Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burra të emëruar​—Mësoni nga Timoteu

Burra të emëruar​—Mësoni nga Timoteu

VITIN e kaluar, mijëra burra mes Dëshmitarëve të Jehovain përreth botës u emëruan pleq dhe shërbëtorë ndihmës. Nëse je një prej këtyre vëllezërve të dashur, me siguri gëzon për privilegjin e ri të shërbimit.

Por, kuptohet që mund të ndiesh edhe pak ankth. Xhejsëni, një plak i ri, tregon: «Në fillim kur u emërova, u ndieva sikur përgjegjësitë e reja po më zinin frymën.» Moisiu dhe Jeremia u ndien të paaftë kur morën caktime të reja nga Jehovai. (Dal. 4:10; Jer. 1:6) Nëse provon ndjenja të ngjashme, si mund t’i kapërcesh e të vazhdosh të përparosh? Shqyrto shembullin e dishepullit të krishterë Timote.​—Vep. 16:1-3.

IMITO SHEMBULLIN E TIMOTEUT

Ka shumë të ngjarë që Timoteu të ketë qenë në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave kur apostulli Pavël e ftoi të bëhej shoku i tij i udhëtimit. Në fillim, si i ri që ishte, Timoteu mbase nuk kishte besim te vetja dhe ngurronte të vepronte sipas rolit që sapo i ishte caktuar. (1 Tim. 4:11, 12; 2 Tim. 1:1, 2, 7) Prapëseprapë, një dekadë më vonë, Pavli mund t’i thoshte me plot gojën kongregacionit në Filipi: «Shpresoj që, në qoftë vullneti i Zotërisë Jezu, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun . . . Sepse nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija.»​—Filip. 2:19, 20.

Çfarë e bënte Timoteun një plak kaq të shkëlqyer? Ja gjashtë mësime që mund të nxjerrësh nga shembulli i tij.

1. Kujdesej vërtet për njerëzit. Pavli u tha vëllezërve në Filipi se Timoteu ‘do të kujdesej sinqerisht për punët’ ose shqetësimet e tyre. (Filip. 2:20) Po, Timoteu kujdesej për të tjerët. Ai interesohej sinqerisht që të kishin një miqësi të fortë me Jehovain dhe jepte nga vetja me gatishmëri për ta.

Ki kujdes të mos bëhesh si një shofer autobusi që ka më shumë merak të arrijë në kohë në çdo stacion se sa të marrë pasagjerët. Uilliami, një plak i respektuar për më se 20 vjet, u jep këtë këshillë burrave të sapoemëruar: «Duajini vëllezërit. Përqendrohuni te nevojat e tyre në vend se tek ana organizative e diçkaje.»

2. Vinte në vend të parë interesat e Perëndisë. Duke bërë kontrastin mes shembullit të Timoteut dhe të të tjerëve, Pavli tha: «Gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Krishtit Jezu.» (Filip. 2:21) Pavli po u shkruante nga Roma. Ai vërejti se vëllezërit atje ishin tepër të dhënë pas gjërave personale. Ata e kursenin disi veten në aktivitetet që lidheshin me adhurimin. Por Timoteu jo. Kur krijoheshin raste për të çuar para lajmin e mirë, qëndrimi i tij ishte si ai i Isaisë që tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»​—Isa. 6:8.

Si mund t’i ekuilibrosh përgjegjësitë personale me ato që ke në adhurimin e Perëndisë? Së pari, vendos përparësitë. ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme’,​—nxiti Pavli. (Filip. 1:10) Bëji përparësitë e tua ato gjëra që kanë përparësi për Perëndinë. Së dyti, thjeshto. Elimino gjërat që të vjedhin kohë dhe energji. Pavli e nxiti Timoteun: «Ik nga dëshirat karakteristike rinore, dhe ndiq më mirë drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen.»​—2 Tim. 2:22.

3. Punonte me të gjitha forcat në shërbimin e shenjtë. Pavli u kujtoi filipianëve: «Ju e dini si dha prova [Timoteu] për veten, kur u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me të atin, për të çuar përpara lajmin e mirë.» (Filip. 2:22) Timoteu nuk ishte përtac. Ai punoi me të gjitha forcat përkrah Pavlit, dhe kjo e forcoi lidhjen e përzemërt mes tyre.

Sot, ka plot punë në organizatën e Perëndisë. Kjo është një punë vërtet e kënaqshme dhe mund të të afrojë më shumë me vëllezërit e motrat. Ndaj vër si synim që të kesh gjithmonë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».​—1 Kor. 15:58.

4. I zbatonte ato që mësonte. Pavli i shkroi Timoteut: «Ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit, qëllimin tim, besimin tim, shpirtgjerësinë time, dashurinë time, qëndrueshmërinë time.» (2 Tim. 3:10) Ngaqë i zbatonte ato që mësonte, Timoteu u kualifikua për përgjegjësi më të mëdha.​—1 Kor. 4:17.

Po ti, a ke një këshilltar të pjekur? Nëse jo, pse të mos kërkosh një? Tomi, një plak prej shumë vitesh, kujton: «Një plak me përvojë më mbajti afër dhe më dha një stërvitje të shkëlqyer. Rregullisht i kërkoja këshilla dhe i zbatoja. Kjo ma forcoi shpejt sigurinë.»

5. Vazhdoi të stërviste veten. Pavli i bëri thirrje Timoteut: «Stërvitu, duke pasur si synim përkushtimin hyjnor.» (1 Tim. 4:7) Një sportist mund të ketë një trajner, ama ai duhet të stërvitet edhe vetë. Pavli e nxiti Timoteun: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. . . . Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»​—1 Tim. 4:13-15.

Edhe ti duhet të vazhdosh të mprehësh aftësitë e tua. Mos lejo që marrëdhënia jote me Jehovain të bëhet si ujë i ndenjur ose që kuptueshmëria jote për procedurat në kongregacion të mbetet e papërditësuar. Veç kësaj, bëj kujdes të mos zhvillosh siguri të tepruar te vetja, mbase duke menduar se ke aq shumë përvojë sa mund t’i japësh drejtim çfarëdo situate pa bërë kërkime të kujdesshme. Imito Timoteun dhe «kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate».​—1 Tim. 4:16.

6. Mbështetej te fryma e Jehovait. Duke reflektuar për shërbimin e Timoteut, Pavli i kujtoi: «Këtë gjë të shkëlqyer që të është lënë në dorëzim, ruaje nëpërmjet frymës së shenjtë që është te ne.» (2 Tim. 1:14) Për ta ruajtur si sytë e ballit shërbimin e tij, Timoteu duhej të mbështetej te fryma e Perëndisë.

Donaldi, një plak prej shumë dekadash, thotë: «Burrat e emëruar duhet ta shohin si gjë të çmuar marrëdhënien me Perëndinë. Ata që veprojnë kështu do të kenë ‘një gjallëri që sa vjen e shtohet’. Nëse luten për frymën e Perëndisë dhe kultivojnë frytin e saj, do të jenë një bekim i vërtetë për vëllezërit e tyre.»​—Psal. 84:7; 1 Pjet. 4:11.

ÇMOJE PRIVILEGJIN TËND

Inkurajohemi pa masë kur shohim kaq shumë vëllezër të sapoemëruar si ti, që përparojnë në shërbim të Jehovait. Xhejsëni, i përmendur në fillim, thotë: «Gjatë kohës që kam shërbyer si plak, kam mësuar mjaft dhe kam fituar më shumë siguri. Tani e shijoj vërtet caktimin tim dhe e konsideroj një privilegj të mrekullueshëm.»

A do të vazhdosh të përparosh? Vër synimin të mësosh nga Timoteu. Atëherë edhe ti do të jesh një bekim për popullin e Perëndisë.