Të rinj, forconi besimin tuaj
«Besimi është . . . dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.»—HEBR. 11:1.
1, 2. Çfarë presioni mund të kenë të rinjtë sot, dhe cilat hapa mund të bëjnë që ta përballojnë?
«NJË vajzë kaq e zgjuar dhe beson te Zoti?!»—i tha një shoqe shkolle një motre të re në Britani. Një vëlla në Gjermani shkroi: «Mësuesit e shohin tregimin e Biblës për krijimin si një mit. Kujtojnë se nxënësit normalisht besojnë tek evolucioni.» Një motër e re në Francë tha: «Në shkollë mësuesit habiten fare kur shohin se ka nxënës që akoma besojnë te Bibla.»
2 Nëse je një shërbëtor i ri i Jehovait ose po mëson për Të, a ndihesh nën presion të pranosh edhe ti bindjet e përhapura, si evolucioni, në vend që të besosh te një Krijues? Në rast se po, mund të bësh disa hapa që ta forcosh besimin dhe ta mbash të fortë. Një hap është të përdorësh aftësinë për të menduar që të ka dhuruar Perëndia. Kjo aftësi «do të të ruajë» e do të të mbrojë nga filozofitë e botës që mund të ta shkatërrojnë besimin.—Lexo Proverbat 2:10-12.
3. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Besimi i vërtetë bazohet te njohuria e saktë për Perëndinë. (1 Tim. 2:4) Prandaj, kur studion Fjalën e Perëndisë dhe botimet tona, mos e kalo materialin sa për të thënë. Përdor aftësinë për të menduar që ‘të kapësh kuptimin’ e asaj që lexon. (Mat. 13:23) Le të shohim si mund të të ndihmojë kjo që të forcosh besimin te Perëndia si Krijuesi dhe te Bibla—tema për të cilat ka një mal me ‘dëshmi bindëse’.—Hebr. 11:1, shën. BR me referime, angl.
SI TA FORCOSH BESIMIN
4. Pse bindjet për Perëndinë dhe për origjinën e jetës gjithmonë përfshijnë në njëfarë mënyre besimin? Çfarë është logjike të bëjmë?
4 A të ka thënë ndonjëherë dikush se beson tek evolucioni ngaqë ai bazohet te shkenca, kurse bindja se ka Zot bazohet te besimi? Shumë veta mendojnë kështu. Por, bëjmë mirë të mbajmë në mend një gjë: pavarësisht se çfarë beson dikush për Perëndinë a për evolucionin, në njëfarë mënyre hyn në lojë besimi. Pse e themi këtë? Sepse askush nga ne nuk ka parë as Perëndinë e as diçka në krijim e sipër. (Gjoni 1:18) E asnjë njeri, qoftë ai edhe shkencëtar, nuk ka parë që një formë jete të evoluojë në ndonjë formë tjetër. Për shembull, askush nuk ka parë që një zvarranik të shndërrohet me evolucion në një gjitar. (Jobi 38:1, 4) Ja pse të gjithë ne duhet të shqyrtojmë dëshmitë dhe të përdorim aftësinë për të menduar që të arrijmë në përfundime logjike. Apostulli Pavël shkroi për krijimin: «Cilësitë e padukshme [të Perëndisë], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim.»—Rom. 1:20.
5. Çfarë ndihme kemi në dispozicion si shërbëtorë të Perëndisë që të përdorim aftësitë dalluese?
5 «Të dallosh» do të thotë të shquash diçka që mbase nuk duket ose nuk bie në sy menjëherë. (Hebr. 11:3) Pra, njerëzit me aftësi dalluese vënë në punë mendjen, jo vetëm sytë e veshët. Për të na ardhur në ndihmë, organizata e Jehovait ka siguruar shumë mjete të bazuara në kërkime të kujdesshme. Këto mund të na ndihmojnë ‘të shohim’ Krijuesin tonë me sytë e besimit. (Hebr. 11:27) Disa nga këto mjete janë videoja Mrekullitë e krijimit zbulojnë lavdinë e Perëndisë, broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh, dhe libri A ka një Krijues që interesohet për ju? Edhe në revistat tona gjejmë materiale të shkëlqyera që na nxitin të mendojmë. Zgjohuni! shpesh paraqet intervista me shkencëtarë e me të tjerë që shpjegojnë arsyet pse tani besojnë te Perëndia. Në serinë «A është projektuar?» jepen shembuj që na e drejtojnë vëmendjen te projektimi i mrekullueshëm që shohim në natyrë. Shkencëtarët përpiqen shpesh t’i imitojnë këto projekte fantastike.
6. Cilat janë disa dobi që vijnë kur përdorim mjetet që kemi në dispozicion, dhe si ke nxjerrë dobi ti?
6 Një vëlla 19-vjeçar në Shtetet e Bashkuara tha për dy broshurat që sapo përmendëm: «Për mua kanë qenë një thesar. I kam studiuar këto broshura mbi dhjetë herë.» Një motër në Francë shkroi: «Më lënë pa fjalë artikujt ‘A është projektuar?’ Ato tregojnë se inxhinierët më të zotë mund të imitojnë projektet komplekse që ka natyra, por kurrë s’do t’i bëjnë dot fiks njësoj.» Prindërit e një 15-vjeçareje në Afrikën e Jugut thanë: «Zakonisht gjëja e parë që lexon vajza jonë në revistën Zgjohuni! është artikulli ‘Intervistë’.» Po ti, a përfiton plotësisht nga këto mjete që na janë siguruar? Ato mund të të ndihmojnë që besimi yt të bëhet si një pemë me rrënjë të thella, e kështu të të japë forcë t’u bësh ballë «erërave» të mësimeve të rreme.—Jer. 17:5-8.
BESIMI YT TE BIBLA
7. Pse Perëndia do që të përdorësh fuqinë tënde për të arsyetuar?
7 A është gabim të bësh pyetje të sinqerta për Biblën? Aspak! Jehovai dëshiron të përdorësh ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’ që t’i vërtetosh vetes se kjo është e vërteta. Ai nuk do që të besosh thjesht ngaqë besojnë të tjerët. Ndaj, përdor aftësinë për të menduar që të fitosh njohuri të saktë. Kjo njohuri pastaj mund të bëhet themeli i fortë i besimit të vërtetë. (Lexo Romakëve 12:1, 2; 1 Timoteut 2:4.) Një mënyrë si ta fitosh këtë njohuri është të zgjedhësh disa projekte studimi.
8, 9. (a) Me ç’lloj projektesh studimi mund të kënaqen disa? (b) Si kanë nxjerrë dobi disa duke medituar për atë që studiojnë?
8 Disa kanë zgjedhur si projekte studimi të shqyrtojnë profecitë e Biblës ose saktësinë e saj nga ana historike, arkeologjike a shkencore. Një profeci tepër interesante që mund të studiosh është Zanafilla 3:15. Ky varg prezanton temën kryesore të Biblës, që është shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë dhe shenjtërimi i emrit të tij me anë të Mbretërisë. Ky varg i vetëm tregon me një gjuhë të figurshme si do t’u japë fund Jehovai gjithë vuajtjeve që kanë hequr njerëzit që nga incidenti në Eden. Si mund ta studiosh Zanafillën 3:15? Një mënyrë është të përgatitësh një tabelë kronologjike. Atje mund të renditësh shkrimet kyçe që tregojnë si e zbuloi pak nga pak Perëndia se për cilët individë e për cilën masë bëhet fjalë në këtë varg dhe që provojnë se kjo profeci do të plotësohet. Teksa kupton si harmonizohen shkrimet për të formuar një mozaik të vetëm, patjetër që do të arrish në përfundimin se profetët dhe shkrimtarët e Biblës duhet të kenë qenë «të shtyrë nga fryma e shenjtë».—2 Pjet. 1:21.
9 Një vëlla në Gjermani shkroi: «Tema e Mbretërisë është si një fill i artë që përshkon krejt Biblën. E kjo pavarësisht nga fakti që Biblën e shkruan mbi 40 burra. Shumë prej tyre jetuan në periudha të ndryshme dhe nuk e njihnin personalisht njëri-tjetrin.» Një motre nga Australia i la mbresa një artikull studimi në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 2013, ku flitej për domethënien e Pashkës. Ky kremtim i veçantë lidhet ngushtë me Zanafillën 3:15 dhe me ardhjen e Mesisë. Ja çfarë shkroi: «Ai studim më hapi sytë që të shihja sa i mrekullueshëm është Jehovai. Më preku shumë fakti që ai mendoi atë masë për izraelitët dhe që ajo masë të plotësohej te Jezui. E them vërtet se m’u desh të ndalesha e të meditoja se sa i jashtëzakonshëm ishte ai vakt profetik i Pashkës.» Pse u ndie kështu kjo motër? Sepse mendoi thellë për atë që lexoi dhe kapi «kuptimin e saj». Kjo e ndihmoi të forconte besimin dhe të afrohej më shumë me Jehovain.—Mat. 13:23.
10. Si na e forcon besimin te Bibla sinqeriteti i shkrimtarëve të saj?
10 Një tjetër aspekt që të forcon besimin kur e shqyrton, është guximi dhe sinqeriteti i burrave që shkruan Biblën. Shumë shkrimtarë të lashtësisë u bënin lajka udhëheqësve të vendit të tyre dhe i ngrinin në qiell mbretëritë e tyre. Kurse profetët e Jehovait thoshin gjithmonë të vërtetën. Nuk ngurronin të nxirrnin në pah të metat e popullit të tyre, madje edhe të mbretërve të tyre. (2 Kron. 16:9, 10; 24:18-22) Tregonin haptas edhe gabimet e veta dhe të shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë. (2 Sam. 12:1-14; Mar. 14:50) «Ky sinqeritet është i rrallë,—tha një vëlla i ri në Britani.—Kjo na e forcon besimin se Bibla është vërtet nga Jehovai.»
11. Si mund ta thellojnë të rinjtë çmueshmërinë për vlerën e parimeve të Biblës?
11 Shumë veta janë të bindur se Bibla është frymëzuar nga Perëndia ngaqë përmban parime që na udhëheqin në jetë. (Lexo Psalmin 19:7-11.) Një motër e re në Japoni shkroi: «Kur zbatonim si familje mësimet e Biblës, ndiheshim vërtet të lumtur. Gëzonim paqe, unitet dhe dashuri.» Parimet e Biblës na mbrojnë nga përfshirja në adhurimin e rremë dhe nga bestytnitë që skllavërojnë shumë njerëz. (Psal. 115:3-8) A ndikojnë te njerëzit filozofitë që thonë se nuk ka Zot? Mësime të tilla si evolucioni zakonisht e kthejnë natyrën në një lloj perëndie, duke i atribuar fuqi që i përkasin vetëm Jehovait. Ata që thonë se nuk ka Zot, pohojnë se e ardhmja është plotësisht në dorën tonë. Ama nuk japin asnjë shpresë të sigurt për një të ardhme më të mirë.—Psal. 146:3, 4.
SI TË ARSYETOSH ME TË TJERËT
12, 13. Cila është një mënyrë e efektshme si të flasësh për krijimin ose për Biblën me shokët e shkollës, mësuesit a me të tjerë?
12 Si mund të jesh i efektshëm kur arsyeton me të tjerët për krijimin dhe për Biblën? Së pari, mos u ngut të nxjerrësh përfundimin se e di çfarë besojnë të tjerët. Disa thonë se besojnë tek evolucioni, po ndërkohë besojnë edhe se ka Zot. Ata mendojnë se Perëndia përdori evolucionin për të krijuar forma të ndryshme jete. Të tjerë thonë se besojnë tek evolucioni se, po të mos ishte një fakt, atëherë nuk do të mësohej në shkollë. Kurse disa të tjerë nuk besojnë më te Zoti ngaqë i ka zhgënjyer feja. Prandaj, kur flet me dikë për origjinën e jetës, zakonisht është e mençur që në fillim të bësh pyetje. Mëso çfarë beson tjetri. Nëse je i arsyeshëm dhe i gatshëm ta dëgjosh, edhe ai mund të jetë më i gatshëm të të dëgjojë.—Titit 3:2.
13 Nëse duket se dikush sulmon besimin tënd te krijimi, me takt mund të bësh që të ndiejë përgjegjësi për atë që beson ai vetë. Për shembull, kërkoji të shpjegojë si mund të ketë filluar jeta pa një Krijues. Formës së parë të jetës i duhej të ishte e aftë të riprodhohej, pra të bënte kopje të vetes, që të mos zhdukej. Një profesor kimie tha se disa gjëra që do t’i nevojiteshin asaj ishin: (1) një membranë mbrojtëse, (2) aftësia për të marrë e për të përpunuar energjinë, (3) informacioni brenda gjeneve dhe (4) aftësia për ta kopjuar atë informacion. Pastaj shtoi: «Edhe kompleksiteti i formës më të thjeshtë të jetës të lë gojëhapur.»
14. Ç’mund të bësh nëse të duket se nuk je i përgatitur të diskutosh për evolucionin ose krijimin?
14 Nëse nuk ndihesh i përgatitur të diskutosh për evolucionin ose krijimin, pse të mos përdorësh arsyetimin e thjeshtë që përdori Pavli? Ai shkroi: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebr. 3:4) Kjo logjikë është shumë e arsyeshme dhe e efektshme. Patjetër që projektet komplekse janë fryt i një mendjeje inteligjente. Veç kësaj, mund të përdorësh një botim të përshtatshëm. Një motër ia dha dy broshurat e përmendura më sipër një të riu që tha se nuk besonte që ka Zot dhe se pranonte evolucionin. Pas afro një jave, ai djalë pranoi: «Tani besoj te Zoti.» Kjo çoi në një studim biblik, dhe ky i ri u bë vëllai ynë.
15, 16. Si mund ta përshtatësh mënyrën si arsyeton për Biblën, dhe cili është synimi yt?
15 Të njëjtat parime bazë mund t’i përdorësh me dikë që ka dyshime për Biblën. Mëso çfarë beson vërtet dhe cilat tema mund t’i interesojnë. (Prov. 18:13) Nëse i interesojnë gjërat shkencore, ka të ngjarë të të kushtojë vëmendje kur përmend pika që tregojnë se Bibla është e saktë nga ana shkencore. Te disa të tjerë mund të kenë efekt shembujt që tregojnë se brenda Biblës ka profeci të sakta dhe histori të sakta. Ose mund ta vësh theksin te parime biblike që na udhëheqin në jetë, si ato që gjejmë te Predikimi në Mal.
16 Mos harro, synimi yt është të fitosh zemrën, jo debatin. Prandaj, ji dëgjues i mirë. Bëj pyetje të sinqerta dhe shprehu me butësi e respekt, sidomos kur bisedon me ata që janë më të mëdhenj në moshë. Kështu, ka të ngjarë të jenë më të gatshëm të respektojnë pikëpamjet e tua. Gjithashtu, do të kuptojnë se i ke peshuar mirë bindjet e tua kryesore. Shumë të rinj nuk e bëjnë këtë. Natyrisht, është mirë të mbash në mend se nuk je i detyruar t’u përgjigjesh atyre që s’janë të arsyeshëm ose që duan thjesht të vënë në lojë bindjet e tua.—Prov. 26:4.
PËRVETËSOJE ME GJITHË ZEMËR TË VËRTETËN
17, 18. (a) Ç’mund të të ndihmojë ta përvetësosh me gjithë zemër të vërtetën? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Themeli i besimit të fortë nuk është thjesht njohuria bazë për Biblën. Prandaj gërmo thellë në Fjalën e Perëndisë, sikur po kërkon thesare të fshehura. (Prov. 2:3-6) Shfrytëzoji mirë mjetet që ke në dispozicion në gjuhën tënde, si Biblioteka Watchtower në DVD, BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower dhe Treguesi i Botimeve Watch Tower ose Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, vër si synim të lexosh gjithë Biblën. Mund të përpiqesh ta bësh këtë brenda 12 muajsh. Janë të rralla gjërat që na e forcojnë besimin aq shumë sa leximi i Fjalës së Perëndisë. Kur sjell ndër mend fëmijërinë e vet, një mbikëqyrës qarkor thotë: «Një gjë që më ndihmoi të kuptoja se Bibla është Fjala e Perëndisë ishte leximi i saj nga fillimi në fund. Tregimet biblike që kisha lexuar qysh kur isha fare i vogël, më në fund morën kuptim për mua. Kjo ishte pikë kthese në rritjen e besimit tim.»
18 Prindër, ju luani rol kryesor në përparimin e fëmijëve tuaj. Si mund t’i ndihmoni të zhvillojnë një besim të fortë? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.