Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke të njëjtën ndjenjë drejtësie që ka Jehovai?

A ke të njëjtën ndjenjë drejtësie që ka Jehovai?

«Emrin e Jehovait do të shpall . . . , një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi.»​—LIGJ. 32:3, 4.

KËNGËT: 5, 46

1, 2. (a) Çfarë padrejtësie pësuan Naboti dhe bijtë e tij? (b) Cilat janë dy cilësitë që do të shqyrtojmë në këtë artikull?

PËRFYTYRO pak skenën. Një burrë e akuzojnë padrejtësisht për një krim që dënohet me vdekje. Sa skandalizohen e tmerrohen familja dhe miqtë e tij kur e shpallin fajtor në bazë të dëshmive të rreme të paraqitura nga dëshmitarë që njihen si njerëz pa pikë vlere! Njerëzit që e duan drejtësinë tronditen e vlojnë përbrenda ndërsa shohin ekzekutimin e këtij njeriu të pafajshëm dhe të bijve të tij. Kjo s’është një histori imagjinare. Është përvoja e një shërbëtori besnik të Jehovait që quhej Nabot dhe që jetoi gjatë kohës kur në Izrael mbretëronte Akabi.​—1 Mbret. 21:11-13; 2 Mbret. 9:26.

2 Në këtë artikull, do të ndalemi jo vetëm te përvoja e Nabotit, por edhe tek ajo e një plaku besnik në kongregacionin e shekullit të parë që i gjykoi gjërat gabim. Ndërsa shqyrtojmë këta shembuj nga Bibla, do të mësojmë se përulësia është thelbësore nëse duam të pasqyrojmë ndjenjën e drejtësisë së Jehovait. Gjithashtu, do të mësojmë se si gatishmëria për të falur kur vërejmë padrejtësi në kongregacion mund të pasqyrojë pikëpamjen që ka Jehovai për drejtësinë.

NJË SHTREMBËRIM I DREJTËSISË

3, 4. Çfarë njeriu ishte Naboti, dhe pse nuk pranoi t’ia shiste vreshtin e tij mbretit Akab?

3 Naboti ishte besnik ndaj Jehovait në një kohë kur shumica e izraelitëve ndiqnin shembullin e keq të mbretit Akab dhe të gruas së tij, mbretëreshës së ligë Jezebelë. Ata adhurues të Baalit nuk kishin fare respekt për Jehovain ose vlerësim për normat e tij. Nga ana tjetër, Naboti e çmonte miqësinë me Jehovain më shumë se jetën e vet.

4 Lexo 1 Mbretërve 21:1-3. Kur Akabi ofroi të blinte vreshtin e Nabotit ose t’i jepte një vresht më të mirë në vend të tij, Naboti nuk pranoi. Pse? Me respekt, ai shpjegoi: «Duke ditur pikëpamjen e Jehovait, mua nuk më shkon kurrë ndër mend të të jap trashëgiminë e paraardhësve të mi.» Refuzimi i Nabotit bazohej te ligji që i kishte dhënë Jehovai kombit të Izraelit, i cili ndalonte të shitej përgjithmonë trashëgimia që kishte dikush brenda fisit. (Lev. 25:23; Num. 36:7) Pa dyshim që Naboti i shihte gjërat nga pikëpamja e Jehovait.

5. Ç’rol luajti Jezebela në vrasjen e Nabotit?

5 Mjerisht, refuzimi i Nabotit u bë shkëndija e një vargu veprimesh të shëmtuara nga ana e mbretit Akab dhe e gruas së tij. Që ta shtinte në dorë vreshtin për të shoqin, Jezebela kurdisi akuzat e rreme kundër Nabotit, që bënë të ekzekutohej edhe ai, edhe djemtë e tij. Si do të vepronte Jehovai përballë kësaj padrejtësie tragjike?

GJYKIMI I DREJTË I PERËNDISË

6, 7. Si e tregoi Jehovai se e do drejtësinë, dhe pse kjo duhet të ketë qenë burim ngushëllimi për të afërmit dhe miqtë e Nabotit?

6 Jehovai dërgoi me të shpejtë Elijan që të ballafaqohej me Akabin. Me të drejtë, Elija e gjykoi Akabin si vrasës dhe vjedhës. Cili ishte vendimi i Jehovait në atë çështje? Akabi, e shoqja dhe bijtë e tij do të pësonin të njëjtin fund që kishte pasur Naboti me të bijtë.​—1 Mbret. 21:17-25.

7 Ndonëse familja dhe miqtë e Nabotit ishin të pikëlluar nga veprimet gjakatare të Akabit, pa dyshim që gjetën njëfarë ngushëllimi te fakti që Jehovai ishte plotësisht në dijeni të asaj padrejtësie dhe që veproi me shpejtësi. Mirëpo, ka shumë të ngjarë që përulësia dhe besimi i tyre te Jehovai të jenë vënë në provë kur ngjarjet morën një kthesë të papritur.

8. Si reagoi Akabi ndaj mesazhit të gjykimit të Jehovait, dhe cili ishte rezultati?

8 Kur mori vesh gjykimin e pafavorshëm të Jehovait, «Akabi shqeu rrobat dhe u mbulua me copë thesi. Pastaj filloi të agjëronte, shtrihej i veshur me copë thesi dhe ecte kokëvarur». Akabi u përul. Cili ishte rezultati? Jehovai i tha Elijas: «Meqë u përul për shkakun tim, nuk do ta sjell gjëmën në ditët e tij. Gjëmën mbi shtëpinë e vet do ta sjell në ditët e të birit.» (1 Mbret. 21:27-29; 2 Mbret. 10:10, 11, 17) Jehovai, «ai që shqyrton zemrat», i tregoi njëfarë mëshire Akabit.​—Prov. 17:3.

PËRULËSIA​—NJË MBROJTJE

9. Pse duhet të ketë qenë një mbrojtje përulësia për familjarët dhe miqtë e Nabotit?

9 Si ndikoi vendimi i Jehovait tek ata që e dinin çfarë krimi të llahtarshëm kishte kryer Akabi? Ajo kthesë e befasishme që u duk se morën ngjarjet mund t’u ketë vënë në provë besimin familjarëve dhe miqve të Nabotit. Nëse ishte kështu, përulësia do t’i ketë mbrojtur, duke i nxitur të vazhdonin ta adhuronin Jehovain besnikërisht, të bindur se Perëndia i tyre e ka të pamundur të veprojë me padrejtësi. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:3, 4.) Naboti, djemtë e tij dhe familjet e tyre do të provojnë drejtësinë e përsosur kur Jehovai të ringjallë të drejtët. (Jobi 14:14, 15; Gjoni 5:28, 29) Veç kësaj, një njeri i përulur mban ndër mend se «Perëndia i vërtetë do të gjykojë çdo lloj vepre dhe çdo gjë të fshehur, qoftë kjo e mirë ose e keqe». (Ekl. 12:14) Po, kur jep një gjykim, Jehovai merr parasysh faktorë që ne nuk i dimë. Kështu, përulësia i mbron të pafajshmit që të mos humbin besimin dhe miqësinë me Jehovain.

10, 11. (a) Në cilat rrethana mund të vihet në provë ndjenja jonë e drejtësisë? (b) Në cilat mënyra do të na mbrojë përulësia?

10 Si do të reagosh ti nëse pleqtë marrin një vendim që nuk e kupton ose me të cilin ndoshta s’je dakord? Për shembull, ç’do të bësh nëse ti vetë ose dikush që e do, humb një caktim të çmuar shërbimi? Ç’të themi nëse bashkëshorti yt, djali a vajza ose një mik i afërt përjashtohet dhe ti nuk je dakord me vendimin? Ç’të themi nëse mendon se është bërë gabim që iu tregua mëshirë një fajtori? Situata të tilla mund të na vënë në provë besimin te Jehovai dhe te struktura e tij organizative. Si do të na mbrojë përulësia nëse hasim një sprovë të tillë? Le të shohim dy mënyra.

Si do të reagosh nëse pleqtë njoftojnë një vendim me të cilin nuk je dakord? (Shih paragrafët 10, 11.)

11 Së pari, përulësia do të na nxitë të pranojmë se nuk i dimë të gjitha faktet. Pavarësisht se sa shumë dimë për një situatë, vetëm Jehovai mund të lexojë zemrën e dikujt. (1 Sam. 16:7) Nëse e mbajmë parasysh këtë të vërtetë të pamohueshme, do të nxitemi të jemi të përulur, të pranojmë kufizimet tona dhe të ndreqim këndvështrimin tonë. Së dyti, përulësia do të na ndihmojë të jemi të nënshtruar dhe të duruar ndërsa presim që Jehovai të ndreqë çdo gjë që është vërtet një padrejtësi. Është ashtu siç shkroi njeriu i mençur: «Atyre që i frikësohen Perëndisë së vërtetë do t’u dalë për mirë . . . , por të ligut nuk do t’i dalë aspak për mirë, as ka për t’i zgjatur ditët e tij.» (Ekl. 8:12, 13) Pa dyshim që një reagim i përulur na sjell dobi frymësisht neve dhe të gjithë atyre që përfshihen.​—Lexo 1 Pjetrit 5:5.

NJË RAST HIPOKRIZIE

12. Cilin tregim do të shqyrtojmë tani, dhe pse?

12 Të krishterët e shekullit të parë në Antioki të Sirisë ndeshën një situatë që u vuri në provë jo vetëm përulësinë, por edhe gatishmërinë për të falur. Le të ndalemi te ky tregim biblik e të shohim si do të na ndihmojë të shqyrtojmë qëndrimin tonë ndaj faljes dhe ta kuptojmë më thellë si lidhet falja me pikëpamjen e Jehovait për drejtësinë.

13, 14. Cilat privilegje ose përgjegjësi pati apostulli Pjetër, dhe si tregoi guxim ai?

13 Apostulli Pjetër ishte një plak i mirënjohur në kongregacionin e krishterë. Ai ishte mik i Jezuit dhe i ishin besuar përgjegjësi me peshë. (Mat. 16:19) Për shembull, në vitin 36 të e.s., Pjetri pati privilegjin t’i jepte lajmin e mirë Kornelit dhe njerëzve të shtëpisë së tij. Ajo ngjarje kishte rëndësi të veçantë, pasi Korneli ishte një jojude i parrethprerë. Kur Korneli dhe njerëzit e shtëpisë së tij morën frymën e shenjtë, Pjetri pranoi: «A mund ta ndalojë ndokush ujin, që të mos pagëzohen këta që morën frymën e shenjtë njësoj si ne?»​—Vep. 10:47.

14 Më 49 të e.s., apostujt dhe pleqtë në Jerusalem u mblodhën për të shqyrtuar nëse rrethprerja duhej të ishte një kërkesë për jojudenjtë që përqafonin krishterimin. Në atë mbledhje, Pjetri foli haptas me guxim duke u kujtuar vëllezërve se disa vjet më parë, jojudenjtë e parrethprerë kishin marrë si dhuratë frymën e shenjtë. Dëshmia e Pjetrit që kishte qenë i pranishëm vetë në atë rast e ndihmoi shumë trupin udhëheqës të shekullit të parë për të marrë një vendim. (Vep. 15:6-11, 13, 14, 28, 29) Ka shumë të ngjarë që edhe të krishterët judenj, edhe ata jojudenj të kenë qenë mirënjohës për guximin që tregoi Pjetri kur parashtroi faktet. Sa e lehtë duhet të ketë qenë të kishe besim tek ai i krishterë i pjekur!​—Hebr. 13:7.

15. Çfarë gabimi bëri Pjetri kur ishte në Antioki të Sirisë? (Shih figurën hapëse.)

15 Pak pas mbledhjes së vitit 49 të e.s., Pjetri shkoi për vizitë në Antioki të Sirisë. Ndërsa ishte atje, shoqërohej lirshëm me vëllezërit jojudenj. Pa dyshim që ata nxorën dobi nga njohuria dhe nga përvoja e Pjetrit. Por, mund ta marrim me mend habinë dhe zhgënjimin e tyre kur befas Pjetri nuk rrinte më me ta për të ngrënë. Kjo ndikoi për keq edhe te pjesëtarë të tjerë judenj të kongregacionit që imituan Pjetrin, madje edhe te Barnaba. Çfarë e shtyu një plak të krishterë të pjekur të gjykonte në mënyrë të gabuar​—të bënte atë gabim që mund ta kishte përçarë kongregacionin? Ç’është më e rëndësishmja, ç’mësim mund të nxjerrim nga gabimi i Pjetrit që do të na ndihmojë nëse na lëndojnë fjalët ose veprimet e një plaku?

16. Çfarë qortimi mori Pjetri, dhe cilat pyetje lindin?

16 Lexo Galatasve 2:11-14. Pjetri ra në kurthin e frikës nga njeriu. (Prov. 29:25) Edhe pse e dinte nga përvoja e vet si mendonte Jehovai për atë çështje, Pjetri iu tremb opinionit të pjesëtarëve judenj të rrethprerë nga kongregacioni i Jerusalemit. Apostulli Pavël, që po ashtu kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e vitit 49 të e.s. në Jerusalem, u ballafaqua me Pjetrin në Antioki dhe e nxori në shesh hipokrizinë e tij. (Vep. 15:12; Gal. 2:13) Si do të reagonin ndaj asaj padrejtësie të krishterët jojudenj që ishin prekur personalisht nga gabimi i Pjetrit? A do të lejonin që kjo t’i pengonte? A do t’i humbte Pjetri caktimet e çmuara të shërbimit për shkak të atij gabimi?

JI I GATSHËM TË FALËSH

17. Si nxori dobi Pjetri nga falja e Jehovait?

17 Me sa duket, Pjetri e pranoi me përulësi këshillën që i dha Pavli për ta ndrequr. Në Shkrime nuk ka asgjë që të tregojë se i humbi privilegjet ose caktimet e shërbimit. Në fakt, më vonë Perëndia e frymëzoi të shkruante dy letra që u bënë pjesë e Biblës. Të bie në sy që në letrën e tij të dytë, Pjetri e quan Pavlin «vëllai ynë i dashur». (2 Pjet. 3:15) Edhe pse gjykimi i gabuar i Pjetrit mund t’u ketë shkaktuar dhimbje pjesëtarëve jojudenj të kongregacionit, Jezui, që është kreu i kongregacionit, vazhdoi ta përdorte Pjetrin. (Efes. 1:22) Kështu, pjesëtarët e kongregacionit patën mundësi të imitonin Jezuin dhe Atin e tij duke u treguar të gatshëm të falnin. Shpresojmë që asnjë prej tyre nuk lejoi ta pengonte gabimi i një njeriu të papërsosur.

18. Në cilat rrethana mund të na duhet të pasqyrojmë ndjenjën e drejtësisë së Jehovait?

18 Ashtu si në shekullin e parë, edhe në kongregacionin e krishterë sot nuk ka pleq të përsosur, «sepse të gjithë gabojmë shumë herë». (Jak. 3:2, shën., NWT, botimi 2013) Ndoshta e pranojmë pa ngurruar këtë fakt, por sfida është kur prekemi personalisht nga papërsosmëritë e një vëllai. Në një situatë të tillë, a do të pasqyrojmë pikëpamjen e Jehovait për drejtësinë? Për shembull, si do të reagosh ti nëse një plak bën një koment që tingëllon disi paragjykues? Nëse një plak thotë pa u menduar diçka që të ofendon ose të lëndon, a do të lejosh që kjo të të pengojë? Në vend që të nxjerrësh me ngut përfundimin se ai vëlla nuk kualifikohet më si plak, a do të presësh me durim Jezuin, kreun e kongregacionit? A do të përpiqesh ta shohësh situatën më gjerë, ndoshta duke medituar për vitet e shumta që ka shërbyer ai me besnikëri? Nëse një vëlla që ka mëkatuar kundër teje vazhdon të shërbejë si plak ose edhe i besohen caktime të tjera shërbimi, a do të gëzohesh për të? Me gatishmërinë tënde për të falur, fare mirë mund të pasqyrosh pikëpamjen e Jehovait për drejtësinë.​—Lexo Mateun 6:14, 15.

19. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

19 Ata që e duan drejtësinë, e presin me zjarr ditën kur Jehovai do t’i fshijë krejt të gjitha padrejtësitë që u ka shkaktuar njerëzve Satanai dhe sistemi i tij i lig. (Isa. 65:17) Deri atëherë, secili nga ne qoftë i vendosur të pasqyrojë pikëpamjen e Jehovait për drejtësinë, duke i pranuar me përulësi kufizimet e veta dhe duke i falur bujarisht ata që mëkatojnë kundër tij.