Çfarë të korrash të bollshme!
JEZUI paratha se dishepujt e tij do të kishin të korra të bollshme në këto kohë të fundit. (Mat. 9:37; 24:14) Të shohim si janë plotësuar në një mënyrë unike fjalët e tij në një zonë të Transkarpatisë në Ukrainë. Vetëm në tri qytete fqinje të kësaj zone ka 50 kongregacione dhe mbi 5.400 lajmëtarë. * Imagjino, 1 në 4 veta nga banorët e këtyre tri qyteteve është Dëshmitar i Jehovait!
Si është predikimi në këtë territor? Vasili, një vëlla vendës, thotë: «Njerëzit këtu e respektojnë Biblën, e çmojnë drejtësinë, kanë lidhje të forta familjare dhe përpiqen sinqerisht të ndihmojnë njëri-tjetrin.» Ai shton: «Jo gjithmonë pajtohen me bindjet tona. Ama kur u tregojmë diçka nga Bibla, dëgjojnë me vëmendje.»
Natyrisht, vëllezërit e motrat tona hasin disa sfida të veçanta kur predikojnë në një zonë me një përqendrim kaq të madh lajmëtarësh. Për shembull, një kongregacion me 134 lajmëtarë ka vetëm 50 shtëpi në territorin e tij. Si përshtaten lajmëtarët me këtë situatë?
Shumë vëllezër dhe motra nuk kursehen për të predikuar në zona ku ka më shumë nevojë. Jonashi, një vëlla 90-vjeçar, thotë: «Raporti lajmëtar-shtëpi në territorin e kongregacionit tonë është 1 me 2. Unë predikoj në fshatin tim. Por deri para pak kohësh, para se të më përkeqësohej shëndeti, udhëtoja rreth 160 kilometra për në një territor të pacaktuar, ku predikoja në gjuhën hungareze.» Lajmëtarëve u duhet të bëjnë sakrifica që të ndihmojnë në territore të tjera. Jonashi tregon: «Për të kapur trenin, zgjohesha në 4 të mëngjesit dhe predikoja deri në 6 të pasdites kur kthehej treni. E bëja këtë dy ose tri herë në javë.» A mendon se ia vlejtën përpjekjet? Jonashi thotë: «Ai lloj shërbimi më mbushte me gëzim. Pata kënaqësinë të ndihmoja një familje në një vend të izoluar të mësonte të vërtetën.»
Kuptohet, në kongregacionet e kësaj zone, jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë udhëtime të largëta. Por të gjithë, përfshirë lajmëtarët e moshuar, bëjnë çmos ta predikojnë me merak krejt territorin e tyre. Si rezultat, më 2017, numri i të pranishmëve në Përkujtim në të tria qytetet ishte gati dyfishi i numrit të lajmëtarëve, pra gjysma e gjithë popullsisë. Pa diskutim, kudo që shërbejmë, ka ende «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1 Kor. 15:58.
^ par. 2 Emrat e qyteteve janë Hliboki-Potik, Serednie-Vodjanë dhe Nizhnia-Apsha.