NGA ARKIVAT TANË
Makina me altoparlant që e njihnin miliona veta
«Në shërbimin e Zotërisë në Brazil ka vetëm një makinë me altoparlant, dhe e njohin miliona veta: ‘makina me altoparlant e Kullës së Rojës’.»—Nataniel A. Juli, 1938.
NË FILLIM të viteve 30, vepra e Mbretërisë në Brazil ecte disi ngadalë. Por më 1935, pionierët Nataniel dhe Mada Juli i shkruan Xhozef F. Radhërfordit, që drejtonte në atë kohë veprën e predikimit. Ata dolën vullnetarë dhe shkruanin se «do të shkonin me kënaqësi kudo që të ishte».
Atëherë Natanieli, një inxhinier ndërtimi në pension, ishte 62 vjeç. Kishte qenë drejtues shërbimi në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në San-Francisko të Kalifornisë, SHBA. Atje kishte organizuar veprën e predikimit dhe kishte përdorur pajisje akustike për përhapjen e lajmit të mirë. Përvoja e tij dhe fryma e gatishmërisë ishin një bekim në caktimin e ri që mori si shërbëtor dege në një territor të paanë shumëgjuhësh—në Brazil.
Natanieli dhe Mada mbërritën në Brazil në vitin 1936, bashkë me një pionier dhe përkthyes, Antoniu P. Andraden. Ata sollën me vete një ngarkesë që s’kishte të çmuar—35 gramafona dhe një makinë me altoparlant. Vendi i pestë më i madh në botë për nga sipërfaqja, Brazili, kishte atëherë vetëm rreth 60 lajmëtarë të Mbretërisë. Por, ato pajisje akustike novatore do t’i ndihmonin t’u predikonin miliona vetave brenda pak vjetësh.
Një muaj pasi mbërriti çifti Juli, zyra e degës organizoi kongresin e parë të shërbimit në Brazil, i cili u mbajt në qytetin e San-Paulos. Për të njoftuar fjalimin publik u përdor makina me altoparlant, që me sa duket e ngiste Mada. Falë kësaj, pati 110 të pranishëm. Programi i kongresit ua çoi zemrën peshë lajmëtarëve. Ata u nxitën të merrnin pjesë më shumë në shërbim. Mësuan si të predikonin duke përdorur
literaturë e karta dëshmie, si edhe regjistrime në gramafon në anglisht, gjermanisht, hungarisht, polonisht, spanjisht e më vonë edhe në portugalisht.Tri kongrese shërbimi që u mbajtën më 1937 në San-Paulo, Rio-de-Zhanejro dhe Kuritiba i dhanë një shtysë të re veprës së ungjillëzimit. Makina me altoparlant i shoqëronte delegatët në predikimin shtëpi më shtëpi. Zhuze Maglovski, që atëherë ishte veç një djalosh, shkroi më vonë: «I vinim botimet biblike mbi një tryezë dhe, ndërsa makina me altoparlant transmetonte një mesazh të incizuar, flitnim me njerëzit që dilnin nga shtëpitë për të parë ç’po ndodhte.»
Pagëzimet bëheshin në lumenj, teksa plazhistët aty pranë ngroheshin në diell. Çfarë rasti për të predikuar lajmin e mirë nëpërmjet makinës me altoparlant! Nga ajo buçiste fjalimi i pagëzimit që mbante vëlla Radhërfordi. Prandaj, përqark makinës mblidheshin njerëz kureshtarë dhe dëgjonin fjalimin që përkthehej në portugalisht. Pastaj kandidatët për pagëzim zhyteshin në ujë nën tingujt e këngëve të incizuara të Mbretërisë në polonisht. Kësaj i bashkoheshin zërat e vëllezërve e motrave që këndonin në gjuhë të ndryshme. Në Librin vjetor 1938 thuhej: «Kjo të sillte ndër mend se si, në festën e Ditës së Pesëdhjetë, çdokush arrinte të kuptonte në gjuhën e vet.»
Çdo të diel pas kongreseve, qoftë kur binte shi, qoftë kur shndriste dielli, makina me altoparlant transmetonte fjalime biblike që i dëgjonin njerëzit nëpër parqe, shtëpi e fabrika në qendër të San-Paulos dhe në qytezat fqinje. Makina me altoparlant jepte edhe një program mujor për 3.000 banorët e një kolonie të lebrosurish 97 kilometra në veriperëndim të San-Paulos. Me kohë, atje lulëzoi një kongregacion. Me gjithë sëmundjen e rëndë, ata lajmëtarë të Mbretërisë morën leje të vizitonin një koloni tjetër të lebrosurish për t’u çuar mesazhin zemërdhënës të Biblës.
Nga fundi i vitit 1938, erdhën më në fund incizime të Mbretërisë në gjuhën portugeze. Ditën e Gjithë Shpirtrave, makina me altoparlant transmetonte varrezë më varrezë incizimet «Ku janë të vdekurit?», «Jehovai» dhe «Pasuritë». Ato i dëgjuan mbi 40.000 veta që ishin në zi për humbjen e një njeriu të dashur.
Klerit i vinte plasja që e vërteta e Biblës shpallej me guxim anembanë, prandaj u bënte presion autoriteteve vendëse që ta bënin të heshtte makinën me altoparlant. Motra Juli kujtonte një rast kur një prift ndërseu një turmë njerëzish që të rrethonin makinën me altoparlant. Mirëpo atje vajtën kryetari i bashkisë dhe policët, që e dëgjuan programin nga fillimi në fund. Kryetari i bashkisë u largua me literaturë biblike në dorë. Atë ditë nuk pati kurrfarë trazire. Pavarësisht nga kundërshtime të tilla, raporti për Brazilin në Librin vjetor 1940 e quante vitin 1939 «koha më e shkëlqyer e gjithë kohërave për t’i shërbyer Teokratit të Madh dhe për të shpallur emrin e tij».
Mbërritja e ‘makinës me altoparlant të Kullës së Rojës’ shënoi vërtet një pikë kthese në veprën e predikimit në Brazil. Ajo luajti rol të rëndësishëm për t’ua çuar mesazhin e Mbretërisë miliona njerëzve. Në vitin 1941, ajo makinë e famshme u shit, por qindra mijë Dëshmitarë të Jehovait kanë vazhduar t’u japin lajmin e mirë njerëzve me zemër të sinqertë në territorin e paanë të Brazilit.—Nga arkivat tanë në Brazil.