Morina shton: «Veç kësaj, kisha merak të lija mamanë që kujdesej për babanë tim të sëmurë. Për net të tëra iu përgjërova Jehovait me lot në sy për këto çështje. Kur fola me prindërit për këto shqetësime, ata më nxitën ta pranoja ftesën. Gjithashtu, pashë mbështetjen e dashur që i jepte kongregacioni prindërve të mi. Teksa dalloja dorën e ngrohtë të Jehovait, kjo më ndihmoi të besoja se ai do të kujdesej edhe për mua. Tani, isha gati.» Që nga 1979-a, Morina shërbeu për më se 30 vjet si misionare në Afrikën Perëndimore. Sot, ndërsa kujdeset për mamanë në Kanada, Morina shërben ende si pioniere speciale. Kur sjell ndër mend vitet që shërbeu në një vend tjetër, ajo thotë: «Jehovai gjithnjë më ka siguruar atë që më duhej, në momentin kur më duhej.»

Uendi

Uendi, tani në mes të të 60-ve, nisi shërbimin si pioniere në Australi kur ishte adoleshente. Ajo kujton: «Isha shumë e ndrojtur dhe e kisha të vështirë të flisja me të panjohurit. Mirëpo, shërbimi si pioniere më mësoi të bisedoja me njerëz të çdo lloji, e kështu fillova të ndihesha gjithnjë e më e sigurt në vetvete. Më vonë, kuptova se pasiguria nuk ishte më problem për mua. Shërbimi si pioniere po më ndihmonte të mbështetesha te Jehovai, dhe nisa të mësohesha me idenë për të shërbyer jashtë vendit. Veç kësaj, një motër beqare që kishte shërbyer për më shumë se 30 vjet si misionare në Japoni, më ftoi të shkoja me të që të shërbeja për tre muaj në atë vend. Shërbimi përkrah saj ma shtoi dëshirën për t’u transferuar në një vend të huaj.» Në mes të viteve 80, Uendi u transferua në Vanuatu, një shtet ishullor rreth 1.770 kilometra në lindje të Australisë.

Uendi është akoma në Vanuatu dhe tani shërben në një zyrë rajonale përkthimi. Ajo pohon: «Nuk ka gëzim më të madh për mua sesa kur shoh grupe e kongregacione të reja që formohen në zona të largëta! Të ndihmosh sadopak në veprën e Jehovait në këta ishuj është një privilegj që s’gjen fjalë ta përshkruash.»

Kumiko (në qendër)

Kumiko, tani në mes të të 60-ve, shërbente si pioniere e rregullt në Japoni. Shoqja e shërbimit, edhe ajo pioniere, i sugjeroi që të transferoheshin në Nepal. Kumiko thotë: «Më kërkonte sa e sa herë të transferoheshim, por unë vazhdoja të thosha jo. Isha në merak për faktin që duhej të mësoja një gjuhë të re dhe të përshtatesha me një ambient të ri. Ishte edhe problemi i të ardhurave që duheshin për t’u transferuar në një shtet tjetër. Në periudhën kur bluaja në mendje këto shqetësime, bëra aksident me motor dhe përfundova në spital. Aty mendova: ‘Kushedi ç’mund të më ndodhë nesër?! Mund të sëmurem rëndë e të mos kem më mundësi të shërbej si pioniere jashtë vendit. A nuk shërbej dot në një shtet tjetër të paktën për një vit?’ Iu luta me zjarr Jehovait që të më ndihmonte të veproja.» Pasi doli nga spitali, Kumiko shkoi për vizitë në Nepal, dhe më vonë bashkë me shoqen e shërbimit u transferuan atje.

Kur mendon për gati dhjetë vitet e shërbimit në Nepal, Kumiko shprehet: «Problemet për të cilat isha shqetësuar u zhdukën para meje ashtu siç u ndanë ujërat e Detit të Kuq. Jam vërtet e lumtur që fillova të shërbeja atje ku ka më shumë nevojë! Shpesh, kur flas për mesazhin e Biblës në shtëpinë e një familjeje, vijnë për të dëgjuar edhe pesë a gjashtë fqinjë. Edhe fëmijët e vegjël më kërkojnë me respekt një fletushkë për Biblën. Çfarë gëzimi është të predikosh në këtë territor që e mirëpret lajmin e mirë!»

PËRBALLOJNË VËSHTIRËSITË

Nuk habitemi që motrat e guximshme beqare që intervistuam hasën vështirësi. Si i përballuan?

Dajana

Dajana, nga Kanadaja, thotë: «Në fillim e kisha të vështirë të isha aq larg familjes.» Tani është në fillim të të 60-ve dhe ka shërbyer 20 vjet si misionare në Bregun e Fildishtë. Ajo tregon: «Iu luta Jehovait të më ndihmonte t’i doja njerëzit në caktimin tim. Një nga instruktorët e Galaadit, vëllai Xhek Redford, na shpjegoi se në fillim mund të mërziteshim, e madje të tronditeshim, nga kushtet në caktimin tonë, sidomos kur të përballeshim me varfëri të tejskajshme. Por ai tha: ‘Mos shikoni varfërinë. Shikoni njerëzit, fytyrat dhe sytë e tyre. Vëreni si reagojnë kur dëgjojnë të vërtetat e Biblës.’ Kështu bëra, dhe ç’bekim provova ngaqë ndoqa atë këshillë! Kur u flisja njerëzve për mesazhin ngushëllues të Mbretërisë, shihja si u ndrinin sytë.» Ç’gjë tjetër e ndihmoi Dajanën të përshtatej ndërsa shërbente në një vend të huaj? Ajo thotë: «U afrova me studentët e mi të Biblës dhe provova gëzim të madh teksa i shihja të bëheshin shërbëtorë besnikë të Jehovait. Caktimi u bë shtëpia ime. Fitova nëna, baballarë, vëllezër e motra në të vërtetën, ashtu siç premtoi Jezui.»​—Mar. 10:29, 30.

Ana, tani në mes të të 40-ve, shërben në një vend të Azisë ku vepra jonë është e kufizuar. Ajo tregon: «Gjatë viteve që kam shërbyer në vende të ndryshme jashtë shtetit, kam jetuar me motra që kishin prejardhje dhe personalitete shumë ndryshe nga të miat. Ndonjëherë këto ishin burim keqkuptimesh dhe lëndimesh. Kur ndodhte kështu, përpiqesha të afrohesha më shumë me shoqet e shtëpisë për të kuptuar më mirë kulturën e tyre. Veç kësaj, përpiqesha fort të isha më e dashur dhe më e arsyeshme me to. Jam e kënaqur që ato përpjekje u shpërblyen dhe sollën si rezultat shumë miqësi të forta e afatgjata që më ndihmuan të vazhdoja me qëndrueshmëri në caktimin tim.»

Uta

Më 1993, Uta nga Gjermania, tani në fillim të të 50-ve, u caktua të shërbente si misionare në Madagaskar. Ajo thotë: «Në fillim e pata të vështirë të mësoja gjuhën e vendit, të përshtatesha me klimën e lagësht dhe të përballoja malarien, amebën dhe krimbat parazitë. Por kisha ndihmë me bollëk. Motrat vendëse, fëmijët e tyre dhe studentët e mi të Biblës më ndihmuan me durim të zotëroja gjuhën. Shoqja ime misionare u kujdes me dashuri për mua kur isha sëmurë. Por mbi të gjitha, më ndihmoi Jehovai. Rregullisht ia hidhja ankthin atij me anë të lutjes. Pastaj pritja me durim​—ndonjëherë për ditë të tëra, e ndonjëherë për muaj me radhë—​që lutjet e mia të merrnin përgjigje. Jehovai zgjidhte çdo problem.» Tani, Uta ka 23 vjet që shërben në Madagaskar.

JETË PLOT BEKIME

Ashtu si të tjerë që shërbejnë ku ka më shumë nevojë, motrat beqare që jetojnë në vende të huaja shprehen shpesh se shërbimi në një vend tjetër u ka pasuruar jetën. Cilat janë disa nga bekimet që kanë provuar?

Hajdi

Hajdi nga Gjermania, tani në fillim të të 70-ve, shërben si misionare në Bregun e Fildishtë që nga 1968-a. Kjo motër pohon: «Ajo që më ka sjellë më shumë gëzim është të shoh fëmijët e mi frymorë ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’. Disa që kanë studiuar Biblën me mua tani janë pionierë dhe pleq kongregacioni. Shumë prej tyre më thërrasin mama ose gjyshe. Një nga këta pleq, bashkë me gruan e fëmijët më konsiderojnë pjesë të familjes. Pra, Jehovai më ka dhënë një djalë, një nuse dhe dy nipër e një mbesë.»​—3 Gjon. 4.

Kerëni (në qendër)

Kerëni nga Kanadaja, tani në fillim të të 70-ve, ka shërbyer mbi 20 vjet në Afrikën Perëndimore. Ajo thotë: «Jeta si misionare më ka mësuar të jem më vetëmohuese, më e dashur dhe më e durueshme. Gjithashtu, shërbimi përkrah lajmëtarëve nga shumë kombësi më ka zgjeruar pikëpamjen. Kam mësuar se ka mënyra të ndryshme për t’i bërë gjërat. Dhe sa bekim i bukur është që tani kam miq të dashur në të gjithë botën! Ndonëse jeta dhe caktimet tona kanë ndryshuar, miqësitë kanë mbetur.»

Margareta nga Anglia, tani në fund të të 70-ve, ka shërbyer si misionare në Laos. Ajo tregon: «Shërbimi në një vend tjetër më ka dhënë mundësi të shoh me sytë e mi se si i tërheq Jehovai në organizatën e tij njerëz nga çdo racë dhe prejardhje. Kjo përvojë ma ka forcuar jashtë mase besimin. Më bind plotësisht se Jehovai po e drejton organizatën e tij dhe se qëllimet e tij do të përmbushen.»

Vërtet, motrat beqare që shërbejnë në vende të huaja kanë bërë një punë të shkëlqyer në veprën e predikimit. Ato meritojnë t’i lavdërojmë me gjithë zemër. (Gjyk. 11:40) Veç kësaj, radhët e tyre po shtohen. (Psal. 68:11) A ke mundësi t’i rregullosh rrethanat e të ecësh në gjurmët e motrave të zellshme që intervistuam për këtë artikull? Nëse po, pa dyshim ‘do të provosh dhe do të shijosh se sa i mirë është Jehovai’.​—Psal. 34:8.