Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndroji besnik Jehovait

Qëndroji besnik Jehovait

«Jehovai qoftë përjetë mes meje e teje dhe mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu.»​—1 SAM. 20:42.

KËNGËT: 125, 62

1, 2. Pse miqësia e Jonatanit me Davidin është një shembull i pashoq besnikërie?

JONATANI duhet të ketë mbetur pa fjalë nga mënyra si u përball Davidi i ri me gjigantin Goliad. Tani Davidi qëndronte para të atit të Jonatanit, mbretit Saul të Izraelit, «me kokën e filistinit në dorë». (1 Sam. 17:57) Ka shumë të ngjarë që Jonatani ta admironte Davidin për guximin e tij. Dukej qartë se Perëndia ishte me Davidin, dhe «shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e Davidit» në një miqësi të ngushtë. Madje «Jonatani bëri një besëlidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet». (1 Sam. 18:1-3) Ai i ndenji besnik Davidit gjithë jetën.

2 Përzemërsia dhe besnikëria e Jonatanit ndaj Davidit nuk u luhatën, edhe pse Perëndia kishte zgjedhur Davidin si mbretin tjetër të Izraelit. Kur Sauli u orvat ta vriste Davidin, Jonatani ishte në merak për të. Që t’i jepte zemër mikut të tij, Jonatani udhëtoi për në shkretëtirën e Judës, në Horesh. Ai ‘e forcoi në emër të Perëndisë’ dhe i tha: «Mos ki frikë, . . . ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje.»​—1 Sam. 23:16, 17.

3. Ç’gjë ishte më e rëndësishme për Jonatanin sesa besnikëria ndaj Davidit, dhe nga e dimë këtë? (Shih figurën hapëse.)

3 Besnikërinë e admiron thuajse gjithë bota. Megjithatë, po të admironim besnikërinë e Jonatanit ndaj Davidit pa menduar për besnikërinë e tij ndaj Perëndisë, do të humbnim një mësim jetësor. Pse Jonatani e shihte Davidin si mik dhe jo si rival? Siç duket, për Jonatanin kishte diçka më të rëndësishme sesa interesat ose pozita e vet. Të mos harrojmë se ai ‘e forcoi Davidin në emër të Perëndisë’. Është e qartë, pra, se besnikëria ndaj Perëndisë zinte vend të parë në zemrën e Jonatanit. Tamam besnikëria ndaj Jehovait ishte themeli i besnikërisë së tij ndaj Davidit. E që të dy ata burra e mbajtën besnikërisht betimin që bënë: «Jehovai qoftë përjetë mes meje e teje dhe mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu.»​—1 Sam. 20:42.

4. (a) Çfarë na sjell gëzim dhe kënaqësi të vërtetë? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Si shërbëtorë të Perëndisë, nuk mjaftohemi duke admiruar besnikërinë e të tjerëve; jemi edhe vetë besnikë ndaj familjarëve, miqve dhe bashkadhuruesve. (1 Sel. 2:10, 11) Por cila besnikëri duhet të zërë vend të parë në zemrën tonë? Besnikëria kundrejt Atij që na dhuroi jetën. (Zbul. 4:11) Kur mbetemi besnikë ndaj tij, jemi vërtet të gëzuar e të kënaqur. Por, për të treguar besnikëri ndaj Perëndisë, s’duhet të lejojmë asgjë të na ndajë prej tij, madje edhe mes sprovave të rënda. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon shembulli i Jonatanit t’i qëndrojmë besnikë Jehovait në katër situata të vështira: (1) kur duket se dikush me autoritet nuk meriton respekt, (2) kur duhet të zgjedhim kujt t’i qëndrojmë besnikë, (3) kur na keqkuptojnë ose na shohin shtrembër dhe (4) kur besnikëria bie ndesh me interesat personale.

KUR DUKET SE DIKUSH ME AUTORITET NUK MERITON RESPEKT

5. Pse për popullin e Izraelit ishte e vështirë t’i qëndronte besnik Perëndisë kur mbretëronte Sauli?

5 Edhe pse Perëndia kishte mirosur si mbret Saulin, të atin e Jonatanit, më vonë Sauli u bë i pabindur dhe Jehovai e hodhi poshtë. (1 Sam. 15:17-23) Ngaqë Perëndia nuk e hoqi menjëherë nga froni, sjellja e mbrapshtë e Saulit u bë një sprovë për nënshtetasit e tij dhe për të gjithë ata që kishte pranë. Ata u përballën me sfidën që të ishin besnikë ndaj Perëndisë ndërkohë që mbreti, i cili ulej në «fronin e Jehovait», ndiqte një udhë rebele.​—1 Kron. 29:23.

6. Ç’gjë tregon se Jonatani i qëndroi besnik Jehovait?

6 Kur Sauli shfaqi për herë të parë një frymë rebele, i biri, Jonatani, i qëndroi besnik Jehovait. (1 Sam. 13:13, 14) Profeti Samuel kishte thënë: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh.» (1 Sam. 12:22) Jonatani tregoi se e besonte këtë kur Izraelin e kërcënoi një ushtri e panumërt filistine me 30.000 karroca lufte. Sauli kishte veç 600 luftëtarë, dhe vetëm ai e Jonatani ishin të armatosur. Gjithsesi, Jonatani iu afrua pararojës filistine vetëm me shqytarin e tij përkrah. Ai tha: «Jehovain s’e pengon asgjë që të shpëtojë, qoftë shumë, qoftë pak veta.» Dy izraelitët goditën rreth 20 burra të pararojës. Më pas «toka nisi të tundej. Kjo dridhmë vinte nga Perëndia». Në rrëmujë e sipër, filistinët u vërsulën kundër njëri-tjetrit. Kështu, besimi i Jonatanit te Perëndia çoi në fitore.​—1 Sam. 13:5, 15, 22; 14:1, 2, 6, 14, 15, 20.

7. Si e trajtonte Jonatani të atin?

7 Edhe kur marrëdhënia e Saulit me Perëndinë po katandisej gjithnjë e më keq, Jonatani bashkëpunonte me të atin sa herë që ishte e mundur. Për shembull, ata luftuan krah për krah në mbrojtje të popullit të Perëndisë.​—1 Sam. 31:1, 2.

8, 9. Pse kur respektojmë ata që kanë autoritet tregojmë besnikëri ndaj Perëndisë?

8 Ashtu si Jonatani, mund t’i qëndrojmë besnikë Jehovait duke treguar nënshtrim relativ ndaj autoriteteve më të larta, siç kërkon Perëndia, edhe nëse duket që disa nuk meritojnë respekt. Për shembull, një qeveritar mund të jetë i korruptuar, por prapëseprapë e respektojmë pozitën e tij sepse u nënshtrohemi në mënyrë relative «autoriteteve më të larta» qeveritare. (Lexo Romakëve 13:1, 2.) Në fakt, të gjithë ne mund të tregojmë besnikëri ndaj Jehovait duke i respektuar njerëzit që u jep autoritet ai.​—1 Kor. 11:3; Hebr. 13:17.

Një mënyrë si i qëndrojmë besnikë Jehovait është kur tregojmë respekt për bashkëshortin jobesimtar (Shih paragrafin 9.)

9 Olga [1], që jeton në Amerikën e Jugut, i qëndroi besnike Perëndisë duke treguar respekt për të shoqin edhe në situata të vështira. Për vite të tëra, ai i shfryhej me nerva ngaqë ishte Dëshmitare e Jehovait. E dërrmonte shpirtërisht, e ofendonte, nuk i fliste me gojë dhe e kërcënonte se do të merrte fëmijët e do ta linte. Por Olga nuk e kthente të keqen me të keqe. Bënte çmos të ishte bashkëshorte e mirë. Gatuante për të shoqin, i lante rrobat dhe kujdesej për të afërmit e tij. (Rom. 12:17) Sa herë që ishte e mundur, e shoqëronte kur ai takohej me familjarët ose me kolegët. Kur të shoqit iu desh të shkonte në një qytet tjetër për funeralin e të atit, ajo bëri gati fëmijët dhe përgatiti gjithçka që nevojitej për udhëtimin. Pastaj e priti të shoqin te dera e kishës derisa mbaroi ceremonia. Pas shumë vjetësh, falë durimit dhe respektit të Olgës, qëndrimi i tij nisi të zbutej. Tani ai e çon në Sallën e Mbretërisë, madje e nxit të shkojë, dhe hera-herës ndjek mbledhjet bashkë me të.​—1 Pjet. 3:1.

KUR DUHET TË ZGJEDHIM KUJT T’I QËNDROJMË BESNIKË

10. Nga e dinte Jonatani se kujt duhej t’i qëndronte besnik?

10 Ngaqë Sauli i ishte qepur Davidit për ta vrarë, Jonatani ndodhej para dilemës se kujt t’i qëndronte besnik. Ndonëse kishte bërë një besëlidhje me Davidin, donte edhe t’i nënshtrohej të atit. Por Jonatani e dinte mirë se Perëndia ishte me Davidin, jo me Saulin. Prandaj, e vuri besnikërinë ndaj Davidit para besnikërisë ndaj Saulit. Jonatani e paralajmëroi Davidin të fshihej dhe pastaj i foli mirë për të Saulit.​—Lexo 1 Samuelit 19:1-6.

11, 12. Si na ndihmon dashuria për Perëndinë që të vendosim t’i qëndrojmë besnikë atij?

11 Besnikëria ndaj Perëndisë e ndihmoi Alisën, një motër nga Australia, që të vendoste sa rëndësi t’i jepte besnikërisë ndaj njerëzve a çdo gjëje tjetër. Kur nisi të studionte Biblën, ajo i tregonte familjes gjërat e bukura që mësonte. Më vonë, Alisa u tha pjesëtarëve të familjes se nuk do të bashkohej më me ta për të festuar Krishtlindjet dhe u shpjegoi arsyet. Në fillim vetëm sa u mërzitën pak, por avash-avash kjo u kthye në zemërim të hidhur. U dukej sikur ajo po i kthente shpinën familjes. Alisa tregon: «Si përfundim, mamaja tha se nuk isha më vajza e saj. U trondita dhe u lëndova pa masë, sepse e doja vërtet familjen time. Sidoqoftë, isha plotësisht e vendosur që vendin e parë në zemrën time ta zinin Jehovai e Biri i tij, dhe asamblenë tjetër u pagëzova.»​—Mat. 10:37.

12 Po të mos bëjmë kujdes, me kalimin e kohës besnikëria ndaj kombit, shkollës a një skuadre sportive mund t’i zërë frymën besnikërisë ndaj Perëndisë. Për shembull, Henrit i pëlqen të luajë shah. Shkolla e tij fitonte tradicionalisht kampionatin e shahut, ndaj ai donte të jepte maksimumin. Megjithatë, Henri pranon: «Dalëngadalë, besnikëria ndaj shkollës nisi të bëhej më e rëndësishme se besnikëria ndaj Perëndisë. Lojërat e shahut në fundjavë s’po linin më vend për shërbimin e Mbretërisë. Prandaj vendosa të ikja nga skuadra e shahut.»​—Mat. 6:33.

13. Si mund të na ndihmojë besnikëria ndaj Perëndisë që t’u bëjmë ballë problemeve familjare?

13 Mund të jetë një sfidë të përballesh me dilemën se ndaj kujt në familje do të jesh besnik. Për shembull, Keni thotë: «Doja ta vizitonim rregullisht mamanë time të moshuar dhe ta merrnim herë pas here në shtëpinë tonë. Por mamaja dhe gruaja ime nuk shkonin mirë. Në fillim isha në udhëkryq, se nuk mund t’i bëja qejfin njërës pa mërzitur tjetrën. Pastaj e kuptova se në një situatë të tillë besnikëria ime i takonte me të drejtë sime shoqeje në radhë të parë. Kështu gjeta me lezet një rrugë të mesme që ishte e pranueshme për të.» Besnikëria ndaj Perëndisë dhe respekti për Fjalën e tij i dhanë Kenit kurajën për t’i shpjeguar së shoqes pse duhej ta priste me ngrohtësi mamanë e tij, si edhe për t’i shpjeguar së ëmës pse duhej ta respektonte gruan e tij.​—Lexo Zanafillën 2:24; 1 Korintasve 13:4, 5.

KUR NA KEQKUPTOJNË OSE NA SHOHIN SHTREMBËR

14. Si e trajtoi padrejtësisht Sauli Jonatanin?

14 Besnikëria jonë ndaj Jehovait mund të sprovohet nëse dikush me përgjegjësi na sheh shtrembër. Një sprovë të tillë mund të ketë hasur edhe Jonatani. Mbreti Saul, i mirosuri i Perëndisë, e dinte se i biri kishte miqësi me Davidin, por nuk e kuptonte përse. Kështu, në një shpërthim zemërimi e poshtëroi Jonatanin. Megjithatë, Jonatani nuk ia ktheu me të njëjtën monedhë. Besnikëria e tij ndaj Perëndisë ose ndaj Davidit, që me kohë do të bëhej mbreti i Izraelit, nuk u luhat.​—1 Sam. 20:30-41.

15. Si duhet të reagojmë nëse një vëlla na trajton padrejtësisht?

15 Sot në kongregacionet e popullit të Jehovait është gjë e rrallë të na trajtojnë padrejtësisht. Sidoqoftë, ata që marrin drejtimin mes nesh janë burra të papërsosur dhe mund t’i keqinterpretojnë veprimet tona. (1 Sam. 1:13-17) Në rast se ndodh që dikush të na keqkuptojë ose të na shohë shtrembër, le t’i qëndrojmë besnikë Jehovait.

KUR BESNIKËRIA BIE NDESH ME INTERESAT PERSONALE

16. Në cilat situata duhet t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë dhe të mos jemi egoistë?

16 Sauli e shtynte Jonatanin të ndiqte interesat e veta. (1 Sam. 20:31) Mirëpo Jonatani ishte besnik ndaj Perëndisë. Kjo e nxiti të mos mendonte për leverdinë që do të kishte sikur të bëhej mbret vetë, por të zinte miqësi me Davidin. Mund të jemi më të gatshëm ta imitojmë frymën joegoiste të Jonatanit nëse mbajmë në mend se kush ka miratimin e Jehovait ‘nuk del nga fjala, edhe sikur të jetë betuar për të keqen e vetes’. (Psal. 15:4) Jonatani ‘nuk i doli nga fjala’ Davidit; as ne nuk duhet të dalim nga fjala kur kemi bërë një premtim. Për shembull, nëse del më e vështirë nga ç’e prisnim të respektojmë një kontratë biznesi, besnikëria ndaj Perëndisë dhe vlerësimi për Biblën duhet të na nxitin ta mbajmë fjalën. Ose si i bëhet nëse martesa ka më tepër sfida nga ç’mendonim? Pa dyshim që dashuria për Perëndinë do të na nxitë të jemi besnikë ndaj bashkëshortit.​—Lexo Malakinë 2:13-16.

Kur duhet t’i përmbahemi një kontrate biznesi, mund të na sprovohet besnikëria ndaj Perëndisë dhe respekti për Biblën (Shih paragrafin 16.)

17. Si të ka ndihmuar ky studim?

17 Kur bluajmë në mend shembullin e Jonatanit, a nuk ndiejmë dëshirën ta imitojmë besnikërinë e tij ndaj Perëndisë? Atëherë, le të mos rendim pas interesave egoiste. E ashtu si Jonatani, le të tregojmë besnikëri ndaj Jehovait duke qenë besnikë ndaj bashkëbesimtarëve, madje edhe ndaj atyre që mund të na zhgënjejnë. Kur jemi besnikë ndaj Perëndisë Jehova në situata të vështira, ia gëzojmë zemrën​—dhe për ne s’ka kënaqësi më të madhe se kjo. (Prov. 27:11) Nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait, do të shohim se si me kohë ai do të bëjë që çdo gjë të dalë për të mirën e atyre që e duan. Në artikullin tjetër, do të shqyrtojmë se ç’mësime të vyera mund të nxjerrim nga disa bashkëkohës të Davidit që ishin besnikë e nga të tjerë që nuk ishin.

^ [1] (paragrafi 9) Disa emra janë ndryshuar.