JETËSHKRIM
«Sa shumë kam mësuar nga të tjerët!»
ISHTE natë e errët pus. Regjimenti ynë francez kishte fushuar në malet e Algjerisë, ku luftimet ishin mjaft të ashpra. Po qëndroja i vetëm me mitraloz në dorë në vendrojën time, një pirg me thasë rëre. Befas, heshtjen e theu një zhurmë hapash. Dikush po afrohej. Shtanga në vend. Sapo kisha mbushur 20 vjeç, dhe nuk kisha pikë dëshire as të vrisja e as të më vrisnin. Prandaj thirra i frikësuar: «O Zot! O Perëndi!»
Ajo ngjarje e frikshme ishte pikë kthese në jetën time, sepse që atëherë fillova të kërkoja Perëndinë. Por para se t’ju them çfarë ndodhi më pas atë natë, më lejoni t’ju tregoj se si përvojat e fëmijërisë më zgjuan dëshirën të mësoja për Perëndinë.
MËSOJ NGA IM ATË
Linda në vitin 1937 në Gená, një qytezë minatorësh në veri të Francës. Babai punonte si minator, dhe prej tij mësova vlerën e punës së palodhur. Ai kishte një ndjenjë të fortë drejtësie, e cila e shtynte t’u dilte krah minatorëve që punonin në kushte të rrezikshme për jetën. Prandaj merrte pjesë në sindikata dhe greva për të përmirësuar situatën e tyre. Këtë ndjenjë të fortë drejtësie e nguliti edhe tek unë. Veç kësaj, babanë e acaronte hipokrizia që shihte te priftërinjtë. Shumë prej tyre jetonin mes luksit, e megjithatë u kërkonin ushqim dhe pará minatorëve që rropateshin për të nxjerrë bukën e gojës. Babai ndiente aq shumë neveri për sjelljen e priftërinjve, saqë nuk më mësoi asgjë për fenë. Madje as për Perëndinë nuk flisnim kurrë.
Ndërsa rritesha, edhe unë fillova ta urreja padrejtësinë. Një nga gjërat që më dukej e padrejtë, ishin paragjykimet e disave ndaj të huajve në Francë. Luaja futboll me fëmijët e emigrantëve dhe kënaqesha me ta. Veç kësaj, mamaja ime nuk ishte franceze, por polake. E kisha ëndërr që njerëzit e racave të ndryshme të jetonin në paqe dhe të trajtoheshin njësoj.
FILLOJ TË MENDOJ PËR KUPTIMIN E JETËS
Në vitin 1957, më thirrën ushtar. Ja pse gjendesha në malet e Algjerisë atë natë të errët për të cilën tregova më sipër. Pasi thirra: «O Zot! O Perëndi!», më doli përballë jo një ushtar armik, por një gomar i egër! Çfarë lehtësimi! Sidoqoftë, ajo ngjarje, dhe vetë ajo luftë, më nxitën të mendoja më seriozisht për kuptimin e jetës. Pse ekzistojmë? A interesohet Perëndia për ne? A do të kemi ndonjëherë paqe?
Më vonë, kur isha me leje te prindërit, takova një Dëshmitar të Jehovait. Ai më dha një kopje të La Sainte Bible, një përkthim katolik i Biblës në gjuhën franceze, që fillova ta lexoja pasi u ktheva në Algjeri. Një shkrim që më la mbresa ishte Zbulesa 21:3, 4. Aty thuhet: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.» * Këto fjalë më habitën. Thashë me vete: «A mund të jetë e vërtetë?!» Në atë kohë nuk dija thuajse asgjë për Perëndinë dhe Biblën.
Pasi përfundova shërbimin ushtarak në vitin 1959, takova një Dëshmitar që quhej Fransua, i cili më mësoi shumë të vërteta nga Bibla. Për shembull, ai më tregoi në Bibël se Perëndia ka një emër, Jehova. (Psal. 83:18) Më shpjegoi edhe se Jehovai do të sjellë drejtësi në tokë, do ta kthejë tokën në parajsë dhe do të plotësojë fjalët e Zbulesës 21:3, 4.
Ato mësime m’u dukën shumë logjike dhe më prekën në zemër. Por njëkohësisht u mbusha me zemërim ndaj priftërinjve dhe doja t’u tregoja të gjithëve se gjërat që mësonin ata, nuk ishin në Bibël. Akoma po mendoja si im atë, ndaj s’kisha durim dhe doja t’i ndreqja padrejtësitë në çast!
Fransuaja dhe miqtë e tjerë Dëshmitarë më ndihmuan ta mbaja nën kontroll zemërimin. Ata më shpjeguan se, si të krishterë, nuk na takon t’i gjykojmë të tjerët, por t’u japim shpresë me anë të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Kjo është vepra që bëri Jezui dhe që u caktoi dishepujve të tij. (Mat. 24:14; Luka 4:43) Veç kësaj, duhej të mësoja t’u flisja njerëzve me përzemërsi dhe takt, pavarësisht nga bindjet e tyre. Bibla thotë: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.»—2 Tim. 2:24.
Bëra ndryshimet e nevojshme dhe u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1959 në një asamble qarkore. Atje takova Anxhelën, një motër të re që më bëri për vete. Fillova t’i ndiqja mbledhjet herë pas here në kongregacionin e saj, dhe në vitin 1960 u martuam. Ajo është vërtet një grua e shkëlqyer, një bashkëshorte fantastike dhe një dhuratë e çmuar nga Jehovai.—Prov. 19:14.
MËSOJ SHUMË NGA BURRA TË MENÇUR ME PËRVOJË
Gjatë viteve, kam nxjerrë shumë mësime me vlerë nga vëllezër të mençur e me përvojë. Një nga mësimet më të rëndësishme është ky: që të kemi sukses në çdo caktim të vështirë, duhet të jemi të përulur e të zbatojmë fjalët e mençura të Proverbave 15:22, që thotë: «Planet . . . plotësohen me shumë këshilltarë.»
Në vitin 1964, kuptova sa të vërteta janë këto fjalë të frymëzuara. Atë vit, fillova të shërbeja si mbikëqyrës qarkor dhe të vizitoja kongregacionet për të inkurajuar vëllezërit dhe për t’i ndihmuar të afroheshin me Jehovain. Mirëpo, atëherë isha 27 vjeç dhe më mungonte përvoja. Prandaj bëja edhe gabime. Megjithatë përpiqesha të mësoja prej tyre. Veç kësaj, nxora shumë mësime të vlefshme nga «këshilltarë» të aftë e me përvojë.
Më kujtohet një nga vizitat e para në një kongregacion në Paris. Një vëlla i pjekur më pyeti nëse mund të më thoshte diçka mënjanë. «Patjetër»,—i thashë.
Ai më pyeti: «Lui, kur një doktor shkon në një shtëpi, kë viziton zakonisht?»
«Atë që është sëmurë»,—iu përgjigja.
Ai më tha: «Tamam. Por kam parë se shumicën e kohës e kalon me vëllezër që kanë besim të fortë, siç është mbikëqyrësi i kongregacionit. Kongregacioni ynë ka shumë vëllezër e motra që janë të shkurajuar, të rinj ose të ndrojtur. Do të inkurajoheshin shumë po të kaloje kohë me ta, madje edhe t’u shkoje në shtëpi për ndonjë vakt.»
Këshilla e atij vëllai të dashur ishte me vend dhe s’kishte të çmuar. Dashuria e tij për delet e Jehovait më preku. Prandaj e kapërdiva krenarinë time dhe menjëherë fillova ta zbatoja atë që më tha. E falënderoj Jehovain për vëllezër të tillë.
Në vitet 1969 dhe 1973, më caktuan si përgjegjës të Repartit të Shërbimit të Ushqimit në dy kongrese ndërkombëtare në komunën Kolombë, Paris. Në kongresin e vitit 1973, duhej të përgatitnim ushqim për rreth 60.000 veta pesë ditë me radhë. Nuk e dija si do t’ia dilnim. Por edhe një herë çelësi i suksesit ishte Proverbat 15:22—konsultimi me njerëz të mençur. U kërkova këshilla vëllezërve të pjekur që kishin përvojë në atë fushë. Disa prej tyre ishin kasapë, bujq, kuzhinierë dhe blerës. Së bashku, arritëm ta përmbushnim atë detyrë kolosale.
Në vitin 1973, bashkë me gruan na ftuan të shërbenim në Bethelin e Francës. Caktimi im i parë ishte një sfidë tjetër e madhe. Duhej të gjeja mënyra për t’u dërguar literaturë vëllezërve në Kamerun, Afrikë, ku vepra jonë ishte e ndaluar në vitet 1970-1993. Edhe për këtë caktim, ndihesha i paaftë. Ndoshta vëllai që mbikëqyrte në atë kohë veprën në Francë e nuhati këtë, ndaj më inkurajoi duke më thënë: «Vëllezërit tanë në Kamerun kanë shumë nevojë për ushqim besimforcues. Prandaj duhet t’ua sigurojmë këtë ushqim!» Dhe ashtu bëmë.
Udhëtova disa herë në shtete që ishin në kufi me Kamerunin për të takuar pleqtë e atij vendi. Ata burra të guximshëm dhe të matur më ndihmuan të gjeja mënyra për të dërguar rregullisht në Kamerun ushqim besimforcues. Jehovai i bekoi përpjekjet tona. Në fakt, për afro 20 vjet, popullit të tij në atë vend nuk i mungoi kurrë qoftë edhe një numër i vetëm i revistës Kulla e Rojës dhe i një botimi mujor që atëherë quhej Shërbimi ynë i Mbretërisë.
MËSOJ SHUMË NGA GRUAJA IME E SHTRENJTË
Që kur filluam të njiheshim me njëri-tjetrin, vura re te Anxhela cilësi që pasqyronin një miqësi të ngushtë me Jehovain. Ato cilësi shkëlqyen akoma më fort gjatë martesës. Për shembull, tamam ditën e dasmës, ajo më kërkoi t’i luteshim Jehovait për dëshirën tonë që t’i shërbenim pa u kursyer si çift. Dhe Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje.
Anxhela më ka ndihmuar edhe të kem më shumë besim te Jehovai. Për shembull, kur na ftuan të shërbenim në Bethel në vitin 1973, ngurroja ngaqë e doja shumë veprën qarkore. Por Anxhela më kujtoi se jetën ia kishim kushtuar Jehovait. A nuk duhej të bënim çdo gjë që na kërkonte Hebr. 13:17) Isha plotësisht dakord me këtë! Kështu që shkuam në Bethel. Anxhela është e matur, e ekuilibruar dhe i sheh gjërat me syrin e Jehovait. Këto cilësi na e kanë forcuar martesën dhe na kanë ndihmuar të marrim vendime të mençura gjatë gjithë jetës sonë së bashku.
organizata e tij?! (Tani që jemi në moshë të shkuar, Anxhela vazhdon të më mbështetë dhe të jetë një bashkëshorte e shkëlqyer. Për shembull, për të ndjekur shkollat teokratike, shumë prej të cilave mbahen në anglisht, unë dhe Anxhela filluam të përpiqeshim fort për ta mësuar më mirë atë gjuhë. Prandaj u transferuam në një kongregacion të gjuhës angleze, edhe pse në atë kohë ishim në mes të të 70-ave. Për shkak të përgjegjësive si anëtar i Komitetit të Degës në Francë, e kisha të vështirë të gjeja kohë për të studiuar një gjuhë të huaj. Por ndihmuam njëri-tjetrin. Tani që jemi në të 80-at, vazhdojmë të përgatitemi për mbledhjet e kongregacionit si në anglisht, edhe në frëngjisht. Veç kësaj, përpiqemi të jemi sa më shpesh që mundemi në mbledhje dhe në shërbim me kongregacionin tonë. Jehovai i ka bekuar përpjekjet tona për të mësuar anglisht.
Një bekim fantastik erdhi në vitin 2017. Unë dhe Anxhela morëm ftesën të ndiqnim Shkollën për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre, që u mbajt në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork.
Jehovai është vërtet Mësuesi ynë i Madh. (Isa. 30:20) Prandaj nuk habitemi që shërbëtorët e tij—të rinj e të moshuar—marrin arsimimin më të mirë në botë! (Ligj. 4:5-8) Kam parë se ata të rinj që ia vënë veshin Jehovait dhe vëllezërve e motrave me përvojë, marrin vendime të mira në jetë dhe bëhen shërbëtorë besnikë të Jehovait. Në fakt, Proverbat 9:9 na kujton: «Jepi njohuri të mençurit, dhe do të bëhet më i mençur. Mësoje të drejtin, dhe do t’i shtohet dituria.»
Ndonjëherë, më vjen ndër mend ajo natë e errët dhe e frikshme në malet e Algjerisë rreth 60 vjet më parë. Atëherë, as e kisha idenë se ç’jetë e lumtur më priste përpara. Sa shumë kam mësuar nga të tjerët! Jehovai na ka dhënë mua dhe Anxhelës një jetë të pasur dhe shpërblyese. Prandaj jemi të vendosur të mos reshtim kurrë së mësuari nga Ati ynë qiellor dhe nga motrat e vëllezërit e mençur e me përvojë që e duan atë.
^ par. 11 Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.