Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vazhdojmë ta inkurajojmë njëri-tjetrin çdo ditë

Të vazhdojmë ta inkurajojmë njëri-tjetrin çdo ditë

«Nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni!»​—VEP. 13:15.

KËNGËT: 121, 45

1, 2. Shpjegoni përse është i rëndësishëm inkurajimi.

KRISTINA [1] 18-vjeçare thotë: «Prindërve të mi zor se u del nga goja një fjalë inkurajuese, por më mbytin me kritika. Sa thellë më lëndojnë fjalët e tyre! Më thonë se jam e papjekur, se s’kam për të mësuar kurrë dhe se jam e shëndoshë. Prandaj qaj shpesh dhe preferoj të mos flas me ta. Më duket vetja pa pikë vlere.» Sa e tmerrshme mund të jetë jeta pa inkurajime!

2 Në krahun tjetër, inkurajimi ndikon për mirë. Rubeni thotë: «Kam luftuar për vite të tëra me ndjenjat e pavlefshmërisë. Por një herë kisha dalë në shërbim me një plak kongregacioni që e dalloi se s’isha mirë atë ditë. Më dëgjoi me dhembshuri ndërsa i tregoja si ndihesha. Pastaj më kujtoi gjërat e mira që po bëja. Më kujtoi edhe fjalët e Jezuit që secili nga ne vlen më tepër se shumë harabela. E sjell ndër mend shpesh atë shkrim, dhe vazhdon të më prekë në zemër. Fjalët e atij plaku patën një ndikim të jashtëzakonshëm.»​—Mat. 10:31.

3. (a) Çfarë tha apostulli Pavël për inkurajimin? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 S’është çudi që Bibla thekson sa e nevojshme është ta inkurajojmë njëri-tjetrin rregullisht. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrenj: «Hapni sytë, vëllezër, se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri nga ju një zemër e ligë, që i mungon besimi. Por vazhdoni të nxitni [të inkurajoni] njëri-tjetrin çdo ditë, . . . se mos ndonjëri nga ju ngurtësohet nga fuqia mashtruese e mëkatit.» (Hebr. 3:12, 13) Patjetër që ti e di sa e rëndësishme është këshilla për të inkurajuar njëri-tjetrin, sidomos po të sjellësh ndër mend ndonjë rast kur ta ngrohën zemrën disa fjalë inkurajuese. Prandaj le të shqyrtojmë këto pyetje: pse është jetësor inkurajimi? Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i inkurajonin të tjerët Jehovai, Jezui dhe Pavli? Dhe si mund të jetë i efektshëm inkurajimi që japim?

NJERËZIT KANË NEVOJË PËR INKURAJIM

4. Cilët kanë nevojë për inkurajim, por pse inkurajimet janë të rralla sot?

4 Të gjithë kemi nevojë për inkurajim. Kjo është e vërtetë sidomos gjatë fëmijërisë. Një specialist në fushën e edukimit, Timothi Evansi, shpjegon: «Fëmijët . . . kanë nevojë për inkurajim ashtu si bimët kanë nevojë për ujë.» Pastaj shton: «Inkurajimet bëjnë që fëmija të ndiejë se ka vlerë dhe se e çmojnë.» Megjithatë, po jetojmë në kohë kritike. Njerëzit janë egoistë, shumë nuk kanë përzemërsi të natyrshme dhe inkurajimi është gjë e rrallë. (2 Tim. 3:1-5) Disa prindër nuk i lavdërojnë fëmijët ngaqë as prindërit e tyre nuk i inkurajonin kurrë. Shumë punonjës nuk dëgjojnë një fjalë lavdërimi, prandaj ankohen se në vendin e punës ka një krizë të vazhdueshme për inkurajim.

5. Çfarë përfshin t’i inkurajojmë të tjerët?

5 Të inkurajojmë dikë shpesh përfshin ta lavdërojmë për një gjë që e ka bërë mirë. Mund t’i inkurajojmë të tjerët edhe duke i siguruar se kanë cilësi të mira ose duke u folur «në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar [të shkurajuarve, shën., NWT, botimi 2013]». (1 Sel. 5:14). Fjala greke që zakonisht përkthehet «inkurajim», në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «të thërrasësh përkrah». Teksa shërbejmë krah për krah me vëllezërit e motrat, ka të ngjarë të kemi raste për t’u thënë diçka inkurajuese. (Lexo Eklisiastiun 4:9, 10.) A i shfrytëzojmë rastet e përshtatshme për t’ua shprehur të tjerëve pse i duam dhe i çmojmë? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, bëjmë mirë të mendojmë për këtë proverb: «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»​—Prov. 15:23.

6. Pse do që të na shkurajojë Djalli? Jepni një shembull.

6 Satana Djalli do që të na shkurajojë, se e di që shkurajimi mund të na dobësojë nga ana frymore dhe në drejtime të tjera. Te Proverbat 24:10 lexojmë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Satanai ndërthuri një sërë fatkeqësish dhe akuzash për ta shkurajuar Jobin e drejtë, por ajo strategji mizore dështoi. (Jobi 2:3; 22:3; 27:5) Ne mund t’u kundërvihemi veprave të Djallit duke u dhënë zemër pjesëtarëve të familjes dhe të kongregacionit. Kjo do të ndihmojë që shtëpia jonë dhe Salla e Mbretërisë të jenë vende ku ndihemi të lumtur e të sigurt.

SHEMBUJ INKURAJIMI NGA BIBLA

7, 8. (a) Cilët shembuj nga Bibla tregojnë se për Jehovain është e rëndësishme të inkurajojë? (b) Ç’mund të bëjnë prindërit që të ndjekin shembullin e Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

7 Jehovai. Psalmisti këndoi: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psal. 34:18) Kur Jeremia kishte frikë dhe ndihej i dërrmuar, ose i shkurajuar, Jehovai i dha siguri profetit besnik. (Jer. 1:6-10) Përfytyro edhe sa shumë mori zemër profeti i moshuar Daniel kur Perëndia dërgoi një engjëll që ta forconte. Ai engjëll e quajti Danielin njeri «shumë i vyer». (Dan. 10:8, 11, 18, 19) A mund t’u japësh zemër edhe ti në mënyrë të ngjashme lajmëtarëve, pionierëve dhe bashkëbesimtarëve të moshuar që po u shterin fuqitë?

8 Perëndia nuk mendoi se meqë kishte bashkëpunuar për mijëvjeçarë të tërë me Birin e tij të shtrenjtë, s’ishte e nevojshme ta lavdëronte e ta inkurajonte Jezuin kur ishte në tokë. Përkundrazi, Jezui e dëgjoi dy herë Atin e tij të fliste nga qielli dhe të thoshte: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:17; 17:5) Pra, Perëndia e lavdëroi dhe e siguroi se po ecte mirë. Sa duhet të ketë marrë zemër Jezui kur i dëgjoi këto fjalë në të dyja rastet​—në fillim të shërbimit të tij dhe gjatë vitit të fundit të jetës në tokë. Veç kësaj, Jehovai dërgoi një engjëll që ta forconte Jezuin kur e kaploi ankthi natën para se të vdiste. (Luka 22:43) Nëse jemi prindër, le të ndjekim shembullin e Jehovait duke u dhënë zemër rregullisht fëmijëve dhe duke i lavdëruar kur ecin mirë. Gjithashtu, nëse hasin ditë për ditë në shkollë sprova integriteti, duhet t’i mbështetim akoma më tepër.

9. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i trajtoi Jezui apostujt?

9 Jezui. Një tipar negativ që vërejti Jezui tek apostujt e tij natën kur themeloi Përkujtimin ishte krenaria. Ai u lau këmbët me përulësi, por ata akoma debatonin se kush ishte më i madhi, dhe Pjetri kishte siguri të tepruar te vetja. (Luka 22:24, 33, 34) Prapëseprapë, Jezui i lavdëroi apostujt besnikë që qëndruan bashkë me të në sprovat e tij. Ai paratha se do të bënin vepra më të mëdha se të tijat dhe i siguroi se Perëndia i kishte në zemër. (Luka 22:28; Gjoni 14:12; 16:27) Mund të pyesim veten: pse të mos imitoj Jezuin duke i lavdëruar fëmijët e mi dhe të tjerët për atë që bëjnë mirë, në vend që të përqendrohem te gabimet ose të metat?

10, 11. Si e tregoi apostulli Pavël se e kuptonte sa e nevojshme ishte t’i inkurajonte të tjerët?

10 Apostulli Pavël. Në letrat e tij, Pavli foli me shumë vlerësim për bashkëbesimtarët. Ai kishte udhëtuar për vite të tëra me disa prej tyre dhe natyrisht që ua dinte të metat, por prapë tha fjalë të mira për ta. Për shembull, Pavli e quajti Timoteun «biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë» dhe shkroi se ai kujdesej sinqerisht për gjërat që i shqetësonin vëllezërit e motrat. (1 Kor. 4:17; Filip. 2:19, 20) Apostulli e lavdëroi Titin para kongregacionit të Korintit duke thënë se ishte ‘shok vepre dhe bashkëpunëtor me të për interesat e tyre’. (2 Kor. 8:23) Sa shumë duhet të kenë marrë zemër Timoteu dhe Titi kur morën vesh se ç’mendonte Pavli për ta!

11 Pavli dhe Barnaba vunë kokën në rrezik duke u kthyer në ato vende ku i kishin sulmuar turma të dhunshme. Për shembull, ndonëse kishin hasur kundërshtim fanatik në Listër, ata u kthyen atje për t’u dhënë zemër dishepujve të rinj që të qëndronin në besim. (Vep. 14:19-22) Në Efes, Pavli u përball me një turmë të egërsuar. Te Veprat 20:1, 2 thuhet: «Si u fashit trazira, Pavli dërgoi të thërritnin dishepujt, dhe pasi u dha zemër e u përshëndosh me ta, mori rrugën drejt Maqedonisë. Pasi përshkoi ato vise dhe foli shumë për t’u dhënë zemër dishepujve që ishin atje, shkoi në Greqi.» Pa diskutim që për Pavlin ishte shumë e rëndësishme t’u jepte zemër të tjerëve.

SI NDIKON INKURAJIMI SOT

12. Çfarë roli luajnë mbledhjet tona që të japim e të marrim inkurajim?

12 Një arsye pse Ati ynë qiellor ka marrë masa me dashuri që të kemi rregullisht mbledhje është se në to mund të marrim e të japim inkurajim. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Ashtu si dishepujt e hershëm të Jezuit, ne mblidhemi bashkë që të mësojmë e të marrim zemër. (1 Kor. 14:31) Kristina, që u përmend në fillim të artikullit, thotë: «Ajo që më pëlqen më tepër nga mbledhjet është dashuria dhe inkurajimi që marr atje. Nganjëherë kur shkoj në Sallën e Mbretërisë, jam tepër e trishtuar. Por pastaj motrat më afrohen, më përqafojnë dhe më thonë se dukem bukur. Ma shprehin se më duan dhe se janë të kënaqura kur shohin përparimin tim në të vërtetën. Inkurajimi i tyre ma ngre zemrën peshë.» Sa përtëritëse është kur të gjithë bëjmë pjesën tonë që «të inkurajojmë njëri-tjetrin»!​—Rom. 1:11, 12.

13. Pse kanë nevojë për inkurajim shërbëtorët me përvojë të Perëndisë?

13 Edhe shërbëtorët me përvojë të Perëndisë kanë nevojë për inkurajim. Të mendojmë pak për Josiun. Ai i kishte shërbyer me besnikëri Perëndisë për shumë vjet. Prapëseprapë, Jehovai i tha Moisiut që t’i jepte zemër. Ai e udhëzoi: «Lërja detyrën Josiut, jepi zemër e forcoje, sepse ai do të kalojë në krye të këtij populli dhe do t’i japë si trashëgimi vendin që do të shohësh.» (Ligj. 3:27, 28) Pas pak Josiu do të merrte mbi supe përgjegjësinë kolosale që t’u printe izraelitëve për të pushtuar Tokën e Premtuar. Do të haste vështirësi dhe do të pësonte të paktën një disfatë në luftë. (Jos. 7:1-9) S’është çudi që Josiu kishte nevojë t’i jepnin zemër e ta forconin. Prandaj, le t’i inkurajojmë edhe ne sot pleqtë, përfshirë mbikëqyrësit qarkorë, të cilët punojnë pa u lodhur që të kujdesen për kopenë e Perëndisë. (Lexo 1 Selanikasve 5:12, 13.) Një mbikëqyrës qarkor tha: «Ndonjëherë vëllezërit na japin një letër falënderimi ku thonë sa shumë janë kënaqur nga vizita. I ruajmë këto letra dhe i lexojmë kur ndihemi përtokë. Janë vërtet një burim inkurajimi.»

Fëmijët çelen e rriten mbarë kur u japim zemër me ngrohtësi (Shih paragrafin 14.)

14. Ç’gjë tregon se lavdërimet dhe inkurajimet janë goxha të dobishme kur jepen këshilla?

14 Pleqtë dhe prindërit e krishterë kanë vërejtur se lavdërimet dhe inkurajimet janë goxha të dobishme kur duhen theksuar këshillat e Biblës. Kur Pavli i lavdëroi korintasit se zbatuan këshillën e tij, ata duhet të jenë inkurajuar që të vazhdonin të bënin atë që ishte e drejtë. (2 Kor. 7:8-11) Andreasi, që ka dy fëmijë, thotë: «Inkurajimet i ndihmojnë fëmijët të rriten nga ana frymore dhe emocionale. Kur u jep zemër, këshillat kanë më shumë forcë. Edhe pse fëmijët e dinë se çfarë është e drejtë, falë inkurajimeve tona të vazhdueshme u bëhet shprehi për gjithë jetën ta bëjnë atë që është e drejtë.»

SI TË JAPIM INKURAJIME TË EFEKTSHME

15. Cila është një mënyrë si mund t’u japim zemër të tjerëve?

15 Të shprehim çmueshmëri për përpjekjet e shkëlqyera dhe cilësitë e bukura të bashkadhuruesve. (2 Kron. 16:9; Jobi 1:8) Jehovai dhe Jezui e vlerësojnë jashtëzakonisht atë që bëjmë të gjithë ne për të mbështetur Mbretërinë, edhe nëse përpjekjet e kontributet tona janë të kufizuara për shkak të rrethanave. (Lexo Lukën 21:1-4; 2 Korintasve 8:12.) Për shembull, disa nga të moshuarit e shtrenjtë mes nesh bëjnë përpjekje të mëdha që të marrin pjesë rregullisht në mbledhje e në shërbim. A nuk duhet t’i lavdërojmë e t’i inkurajojmë?

16. Pse nuk duhet të frenohemi kurrë për të inkurajuar të tjerët?

16 Të shfrytëzojmë rastet për t’u dhënë zemër të tjerëve. Pse ta frenojmë veten nëse shohim diçka që meriton lavdërim?! Të shohim se ç’ndodhi kur Pavli dhe Barnaba ishin në Antioki të Pisidisë. Të parët e sinagogës u thanë: «Burra, vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni!» Atëherë Pavli mbajti një fjalim të shkëlqyer. (Vep. 13:13-16, 42-44) Pra, nëse kemi ndonjë fjalë inkurajimi, pse të mos e themi lirshëm? Ka shumë të ngjarë që po ta bëjmë zakon të inkurajojmë, edhe të tjerët do të na inkurajojnë.​—Luka 6:38.

17. Çfarë u jep vërtet peshë lavdërimeve tona?

17 Të jemi të sinqertë dhe specifikë. Patjetër që inkurajimet dhe lavdërimet me fjalë të përgjithshme kanë vlerë, por mesazhi që u drejtoi Jezui të krishterëve në Tiatirë tregon se është më mirë të jemi specifikë. (Lexo Zbulesën 2:18, 19.) Nëse jemi prindër, për shembull, mund t’u themi fëmijëve çfarë vlerësojmë në veçanti te përparimi që po bëjnë në të vërtetën. Ose, një nëne të vetme mund t’i themi çfarë na lë mbresë konkretisht te mënyra si po i rrit fëmijët me gjithë situatën e saj të vështirë. Lavdërime dhe inkurajime të tilla mund të kenë ndikim të fuqishëm.

18, 19. Si mund t’i forcojmë ata që kanë nevojë për inkurajim?

18 Jehovai nuk do të na thotë personalisht të inkurajojmë dikë siç i tha Moisiut që të inkurajonte e të forconte Josiun. Megjithatë, Perëndia kënaqet kur u japim zemër bashkëbesimtarëve dhe të tjerëve me fjalët tona. (Prov. 19:17; Hebr. 12:12) Për shembull, mund t’i themi një oratori se fjalimi i tij na dha atë këshillë që na nevojitej ose na ndihmoi të kuptonim një shkrim të caktuar. Një motër i shkroi një oratori vizitues: «Edhe pse folëm vetëm pak minuta, ti e pe se e kisha zemrën të vrarë dhe më ngushëllove e më lehtësove. Dua që ta dish se kur ti fole me aq ngrohtësi, qoftë nga podiumi, qoftë personalisht, u ndjeva sikur më bëri një dhuratë Jehovai.»

19 Ka shumë mundësi të gjejmë plot mënyra që t’i forcojmë frymësisht të tjerët nëse jemi të vendosur të zbatojmë këshillën e Pavlit: «Vazhdoni të ngushëlloni [të inkurajoni] njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.» (1 Sel. 5:11) Po të vazhdojmë ta inkurajojmë njëri-tjetrin çdo ditë, patjetër që do të bëjmë të lumtur Jehovain.

^ [1] (paragrafi 1) Disa emra janë ndryshuar.