Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh njeri që drejtohet nga fryma e Perëndisë?

Ç’do të thotë të jesh njeri që drejtohet nga fryma e Perëndisë?

«Perëndia . . . ju dhëntë të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.»​—ROM. 15:5.

KËNGËT: 17, 13

1, 2. (a) Si ndihen shumë veta që drejtohen nga fryma? (b) Cilat pyetje të rëndësishme do të shqyrtojmë?

«MEQË drejtohem nga fryma e Perëndisë, * sot jam më e lumtur. Kjo më ka ndihmuar t’i përballoj me sukses sprovat e përditshme»,​—thotë një motër në Kanada. Një vëlla në Brazil shprehet: «Këto 23 vite martese kanë qenë shumë të lumtura, ngaqë përpiqemi të mendojmë siç mendon Jehovai.» Dhe një vëlla në Filipine thotë: «Meqë drejtohem nga fryma e Perëndisë, kjo më ka dhënë paqe mendore. Më ka ndihmuar të përmirësoj marrëdhëniet me vëllezër nga prejardhje të ndryshme.»

2 Komente të tilla tregojnë sa e dobishme është të drejtohesh nga fryma e Perëndisë. Kjo mund të na shtyjë të pyesim veten: «Si mund të përparoj si njeri që drejtohet nga fryma dhe t’i shijoj më plotësisht dobitë e përmendura sipër?» Por, para se t’i përgjigjemi kësaj, duhet të kuptojmë qartë çfarë thotë Bibla për njerëzit që drejtohen nga fryma e Perëndisë, pra që mendojnë si Ai. Në këtë artikull do të marrin përgjigje këto tri pyetje të rëndësishme: (1) Ç’do të thotë të jesh njeri që drejtohet nga fryma? (2) Cilët shembuj do të na ndihmojnë të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma? (3) Si do të na ndihmojnë përpjekjet për të pasur «mendjen e Krishtit» që të jemi njerëz që drejtohen nga fryma?

ÇFARË ËSHTË NJERIU QË DREJTOHET NGA FRYMA E PERËNDISË?

3. Si ndryshon përshkrimi i Biblës për njeriun fizik nga përshkrimi për njeriun që drejtohet nga fryma?

3 Apostulli Pavël na ndihmon të kuptojmë çfarë është «njeriu frymor», pra njeriu që drejtohet nga fryma, duke bërë kontrastin mes tij dhe ‘njeriut fizik’. (Lexo 1 Korintasve 2:14-16.) Cili është ndryshimi? ‘Njeriu fizik’ përshkruhet si dikush që nuk i pranon «gjërat e frymës së Perëndisë, sepse për të ato janë marrëzi, dhe ai nuk arrin dot t’i njohë». Nga ana tjetër, ‘njeri frymor’ është dikush që «shqyrton çdo gjë» dhe ka «mendjen e Krishtit». Pavli na nxit të jemi njerëz që drejtohemi nga fryma e Perëndisë. Në cilat mënyra të tjera ndryshon njeriu fizik prej atij që drejtohet nga fryma?

4, 5. Cilat janë karakteristikat e një njeriu fizik?

4 Të ndalemi në fillim te qëndrimi i njeriut fizik. Bota ka një qëndrim mbizotërues që përqendrohet te gjërat e mishit. Pavli e përshkruan këtë qëndrim si ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (Efes. 2:2) Kjo frymë ndikon te shumica e njerëzve, duke i nxitur të imitojnë qëndrimin e të tjerëve përreth e të ndjekin turmën. Këta njerëz fokusohen te gjërat e mishit. Si rezultat, shumica bëjnë atë që u duket e drejtë, pa bërë asnjë përpjekje për të jetuar sipas normave të Perëndisë. Shpesh njeriu fizik​—domethënë ai që e mban mendjen te gjërat e mishit—​preokupohet tepër për prestigjin a për të mbrojtur ato që mendon se janë të drejtat e tij ose rend pas gjërave materiale.

5 Nga çfarë tjetër mund të dallohet një njeri fizik? Në këtë grup përfshihen ata që praktikojnë cilëndo nga «veprat e mishit». (Gal. 5:19-21) Në letrën e parë që i shkroi kongregacionit të Korintit, Pavli përmend një sërë karakteristikash të tjera të atyre që kanë qëndrimin e njeriut fizik. Ndër to janë: nxitin përçarje, mbajnë anë, ushqejnë grindje, e çojnë njëri-tjetrin në gjyq, tregojnë mungesë çmueshmërie për kryesinë dhe jepen pas ushqimit e pijes. Përballë tundimit, njeriu që e ka mendjen te gjërat e mishit humb forcën dhe dorëzohet. (Prov. 7:21, 22) Juda foli për ata që do të katandiseshin aq keq sa ‘nuk do të kishin karakter frymor’, domethënë do të humbnin frymën e Jehovait.​—Jud. 18, 19.

6. Nga se dallohet një njeri që drejtohet nga fryma?

6 Po ç’do të thotë të jesh ‘njeri frymor’? Krejt ndryshe nga njeriu fizik, ai është i prirur drejt Perëndisë. Njerëzit që lejojnë të drejtohen nga fryma përpiqen fort ‘të bëhen imitues të Perëndisë’. (Efes. 5:1) Kjo do të thotë se përpiqen të mendojnë si Jehovai dhe t’i shohin gjërat me syrin e tij. Perëndia është shumë real për ta. Në kontrast me njerëzit që e mbajnë mendjen te gjërat e mishit, ata mundohen që në çdo gjë të jenë në harmoni me normat e Jehovait. (Psal. 119:33; 143:10) Kush e mban mendjen te gjërat e frymës, nuk përqendrohet te veprat e mishit, por bën çmos të shfaqë ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Për ta kuptuar akoma më qartë shprehjen «njeri me mendje frymore», mendo për këtë krahasim: dikush që është i zoti në punët e tregtisë quhet njeri me mendje tregtari. Në mënyrë të ngjashme, dikush që i vlerëson thellë gjërat që lidhen me adhurimin e Perëndisë quhet njeri me mendje te fryma.

7. Çfarë thotë Bibla për ata që e mbajnë mendjen te fryma?

7 Bibla flet në mënyrë shumë pozitive për njerëzit që e mbajnë mendjen te fryma. Mateu 5:3 thotë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë [që janë të varfër në frymë, shën.], sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» Romakëve 8:6 tregon dobitë që vijnë kur e mban mendjen te fryma. Aty lexojmë: «Po të mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë vdekje, kurse po ta mbash mendjen te fryma, kjo do të thotë jetë dhe paqe.» Duke u përqendruar te gjërat e frymës, fitojmë sot paqe me Perëndinë e me veten dhe në të ardhmen perspektivën që të jetojmë përgjithmonë.

8. Pse duhet të përpiqemi të mendojmë si Jehovai dhe të vazhdojmë ta bëjmë këtë?

8 Mirëpo ne jetojmë në një ambient të rrezikshëm. Jemi të rrethuar nga qëndrimet e njerëzve që e kanë mendjen te gjërat e mishit, ndaj duhet të përpiqemi me të gjitha forcat që të mendojmë si Jehovai e ta mbrojmë këtë mënyrë të menduari. Përndryshe, do të krijohet një boshllëk moral dhe do të vërshojë brenda ‘ajri’ i ndotur i kësaj bote. Ç’mund të na ndihmojë që ta parandalojmë këtë? Si mund të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma?

TË MËSOJMË NGA SHEMBUJT E MIRË

9. (a) Ç’mund të na ndihmojë të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma? (b) Cilët shembuj të mirë do të shqyrtojmë?

9 Një fëmijë mund të bëhet i pjekur duke vëzhguar prindërit dhe duke imituar shembullin e tyre të mirë. Po njësoj, ne mund të piqemi ose të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma, duke vëzhguar e duke imituar ata që kanë një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Nga ana tjetër, njerëzit që drejtohen nga dëshirat e mishit janë shembuj paralajmërues për ne. (1 Kor. 3:1-4) Në Bibël i gjejmë të dyja këto lloje shembujsh. Por, meqë synimi ynë është të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma, le të ndalemi pak te disa shembuj të mirë që mund t’i imitojmë. Do të shqyrtojmë shembullin e Jakobit, të Marisë dhe të Jezuit.

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jakobit? (Shih paragrafin 10.)

10. Si tregoi Jakobi se drejtohej nga fryma?

10 Së pari, të marrim shembullin e Jakobit. Jeta e tij, ashtu si jeta e shumë prej nesh sot, nuk ishte e lehtë. Jakobit i duhej të duronte Esaun, vëllanë e tij që e mbante mendjen te gjërat e mishit dhe që kishte si synim ta vriste. Sikur të mos mjaftonte kjo, kishte një vjehërr mashtrues, i cili përpiqej pareshtur ta shfrytëzonte. Por, ndonëse rrethohej nga njerëz ‘fizikë’, Jakobi ishte njeri që drejtohej nga fryma. Ai kishte besim te premtimi që i kish bërë Jehovai Abrahamit dhe u kujdes me përkushtim për familjen e tij, e cila do të luante rol të veçantë në plotësimin e qëllimit të Jehovait. (Zan. 28:10-15) Fjalët dhe veprimet e Jakobit tregojnë se ai mbante ndër mend normat dhe vullnetin e Perëndisë. Për shembull, kur u ndie i kërcënuar nga Esau, Jakobi i tha Perëndisë: «Më çliro, të lutem . . . Ti vetë ke thënë: ‘Pa dyshim do të të trajtoj mirë dhe do ta bëj farën tënde si kokrrizat e rërës së detit, aq shumë sa s’mund të numërohet.’» (Zan. 32:6-12) Është e qartë se Jakobi tregoi besim te premtimet që i kishte bërë Jehovai atij e paraardhësve të tij dhe donte të vepronte sipas vullnetit e qëllimit të Perëndisë.

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Marisë? (Shih paragrafin 11.)

11. Nga e dimë se Maria ishte një grua që drejtohej nga fryma?

11 Të shohim tani një shembull tjetër, shembullin e Marisë. Pse Jehovai zgjodhi Marinë që të bëhej nëna e Jezuit? Pa dyshim ngaqë ajo ishte një grua që drejtohej nga fryma. Nga e dimë? Një provë e qartë për këtë janë shprehjet e saj të bukura të lëvdimit kur shkoi për vizitë në shtëpinë e të afërmve të saj, Zakarisë dhe Elizabetës. (Lexo Lukën 1:46-55.) Fjalët e Marisë tregojnë se ajo kishte dashuri të thellë për Fjalën e Perëndisë dhe i njihte me hollësi Shkrimet Hebraike. (Zan. 30:13; 1 Sam. 2:1-10; Mal. 3:12) Gjithashtu, ajo dhe Jozefi, ndonëse të sapomartuar, u përmbajtën e nuk kryen marrëdhënie seksuale derisa lindi Jezui. Çfarë tregon kjo? Tregon se gjëja më e rëndësishme për të dy ata ishte vullneti i Jehovait, jo plotësimi i dëshirave personale. (Mat. 1:25) Në rrjedhën e viteve, Maria shihte me vëmendje çfarë ndodhte në jetën e Jezuit dhe u kushtonte vëmendje fjalëve të tij të mençura. Veç kësaj, ajo ‘i ruante në zemër tërë ato fjalë’. (Luka 2:51) Është e qartë se ajo kishte interes të madh për qëllimin e Perëndisë në lidhje me Mesinë. A nuk na ndihmon shembulli i Marisë të mendojmë se si ta vëmë të parin në jetë vullnetin e Perëndisë?

12. (a) Si i ngjante Jezui Atit të tij? (b) Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit? (Shih figurën hapëse.)

12 Por, nga gjithë njerëzit që kanë jetuar, kush është shembulli më i spikatur i një njeriu që drejtohet nga fryma? Pa diskutim që Jezui. Gjatë gjithë jetës dhe shërbimit të tij, ai tregoi se donte të imitonte Atin e tij, Jehovain. Jezui mendonte, ndihej e vepronte si Jehovai dhe jetonte në harmoni me vullnetin dhe normat e Perëndisë. (Gjoni 8:29; 14:9; 15:10) Të shohim, për shembull, si i përshkruan profeti Isaia ndjenjat e dhembshurisë së Jehovait dhe ta krahasojmë këtë përshkrim me atë që jep shkrimtari i Ungjillit, Marku, për ndjenjat e Jezuit. (Lexo Isainë 63:9; Markun 6:34.) A jemi si Jezui​—gjithnjë të gatshëm të tregojmë dhembshuri kur takojmë njerëz që kanë nevojë për ndihmë? Veç kësaj, Jezui u dha me mish e me shpirt pas veprës së predikimit e të mësimit të lajmit të mirë. (Luka 4:43) Të gjitha këto ndjenja e veprime janë karakteristika të njeriut që drejtohet nga fryma.

13, 14. (a) Ç’mund të mësojmë nga shembujt e bashkëbesimtarëve që e mbajnë mendjen te fryma? (b) Tregoni një shembull.

13 Përveç shembujve biblikë, sot kemi plot vëllezër e motra me mendje te fryma që kanë përparuar goxha në pasqyrimin e personalitetit të Krishtit. Ndoshta ke vërejtur zellin e tyre në shërbim, mikpritjen e jashtëzakonshme, dhembshurinë e tyre ose cilësi të tjera të shkëlqyera. Ashtu si ne, ata kanë luftuar me dobësi e papërsosmëri teksa janë përpjekur të zhvillojnë këto cilësi hyjnore. Rakela, një motër në Brazil, thotë: «Vdisja të ndiqja modën e botës. Prandaj, nuk vishesha me aq modesti. Por kur njoha të vërtetën, u ndieva e motivuar të bëja përpjekjet e nevojshme për t’u bërë njeri që drejtohet nga fryma. Nuk ishte kollaj të bëja ndryshime, por kjo më bëri më të lumtur e i dha qëllim të vërtetë jetës sime.»

14 Rejlina, një motër nga Filipinet, kishte një sfidë tjetër. Ajo u përqendrua tek arsimi i lartë dhe gjetja e një pune të mirë, që të çante në jetë. Rejlina thotë: «Synimet në shërbim të Jehovait nisën të më mjegulloheshin. Mirëpo fillova të kuptoja se më mungonte diçka në jetë, diçka shumë më e rëndësishme se puna. Kështu, ndryshova drejtim që ta përqendroja jetën te shërbimi i Jehovait.» Që atëherë, Rejlina ka qenë një shembull i gjallë i besimit te premtimi i Jehovait që gjendet te Mateu 6:33, 34. Ajo thotë: «Nuk kam fije dyshimi se Jehovai do të kujdeset për mua!» Ndoshta ti njeh shembuj të ngjashëm në kongregacionin tënd. Teksa i shohim këta besnikë të ndjekin Krishtin, a nuk nxitemi t’i imitojmë?​—1 Kor. 11:1; 2 Sel. 3:7.

TË KEMI «MENDJEN E KRISHTIT»

15, 16. (a) Çfarë duhet të bëjmë që të jemi si Krishti? (b) Si mund të lejojmë që mendja jonë të ndikohet nga ‘mendja e Krishtit’?

15 Si mund ta imitojmë personalisht Krishtin? Te 1 Korintasve 2:16 na thuhet të kemi «mendjen e Krishtit». Gjithashtu, Romakëve 15:5 na nxit të zhvillojmë «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu». Prandaj, që të jemi si Krishti, duhet të njohim mënyrën si mendon ai dhe tërë aspektet e personalitetit të tij. Pastaj duhet të ecim në gjurmët e tij. Mendja e Jezuit është e përqendruar te marrëdhënia e tij me Perëndinë. Pra, kur jemi si Jezui i ngjajmë më shumë Jehovait. Ja pse ka shumë rëndësi të mësojmë të mendojmë si Jezui.

16 Po si mund ta bëjmë këtë? Dishepujt e Jezuit panë mrekullitë e tij, dëgjuan fjalimet e tij, panë si sillej ai me lloj-lloj njerëzish dhe vërejtën si i zbatonte parimet hyjnore. Ata thanë: «Ne jemi dëshmitarë të gjithë veprave që bëri.» (Vep. 10:39) Mirëpo, ne s’mund ta shohim Jezuin me sytë tanë. Megjithatë Jehovai ka siguruar me dashuri tregimet e ungjijve, që na ndihmojnë ta shohim qartë me sytë e mendjes personalitetin e Jezuit. Ndërsa lexojmë e meditojmë për librat biblikë të Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, lejojmë që mendja jonë të ndikohet nga mendja e Krishtit. Kështu mund ‘të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’ dhe ‘të armatosemi me të njëjtën prirje mendore’ si Krishti.​—1 Pjet. 2:21; 4:1.

17. Ç’dobi do të kemi nëse mendojmë si Krishti?

17 Ç’dobi do të kemi nëse mësojmë të mendojmë si Krishti? Ushqimet e shëndetshme na e bëjnë trupin më të fortë; po njësoj, kur e ushqejmë mendjen me mendimet e Krishtit, marrëdhënia me Jehovain forcohet. Dalëngadalë arrijmë të kuptojmë si do të vepronte Krishti në çfarëdo situate. Kjo pastaj na ndihmon të marrim vendime që sjellin miratimin e Perëndisë dhe një ndërgjegje të pastër. A nuk je dakord se këto dobi janë arsye të forta që ‘të vishemi me Zotërinë Jezu Krisht’?​—Rom. 13:14.

18. Çfarë ke mësuar nga ky diskutim për njeriun që drejtohet nga fryma?

18 Kemi shqyrtuar se ç’do të thotë të jesh njeri që drejtohet nga fryma. Gjithashtu, kemi parë ç’mund të mësojmë nga shembujt e mirë të atyre që janë udhëhequr nga fryma. Në fund, kemi mësuar si na ndihmojnë përpjekjet për të pasur «mendjen e Krishtit» që të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma. Por ka edhe aspekte të tjera të marrëdhënies me Jehovain që duhet t’i shqyrtojmë. Për shembull, si mund ta analizojmë se sa e fortë është marrëdhënia jonë me Jehovain? Ç’mund të bëjmë tjetër për ta kultivuar? Dhe si ndikon marrëdhënia e fortë me Jehovain në jetën e përditshme? Në artikullin tjetër do të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve.

^ par. 1 Në këtë artikull dhe atë pasues, termat që lidhen me fjalën «frymor» do të përdoren sipas kuptimit. Për shembull, «njeri frymor» do të thotë «njeri që drejtohet nga fryma e Perëndisë». «Mendje frymore» do të thotë «të mendosh si Jehovai» ose «të mbash mendjen te fryma». Dhe «gjendje e mirë frymore» do të thotë «marrëdhënie e mirë me Jehovain». Këto terma përdoren si sinonime.