Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 17

Je një thesar i çmuar për Jehovain!

Je një thesar i çmuar për Jehovain!

«Jehovait i gëzon zemra për popullin e tij.»—PSAL. 149:4.

KËNGA 108 Jehova, je plot dashuri besnike

PËRMBLEDHJE *

Atit tonë qiellor «i gëzon zemra» për secilin nga ne (Shih paragrafin 1)

1. Çfarë vëren Jehovai te shërbëtorët e vet?

PERËNDISË JEHOVA «i gëzon zemra për popullin e tij». (Psal. 149:4) Sa na e ngroh shpirtin kjo! Jehovai vëren cilësitë tona të mira, sheh potencialin që kemi dhe na tërheq që të bëhemi miq të tij. Nëse i qëndrojmë besnikë, ai do të na qëndrojë pranë përgjithmonë!—Gjoni 6:44.

2. Pse disa e kanë të vështirë ta besojnë se Jehovai i do?

2 Mirëpo, disa mund të thonë: «E di se Jehovai i do shërbëtorët e tij si grup, por si mund të jem i sigurt se më do mua personalisht?» Cila mund të jetë arsyeja pse e bëjnë këtë pyetje? Oksana, * që ka pasur një fëmijëri të hidhur, thotë: «Kur u pagëzova dhe fillova të shërbeja si pioniere, fluturoja nga gëzimi. Por 15 vjet më vonë, nisën të më torturonin kujtimet e dhimbshme. Arrita në përfundimin se kisha humbur miratimin e Jehovait dhe nuk e meritoja që ai të më donte.» Jua, një pioniere që ka kaluar një fëmijëri plot vuajtje, thotë: «Ia kushtova jetën Jehovait ngaqë doja ta bëja të lumtur. Por isha e bindur se ai nuk mund të më donte kurrë.»

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Ashtu si këto motra besnike, ti e do me gjithë shpirt Jehovain, por ndoshta dyshon nëse edhe ai të do. Pse është e nevojshme të jesh i bindur se Jehovai të ka vërtet në zemër? Çfarë mund të të ndihmojë të sigurohesh për dashurinë e tij kur të bren dyshimi? Le të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

ËSHTË E RREZIKSHME TË DYSHOSH SE JEHOVAI TË DO

4. Pse është e rrezikshme të dyshojmë se Jehovai na do?

4 Dashuria është një forcë motivuese e fuqishme. Nëse jemi të bindur se Jehovai na do dhe na mbështet, kjo do të na shtyjë t’i shërbejmë me gjithë shpirt çfarëdo vështirësie të hasim. Në krahun tjetër, nëse dyshojmë se për Perëndinë jemi të shtrenjtë, ‘fuqia jonë do të jetë e paktë’. (Prov. 24:10) E kur ndihemi të shkurajuar dhe nuk besojmë më se Perëndia na do, do të jemi pre e lehtë e sulmeve të Satanait.—Efes. 6:16.

5. Si ka ndikuar te disa dyshimi se Perëndia i do?

5 Dyshime të tilla ua kanë dobësuar besimin disa shërbëtorëve besnikë të Jehovait. Një plak që quhet Xhejms, thotë: «Edhe pse shërbeja në Bethel dhe e shijoja shërbimin në një kongregacion të gjuhës së huaj, nuk isha i sigurt nëse Jehovai i pranonte sakrificat e mia. Madje nisa të dyshoja nëse i dëgjonte lutjet e mia.» Eva, që shërben po ashtu në kohë të plotë, thotë: «E provova vetë se, kur dyshon që Jehovai të do, zhytesh në një vorbull të rrezikshme. Të pritet oreksi për ushqimin e aktivitetet besimforcuese dhe të shter gëzimi në shërbim të Jehovait.» Majkëlli, që është pionier i rregullt dhe plak, thotë: «Nëse nuk e beson se je i shtrenjtë për Perëndinë, avash-avash do të largohesh nga ai.»

6. Çfarë duhet të bëjmë kur na bren dyshimi nëse Perëndia na do?

6 Këta shembuj ilustrojnë sa shkatërruese mund të jenë për besimin mendime të tilla shkurajuese. Por ç’duhet të bëjmë kur na gërryen përbrenda dyshimi nëse Perëndia na do? Ta hedhim poshtë menjëherë këtë dyshim! Kërkoji ndihmë Jehovait për t’i zëvendësuar ‘mendimet që të shqetësojnë’ me ‘paqen e Perëndisë që do të ruajë zemrën dhe mendjen tënde’. (Psal. 139:23; shën.; Filip. 4:6, 7) Dhe mos harro se nuk je vetëm në këtë luftë. Ka edhe vëllezër e motra të tjerë besnikë që po luftojnë me ndjenjat negative. Madje edhe shërbëtorëve të Jehovait në të kaluarën u është dashur të luftojnë me dyshime të tilla. Të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pavël.

ÇFARË NA MËSON SHEMBULLI I PAVLIT

7. Çfarë problemesh ndeshi Pavli?

7 A ndihesh ndonjëherë sikur po të marrin frymën përgjegjësitë e shumta dhe s’ia del dot më? Nëse po, atëherë e kupton mirë si ndihej Pavli. Atë e pushtonte ankthi jo vetëm për një, por «për të gjitha kongregacionet». (2 Kor. 11:23-28) A vuan nga ndonjë sëmundje kronike që të grabit gëzimin? Pavlin e mundonte pareshtur «një gjemb në trup», që mund të ketë qenë një problem shëndetësor, dhe donte me çdo kusht të shpëtonte prej tij. (2 Kor. 12:7-10) A të shkurajojnë ndonjëherë papërsosmëritë e tua? Edhe Pavli ndihej kështu hera-herës. Ai e quajti veten «njeri i mjerë» ngaqë i duhej të luftonte orë e çast kundër prirjeve të gabuara.—Rom. 7:21-24.

8. Çfarë i dha forcë Pavlit përballë problemeve?

8 Edhe pse hasi lloj-lloj sprovash dhe situatash shkurajuese, Pavli vazhdoi t’i shërbente Jehovait. Çfarë i dha forcë që të mos dorëzohej? Ndonëse i njihte fare mirë papërsosmëritë e veta, Pavli kishte besim të patundur te shpërblesa. E dinte edhe çfarë kishte premtuar Jezui: ‘Kushdo që tregon besim tek unë, . . . do të ketë jetë të përhershme.’ (Gjoni 3:16; Rom. 6:23) S’ka dyshim se Pavli ishte një ndër ata që po tregonin besim te shpërblesa. Ai ishte i bindur se Jehovai mezi pret t’i falë edhe ata që kanë bërë mëkate të rënda në rast se janë penduar.—Psal. 86:5.

9. Çfarë mësojmë nga fjalët e Pavlit te Galatasve 2:20?

9 Gjithashtu Pavli kishte besim se Perëndia e donte tej mase, pasi e kishte shprehur atë dashuri të thellë duke dërguar Birin e vet që të vdiste për të. (Lexo Galatasve 2:20.) Sa shumë siguri shprehin fjalët e Pavlit në fund të këtij vargu: «Biri i Perëndisë . . . deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» Pavli nuk i vuri kufij dashurisë së Perëndisë me mendime të tilla si: «Mund ta kuptoj pse i do Jehovai vëllezërit e mi, por mua nuk ka sesi të më dojë!» Pavli u kujtoi romakëve: «Ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:8) Vërtet, dashuria e Perëndisë për ne nuk njeh kufij!

10. Çfarë mësojmë nga Romakëve 8:38, 39?

10 Lexo Romakëve 8:38, 39. Pavli ishte plotësisht i bindur për dashurinë e thellë të Perëndisë. Ai shkroi se asgjë ‘nuk do të na ndajë dot nga dashuria e Perëndisë’. Pavli e dinte sa durim kishte treguar Jehovai me kombin e Izraelit. E dinte edhe sa mëshirë i kishte treguar atij vetë. Mund ta përmbledhim kështu arsyetimin e Pavlit: «Përderisa Jehovai dërgoi Birin e vet që të vdiste për mua, a kam vallë arsye të dyshoj se më do?!»—Rom. 8:32.

Për Perëndinë ka rëndësi ajo që bëjmë sot dhe në të ardhmen, jo gabimet e së kaluarës (Shih paragrafin 11) *

11. Ndonëse kishte bërë mëkate si ato që përmenden te 1 Timoteut 1:12-15, pse ishte i sigurt Pavli se Perëndia e donte?

11 Lexo 1 Timoteut 1:12-15. Duhet të ketë pasur raste kur Pavlit ia sfiliste zemrën e kaluara e tij. Ai e quajti veten mëkatari ‘më famëkeq’, e jo më kot! Para se të njihte të vërtetën, Pavli i përndiqte pa mëshirë të krishterët nga një qytet në tjetrin; disa i futi në burg dhe për të tjerë votoi që të ekzekutoheshin. (Vep. 26:10, 11) A e imagjinon dot si do të jetë ndier Pavli kur takonte ndonjë vëlla të ri, prindërit e të cilit ishin ekzekutuar me miratimin e tij? Pavlit i therte në zemër për gabimet e tij, por të kaluarën nuk e ndryshonte dot. Ai ishte i bindur se Krishti kishte vdekur për të, dhe shkroi plot besim: «Falë mirësisë së pamerituar të Perëndisë jam ky që jam.» (1 Kor. 15:3, 10) Çfarë mësimi nxjerrim? Ji i bindur se Krishti vdiq për ty dhe të hapi rrugën që të gëzosh një miqësi të ngushtë me Jehovain. (Vep. 3:19) Për Perëndinë ka rëndësi ajo që bëjmë sot dhe në të ardhmen, jo gabimet e së kaluarës, pavarësisht nëse atëherë ishim Dëshmitarë të Jehovait apo jo.—Isa. 1:18.

12. Si mund të na ndihmojë ajo që thuhet te 1 Gjonit 3:19, 20 nëse ndihemi të pavlerë ose të padenjë për dashurinë e Jehovait?

12 Kur mendon se Jezui vdiq që të falen mëkatet e tua, mbase thua: «Ndihem i padenjë për një dhuratë kaq të çmuar.» Pse mund të ndihesh kështu? Zemra jonë e papërsosur mund të na mashtrojë e të na bëjë të ndihemi të pavlerë ose sikur nuk e meritojmë të na duan. (Lexo 1 Gjonit 3:19, 20.) Kur na kaplojnë ndjenja të tilla, duhet të kujtojmë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë». Dashuria dhe falja e Atit tonë qiellor janë ku e ku më të fuqishme se çdo ndjenjë negative që mund të na jetë strukur në zemër. Kemi nevojë të bindim veten se jemi të shtrenjtë për Jehovain. Për ta arritur këtë, duhet të studiojmë Fjalën e tij çdo ditë, të lutemi shpesh dhe të shoqërohemi rregullisht me adhuruesit e tij besnikë. Pse është kaq e rëndësishme t’i bëjmë këto?

SI MUND TË NA NDIHMOJNË STUDIMI I BIBLËS, LUTJET DHE MIQTË BESNIKË

13. Si mund të na ndihmojë studimi i Fjalës së Perëndisë? (Shih edhe kutinë « Si i ndihmon Fjala e Perëndisë».)

13 Studio Fjalën e Perëndisë çdo ditë, dhe do ta shohësh përherë e më qartë personalitetin e dashur të Jehovait. Do të dallosh ndjenjat e ngrohta e të thella që ka për ty. Meditimi çdo ditë për një pjesë nga Fjala e Perëndisë mund të të ndihmojë të mendosh më kthjellët e ‘t’i vësh gjërat në vijë’ në mendjen dhe zemrën tënde. (2 Tim. 3:16; shën.) Një plak që quhet Kevin dhe që ka luftuar me ndjenjat e pavlefshmërisë, thotë: «Leximi i Psalmit 103 dhe meditimi rreth tij më ka ndihmuar t’i shoh gjërat me sy tjetër e të kuptoj çfarë mendon vërtet Jehovai për mua.» Eva, që u përmend më sipër, thotë: «Në fund të ditës, lë kohë të mendoj qetësisht se si ndihet dhe si mendon Jehovai. Kjo ma mbush zemrën me paqe dhe ma forcon besimin.»

14. Si mund të na ndihmojnë lutjet?

14 Lutu shpesh. (1 Sel. 5:17) Miqësia e fortë me një njeri ka si themel komunikimin e shpeshtë dhe nga zemra. Njësoj ndodh edhe me miqësinë tonë me Jehovain. Kur i hapemi në lutje për ndjenjat, mendimet dhe shqetësimet tona, tregojmë se kemi besim të plotë tek ai dhe se jemi të sigurt që na do. (Psal. 94:17-19; 1 Gjon. 5:14, 15) Jua, që u përmend më sipër, thotë: «Kur lutem, nuk mjaftohem duke i treguar Jehovait thjesht ç’më ka ndodhur gjatë ditës. I zbraz zemrën dhe i tregoj si ndihem thellë-thellë. Me kalimin e kohës kam arritur ta shoh Jehovain jo si shefin e madh të një kompanie, por si një Atë që i do me gjithë zemër fëmijët e tij.»—Shih kutinë « A e ke lexuar?»

15. Si kujdeset Jehovai për secilin nga ne?

15 Shoqërohu me miq besnikë; ata janë dhuratë nga Jehovai. (Jak. 1:17) Ati ynë qiellor kujdeset për secilin nga ne duke na siguruar një familje me vëllezër e motra që ‘na duan në çdo kohë’. (Prov. 17:17) Në letrën që u shkroi kolosianëve, Pavli përmendi disa vëllezër që i ishin bërë krah, dhe i quajti «burim i madh ngushëllimi». (Kolos. 4:10, 11) Madje edhe Krishtit Jezu i nevojitej ndihmë dhe ishte mirënjohës për mbështetjen që i dhanë miqtë e tij, qoftë engjëj, qoftë njerëz.—Luka 22:28, 43.

16. Si mund të na ndihmojnë miqtë besnikë të afrohemi më shumë me Jehovain?

16 Po ti, a po nxjerr dobi plotësisht nga kjo dhuratë e Jehovait, duke e kërkuar dhe pranuar ndihmën e miqve besnikë? T’i hapemi një miku të pjekur për shqetësimet tona nuk është një dobësi; përkundrazi mund të jetë një mbrojtje. Ja ç’thotë Xhejmsi, që u përmend më lart: «Miqësitë e mira me bashkëbesimtarë të pjekur kanë qenë si një litar shpëtimi. Kur më mbytin mendime negative, këta miq të shtrenjtë më dëgjojnë me durim dhe më sigurojnë se më duan. Nëpërmjet tyre, mund të ndiej sa më do dhe sa merakoset Jehovai për mua.» Sa e rëndësishme është të lidhim e të mbajmë miqësi të ngushta me vëllezërit e motrat tona!

QËNDRO NË DASHURINË E JEHOVAIT

17-18. Kë duhet të dëgjojmë, dhe pse?

17 Satanai dëshiron të dorëzohemi në luftën për të bërë atë që është e drejtë. Ai dëshiron të besojmë se Jehovai nuk na do dhe se nuk e meritojmë të na shpëtojë. Por siç e kemi parë, kjo është një gënjeshtër kokë e këmbë.

18 Jehovai të do. Ti je një thesar i çmuar për të. Nëse i bindesh Atit tënd, ‘do të qëndrosh në dashurinë e tij’ përgjithmonë, ashtu si Jezui. (Gjoni 15:10) Prandaj mos dëgjo Satanain ose zemrën tënde që të dënon. Dëgjo Jehovain, që sheh te çdonjëri nga ne cilësitë e mira. Të jesh i bindur se atij «i gëzon zemra për popullin e tij», edhe për ty personalisht!

KËNGA 141 Jeta është një mrekulli!

^ par. 5 Disa vëllezër e motra e kanë të vështirë ta besojnë se Jehovai i do. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse çdonjëri nga ne mund të jetë i sigurt se Jehovai e do. Do të shohim edhe çfarë mund të bëjmë kur dyshojmë se ai na do.

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 67 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Para se të njihte të vërtetën, Pavli përndoqi e futi në burg shumë të krishterë. Pasi e pranoi atë që kishte bërë Jezui për të, ndryshoi krejt e u bë burim inkurajimi për vëllezërit, disa prej të cilëve mund të kenë qenë të afërmit e atyre që kishte përndjekur.