ARTIKULLI I STUDIMIT 16
Ushqe mirënjohjen për shpërblesën
‘Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz.’—MAR. 10:45.
KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën
PËRMBLEDHJE *
1-2. Çfarë është shpërblesa, dhe pse kemi nevojë për të?
KUR mëkatoi, njeriu i përsosur Adam humbi mundësinë që të jetonte përgjithmonë. Madje ua grabiti këtë mundësi edhe fëmijëve që do t’i lindnin në të ardhmen. Nuk kishte kurrfarë justifikimi për atë që bëri Adami. Ai mëkatoi me dashje. Po ç’të themi për fëmijët e tij? Ata nuk kishin asnjë faj për mëkatin e Adamit. (Rom. 5:12, 14) A mund të bëhej ndonjë gjë për t’i shpëtuar nga dënimi me vdekje që paraardhësi i tyre e kishte hak? Po! Fill pasi Adami mëkatoi, Jehovai zbuloi gradualisht si do t’i shpëtonte nga mallkimi i mëkatit dhe i vdekjes miliona pasardhës të Adamit. (Zan. 3:15) Në kohën që kishte caktuar, Jehovai do të dërgonte nga qielli Birin e tij që ‘të jepte jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz’.—Mar. 10:45; Gjoni 6:51.
2 Çfarë është shpërblesa? Kur përmendet në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «shpërblesë» nënkupton çmimin që pagoi Jezui për të riblerë atë që humbi Adami. (1 Kor. 15:22) Pse kemi nevojë për shpërblesën? Sepse standardi i Jehovait për drejtësinë, që bëhej i qartë në Ligj, kërkonte të jepej jetë për jetë. (Eks. 21:23, 24) Adami humbi jetën e tij të përsosur njerëzore. Që të ekuilibrohej peshorja e drejtësisë së Perëndisë, Jezui flijoi jetën e vet të përsosur njerëzore. (Rom. 5:17) Kështu u bë «Atë i Përjetshëm» për të gjithë ata që tregojnë besim te shpërblesa.—Isa. 9:6; Rom. 3:23, 24.
3. Sipas Gjonit 14:31 dhe 15:13, pse ishte i gatshëm Jezui të jepte jetën e tij të përsosur njerëzore?
3 Jezui ishte i gatshëm të jepte jetën nga dashuria e thellë për Atin e tij qiellor dhe për ne. (Lexo Gjonin 14:31; 15:13.) Kjo dashuri i dha vendosmërinë të mbante integritetin deri në fund dhe të bënte vullnetin e Atit të tij. Falë besnikërisë së Jezuit deri në vdekje, do të bëhet realitet qëllimi që kishte në fillim Perëndia për njerëzit dhe tokën. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse lejoi Perëndia që Jezui të vuante aq shumë para se të vdiste. Gjithashtu do të ndalemi pak te shembulli i një shkrimtari të Biblës që ndiente mirënjohje të thellë për shpërblesën. Pastaj do të shohim si mund të tregojmë ne mirënjohje për shpërblesën. E do të kuptojmë si mund ta thellojmë çmueshmërinë për flijimin shpërblyes që siguruan Jehovai dhe Jezui.
PSE LEJOI JEHOVAI QË JEZUI TË VUANTE?
4. Përshkruani si vdiq Jezui.
4 Imagjino pak ditën e fundit të Jezuit në tokë. Ai mund të kërkojë ta mbrojnë legjione të tëra engjëjsh, por lejon që ushtarët romakë ta arrestojnë e ta rrahin pa mëshirë. (Mat. 26:52-54; Gjoni 18:3; 19:1) Ata përdorin një kamxhik që ia çan mishin. Pastaj, mbi kurrizin e përgjakur tërë plagë i ngarkojnë një shtyllë të rëndë. Jezui nis ta tërheqë zvarrë shtyllën për në vendin e ekzekutimit, por pas pak ushtarët detyrojnë një kalimtar ta mbartë shtyllën në vend të Jezuit. (Mat. 27:32) Kur arrin në vendin ku do të vdesë, ia ngulin këmbët e duart me gozhdë në shtyllë. Pesha e trupit ia hap më keq plagët e gozhdëve. Miqtë e Jezuit e kanë zemrën vrer dhe nëna e tij po vajton, kurse krerët judenj e vënë në lojë. (Luka 23:32-38; Gjoni 19:25) Orët kalojnë ngadalë, plot dhimbje agonike. E ka gjithnjë e më të vështirë të marrë frymë, dhe zemra e mushkëritë po i stërmundohen. E ndërsa jep frymë, Jezui bën një lutje të fundit, i sigurt se ka fituar. Pastaj i varet koka dhe vdes. (Mar. 15:37; Luka 23:46; Gjoni 10:17, 18; 19:30) Çfarë vdekje e ngadaltë, e dhimbshme dhe poshtëruese!
5. Çfarë ishte më e hidhur për Jezuin sesa mënyra si e vranë?
5 Për Jezuin, mënyra si po e ekzekutonin nuk ishte pjesa më e hidhur e peripecive që po kalonte. Atë e torturonte më shumë akuza me të cilën po e ekzekutonin. E akuzuan në mënyrë të rreme si blasfemues—si dikush që nuk kishte pikë respekti për Perëndinë ose për emrin e Tij. (Mat. 26:64-66) Vetëm mendimi se do ta akuzonin si blasfemues, e torturonte aq shumë Jezuin, sa shpresonte që Ati i tij t’ia kursente atë poshtërim. (Mat. 26:38, 39, 42) Pse lejoi Jehovai që Biri i tij i dashur të vuante e të vdiste? Le të shohim tri arsye.
6. Pse duhej të varej në një shtyllë torture Jezui?
6 Së pari, Jezui duhej të varej në një shtyllë për t’i çliruar judenjtë nga një mallkim i veçantë. (Gal. 3:10, 13) Ata kishin premtuar se do t’i bindeshin Ligjit të Perëndisë, por nuk e kishin zbatuar. Si pasojë, mallkimi i Ligjit i ishte shtuar dënimit si pasardhës të Adamit mëkatar. (Rom. 5:12) Ligji që i dha Perëndia Izraelit thoshte se kush bënte një mëkat që meritonte vdekjen, duhej ekzekutuar. Pastaj, kufoma e tij mund të lihej për njëfarë kohe e varur në shtyllë. * (Ligj. 21:22, 23; 27:26) Pra, duke u varur në shtyllë, Jezui u dha mundësi judenjve të shpëtonin nga ai mallkim dhe të nxirrnin dobi nga flijimi i tij, ndonëse si komb ata e hodhën poshtë.
7. Cila është arsyeja e dytë pse Perëndia lejoi që Biri i tij të vuante?
Hebr. 2:17, 18; 4:14-16; shën.; 5:7-10.
7 Të shohim një arsye të dytë pse lejoi Perëndia që Biri i tij të vuante. Ai po e stërviste Jezuin për rolin që do të kishte në të ardhmen si Kryeprifti ynë. Jezui e provoi vetë sa e vështirë është t’i bindesh Perëndisë kur kalon sprova të tmerrshme. Aq i rëndë ishte ankthi dhe stresi, sa ai u lut për ndihmë «me klithma të forta dhe lot». Ngaqë ka duruar plagë emocionale aq të dhimbshme, Jezui e kupton çfarë na nevojitet dhe ‘është në gjendje të na vijë në ndihmë’ kur ‘vihemi në provë’. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka caktuar një Kryeprift të mëshirshëm, të cilit «i vjen keq për dobësitë tona»!—8. Cila është arsyeja e tretë pse Perëndia lejoi që Jezui të hiqte sprova të rënda?
8 Së treti, Jehovai lejoi që Jezui të hiqte vuajtje aq të rënda, me qëllim që të merrte përgjigje një pyetje e rëndësishme: a mund t’i qëndrojnë besnikë Jehovait njerëzit edhe kur heqin sprova të rënda? Satanai thotë «jo»! Ai pretendon se njerëzit i shërbejnë Perëndisë për arsye egoiste. Gjithashtu beson se—njësoj si paraardhësi i tyre Adami—ata nuk e duan vërtet Jehovain. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) I sigurt për besnikërinë e Birit të tij, Jehovai lejoi që Jezui të sprovohej deri në caqet e asaj që mund të mbajë një njeri. E Jezui e mbajti integritetin dhe tregoi se Satanai është gënjeshtar.
MIRËNJOHJA E THELLË E NJË SHKRIMTARI TË BIBLËS
9. Çfarë shembulli na ka lënë apostulli Gjon?
9 Mësimi i shpërblesës ua ka forcuar besimin shumë të krishterëve. Ata kanë vazhduar të predikojnë edhe përballë përndjekjeve dhe kanë duruar lloj-lloj sprovash gjatë gjithë jetës. Të marrim shembullin e apostullit Gjon. Me besnikëri, ai u mësoi njerëzve të vërtetën për Krishtin dhe shpërblesën për më shumë se 60 vjet. Kur ishte nga fundi i të 90-ave, Gjonin me sa duket e shihnin si një rrezik aq të madh për Perandorinë Romake, sa e burgosën në ishullin e Patmosit. Krimi që kishte bërë? ‘Kishte folur për Perëndinë dhe kishte dhënë dëshmi për Jezuin.’ (Zbul. 1:9) Çfarë shembulli i shkëlqyer besimi dhe qëndrueshmërie!
10. Si e shpreh Gjoni në shkrimet e tij mirënjohjen për shpërblesën?
10 Në shkrimet e tij të frymëzuara, Gjoni shpreh dashuri të thellë për Jezuin dhe mirënjohje për shpërblesën. Në to përmendet mbi 100 herë shpërblesa ose të mirat që bëhen të mundura falë saj. Për shembull, Gjoni shkruan: «Nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit: Jezu Krishtin, që është i drejtë.» (1 Gjon. 2:1, 2) Shkrimet e Gjonit theksojnë edhe sa rëndësi ka ‘të japim dëshmi për Jezuin’. (Zbul. 19:10) S’ka dyshim se ai ishte mirënjohës nga zemra për shpërblesën. Si mund ta shprehim edhe ne mirënjohjen për shpërblesën?
SI MUND TA TREGOSH MIRËNJOHJEN PËR SHPËRBLESËN?
11. Çfarë mund të na ndihmojë t’u rezistojmë tundimeve?
11 Rezistoju tundimeve për të mëkatuar. Nëse jemi vërtet mirënjohës për shpërblesën, nuk do të mendojmë: «S’ka pse të bëj gjithë atë luftë kur gjendem para tundimeve. Po gabova, do të kërkoj falje pastaj.» Përkundrazi, para tundimit për të bërë ndonjë gjë të gabuar, do të themi: «Kurrsesi! E si mund ta bëj diçka të Mat. 6:13.
tillë pas gjithë asaj që kanë bërë për mua Jehovai dhe Jezui?!» E në përputhje me këtë, mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë forcë, duke iu përgjëruar: ‘Mos lejo të dorëzohem para tundimit.’—12. Si mund ta zbatojmë këshillën që jepet te 1 Gjonit 3:16-18?
12 Duaji vëllezërit dhe motrat e tua. Kur tregojmë dashuri për ta, tregojmë edhe mirënjohje për shpërblesën. Pse? Sepse Jezui e dha jetën jo vetëm për ne, por edhe për vëllezërit e motrat tona. E përderisa ishte i gatshëm të vdiste për ta, pa dyshim që janë të çmuar në sytë e tij. (Lexo 1 Gjonit 3:16-18.) Dashurinë për vëllezërit e motrat e shprehim me mënyrën si i trajtojmë. (Efes. 4:29, 31–5:2) Për shembull, u bëhemi krah kur janë sëmurë ose kur kalojnë sprova të rënda, siç janë katastrofat natyrore. Po ç’duhet të bëjmë nëse një bashkëbesimtar thotë a bën diçka që na lëndon?
13. Pse duhet të jemi të gatshëm të falim?
13 A ke prirjen t’i mbash mëri një vëllai a motre? (Lev. 19:18) Nëse po, ndiq këshillën: «Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolos. 3:13) Çdo herë që e falim një vëlla a motër, i tregojmë Atit tonë qiellor se jemi mirënjohës nga zemra për shpërblesën. Si mund ta ushqejmë mirënjohjen për këtë dhuratë nga Perëndia?
SI MUND TA THELLOSH MIRËNJOHJEN PËR SHPËRBLESËN?
14. Cila është një mënyrë si mund ta thellojmë mirënjohjen për shpërblesën?
14 Falënderoje Jehovain për shpërblesën. «Mendoj se është e rëndësishme ta përmend çdo ditë në lutje shpërblesën dhe ta falënderoj Jehovain për të»,—thotë Xhoana, një motër 83-vjeçare që jeton në Indi. Kur i lutesh vetëm për vetëm Jehovait, sill ndër mend gabimet që ke bërë gjatë ditës e pastaj kërkoji të të falë. Kuptohet, nëse ke bërë ndonjë mëkat serioz, do të kesh nevojë edhe për ndihmën e pleqve. Ata do të të dëgjojnë me vëmendje e do të të japin këshilla të dashura nga Fjala e Perëndisë. Do të luten me ty, duke i kërkuar Jehovait të vazhdojë ta përdorë vlerën e flijimit të Jezuit ‘që Jak. 5:14-16.
të shërohesh’ e ta rimëkëmbësh miqësinë me Të.—15. Pse duhet të lësh kohë që të lexosh e të meditosh për shpërblesën?
15 Medito për shpërblesën. «Çdo herë që lexoj për vuajtjet e Jezuit,—thotë Raxhamani, një motër 73-vjeçare,—më mbushen sytë me lot.» Edhe ty ndoshta të pikon në zemër kur mendon për tërë vuajtjet që hoqi Biri i Perëndisë. Por sa më shumë të meditosh për sakrificën që bëri Jezui, aq më e thellë do të bëhet dashuria jote për të dhe për Atin e tij. Si një ndihmë që të meditosh rreth shpërblesës, pse të mos bësh një projekt studimi për të?
16. Si mund të nxjerrim dobi kur i mësojmë të tjerët për shpërblesën? (Shih figurën e kopertinës.)
16 Mësoji të tjerët për shpërblesën. Sa herë që u flasim të tjerëve për shpërblesën, na shtohet çmueshmëria për të. Kemi në dispozicion disa mjete të shkëlqyera që na ndihmojnë t’u mësojmë të tjerëve pse duhej të vdiste Jezui për ne. Për shembull, mund të përdorim mësimin 4 me titull «Kush është Jezu Krishti?» në broshurën Një lajm i mirë nga Perëndia. Ose mund të përdorim kapitullin 5 me titull «Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë» në librin Çfarë na mëson Bibla? Veç kësaj, e thellojmë çdo vit mirënjohjen për shpërblesën ndërsa marrim pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit dhe ftojmë me zell të tjerët që të bashkohen me ne. Çfarë privilegji na ka dhënë Jehovai—t’i mësojmë njerëzit për Birin e tij!
17. Pse shpërblesa është dhurata më e madhe e Perëndisë për njerëzimin?
17 Pa dyshim, kemi arsye të forta që ta çmojmë thellë shpërblesën dhe të vazhdojmë ta ushqejmë mirënjohjen për të. Falë shpërblesës, mund të kemi miqësi të ngushtë me Jehovain, ndonëse jemi të papërsosur. Falë shpërblesës, do të asgjësohen krejt veprat e Djallit. (1 Gjon. 3:8) Falë shpërblesës, do të bëhet realitet qëllimi që kishte në fillim Jehovai për tokën. Mbarë planeti do të kthehet në një parajsë. Në atë kohë, çdo njeri që takon, do ta dojë Jehovain dhe do t’i shërbejë. Le të kërkojmë, pra, çdo ditë mënyra si ta tregojmë mirënjohjen për shpërblesën—dhuratën më të madhe që i ka bërë Perëndia njerëzimit!
KËNGA 20 Dhe Birin tënd të shtrenjtë
^ par. 5 Pse duhej të duronte tortura dhe një vdekje mizore Jezui? Kjo pyetje do të marrë përgjigje në këtë artikull. Gjithashtu do të shohim si mund ta thellojmë mirënjohjen për shpërblesën.
^ par. 6 Romakët e kishin zakon t’i gozhdonin ose t’i lidhnin në shtyllë të dënuarit ndërsa ishin gjallë, dhe Jehovai lejoi që Birin e tij ta ekzekutonin në atë mënyrë.
^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Çdo vëlla i reziston një tundimi të ndryshëm—për të parë pamje imorale, për të pirë duhan ose për të pranuar ryshfet.