Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 17

Bëju ballë frymërave të liga me ndihmën e Jehovait

Bëju ballë frymërave të liga me ndihmën e Jehovait

«Kemi një përleshje . . . me forcat e liga frymore në vendet qiellore.»—EFES. 6:12.

KËNGA 55 Mos u frikësoni prej tyre!

PËRMBLEDHJE *

1. Siç tregon Efesianëve 6:10-13, cila është një nga mënyrat më të dashura si kujdeset Jehovai për ne? Shpjegoni.

NJË nga mënyrat më të dashura si kujdeset Jehovai për ne, shërbëtorët e tij, është duke na ndihmuar t’u bëjmë ballë armiqve tanë. Armiqtë kryesorë që kemi, janë Satanai dhe demonët. Jehovai na paralajmëron për këta armiq dhe na jep çka na nevojitet për t’u bërë ballë. (Lexo Efesianëve 6:10-13.) Kur pranojmë ndihmën e Jehovait dhe mbështetemi pa rezerva tek ai, mund t’ia dalim t’i kundërvihemi Djallit. Mund të kemi të njëjtën siguri si apostulli Pavël, që shkroi: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»—Rom. 8:31.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Si të krishterë të vërtetë, ne nuk jemi kureshtarë e të magjepsur pas Satanait dhe demonëve. Na intereson mbi të gjitha që të mësojmë për Jehovain e t’i shërbejmë atij. (Psal. 25:5) Gjithsesi, kemi nevojë të dimë mënyrat bazë si vepron Satanai. Pse? Sepse kështu ai nuk do të na e hedhë dot. (2 Kor. 2:11) Në këtë artikull do të shohim një mënyrë kryesore si përpiqen Satanai dhe demonët t’i mashtrojnë njerëzit. Do të shqyrtojmë edhe si mund t’u bëjmë ballë me sukses.

SI I MASHTROJNË FRYMËRAT E LIGA NJERËZIT

3-4. (a) Çfarë është spiritizmi? (b) Sa i përhapur është besimi te spiritizmi?

3 Një mënyrë kryesore si përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit Satanai dhe demonët është spiritizmi. Ata që merren me spiritizëm pohojnë se dinë ose kontrollojnë gjëra që njerëzit normalisht nuk i dinë ose nuk i kontrollojnë dot. Për shembull, disa thonë se janë në gjendje të njohin të ardhmen duke përdorur fallin ose astrologjinë. Të tjerë mund të sillen sikur flasin me të vdekurit. Disa praktikojnë shtrigërinë ose magjinë dhe mund të përpiqen të yshtin dikë. *

4 Sa i përhapur është besimi te fuqia e spiritizmit? Nga një anketë e zhvilluar në 18 vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, doli se rreth një e treta e të anketuarve besojnë te magjia ose shtrigëria, dhe thuajse po aq veta besojnë se është e mundur të komunikosh me shpirtrat. Në 18 vende të Afrikës u zhvillua një anketë tjetër. Atje mesatarisht më shumë se gjysma e të anketuarve thonë se besojnë te shtrigëria. Natyrisht, kudo të jetojmë, duhet të jemi syçelë për t’u mbrojtur nga spiritizmi. Në fund të fundit, Satanai përpiqet të mashtrojë «gjithë tokën e banuar».—Zbul. 12:9.

5. Si ndihet Jehovai për spiritizmin?

5 Jehovai është «Perëndi i së vërtetës». (Psal. 31:5) Si ndihet ai për spiritizmin? E urren! Jehovai i urdhëroi izraelitët: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata që e kalojnë të birin ose të bijën nëpër zjarr, që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Ligj. 18:10-12) Të krishterët nuk janë nën Ligjin që u dha Jehovai izraelitëve. Megjithatë, ne e dimë se ndjenjat e tij ndaj spiritizmit nuk kanë ndryshuar.—Mal. 3:6.

6. (a) Si e përdor Satanai spiritizmin për t’i dëmtuar njerëzit? (b) Sipas Eklisiastiut 9:5, cila është e vërteta për gjendjen e të vdekurve?

6 Jehovai na paralajmëron kundër spiritizmit, sepse e di që Satanai e përdor për t’i dëmtuar njerëzit. Satanai e përdor spiritizmin që të përhapë gënjeshtra—përfshirë gënjeshtrën se të vdekurit janë gjallë në një botë tjetër. (Lexo Eklisiastiun 9:5.) Ai e përdor spiritizmin edhe që t’i mbajë njerëzit robër të frikës e t’i largojë nga Jehovai. Synimi i tij është që njerëzit që merren me spiritizëm të besojnë te frymërat e liga dhe jo te Jehovai.

SI T’U BËJMË BALLË FRYMËRAVE TË LIGA

7. Çfarë na tregon Jehovai?

7 Siç u përmend më sipër, Jehovai na tregon çfarë na nevojitet që të mos na mashtrojnë Satanai dhe demonët. Të shohim disa hapa praktikë që mund të bëjmë në luftën tonë kundër Satanait dhe demonëve.

8. (a) Cila është mënyra kryesore si u bëjmë ballë frymërave të liga? (b) Si e nxjerr në shesh Psalmi 146:4 gënjeshtrën e Satanait për të vdekurit?

8 Lexo dhe medito për Fjalën e Perëndisë. Kjo është mënyra kryesore si i hedhim poshtë gënjeshtrat që përhapin frymërat e liga. Fjala e Perëndisë është si një shpatë e mprehtë që mund të shpartallojë gënjeshtrat që përhap Satanai. (Efes. 6:17) Për shembull, ajo nxjerr në shesh gënjeshtrën se të vdekurit mund të komunikojnë me të gjallët. (Lexo Psalmin 146:4.) Gjithashtu, na kujton se vetëm Jehovai mund të japë një parashikim të besueshëm për të ardhmen. (Isa. 45:21; 46:10) Po ta lexojmë e të meditojmë rregullisht për Fjalën e Perëndisë, do të jemi të përgatitur t’i hedhim poshtë e t’i urrejmë gënjeshtrat që frymërat e liga duan të na bëjnë t’i besojmë.

9. Cilat janë disa praktika spiritiste që i shmangim?

9 Mos prano të bësh asgjë që lidhet me spiritizmin. Si të krishterë të vërtetë, nuk praktikojmë kurrë asnjë formë të spiritizmit. Për shembull, nuk shkojmë te mediumet ose nuk përpiqemi të komunikojmë me të vdekurit në ndonjë mënyrë tjetër. Siç e pamë në artikullin e kaluar, nuk marrim pjesë në zakonet e funeralit që bazohen te besimi se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë diku. Gjithashtu, nuk përdorim astrologjinë ose parashikimin e fatit për të njohur të ardhmen. (Isa. 8:19) E dimë se praktika të tilla janë tepër të rrezikshme e mund të na vënë në kontakt të drejtpërdrejtë me Satanain dhe demonët.

Imito shembullin e të krishterëve të hershëm duke flakur a shkatërruar çdo gjë të lidhur me okultizmin që mund të kesh dhe duke hedhur poshtë zbavitjet spiritiste (Shih paragrafët 10-12)

10-11. (a) Çfarë bënë disa në shekullin e parë kur njohën të vërtetën? (b) Sipas 1 Korintasve 10:21, pse duhet ta imitojmë shembullin e të krishterëve të hershëm, dhe si mund ta bëjmë këtë?

10 Flak ose shkatërro objektet e lidhura me okultizmin. Disa banorë të Efesit në shekullin e parë merreshin me spiritizëm. Kur njohën të vërtetën, ndërmorën veprime drastike. «Mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve.» (Vep. 19:19) Ata u përpoqën me të gjitha forcat që t’u bënin ballë frymërave të liga. Librat e tyre për magjinë kushtonin një thes me para. Por në vend që t’i falnin ose t’i shitnin, ata i shkatërruan librat. Meraku i tyre kryesor ishte të kënaqnin Jehovain, e jo sa para kishin harxhuar për librat.

11 Si mund ta imitojmë shembullin e atyre të krishterëve të shekullit të parë? Është e mençur të flakim a të shkatërrojmë çdo gjë të lidhur me okultizmin që mund të kemi. Këtu përfshihen hajmalitë, nuskat ose objekte të tjera që mbajnë njerëzit për t’u mbrojtur nga frymërat e liga.—Lexo 1 Korintasve 10:21.

12. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes për zbavitjen?

12 Analizo me kujdes zbavitjen tënde. Pyet veten: «A lexoj libra, revista ose artikuj në Internet për okultizmin? Si është muzika që dëgjoj, filmat dhe programet televizive që shoh ose videolojërat që luaj? A ka spiritizëm në ndonjë nga zbavitjet e mia? A flet për gjëra të tilla si vampirët, zombit ose dukuritë paranormale? A i paraqet magjinë, yshtjet ose mallkimet si argëtim të padëmshëm?» Sigurisht, jo të gjitha zbavitjet që përfshijnë fantazi a përralla lidhen medoemos me spiritizmin. Kur analizon zbavitjen tënde, ji i vendosur të bësh zgjedhje që do të të ndihmojnë të rrish larg çdo gjëje që Jehovai e urren. Duam të bëjmë çmos të mbajmë një «ndërgjegje të pastër» para Perëndisë tonë.—Vep. 24:16. *

13. Çfarë nuk duhet të bëjmë?

13 Mos trego histori për demonët. Në këtë pikë, duam të imitojmë shembullin që na la Jezui. (1 Pjet. 2:21) Para se të vinte në tokë, Jezui kishte jetuar në qiell dhe dinte shumë për Satanain e për demonët. Ama, nuk tregonte histori për gjërat që kishin bërë ato frymëra të liga. Jezui donte të ishte dëshmitar i Jehovait, jo reklamues i Satanait. Mund ta imitojmë Jezuin duke mos përhapur histori për demonët. Në vend të kësaj, fjalët tona tregojnë se ‘zemra na brof nga një gjë e mirë’, pra nga e vërteta.—Psal. 45:1.

Nuk kemi pse t’u frikësohemi frymërave të liga. Jehovai, Jezui dhe engjëjt janë shumë më të fuqishëm (Shih paragrafët 14-15) *

14-15. (a) Pse nuk duhet të tmerrohemi nga frymërat e liga? (b) Çfarë provash kemi se Jehovai i mbron shërbëtorët e tij sot?

14 Mos u tmerro nga frymërat e liga. Në këtë botë të papërsosur mund të na ndodhin gjëra të këqija. Aksidentet, sëmundjet a madje edhe vdekja mund të vijnë papandehur. Por nuk duhet të mendojmë se këtu kanë gisht frymërat e liga. Bibla shpjegon se kujtdo mund t’i rastisë të kalojë ‘kohë të vështira e ngjarje të paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Dhe Jehovai ka treguar që është jashtëzakonisht më i fuqishëm se demonët. Për shembull, Perëndia nuk e lejoi Satanain të vriste Jobin. (Jobi 2:6) Në kohën e Moisiut, Jehovai demonstroi që kishte fuqi më të madhe se priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji. (Dal. 8:18; 9:11) Me autoritetin që i dha Jehovai, Jezui i lartësuar në qiell tregoi fuqinë dhe pushtetin e tij mbi Satanain e demonët kur i flaku nga qielli në tokë. Dhe në të ardhmen e afërt, ata do të flaken në humnerë, ku nuk do të jenë në gjendje të dëmtojnë askënd.—Zbul. 12:9; 20:2, 3.

15 Shohim prova pa fund se Jehovai i mbron shërbëtorët e tij sot. Mendo pak: ne po predikojmë e po mësojmë të vërtetën anë e kënd botës. (Mat. 28:19, 20) Si rezultat, demaskojmë veprat e liga të Djallit. Natyrisht, po të kishte mundësi, Satanai do ta ndalte gjithë aktivitetin tonë, por nuk mundet. Prandaj nuk ka pse të tmerrohemi nga frymërat e liga. E dimë se «sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër». (2 Kron. 16:9) Po të jemi besnikë ndaj Jehovait, demonët nuk na shkaktojnë dot asnjë dëm të përhershëm.

BEKIMET PËR ATA QË PRANOJNË NDIHMËN E JEHOVAIT

16-17. Jepni një shembull të guximit që kërkohet për t’u bërë ballë frymërave të liga.

16 Duhet guxim që t’u bëjmë ballë frymërave të liga, sidomos kur na kundërshtojnë miqtë ose të afërmit që nisen nga e mira. Por Jehovai i bekon ata që tregojnë guxim. Të shohim shembullin e një motre që quhet Erika e që jeton në Ganë. Ajo ishte 21 vjeçe kur pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Meqë ishte vajza e një prifti që praktikonte magjinë, pritej të merrte pjesë në një zakon spiritist ku hahej mishi i bërë kurban në rite për perënditë e babait. Kur Erika nuk pranoi, familja e quajti këtë një fyerje për perënditë. Ata besonin se perënditë do t’i ndëshkonin me sëmundje mendore dhe fizike.

17 Familja u përpoq ta detyronte Erikën të ndiqte atë zakon, por ajo nuk u dorëzua, ndonëse kjo nënkuptonte se duhej të largohej nga shtëpia. Disa Dëshmitarë e morën në shtëpinë e tyre. Në këtë mënyrë, Jehovai e bekoi Erikën me një familje të re—me bashkëbesimtarë që iu bënë si vëllezër e motra. (Mar. 10:29, 30) Edhe pse të afërmit e mohuan dhe madje i dogjën gjërat e saj, Erika i qëndroi besnike Jehovait, u pagëzua dhe tani shërben si pioniere e rregullt. Ajo nuk është e tmerruar nga demonët. Për familjen e saj, Erika thotë: «Lutem çdo ditë që familja ime të shijojë çfarë bekimi është të njohësh Jehovain e të gëzojë lirinë që vjen kur i shërben Perëndisë tonë të dashur.»

18. Cilat bekime marrim kur mbështetemi me besim te Jehovai?

18 Jo të gjithë do të përballojmë një sprovë besimi kaq dramatike. Ama të gjithë duhet t’u bëjmë ballë frymërave të liga dhe të mbështetemi me besim te Jehovai. Nëse e bëjmë këtë, do të marrim shumë bekime dhe nuk do të na mashtrojnë gënjeshtrat e Satanait. Gjithashtu, nuk do të paralizohemi nga frika prej demonëve. Mbi të gjitha, do të forcojmë miqësinë me Jehovain. Dishepulli Jakov shkroi: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jak. 4:7, 8.

KËNGA 150 Kërkoni Jehovain për shpëtimin tuaj

^ par. 5 Jehovai na ka paralajmëruar me dashuri për frymërat e liga dhe për dëmet që mund të sjellin. Si përpiqen ato t’i mashtrojnë njerëzit? Çfarë hapash duhet të bëjmë që t’u rezistojmë frymërave të liga? Në këtë artikull do të shqyrtojmë si na ndihmon Jehovai të mos biem në kurthin e tyre.

^ par. 3 SHPJEGIMI I FJALËVE: Spiritizmi nënkupton bindjet dhe praktikat që kanë lidhje me demonët. Përfshin besimin se shpirtrat e të vdekurve mbijetojnë pas vdekjes së trupit dhe se komunikojnë me të gjallët, kryesisht nëpërmjet një personi (një mediumi). Spiritizmi përfshin edhe praktika si shtrigëria dhe falli. Në këtë artikull, fjala magji përdoret për praktikat që lidhen me okultizmin ose të mbinatyrshmen. Mund të përfshijë mallkimet dhe yshtjet ose prishjen e yshtjeve. Nuk nënkupton numrat e shpejtësisë me anë të lëvizjeve të zhdërvjellëta të duarve që bëjnë disa thjesht për shfaqje a zbavitje.

^ par. 12 Pleqtë nuk janë të autorizuar të nxjerrin rregulla për zbavitjen. Në vend të kësaj, çdo i krishterë duhet të vërë në punë ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës kur zgjedh çfarë të lexojë, të shohë a të luajë. Kryefamiljarët e mençur sigurohen që zbavitja e familjes së tyre të jetë në harmoni me parimet e Biblës.—Shih artikullin «A ndalojnë Dëshmitarët e Jehovait filma, libra ose këngë të caktuara?» në jw.org® te PËR NE > PYETJE QË BËHEN MË SHPESH.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui si Mbreti ynë i fuqishëm qiellor duke i prirë ushtrisë së engjëjve. Mbi ta është froni i Jehovait.