Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 5

Çfarë tregon për ne pjesëmarrja në mbledhje

Çfarë tregon për ne pjesëmarrja në mbledhje

«Vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.»—1 KOR. 11:26.

KËNGA 18 Mirënjohës për shpërblesën

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Çfarë sheh Jehovai ndërsa miliona njerëz mblidhen për Darkën e Zotërisë? (Shih figurën e kopertinës.) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

IMAGJINO çfarë sheh Jehovai ndërsa miliona veta rreth e qark botës mblidhen për Darkën e Zotërisë. Ai shikon jo thjesht numrin e madh të njerëzve; Jehovai vëren çdo individ që është i pranishëm. Për shembull, sheh ata që vijnë me besnikëri çdo vit. Mes tyre mund të ketë individë që marrin pjesë edhe pse hasin përndjekje të egra. Ka edhe disa që nuk vijnë rregullisht në mbledhjet e tjera, por pjesëmarrjen në Përkujtim e shohin si detyrë solemne. Jehovai vëren edhe ata që mund të jenë për herë të parë në Përkujtim, mbase të shtyrë nga kureshtja.

2 Patjetër, Jehovai kënaqet kur sheh kaq shumë veta tek marrin pjesë në Përkujtim. (Luka 22:19) Megjithatë, ajo që i intereson mbi gjithçka Jehovait nuk është numri i njerëzve që vijnë. Atij i intereson më tepër arsyeja pse vijnë; motivi është i rëndësishëm për Jehovain. Në këtë artikull do të shqyrtojmë një pyetje me rëndësi jetësore: Përse marrim pjesë jo vetëm në Përkujtimin që mbahet çdo vit, por edhe në mbledhjet javore që siguron Jehovai për ata që e duan?

Miliona veta përreth botës janë të mirëpritur në Darkën e Zotërisë (Shih paragrafët 1-2.)

PËRULËSIA NA NXIT TË MARRIM PJESË

3-4. (a) Pse marrim pjesë në mbledhje? (b) Çfarë tregon për ne pjesëmarrja në mbledhje? (c) Duke pasur parasysh atë që thotë 1 Korintasve 11:23-26, pse nuk duhet ta humbim Përkujtimin?

3 Arsyeja kryesore pse marrim pjesë në mbledhjet e kongregacionit është se ato janë pjesë e adhurimit tonë. Gjithashtu, marrim pjesë sepse në mbledhje mësojmë nga Jehovai. Njerëzit krenarë as që e pranojnë se kanë nevojë të mësojnë ndonjë gjë. (3 Gjon. 9) Krejt ndryshe, ne jemi të etur të mësojmë nga Jehovai dhe nga organizata që po përdor ai.—Isa. 30:20; Gjoni 6:45.

Pjesëmarrja në mbledhje tregon se jemi të përulur, pra të gatshëm dhe plot dëshirë që të mësojmë. Mbrëmjen e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit, ne marrim pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme jo thjesht ngaqë e ndiejmë për detyrë, por edhe ngaqë i bindemi me përulësi urdhrit të Jezuit: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Lexo 1 Korintasve 11:23-26.) Kjo mbledhje na e bën më të fortë shpresën për të ardhmen dhe na kujton sa shumë na do Jehovai. Megjithatë, Jehovai e di se kemi nevojë të marrim zemër dhe forcë më shumë se një herë në vit. Ja pse na siguron çdo javë mbledhje dhe na nxit të marrim pjesë në to. Përulësia na shtyn të bindemi. Ne kalojmë mjaft orë çdo javë që të përgatitemi për këto mbledhje e t’i ndjekim.

5. Pse njerëzit e përulur e pranojnë ftesën e Jehovait?

5 Çdo vit, shumë njerëz të përulur e pranojnë ftesën e Jehovait që të mësohen prej tij. (Isa. 50:4) Ata kënaqen kur ndjekin Përkujtimin, e kështu fillojnë të marrin pjesë edhe në mbledhjet e tjera. (Zak. 8:20-23) Të gjithëve ne na kënaqet zemra kur na mëson e na drejton Jehovai, ‘ndihma jonë dhe Ai që na sjell shpëtim’. (Psal. 40:17) E fundja, ku ka gjë më të kënaqshme—ose më të rëndësishme—se të pranosh një ftesë që të mësohesh nga Jehovai e nga Jezui, Biri që ai e do kaq fort?—Mat. 17:5; 18:20; 28:20.

6. Si e ndihmoi përulësia një burrë që të ndiqte Përkujtimin?

6 Çdo vit, ne përpiqemi të ftojmë sa më shumë veta të mundemi në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Shumë njerëz të përulur kanë nxjerrë dobi duke e pranuar ftesën tonë. Të shohim një shembull. Disa vite më parë, një burri i dhanë një ftesë për të vajtur në Përkujtim, por ai i tha vëllait që i dha ftesën se nuk kishte mundësi të shkonte. Mirëpo mbrëmjen e Përkujtimit, vëllai u çudit kur e pa të hynte në Sallën e Mbretërisë. Atij burri i la aq shumë mbresë mikpritja e ngrohtë që i treguan, sa filloi të merrte pjesë çdo javë në mbledhje. Në fakt, gjatë gjithë vitit ai humbi vetëm tri mbledhje. Çfarë e ndihmoi të reagonte aq mirë? Ishte aq zemërbutë sa të ndryshonte mendje. Vëllai që e ftoi, tha më vonë për të: «Është njeri shumë i përulur.» S’ka dyshim se Jehovai e tërhoqi drejt adhurimit të Tij, dhe tani ky burrë është një vëlla i pagëzuar.—2 Sam. 22:28; Gjoni 6:44.

7. Si mund të na ndihmojë të jemi të përulur ajo që mësojmë në mbledhje e që lexojmë në Bibël?

7 Gjërat që mësojmë në mbledhje dhe ato që lexojmë në Bibël, mund të na ndihmojnë të jemi të përulur. Në javët para Përkujtimit, mbledhjet tona shpesh përqendrohen te shembulli i Jezuit dhe te përulësia që shfaqi duke dhënë jetën si shpërblesë. Gjithashtu, inkurajohemi që në ditët para Përkujtimit të lexojmë tregime nga Bibla për ngjarjet e lidhura me vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit. Ajo që mësojmë në këto mbledhje dhe ajo që lexojmë në këto tregime biblike, na thellon mirënjohjen për flijimin që bëri për ne Jezui. Kështu zemra na nxit të imitojmë qëndrimin e tij të përulur dhe të bëjmë vullnetin e Jehovait, edhe atëherë kur e kemi të vështirë.—Luka 22:41, 42.

GUXIMI NA NDIHMON TË MARRIM PJESË

8. Si tregoi guxim Jezui?

8 Përpiqemi ta imitojmë Jezuin edhe duke treguar guxim. Mendo për guximin që tregoi ai ditët para se të vdiste. Jezui e dinte fare mirë se pas pak armiqtë e tij do ta poshtëronin, do ta rrihnin e do ta ekzekutonin. (Mat. 20:17-19) E megjithatë, u përball me gatishmëri me vdekjen. Kur erdhi koha, u tha apostujve besnikë që ishin me të në Getsemani: «Ngrihuni, le të shkojmë. Ja, tradhtari im po afrohet.» (Mat. 26:36, 46) Dhe kur turma e armatosur shkoi ta arrestonte, doli para, u tha qartë kush ishte dhe i urdhëroi ushtarët t’i linin apostujt e tij të iknin. (Gjoni 18:3-8) Çfarë guximi të jashtëzakonshëm shfaqi! Sot të krishterët e mirosur dhe ata që janë pjesë e deleve të tjera, përpiqen të imitojnë Jezuin duke treguar guxim. Në ç’mënyrë?

Guximi që tregon ti duke marrë pjesë në mbledhje u jep forcë të tjerëve (Shih paragrafin 9.) *

9. (a) Pse mund të na duhet guxim për të ndjekur mbledhjet rregullisht? (b) Si mund të ndikojë shembulli ynë te vëllezërit që janë të burgosur për besimin e tyre?

9 Për të ndjekur mbledhjet rregullisht, mund të na duhet të tregojmë guxim mes rrethanave të vështira. Disa vëllezër e motra marrin pjesë në mbledhje edhe pse janë të rënduar nga barra e hidhërimit, e shkurajimit ose e problemeve shëndetësore. Të tjerë i ndjekin mbledhjet plot guxim me gjithë kundërshtimin e fortë nga pjesëtarët e familjes ose nga autoritetet qeveritare. Ndalu pak e mendo si ndikon shembulli ynë te vëllezërit që janë të burgosur për besimin e tyre. (Hebr. 13:3) Kur dëgjojnë se ne po vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait pavarësisht nga sprovat, ata marrin forcë që ta mbajnë të palëkundur besimin, guximin dhe integritetin e tyre. Apostulli Pavël pati një përvojë të ngjashme. Kur ishte i burgosur në Romë, ai gëzonte sa herë që dëgjonte se vëllezërit e tij po i shërbenin Perëndisë besnikërisht. (Filip. 1:3-5, 12-14) Pak para se të lirohej nga burgu ose fill pas lirimit, Pavli shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve. Në atë letër i nxiste ata të krishterë besnikë të lejonin që ‘dashuria e tyre vëllazërore të vazhdonte’ dhe të mos i braktisnin kurrë mbledhjet.—Hebr. 10:24, 25; 13:1.

10-11. (a) Cilët duhet të ftojmë në Përkujtim? (b) Ç’arsye na jep Efesianëve 1:7 për të ftuar të tjerët?

10 Tregojmë guxim kur ftojmë në Përkujtim të afërmit, shokët e punës dhe komshinjtë. Përse i ftojmë? Ndiejmë mirënjohje aq të thellë për atë që kanë bërë për ne Jehovai dhe Jezui, sa zemra na shtyn t’i ftojmë të tjerët të marrin pjesë në Përkujtim. Duam të mësojnë si të nxjerrin dobi edhe ata nga ‘dashamirësia e pamerituar’ që ka treguar Jehovai nëpërmjet shpërblesës.—Lexo Efesianëve 1:7; Zbul. 22:17.

11 Kur tregojmë guxim duke u mbledhur së bashku, shfaqim edhe një cilësi tjetër të bukur—një cilësi që Perëndia dhe Biri i tij e shfaqin në mënyra të pashoqe.

DASHURIA NA MOTIVON TË MARRIM PJESË

12. (a) Si na e thellojnë mbledhjet tona dashurinë për Jehovain dhe Jezuin? (b) Çfarë na inkurajon të bëjmë 2 Korintasve 5:14, 15 në imitim të Jezuit?

12 Dashuria për Jehovain dhe Jezuin na motivon të marrim pjesë në mbledhje. Pastaj ajo që mësojmë në mbledhje na e thellon dashurinë për Jehovain dhe Birin e tij. Në mbledhje kujtojmë rregullisht çfarë kanë bërë ata për ne. (Rom. 5:8) Përkujtimi në veçanti na kujton sa e thellë është dashuria e tyre, madje edhe ndaj njerëzve që ende nuk e çmojnë shpërblesën. Me një zemër që na gufon nga mirënjohja, përpiqemi të imitojmë Jezuin në mënyrën si jetojmë çdo ditë. (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Veç kësaj, zemra na shtyn të lëvdojmë Jehovain që siguroi shpërblesën. Një mënyrë si mund ta lëvdojmë, është të komentojmë nga zemra në mbledhje.

13. Si mund ta tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain dhe Birin e tij? Shpjegoni.

13 Mund ta tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain dhe Birin e tij duke qenë të gatshëm të bëjmë sakrifica për ta. Shpesh na duhet të bëjmë lloj-lloj sakrificash që të marrim pjesë në mbledhje. Në mjaft kongregacione, një nga mbledhjet mbahet në fund të ditës së punës kur ka shumë gjasa të jemi të lodhur. Kurse mbledhja tjetër mbahet në fundjavë kur të tjerët pushojnë. A e vëren Jehovai që ne po marrim pjesë në mbledhje ndonëse jemi të lodhur? Pa pikë dyshimi! Në fakt, sa më e fortë të jetë lufta a përpjekjet që bëjmë, aq më shumë e çmon Jehovai dashurinë që tregojmë për të.—Mar. 12:41-44.

14. Në ç’mënyrë Jezui na la shembullin si të tregojmë dashuri vetëmohuese?

14 Jezui na la shembullin se si të tregojmë dashuri vetëmohuese. Ai ishte i gatshëm jo vetëm të vdiste për dishepujt e tij, por edhe të jetonte çdo ditë në mënyrë të tillë që i vinte interesat e tyre mbi të vetat. Për shembull, u kushtonte kohë e vëmendje dishepujve, edhe kur ishte i lodhur fizikisht ose i sfilitur emocionalisht. (Luka 22:39-46) Gjithashtu, Jezui përqendrohej tek ajo që mund t’u jepte të tjerëve, jo tek ajo që mund të merrte prej tyre. (Mat. 20:28) Kur dashuria jonë për Jehovain e për vëllezërit është kaq e fortë, do të bëjmë gjithçka mundemi për të marrë pjesë në Darkën e Zotërisë, si edhe në gjithë mbledhjet e tjera të kongregacionit.

15. Cilët në veçanti kemi merak të ndihmojmë?

15 Ne jemi pjesë e të vetmes vëllazëri të vërtetë të krishterë dhe kënaqemi kur kalojmë sa më shumë kohë të mundemi për të ftuar edhe të tjerë të bashkohen me ne. Gjithsesi, në veçanti kemi merak të ndihmojmë ata që janë «të lidhur me ne në besim», por që janë bërë joaktivë. (Gal. 6:10) E shfaqim dashurinë për ta duke i inkurajuar të marrin pjesë në mbledhje, e sidomos në Përkujtim. Ashtu si Jehovai dhe Jezui, na gufon zemra nga gëzimi kur një joaktiv kthehet te Jehovai, tek Ati dhe Bariu ynë i dashur.—Mat. 18:14.

16. (a) Si mund ta inkurajojmë njëri-tjetrin, dhe për çfarë do të na ndihmojnë mbledhjet tona? (b) Pse ky është një moment i përshtatshëm i vitit për të kujtuar fjalët e Jezuit te Gjoni 3:16?

16 Në javët e ardhshme, fto sa më shumë veta të marrin pjesë në Përkujtim të premten në mbrëmje, më 19 prill 2019. (Shih kutinë « A do t’i ftosh?») Gjatë gjithë vitit, le të bëjmë çmos të inkurajojmë njëri-tjetrin duke marrë pjesë rregullisht në të gjitha mbledhjet që na siguron Jehovai. Ndërsa afrohet fundi i këtij sistemi, kemi nevojë për mbledhjet tona që do të na ndihmojnë të mbetemi të përulur, të guximshëm e të dashur. (1 Sel. 5:8-11) Me gjithë zemër, le të tregojmë si ndihemi që Jehovai dhe Biri i tij na duan kaq fort!—Lexo Gjonin 3:16.

KËNGA 126 Rri zgjuar, qëndro i patundur, bëhu i fuqishëm

^ par. 5 Përkujtimi i vdekjes së Krishtit të premten në mbrëmje, më 19 prill 2019, do të jetë mbledhja më e rëndësishme e krejt vitit. Çfarë na motivon të marrim pjesë në këtë ngjarje? Pa dyshim, është dëshira për të kënaqur Jehovain. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë tregon për ne pjesëmarrja në Përkujtim, si edhe në mbledhjet javore.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që është në burg për besimin e tij e inkurajon një letër nga familja. Ndihet i sigurt se nuk e kanë harruar dhe e gëzon lajmi se edhe familja e tij po i qëndron besnike Jehovait me gjithë trazirat civile në zonën e tyre.