Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 22

Trego mirënjohje për thesaret e padukshme

Trego mirënjohje për thesaret e padukshme

«I kemi sytë . . . tek [gjërat] që nuk shihen, sepse gjërat që shihen, janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen, janë të përhershme.»—2 KOR. 4:18.

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë tha Jezui për thesaret në qiell?

JO ÇDO thesar mund të shihet me sy. Në fakt, thesaret më të çmuara janë të padukshme. Gjatë Predikimit në Mal, Jezui përmendi thesare qiellore që kanë vlerë ku e ku më të madhe se të mirat materiale. Pastaj tha këtë të vërtetë: «Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.» (Mat. 6:19-21) Zemra do të na shtyjë të rendim pas atyre gjërave që i çmojmë si thesar. Kur fitojmë një emër të mirë në sytë e Perëndisë, ose miratimin e tij, grumbullojmë «thesare në qiell». Jezui tha qartë se asnjeri nuk i shkatërron e nuk i vjedh dot kurrë thesare të tilla.

2. (a) Sipas 2 Korintasve 4:17, 18, te cilat gjëra na nxit të përqendrohemi Pavli? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Apostulli Pavël na nxit ‘t’i kemi sytë te gjërat që nuk shihen’. (Lexo 2 Korintasve 4:17, 18.) Këto gjëra ose thesare që nuk shihen, përfshijnë bekimet që do të gëzojmë në botën e re të Perëndisë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër thesare të padukshme që mund t’i gëzojmë qysh tani: miqësia me Perëndinë, dhurata e lutjes, ndihma e frymës së shenjtë të Perëndisë dhe mbështetja qiellore që marrim në shërbim. Do të shohim edhe si t’i tregojmë mirënjohje Jehovait për këto thesare të padukshme.

MIQËSIA ME JEHOVAIN

3. Cili është thesari më i çmuar i padukshëm, dhe si bëhet e mundur ta kemi këtë thesar?

3 Thesari më i çmuar i padukshëm është miqësia me Perëndinë Jehova. (Psal. 25:14) Po si ka mundësi që Perëndia të ketë miqësi me njerëz të papërsosur e të mbetet plotësisht i shenjtë? Falë flijimit shpërblyes të Jezuit që «heq mëkatin e botës», pra të njerëzimit. (Gjoni 1:29) Që para se të vdiste Jezui, Jehovai e dinte se qëllimi i tij që të siguronte një Shpëtimtar për njerëzimin nuk do të dështonte. Ja pse Perëndia mund të lidhte miqësi edhe me njerëzit që jetuan para se të vdiste Krishti.—Rom. 3:25.

4. Jep disa shembuj të atyre që jetuan para Krishtit dhe që u bënë miq të Perëndisë.

4 Të shqyrtojmë shembullin e disave që jetuan para Krishtit dhe që u bënë miq të Perëndisë. Abrahami ishte një burrë që tregoi besim të patundur. Mbi 1.000 vjet pasi Abrahami kishte vdekur, Jehovai e quajti ‘miku im’. (Isa. 41:8) Pra, as vdekja nuk mund ta ndajë Jehovain nga miqtë e vet të ngushtë. Abrahami është i gjallë në kujtesën e Jehovait. (Luka 20:37, 38) Një shembull tjetër është Jobi. Para një asambleje engjëjsh në qiell, Jehovai u shpreh me besim të plotë te Jobi. Ai e quajti njeri «me integritet dhe të ndershëm, që nderon thellësisht Perëndinë dhe i qëndron larg së keqes». (Jobi 1:6-8) Ç’të themi pastaj për Danielin që i shërbeu Perëndisë plot besnikëri në një vend pagan për afro 80 vjet? Si ndihej Jehovai për të? Engjëjt e siguruan tri herë Danielin e moshuar se ishte «shumë i vyer» për Perëndinë. (Dan. 9:23; 10:11, 19) Mund të jemi të sigurt se Jehovai e pret me zjarr ditën kur do t’i ringjallë miqtë e tij të shtrenjtë që kanë vdekur.—Jobi 14:15.

Cilat janë disa mënyra si mund të tregojmë mirënjohje për thesaret e padukshme? (Shih paragrafin 5) *

5. Çfarë kërkohet që të gëzojmë miqësi të ngushtë me Jehovain?

5 Sa njerëz të papërsosur gëzojnë sot një miqësi të ngushtë me Jehovain? Janë me miliona. Shumë burra, gra dhe fëmijë anembanë botës e tregojnë me sjelljen e tyre se janë vërtet miq të Perëndisë. Njerëzit e ndershëm «gëzojnë miqësi të ngushtë» me Jehovain. (Prov. 3:32) Kjo miqësi bëhet e mundur ngaqë tregojnë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Falë këtij flijimi, Jehovai me dashuri na jep mundësinë t’i kushtojmë jetën e të pagëzohemi. Kur hedhim këta hapa të rëndësishëm, bashkohemi me miliona shërbëtorë të tij të kushtuar e të pagëzuar, të cilët gëzojnë miqësi të ngushtë me Personin më të madh në univers!

6. Si mund të tregojmë mirënjohje për miqësinë me Perëndinë?

6 Si mund ta tregojmë se e çmojmë si thesar miqësinë e Perëndisë? Ashtu si Abrahami dhe Jobi, që i qëndruan besnikë Perëndisë për më shumë se njëqind vjet, edhe ne duhet të qëndrojmë besnikë—pavarësisht nga sa kohë i kemi shërbyer Jehovait në këtë sistem të vjetër. Ashtu si Danieli, duhet ta vlerësojmë miqësinë me Perëndinë më shumë se jetën tonë. (Dan. 6:7, 10, 16, 22) Me ndihmën e Jehovait, mund t’i bëjmë ballë çdo sprove, e kështu të gëzojmë përgjithmonë miqësinë e tij!—Filip. 4:13.

DHURATA E LUTJES

7. (a) Sipas Proverbave 15:8, si ndihet Jehovai për lutjet tona? (b) Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona?

7 Një thesar tjetër i padukshëm është lutja. Miqve të ngushtë u pëlqen të flasin me njëri-tjetrin për mendimet e ndjenjat e tyre. A ndodh kështu edhe me miqësinë tonë me Jehovain? Patjetër. Jehovai na flet me anë të Fjalës së tij, ku na zbulon mendimet e ndjenjat e veta. Ne komunikojmë me të nëpërmjet lutjes dhe i hapemi për mendimet dhe ndjenjat më të thella. Jehovai i dëgjon me ëndje lutjet tona. (Lexo Proverbat 15:8.) Si një Mik i dashur, Jehovai jo vetëm i dëgjon lutjet tona, por edhe u përgjigjet. Ndonjëherë përgjigjja vjen shpejt. Herë të tjera mund të na duhet të vazhdojmë të lutemi për diçka. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se përgjigjja do të vijë në kohën e duhur dhe në mënyrën më të mirë. Patjetër, përgjigjja e Perëndisë mund të mos jetë ajo që presim. Për shembull, në vend se të na e heqë një sprovë, ai mund të na japë mençurinë dhe fuqinë ‘që t’i bëjmë ballë’.—1 Kor. 10:13.

(Shih paragrafin 8) *

8. Si mund ta tregojmë se jemi mirënjohës për dhuratën e lutjes?

8 Si mund ta tregojmë se jemi mirënjohës për dhuratën e lutjes që s’ka të çmuar? Një mënyrë është duke i vënë veshin këshillës së Jehovait që ‘të lutemi pa pushim’. (1 Sel. 5:17) Jehovai nuk na detyron të lutemi. Ai respekton vullnetin tonë të lirë dhe na nxit ‘të ngulmojmë në lutje’. (Rom. 12:12) Prandaj mund ta tregojmë mirënjohjen duke u lutur shpesh çdo ditë. Natyrisht, kur lutemi, duhet të mos harrojmë ta falënderojmë e ta lëvdojmë Jehovain.—Psal. 145:2, 3.

9. (a) Si ndihet një vëlla për lutjen? (b) Si ndihesh ti për lutjen?

9 Sa më gjatë t’i shërbejmë Jehovait dhe të shohim mënyrat si u përgjigjet kërkesave tona, aq më shumë duhet të na thellohet çmueshmëria për lutjet. Për shembull, të shohim rastin e Krisit, një vëlla që shërben në kohë të plotë prej 47 vjetësh. Ai thotë: «Ç’kënaqësi ndiej kur lë kohë herët në mëngjes që t’i lutem me nge Jehovait! Më kënaqet shpirti kur flas me Jehovain teksa agon dita dhe vesa shndrit nga rrezet e diellit! Kjo më nxit ta falënderoj për të gjitha dhuratat e tij, ku përfshihet edhe privilegji që t’i lutem. E çfarë kënaqësie është ta vë kokën në jastëk me ndërgjegje të pastër pasi lutem në fund të ditës!»

DHURATA E FRYMËS SË SHENJTË

10. Pse duhet ta çmojmë si thesar frymën e shenjtë të Perëndisë?

10 Forca vepruese e Perëndisë është një dhuratë tjetër e padukshme që duhet ta çmojmë si thesar. Jezui na nxiti të lutemi pareshtur për frymën e shenjtë. (Luka 11:9, 13) Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai na jep fuqi—madje ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7; Vep. 1:8) Me ndihmën e frymës së Perëndisë, mund t’i bëjmë ballë çdo sprove që hasim.

(Shih paragrafin 11) *

11. Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë fryma e shenjtë?

11 Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë të kryejmë caktimet tona në shërbim të Perëndisë. Ajo mund të përmirësojë aftësitë dhe talentet që kemi. Fryma e Jehovait na ndihmon të përmbushim përgjegjësitë tona të krishtere. Me plot gojën mund të themi se rezultatet e mira të përpjekjeve tona nuk janë merita jonë. Ato vijnë nga ndihma që na jep fryma e Perëndisë.

12. Sipas Psalmit 139:23, 24, çfarë ndihme mund të na japë fryma e shenjtë?

12 Si ta tregojmë se e vlerësojmë frymën e shenjtë të Perëndisë? Një mënyrë është duke u lutur që ajo të na ndihmojë të pikasim ndonjë mendim ose dëshirë të gabuar në zemër. (Lexo Psalmin 139:23, 24.) Nëse lutemi për këtë, Jehovai nëpërmjet frymës së tij, mund të na ndihmojë të dallojmë mendimet ose prirjet e gabuara. E nëse dallojmë te vetja ndonjë mendim a dëshirë të gabuar, duhet të lutemi që fryma e Perëndisë të na japë forcë t’i rezistojmë këtij mendimi a dëshire. Kështu do të tregojmë se jemi të vendosur të mos bëjmë diçka si pasojë e së cilës Jehovai nuk do të na mbështeste më me frymën e tij të shenjtë.—Efes. 4:30.

13. Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për frymën e shenjtë?

13 Mund ta thellojmë çmueshmërinë për frymën e shenjtë duke medituar se çfarë është arritur sot falë saj. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Këto fjalë po plotësohen në një mënyrë të mrekullueshme. Me mbështetjen e frymës së shenjtë, janë mbledhur rreth tetë milionë e gjysmë adhurues të Jehovait nga çdo cep i botës. Gjithashtu jemi të bashkuar në një parajsë ku vërshon paqja, sepse fryma e Perëndisë na ndihmon të zhvillojmë cilësi të bukura, si dashuria, gëzimi, paqja, durimi, zemërmirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli. Këto cilësi përbëjnë ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Çfarë dhurate e çmuar është fryma e shenjtë!

MBËSHTETJA QIELLORE NË SHËRBIM

14. Çfarë mbështetje të padukshme kemi kur marrim pjesë në shërbim?

14 Kemi edhe një thesar tjetër të padukshëm: jemi «bashkëpunëtorë» të Jehovait dhe të pjesës qiellore të organizatës së tij. (2 Kor. 6:1) Bashkëpunojmë me Jehovain, Jezuin dhe engjëjt sa herë marrim pjesë në veprën e predikimit. Ja çfarë tha Pavli për veten dhe ata që marrin pjesë në këtë vepër: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.» (1 Kor. 3:9) Kur dalim në shërbim, bashkëpunojmë edhe me Jezuin. Mos harro se pasi i urdhëroi dishepujt e tij ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, Jezui tha: «Unë jam me ju.» (Mat. 28:19, 20) Veç kësaj, jemi shumë mirënjohës që engjëjt na drejtojnë ndërsa u predikojmë ‘lajmin e mirë . . . atyre që banojnë në tokë’!—Zbul. 14:6.

15. Jepni një shembull nga Bibla që tregon rolin e rëndësishëm që ka Jehovai në shërbimin tonë.

15 Çfarë arrijmë falë kësaj mbështetjeje qiellore? Ndërsa mbjellim mesazhin e Mbretërisë, disa fara bien në zemra që e mirëpresin, dhe rriten. (Mat. 13:18, 23) Kush bën që të rriten e të japin fryt këto fara të së vërtetës? Jezui shpjegoi se askush nuk mund të bëhet dishepull i tij po të mos «e tërheqë Ati». (Gjoni 6:44) Në Bibël gjejmë një shembull konkret për këtë. Ndoshta na kujtohet rasti kur Pavli u dëshmoi disa grave jashtë qytetit të Filipisë. Vër re çfarë thotë Bibla për një prej tyre, që quhej Lidia: «Jehovai ia hapi plotësisht zemrën që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli.» (Vep. 16:13-15) Jehovai ka tërhequr edhe miliona të tjerë siç bëri me Lidian.

16. Kujt i takon merita për çdo sukses që kemi në shërbim?

16 Kujt i takon merita për çdo sukses që kemi në shërbim? Pavli iu përgjigj kësaj pyetjeje kur shkroi për kongregacionin e Korintit: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdon ta rritë. Prandaj s’është gjë as ai që mbjell, as ai që ujit, por Perëndia që e bën të rritet.» (1 Kor. 3:6, 7) Ashtu si Pavli, duhet t’ia japim gjithnjë meritën Jehovait për çdo sukses që kemi në shërbim.

17. Si mund ta tregojmë mirënjohjen që jemi «bashkëpunëtorë» të Perëndisë, të Krishtit e të engjëjve?

17 Si mund ta tregojmë mirënjohjen për privilegjin që jemi «bashkëpunëtorë» të Perëndisë, të Krishtit e të engjëjve? Duke kërkuar plot zell mundësi për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë. Ka mënyra të panumërta për ta bërë këtë, si për shembull, të japim dëshmi «publikisht e shtëpi më shtëpi». (Vep. 20:20) Shumë lajmëtarë kënaqen kur dëshmojnë edhe në mënyrë joformale. Kur takojnë një të panjohur, e përshëndetin miqësisht dhe përpiqen të hapin një bisedë. Nëse tjetri ka dëshirë të flasë, me takt e çojnë bisedën te mesazhi për Mbretërinë.

(Shih paragrafin 18) *

18-19. (a) Si i ujitim farat e së vërtetës? (b) Tregoni një histori reale që nxjerr në pah si e ndihmoi Jehovai një student të Biblës.

18 Si «bashkëpunëtorë të Perëndisë», duhet jo vetëm t’i mbjellim farat e së vërtetës, por edhe t’i ujitim ato. Kur dikush tregon interes, duam të bëjmë çmos ta ushqejmë atë interes ose të marrim masa që një lajmëtar tjetër ta kontaktojë me synimin për të studiuar Biblën me të. E ndërsa studimi përparon, kënaqemi kur shohim si e ndihmon Jehovai një dishepull të mundshëm të bëjë ndryshime në zemër e në mendje.

19 Të shohim shembullin e një vëllai në Afrikën e Jugut, që më parë ishte shërues dhe magjistar. Atij i pëlqente tej mase ajo që po mësonte nga Bibla. Megjithatë, i dukej shumë e vështirë ta pranonte atë që thotë Fjala e Perëndisë për komunikimin me paraardhësit e vdekur. (Ligj. 18:10-12) Ai lejoi që dalëngadalë Perëndia t’i modelonte mënyrën si mendonte. Dhe me kohë, e la punën si shërues dhe magjistar, edhe pse kjo do të thoshte të humbte të vetmin burim të ardhurash. Tani që është 60 vjeç, ai thotë: «U jam mirënjohës nga zemra Dëshmitarëve të Jehovait që m’u bënë krah në shumë mënyra, si për shembull, më ndihmuan të gjeja punë. Mbi të gjitha, i jam mirënjohës Jehovait që më ndihmoi ta pastroja jetën, e kështu kam mundësi të dal në shërbim si Dëshmitar i tij i pagëzuar.»

20. Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Në këtë artikull kemi folur për katër thesare të padukshme. Më i çmuari ndër to është privilegji që Jehovai është Miku ynë më i ngushtë. Falë miqësisë me Jehovain, nxjerrim dobi edhe nga thesaret e tjera të padukshme—dhurata e lutjes, ndihma e frymës së shenjtë dhe mbështetja qiellore që marrim në shërbim. Qofshim të vendosur ta thellojmë çmueshmërinë për këto thesare të padukshme! Qofshim të vendosur t’i shprehim pareshtur mirënjohje Jehovait që është një Mik kaq i mrekullueshëm!

KËNGA 145 Premtimi i Perëndisë për Parajsën

^ par. 5 Në artikullin e mëparshëm folëm për disa thesare nga Perëndia, të cilat mund t’i shohim. Kurse në këtë artikull do të përqendrohemi te disa thesare që nuk mund t’i shohim dhe do të shqyrtojmë si ta tregojmë mirënjohjen për to. Gjithashtu artikulli do të na thellojë mirënjohjen për Burimin e këtyre thesareve, Perëndinë Jehova.

^ par. 58 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (1) Ndërsa sodit krijimin e Jehovait, një motër mediton për miqësinë me të.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (2) E njëjta motër i lutet Jehovait për forcë që të japë dëshmi.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (3) Fryma e shenjtë e ndihmon motrën të marrë guximin të dëshmojë në mënyrë joformale për mesazhin e Mbretërisë.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (4) Motra drejton studimin e Biblës me gruan që i dëshmoi në mënyrë joformale. Motra e kryen caktimin për të predikuar e për të bërë dishepuj me mbështetjen e engjëjve.