Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të përshtatesh me kongregacionin e ri?

Si mund të përshtatesh me kongregacionin e ri?

«ISHA pak në ankth kur po transferohesha këtu,​—thotë Aleni. *—​Nuk e dija nëse do të zija miq a nëse të tjerët do të më pranonin.» Aleni po përshtatet me kongregacionin e ri që ndodhet mbi 1.400 kilometra larg vendit ku banonte.

Nëse je transferuar në një kongregacion tjetër, edhe ti mund të jesh pak në ankth. Çfarë mund të të ndihmojë të përshtatesh? Ç’të bësh nëse përshtatja është më e vështirë nga ç’mendoje? Nga ana tjetër, nëse ti vetë nuk po transferohesh, si mund t’ua bësh më të lehtë ndryshimin atyre që sapo kanë ardhur në kongregacionin tënd?

SI MUND TË PËRSHTATESH E TË LULËZOSH?

Mendo për këtë shembull: kur pemëve u ndërrojnë vend, ato përjetojnë stres. Kur një pemë e shkulin nga toka, shumicën e rrënjëve ia presin që ta transportojnë më kollaj. Kur e mbjellin sërish, pema duhet të fillojë menjëherë të lëshojë rrënjë të reja. Po kështu, transferimi në një kongregacion të ri mund të të ketë shkaktuar stres. Në kongregacionin e mëparshëm kishe zënë «rrënjë», pasi kishe krijuar miqësi të çmuara dhe një program të rregullt në shërbim të Jehovait. Tani të duhet të lëshosh rrënjë të reja që të lulëzosh në ambientin e ri. Çfarë do të të ndihmojë për këtë? Zbatimi i parimeve biblike. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

Ai që e lexon rregullisht Fjalën e Perëndisë është «si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën».​Psal. 1:1-3.

Ashtu si një pemë që duhet të marrë rregullisht ujë nga një burim që të mbetet e shëndetshme, edhe një shërbëtor i Perëndisë duhet të ushqehet rregullisht me Biblën që të ketë një marrëdhënie të fortë me Të. Prandaj, vazhdo ta lexosh përditë Fjalën e Tij dhe të ndjekësh rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Mbaj zakone të mira të adhurimit familjar dhe të studimit personal. Gjithçka që të duhej për ta mbajtur të fortë marrëdhënien me Perëndinë në vendin e mëparshëm, të duhet edhe tani që je në kongregacionin e ri.

«Kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.»​Prov. 11:25.

Do të gjallërohesh e do të përshtatesh më shpejt nëse merr pjesë plotësisht në shërbim. Kevini, një plak kongregacioni thotë: «Ajo që na ndihmoi më shumë mua dhe gruan ishte të shërbenim si pionierë ndihmës pak pasi shkuam në kongregacionin e ri. I njohëm shpejt vëllezërit, pionierët dhe territorin.» Roxheri, i cili u transferua në një zonë mbi 1.600 kilometra larg vendit ku banonte më parë, thotë: «Mënyra më e mirë për t’u përshtatur me një kongregacion të ri është të dalësh në shërbim sa më shpesh të mundesh. Veç kësaj, bëjua të ditur pleqve se je gati të ndihmosh në çfarëdo mënyre, mbase të pastrosh Sallën e Mbretërisë, të zëvendësosh dikë për një pjesë në mbledhje ose të shoqërosh dikë me makinë për në mbledhje. Kur vëllezërit e motrat shohin një person të ri që ka frymë vetëmohuese, të pranojnë krahëhapur në shoqërinë e tyre.»

«Zgjerohuni.»​2 Kor. 6:13.

Zgjerohuni në përzemërsinë vëllazërore. Kur Melisa dhe familja e saj u transferuan në një kongregacion të ri, u përqendruan që të krijonin miqësi të reja. Ajo thotë: «Rrinim në shoqërinë e motrave e vëllezërve në Sallën e Mbretërisë para dhe pas mbledhjeve. Kjo na jepte mundësi që bisedat të mos mbeteshin thjesht një përshëndetje.» Kjo e ndihmoi familjen edhe që t’ua mësonin më shpejt emrat vëllezërve. Gjithashtu, u zgjeruan duke treguar mikpritje dhe kjo i forcoi miqësitë e tyre të reja. Melisa shton: «Shkëmbyem numrat e telefonit që të na kontaktonin e të na përfshinin në aktivitetet e kongregacionit dhe në aktivitete të tjera.»

Nëse të tremb ideja që të takosh njerëz të rinj, mund ta fillosh me gjëra të vogla. Për shembull, buzëqesh​—edhe nëse nuk të vjen natyrshëm në fillim. Buzëqeshja do t’i tërheqë të tjerët drejt teje. Në fakt «shndritja e syve e gëzon zemrën». (Prov. 15:30) Rejçëlli, e cila u transferua shumë larg vendit ku u rrit, thotë: «Jam tip i rezervuar. Ndonjëherë duhet të sforcohem që të flas me vëllezërit e motrat në kongregacionin e ri. Shoh mos ka ndonjë që është ulur në Sallën e Mbretërisë e nuk po flet me dikë. Ky person mund të jetë po aq i ndrojtur sa unë.» Pse të mos vësh synim të bisedosh me dikë të ri para ose pas çdo mbledhjeje?

Nga ana tjetër, javët e para mbase mezi pret të takosh fytyra të reja. Mirëpo e reja bëhet e vjetër me kalimin e kohës. Në këtë pikë, ndoshta duhet të përpiqesh që të vazhdosh të krijosh miqësi të reja.

Kur pemëve u ndërrojnë vend, ato përjetojnë stres, por kur mbillen sërish, lëshojnë rrënjë të reja

JEPI KOHË VETES QË TË PËRSHTATESH

Disa pemë duan më shumë kohë se të tjera që të zënë rrënjë mirë në mjedisin e ri. Po njësoj, jo të gjithë përshtaten me një kongregacion të ri me të njëjtën shpejtësi. Nëse ke ca kohë që je transferuar, por prapë e ke të vështirë të përshtatesh, mund të të ndihmojë zbatimi i këtyre parimeve biblike:

«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»​Gal. 6:9.

Jepi më shumë kohë vetes që të përshtatesh, ndryshe nga ç’mendoje në fillim. Për shembull, shumë misionarë të stërvitur në Galaad qëndrojnë në caktimet e tyre në një vend të huaj për disa vjet pa vizituar vendin e tyre të origjinës. Kjo i ndihmon të lidhen me vëllezërit vendës dhe të përshtaten me një kulturë tjetër.

Alehandro, që është transferuar disa herë, e di se procesi i përshtatjes nuk mund të përshpejtohet. Ai thotë: «Herën e fundit që u transferuam, gruaja më tha: ‘Të gjithë miqtë e mi janë në kongregacionin e mëparshëm!’» Ai i kujtoi se tamam kështu kishte thënë edhe dy vjet më parë, kur ishin transferuar për herë të fundit. Por gjatë atyre dy viteve, ajo tregoi interes për të tjerët, dhe të panjohurit iu bënë miq të ngushtë.

«Mos thuaj: ‘Si ka mundësi që ditët e mëparshme ishin më të mira se këto?’ Sepse nuk është e mençur të bësh një pyetje të tillë.»​Ekl. 7:10.

Mos e krahaso kongregacionin e ri me të mëparshmin. Për shembull, vëllezërit në kongregacionin e ri mund të jenë më të rezervuar ose më të hapur nga ç’je mësuar. Përqendrohu tek aspektet pozitive që kanë, siç do të doje që të bënin ata me ty. Disa janë habitur që transferimi i ka shtyrë të pyesin veten: «A e dua vërtet ‘gjithë vëllazërinë’?»​—1 Pjet. 2:17.

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.»​Luka 11:9.

Vazhdo të lutesh për ndihmë. Davidi, një plak, thotë: «Mos u përpiq ta mbash i vetëm gjithë barrën. Shumë gjëra arrijmë t’i bëjmë vetëm me ndihmën e Jehovait. Lutu për këtë.» Rejçëlli, e përmendur më sipër, mendon njësoj. Ajo thotë: «Nëse unë dhe burri ndihemi disi të shkëputur nga kongregacioni, i lutemi në mënyrë specifike Jehovait: ‘Të lutemi, na ndihmo të kuptojmë nëse po bëjmë diçka që i pengon vëllezërit të na afrohen.’ Pastaj përpiqemi të kalojmë më shumë kohë me vëllezërit e motrat.»

Prindër, nëse fëmijët tuaj e kanë të vështirë të përshtaten, lini kohë të luteni me ta për këtë çështje. Ndihmojini të zënë miq të rinj duke krijuar raste që të rrinë në shoqëri ndërtuese.

NDIHMOJI TË SAPOARDHURIT TË NDIHEN PJESË E KONGREGACIONIT

Ç’mund të bësh që t’i ndihmosh të sapoardhurit që janë transferuar në kongregacionin tënd? Bëj çmos të jesh një mik i vërtetë që në fillim. Për këtë, provo të imagjinosh çfarë gjërash do të vlerësoje po të transferoheshe, dhe pastaj bëji këto gjëra. (Mat. 7:12) A mund t’i ftosh të sapoardhurit në adhurimin familjar ose të shihni programin mujor në JW Broadcasting? A mund t’i ftosh të dalin me ty në shërbim? Nëse hani një vakt të thjeshtë së bashku, ata do ta mbajnë mend për shumë kohë mikpritjen tënde. Në ç’mënyrë tjetër praktike mund t’i ndihmosh të sapoardhurit?

Karlosi thotë: «Kur erdhëm në kongregacionin e ri, një motër na dha një listë me dyqanet që kishin çmime të arsyeshme. Kjo na ndihmoi shumë.» Ata që vijnë nga një vend me klimë tjetër mund të jenë mirënjohës kur u tregon si të vishen në vendin tuaj me mot të nxehtë, të ftohtë ose me shi. Mund t’i ndihmosh edhe të jenë më të efektshëm në shërbim duke u treguar historinë e komunitetit ose duke u shpjeguar bindjet fetare në zonën tuaj.

PËRPJEKJET PËR T’U PËRSHTATUR IA VLEJNË

Aleni, i përmendur në hyrje, ka më se një vit në kongregacionin e ri. Ai tregon: «Në fillim duhej të sforcohesha që të përpiqesha t’i njihja motrat e vëllezërit. Ama tani ndihem më shumë si në familje dhe jam i lumtur.» Aleni kupton se nuk ka humbur asnjë mik nga transferimi. Përkundrazi, ka fituar miq të rinj, që ka shumë mundësi të mbeten miqtë e tij për tërë jetën.

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.