Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 18

‘Përfundoje garën’

‘Përfundoje garën’

«Garën e përfundova.»—2 TIM. 4:7.

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë duhet të bëjmë të gjithë ne?

A DO të kishe qejf të vrapoje në një garë që e di se është e vështirë, sidomos nëse je i sëmurë ose i lodhur? Ka shumë mundësi që jo. Mirëpo apostulli Pavël tha se të gjithë të krishterët e vërtetë janë në një garë. (Hebr. 12:1) Dhe të gjithë ne, qofshim të rinj a të moshuar, të fortë a të lodhur, duhet të vrapojmë me qëndrueshmëri nëse duam të marrim çmimin që na vë para Jehovai.—Mat. 24:13.

2. Sipas 2 Timoteut 4:7, 8, pse Pavlit i takonte ta jepte këtë këshillë?

2 Pavlit i takonte ta jepte këtë këshillë, sepse ia kishte dalë ‘ta përfundonte garën’. (Lexo 2 Timoteut 4:7, 8.) Por çfarë është kjo garë për të cilën foli Pavli?

ÇFARË ËSHTË KJO GARË?

3. Çfarë është gara për të cilën foli Pavli?

3 Ndonjëherë Pavli përdorte veçori të lojërave që zhvilloheshin në Greqinë e lashtë për të dhënë mësime të rëndësishme. (1 Kor. 9:25-27; 2 Tim. 2:5) Në disa raste, ai e krahasoi jetën e një të krishteri me vrapimin në një garë. (1 Kor. 9:24; Gal. 2:2; Filip. 2:16) Këtë «garë» e nis kur ia kushton jetën Jehovait dhe pagëzohet. (1 Pjet. 3:21) Kurse vijën e finishit e kalon kur Jehovai i jep çmimin e jetës së përhershme.—Mat. 25:31-34, 46; 2 Tim. 4:8.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Cilat janë disa ngjashmëri mes vrapimit në një garë të gjatë dhe jetës së një të krishteri? Ka disa, por le të ndalemi te tri prej tyre. Së pari, duhet të ndjekim rrugën e duhur; së dyti, duhet t’i fiksojmë sytë te vija e finishit; dhe së treti, duhet të kapërcejmë vështirësitë gjatë garës.

NDIQ RRUGËN E DUHUR

Të gjithë ne duhet të ndjekim rrugën e krishterë (Shih paragrafët 5-7) *

5. Cilën rrugë duhet të ndjekim, dhe pse?

5 Që të kualifikohen për të marrë çmimin në një garë, sportistët duhet të ndjekin rrugën ose pistën e përcaktuar nga organizatorët. Po njësoj, nëse duam të marrim çmimin e jetës së përhershme, ne duhet të ndjekim rrugën e krishterë, pra të jetojmë si të krishterë të vërtetë. (Vep. 20:24; 1 Pjet. 2:21) Mirëpo Satanai dhe ata që ndjekin shembullin e tij, nuk duan të zgjedhim këtë rrugë, por duan të vazhdojmë ‘të vrapojmë me ta’. (1 Pjet. 4:4) Ata tallen me rrugën që ndjekim ne dhe thonë se mënyra si jetojnë ata është më e mirë e sjell liri. Por sa larg së vërtetës është kjo!—2 Pjet. 2:19.

6. Çfarë të mëson shembulli i Brajanit?

6 Kush ‘vrapon’ me ata që janë ndikuar nga bota e Satanait, zbulon shpejt se rruga që ka zgjedhur, nuk sjell liri, por skllavëri. (Rom. 6:16) Të marrim shembullin e Brajanit. Prindërit e inkurajuan të zgjidhte jetën si i krishterë i vërtetë. Por, në adoleshencë ai filloi të dyshonte nëse ajo rrugë do ta bënte të lumtur. Brajani vendosi ‘të vraponte’ me ata që jetonin sipas standardeve të Satanait. Ai tregon: «Nuk më shkonte fare në mendje se e ashtuquajtura liri që dëshiroja, do të më bënte rob të veseve. . . . Koha kalonte dhe unë kisha filluar të merrja drogë, të pija me tepri e të bëja jetë imorale. Vitet pasuese, dalëngadalë nisa të merrja droga më të forta dhe u bëra skllav i shumë prej tyre. . . . Fillova të shisja drogë që të siguroja para për atë lloj jete.» Me kohë, Brajani vendosi të jetonte sipas standardeve të Jehovait. Ai ndryshoi rrugë, u pagëzua në vitin 2001 dhe tani që ecën në rrugën e krishterë, është vërtet i lumtur. *

7. Sipas Mateut 7:13, 14, cilat janë dy rrugët që shtrihen para nesh?

7 Sa e rëndësishme është të zgjedhim rrugën e duhur! Satanai do që të gjithë ne të mos vrapojmë më në rrugën e ngushtë që «të çon në jetë», por të kthehemi te rruga e gjerë që ndjek shumica e njerëzve në këtë botë. Kjo është një rrugë goxha e rrahur, ku mund të udhëtosh më kollaj. Ama «të çon në shkatërrim». (Lexo Mateun 7:13, 14.) Që të qëndrojmë në rrugën e duhur e të mos devijojmë, duhet të tregojmë besim te Jehovai dhe t’ia vëmë veshin.

FIKSOJI SYTË TE ÇMIMI

Duhet t’i fiksojmë sytë te çmimi e të mos bëhemi pengesë (Shih paragrafët 8-12) *

8. Çfarë bën një vrapues nëse pengohet?

8 Vrapuesit në një garë të gjatë i mbajnë sytë te rruga përpara, që të mos pengohen. Prapëseprapë mund t’i pengojë pa dashje një vrapues tjetër ose mund të pengohen te një gropë në rrugë. Nëse bien, ata ngrihen prapë dhe vazhdojnë vrapin. I fiksojnë sytë te vija e finishit dhe te çmimi që shpresojnë të fitojnë, jo tek ajo që i pengoi.

9. Çfarë duhet të bëjmë nëse pengohemi?

9 Në garën tonë, mund të pengohemi shumë herë, pra mund të gabojmë në atë që themi a që bëjmë. Ose ata që vrapojnë krah nesh, mund të gabojnë dhe të na lëndojnë. S’duhet të çuditemi nëse ndodh kjo. Të gjithë jemi të papërsosur dhe po vrapojmë në të njëjtën rrugë të ngushtë drejt jetës, prandaj nganjëherë do të ndodhë «ta shtyjmë» pa dashje njëri-tjetrin. Pavli tha se hera-herës do të kemi «arsye për t’u ankuar» kundër njëri-tjetrit. (Kolos. 3:13) Gjithsesi, le t’i fiksojmë sytë te çmimi që kemi para, jo tek ajo që na pengoi. E nëse pengohemi, të vendosim të ngrihemi dhe të vazhdojmë vrapin. Po të mbushemi me inat e mllef dhe të mos duam të ngrihemi, nuk do ta kalojmë vijën e finishit dhe nuk do ta marrim çmimin. Veç kësaj, ka shumë gjasa të bëhemi pengesë për të tjerët që po përpiqen të vrapojnë në rrugën e ngushtë drejt jetës.

10. Ç’mund të bëjmë që ‘të mos i pengojmë’ të tjerët?

10 Një mënyrë tjetër si ‘të mos i pengojmë’ ata që vrapojnë krah nesh, është t’u hapim rrugë preferencave të tyre kur është e mundur e të mos ngulim këmbë te të drejtat tona. (Rom. 14:13, 19-21; 1 Kor. 8:9, 13) Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ndryshojmë nga vrapuesit në një garë të mirëfilltë. Ata konkurrojnë me njëri-tjetrin. Secili përpiqet ta rrëmbejë çmimin për vete dhe mendon në radhë të parë për interesin personal. Prandaj mund të përpiqet të çajë me çdo mënyrë për të dalë në krye. Kurse ne nuk konkurrojmë me njëri-tjetrin. (Gal. 5:26; 6:4) Synimi ynë është të ndihmojmë sa më shumë veta që ta kalojnë vijën e finishit bashkë me ne dhe të fitojnë çmimin e jetës. Prandaj përpiqemi të zbatojmë këshillën e frymëzuar të Pavlit që ‘të mos kërkojmë vetëm interesat tona, por edhe të të tjerëve’.—Filip. 2:4.

11. Ku përqendrohet një vrapues, dhe pse?

11 Përveçse i mbajnë sytë te rruga përpara, vrapuesit në një garë të mirëfilltë përqendrohen te vija e finishit. Edhe nëse nuk arrijnë ta shohin finishin, mund ta përfytyrojnë veten tek e kalojnë atë vijë dhe marrin çmimin. Ndihen të motivuar ngaqë e mbajnë mendjen vazhdimisht te çmimi.

12. Çfarë na ofron me dashuri Jehovai?

12 Në garën ku po vrapojmë, Jehovai na ofron me dashuri një shpërblim të garantuar nëse e çojmë garën deri në fund—jetën e përhershme në qiell ose në tokën parajsore. Ai na e përshkruan këtë shpërblim në Fjalën e tij, që ta përfytyrojmë sa e mrekullueshme do të jetë jeta jonë. Sa më shumë ta mbajmë të gjallë në mendje e në zemër këtë shpresë, aq më të vendosur do të jemi të mos lejojmë asgjë të na pengojë në garën e jetës.

VAZHDO TË VRAPOSH EDHE MES VËSHTIRËSIVE

Duam të vazhdojmë të vrapojmë në garën e jetës, pavarësisht nga vështirësitë që heqim (Shih paragrafët 13-20) *

13. Çfarë avantazhi kemi në krahasim me vrapuesit në një garë të mirëfilltë?

13 Vrapuesit në lojërat greke duhej të kapërcenin vështirësi, si lodhja e dhimbjet. Por e vetmja gjë ku mund të mbështeteshin ishte stërvitja që kishin marrë dhe forcat e tyre. Ne ngjajmë me ata vrapues sepse stërvitemi si të vrapojmë në garën tonë. Mirëpo, kemi një avantazh në krahasim me ta—kemi në dispozicion një burim të pashtershëm force. Nëse mbështetemi me besim te Jehovai, ai premton jo vetëm të na stërvitë, por edhe të na bëjë të fortë!—1 Pjet. 5:10.

14. Si na ndihmon 2 Korintasve 12:9, 10 t’u bëjmë ballë vështirësive?

14 Pavli përballoi sa e sa vështirësi. Përveç fyerjeve dhe përndjekjeve nga të tjerët, hera-herës ndihej i dobët e i duhej të luftonte me «një gjemb në trup», siç e quajti ai vetë. (2 Kor. 12:7) Megjithatë, nuk i shihte vështirësitë si një arsye për t’u dorëzuar, por si një mundësi për t’u mbështetur te Jehovai. (Lexo 2 Korintasve 12:9, 10.) Ngaqë kishte këtë qëndrim, Jehovai e ndihmoi Pavlin në të gjitha sprovat.

15. Çfarë do të provojmë nëse imitojmë Pavlin?

15 Edhe ne mund të na fyejnë ose të na përndjekin për shkak të besimit. Veç kësaj, mbase kemi shëndet të dobët ose ndihemi të sfilitur. Por, nëse imitojmë Pavlin, secila nga këto vështirësi mund të kthehet në një mundësi që të provojmë mbështetjen e dashur të Jehovait.

16. Çfarë mund të bësh edhe nëse ke shëndet të dobët?

16 A ke zënë krevatin nga një sëmundje ose ndoshta je në karrige me rrota? A ke probleme me gjunjët e kyçet ose shikim të dobët? Nëse po, a mund ‘të vraposh’ përkrah atyre që janë të rinj e të shëndetshëm? Pa pikë dyshimi! Në garën e jetës po vrapojnë shumë veta që janë të moshuar e me shëndet të dobët. Ata nuk ia dalin dot me forcat e veta. Përkundrazi, marrin forcë nga Jehovai duke dëgjuar mbledhjet me anë të lidhjes telefonike ose duke i parë online. Gjithashtu, marrin pjesë në veprën e predikimit duke u dëshmuar mjekëve, infermierëve dhe të afërmve.

17. Si ndihet Jehovai për ata që kanë shëndet të dobët?

17 Kurrë mos lejo që shkurajimi nga shëndeti i dobët të ta mbushë mendjen se je tepër i pafuqishëm për të vrapuar në garën e jetës. Jehovai të do për besimin që ke tek ai dhe për qëndrueshmërinë që ke treguar ndër vite. Tani ke nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e tij, dhe ai s’ka për të të braktisur. (Psal. 9:10) Përkundrazi, do të afrohet akoma më shumë me ty. Ja çfarë thotë një motër që lufton me disa probleme shëndetësore: «Ndërsa problemet me shëndetin sa vijnë e shtohen, mundësitë që t’u flas të tjerëve për të vërtetën sa vijnë e pakësohen. Por e di se përpjekjet e mia, sado të vogla qofshin, ia gëzojnë zemrën Jehovait, dhe kjo më bën të lumtur.» Kur ndihesh përtokë, mos harro se ke në krah Jehovain. Mendo për shembullin e Pavlit dhe sill ndër mend fjalët e tij inkurajuese: «Gëzohem kur kam dobësi, . . . sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2 Kor. 12:10.

18. Cilin problem veçanërisht të vështirë hasin disa?

18 Disa që po vrapojnë në garën e jetës, hasin një vështirësi tjetër. Ata përballojnë probleme që të tjerët mund të mos i shohin e të mos i kuptojnë. Për shembull, u duhet të luftojnë me depresionin ose me ndjenjat mbytëse të ankthit. Pse problemi që hasin këta shërbëtorë të dashur të Jehovait është veçanërisht i vështirë? Sepse, kur dikush ka një krah të thyer ose është në karrige me rrota, të gjithë mund ta shohin çfarë problemi po kalon e mund të ndihen të nxitur ta ndihmojnë. Mirëpo, kur dikush përballon një çrregullim emocional ose mendor, në pamje të parë mund të mos duket se po vuan. Edhe pse dhimbja e tyre është po aq reale sa dhimbja e dikujt me një gjymtyrë të thyer, të tjerët mund të mos e dallojnë se po vuajnë e mund të mos u tregojnë të njëjtën dhembshuri.

19. Çfarë mësojmë nga shembulli i Mefiboshetit?

19 Nëse ke probleme shëndetësore që të pengojnë të bësh aq sa do në shërbim dhe mendon se të tjerët nuk të kuptojnë, mund të marrësh zemër nga shembulli i Mefiboshetit. (2 Sam. 4:4) Ai kishte kufizime fizike, e veç kësaj mbreti David e gjykoi dhe e trajtoi padrejtësisht. Mefibosheti nuk kishte asnjë faj për hallet që i ranë. Megjithatë, nuk ia lejoi vetes t’i shihte gjërat me sy negativ; ai i çmonte të mirat që kishte në jetë. I ishte mirënjohës Davidit për dashurinë që i kishte treguar në të kaluarën. (2 Sam. 9:6-10) Prandaj, kur Davidi e trajtoi padrejtësisht, Mefibosheti pa tablonë e plotë. Ai nuk lejoi që gabimi i Davidit ta mbushte me mllef. Dhe as quajti fajtor Jehovain për atë që kish bërë Davidi. Mefibosheti u përqendrua tek ajo që mund të bënte për të mbështetur mbretin e emëruar nga Jehovai. (2 Sam. 16:1-4; 19:24-30) Jehovai e ruajti shembullin e shkëlqyer të Mefiboshetit në Fjalën e Tij për dobinë tonë.—Rom. 15:4.

20. Si mund të ndikojë te disa ankthi, por për çfarë mund të jemi të sigurt?

20 Për shkak të ankthit të rëndë, disa vëllezër e motra ndihen shumë të tensionuar e në siklet në situatat shoqërore të jetës së përditshme. Ata mund ta kenë të vështirë të jenë mes grupeve të mëdha, por vazhdojnë të ndjekin mbledhjet e kongregacionit, asambletë e kongreset. Për ta është sfidë të flasin me të panjohur, por prapë flasin me njerëzit në predikim. Nëse ndihesh edhe ti kështu, të jesh i sigurt se nuk je vetëm. Shumë veta bëjnë një luftë të ngjashme. Mos harro se Jehovait i gëzon zemra nga përpjekjet e tua me gjithë shpirt. Fakti që nuk je dorëzuar, është një provë se ai po të bekon dhe po të jep forcën që të nevojitet. * (Filip. 4:6, 7; 1 Pjet. 5:7) Nëse po i shërben Jehovait pavarësisht nga problemet fizike dhe emocionale, mos ki fije dyshimi se po ia gëzon zemrën.

21. Çfarë do të arrijmë të bëjmë që të gjithë falë ndihmës së Jehovait?

21 Sa mirë që mes një gare të mirëfilltë dhe garës për të cilën flet Pavli, ka edhe disa ndryshime. Në një garë të mirëfilltë të kohëve të lashta, çmimin e fitonte vetëm një njeri. Kurse çmimin e jetës së përhershme e merr kushdo që qëndron me besnikëri në rrugën e krishterë. (Gjoni 3:16) Gjithashtu, në garën e mirëfilltë, të gjithë vrapuesit duhej të ishin në formë të mirë fizike, përndryshe kishin pak shanse të fitonin. Ama, shumë nga ata që janë në garën e jetës kanë probleme shëndetësore, e megjithatë po vrapojnë me qëndrueshmëri. (2 Kor. 4:16) Falë ndihmës së Jehovait, të gjithë ne do ta përfundojmë garën!

KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!

^ par. 5 Shumë shërbëtorë të Jehovait sot vuajnë nga problemet e moshës së shkuar ose nga një sëmundje që u shter fuqitë. Veç kësaj, të gjithë ndihemi të lodhur hera-herës. Ja pse ideja e vrapimit në një garë mund të na duket e papërballueshme. Në këtë artikull do të shohim si mund të vrapojmë që të gjithë me qëndrueshmëri e ta fitojmë garën e jetës, për të cilën foli apostulli Pavël.

^ par. 6 Shih rubrikën «Bibla të ndryshon jetën» në Kullën e Rojës të 1 janarit 2013.

^ par. 20 Për sugjerime të tjera praktike si t’i bësh ballë ankthit dhe histori të atyre që po e përballojnë me sukses, shih programin e majit 2019 në jw.org®. Shko te BIBLIOTEKË > JW BROADCASTING.®

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pjesëmarrja me zell në shërbim e ndihmon një vëlla të moshuar të qëndrojë në rrugën e krishterë.

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Mund t’i pengojmë të tjerët qoftë kur këmbëngulim që të pinë më shumë alkool, qoftë kur nuk përmbahemi ndërsa pimë.

^ par. 67 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Edhe pse është në shtratin e spitalit, një vëlla vazhdon garën e krishterë duke u dëshmuar atyre që kujdesen për të.