Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fuqia e përshëndetjes

Fuqia e përshëndetjes

«Ç’KEMI! Si je sot?»

Me siguri i ke përshëndetur shpesh të tjerët me fjalë të tilla. E mbase, ndërsa i përshëndetje, u ke dhënë dorën ose i ke përqafuar. Zakonet e fjalët mund të ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, ama në thelb përshëndetja ka të njëjtën vlerë. Në fakt, të mos përshëndetësh ose të mos i përgjigjesh përshëndetjes, mund të shihet si mungesë dashurie ose edukate.

Mirëpo jo të gjithë janë të prirur t’i përshëndetin të tjerët. Disa ngurrojnë ngaqë janë të ndrojtur ose ngaqë nuk kanë shumë vlerësim për veten. Disa të tjerë e kanë të vështirë të përshëndetin ata që i përkasin një race, kulture a shtrese shoqërore të ndryshme nga e tyrja. Gjithsesi, edhe një përshëndetje e shkurtër mund të ketë ndikim shumë pozitiv.

Pyet veten: «Çfarë mund të arrihet me një përshëndetje? Dhe ç’mund të mësoj për përshëndetjet nga Fjala e Perëndisë?»

PËRSHËNDET «NJERËZIT E ÇDO LLOJI»

Kur apostulli Pjetër mirëpriti në kongregacionin e krishterë jojudeun e parë, Kornelin, tha: «Perëndia nuk është i anshëm.» (Vep. 10:34) Më vonë, Pjetri shkroi se Perëndia «dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjet. 3:9) Ndoshta këto vargje i lidhim në radhë të parë me dikë që po mëson të vërtetën. Mirëpo Pjetri u dha edhe këtë nxitje të krishterëve: «Nderoni njerëzit e çdo lloji, kini dashuri për gjithë vëllazërinë.» (1 Pjet. 2:17) A nuk do të bënim mirë, pra, t’i përshëndetnim të tjerët pavarësisht nga raca, kultura ose prejardhja? Kjo është një mënyrë për të treguar se i nderojmë dhe i duam.

Apostulli Pavël i nxiti pjesëtarët e kongregacionit: «Mikpritni njëri-tjetrin, ashtu si na mikpriti edhe Krishti.» (Rom. 15:7) Pavli i përmendi me emër vëllezërit që kishin qenë «një ndihmë fuqizuese» për të. Sa më shumë kanë nevojë vëllezërit e motrat sot, t’u japim fuqi përballë sulmit të egër të Satanait kundër popullit të Perëndisë!​—Kolos. 4:11; Zbul. 12:12, 17.

Shembujt biblikë tregojnë se përshëndetjet kanë fuqi më të madhe se sa thjesht t’i bëjnë të tjerët të ndihen të mikpritur.

SIGURI, INKURAJIM, DASHURI

Kur erdhi koha që jeta e Birit të Perëndisë të transferohej në barkun e Marisë, Jehovai dërgoi një engjëll që të fliste me të. Engjëlli e nisi bisedën me këto fjalë: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!» Maria ‘u turbullua shumë’, pasi nuk e kuptonte pse po i fliste një engjëll. Kur vërejti këtë, engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir nga Perëndia.» Engjëlli i shpjegoi se qëllimi i Perëndisë ishte që ajo të lindte Mesinë. Pas kësaj Maria nuk ishte më e turbulluar, por tregoi bindje dhe u përgjigj: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.»​—Luka 1:26-38.

Për engjëllin ishte privilegj të vepronte si lajmëtar i Jehovait; por ndërkohë nuk e pa si ulje dinjiteti të fliste me një njeri të papërsosur. Ai e nisi bisedën me një përshëndetje. A mund të mësojmë diçka nga ky shembull? Duhet të jemi të gatshëm t’i përshëndetim e t’i inkurajojmë të tjerët. Mjaftojnë pak fjalë për t’i ndihmuar e për t’u dhënë siguri se janë pjesë me vlerë e popullit të Jehovait.

Pavli pati mundësi të njihte shumë bashkëbesimtarë në kongregacionet anekënd Azisë së Vogël dhe Evropës. Në letrat e tij përshëndeti shumë veta me emër. Këtë e shohim te kapitulli 16 i Romakëve. Atje Pavli u dërgoi përshëndetje shumë bashkëbesimtarëve. Ai përmendi Febën, duke e quajtur ‘motra jonë’, dhe i nxiti vëllezërit: «Mirëpriteni në Zotërinë, siç u ka hije të shenjtëve, dhe ndihmojeni për çdo çështje që mund të ketë nevojë për ju.» Pavli përshëndeti Priskën dhe Akuilën, për të cilët tha: «Nuk i falënderoj vetëm unë, por edhe të gjitha kongregacionet e kombeve.» Ai përshëndeti edhe disa që janë thuajse të panjohur sot, si për shembull ‘Epenetin e tij të dashur’, si edhe ‘Trifenën dhe Trifosën, gra që po punonin pa u lodhur në Zotërinë’. Po, Pavli i përshëndeste me kënaqësi vëllezërit dhe motrat e tij.​—Rom. 16:1-16.

Imagjino gëzimin që provuan ata nga fakti që të tjerët i kujtonin me dashuri! Sa duhet t’u jetë thelluar dashuria për Pavlin e për njëri-tjetrin! Me siguri edhe të krishterët e tjerë morën zemër kur dëgjuan ato përshëndetje të ngrohta, dhe kjo i ndihmoi të qëndronin të patundur në besim. Po, përshëndetjet që shprehin interes personal dhe lavdërime të sinqerta, forcojnë miqësitë dhe unitetin mes shërbëtorëve besnikë të Perëndisë.

Kur Pavli zbriti në portin e Puteolit dhe mori rrugën për në veri, drejt Romës, të krishterët nga Roma udhëtuan për në jug që ta takonin. Kur i pa nga larg, Pavli «falënderoi Perëndinë dhe mori zemër». (Vep. 28:13-15) Ndonjëherë, gjithë sa mund të bëjmë është thjesht t’i përshëndetim me dorë ose me një buzëqeshje të tjerët. Prapëseprapë, edhe vetëm kaq mund t’i ngrohë zemrën dikujt që mbase është i dëshpëruar a i trishtuar.

NJË URË LIDHËSE

Dishepullit Jakov i duhej të jepte këshilla të forta. Disa të krishterë po bëheshin kurorëshkelës, ose jobesnikë, ndaj Jehovait duke u bërë miq të botës. (Jak. 4:4) Por vër re me çfarë fjalësh e nisi Jakovi letrën e tij:

«Jakovi, skllav i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht, dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anekënd: Përshëndetje!» (Jak. 1:1) Pa dyshim, lexuesit e tij e patën më të lehtë të pranonin këshillat e Jakovit kur kuptuan nga përshëndetja e tij se në sytë e Perëndisë ishin njësoj. Po, një përshëndetje e përulur mund t’i hapë rrugën madje edhe një diskutimi për çështje serioze.

Që përshëndetja të jetë vërtet e efektshme, sado e shkurtër qoftë, duhet të jetë e sinqertë dhe të pasqyrojë dashuri të vërtetë. Ndodh kështu edhe nëse duket sikur kalon pa u vënë re. (Mat. 22:39) Një herë, një motër në Irlandë arriti në Sallën e Mbretërisë kur po fillonte mbledhja. Ndërsa po hynte me nxitim, një vëlla u kthye nga ajo, i buzëqeshi dhe i tha: «Mirëmbrëma! Më bëhet shumë qejfi që të shoh.» Motra thjesht zuri një vend.

Pak javë më vonë, shkoi te vëllai dhe i tregoi se për njëfarë kohe kishte përballuar një situatë stresuese në shtëpi. Ajo i tha: «Ndihesha aq e mërzitur atë mbrëmje sa gati nuk erdha në Sallën e Mbretërisë. Nuk mbaj mend edhe aq nga ajo mbledhje përveç përshëndetjes sate. U ndieva shumë e mirëpritur. Faleminderit!»

Vëllai as e kishte idenë sa fuqi kishte pasur përshëndetja e tij e shkurtër. Ai shprehet: «Kur më tha sa thellë kishin ndikuar ato pak fjalë tek ajo, u ndieva shumë i kënaqur që bëra atë përpjekje. Edhe unë vetë u ndieva mirë.»

Solomoni shkroi: «Nise bukën tënde mbi sipërfaqen e ujërave, sepse pas shumë ditëve do ta gjesh përsëri.» (Ekl. 11:1) Kur nuk harrojmë sa vlerë kanë përshëndetjet tona, sidomos ndaj bashkëbesimtarëve, pasurojmë të tjerët dhe veten. Prandaj të mos e nënvlerësojmë kurrë fuqinë e përshëndetjes.