Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë»

«Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë»

«Bari thahet, lulja vyshket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»​—ISA. 40:8.

KËNGËT: 95, 97

1, 2. (a) Si do të ishte jeta pa Biblën? (b) Ç’na ndihmon veçanërisht të nxjerrim dobi nga Fjala e Perëndisë?

A E IMAGJINON dot si do të ishte jeta jote pa Biblën? Nuk do të kishe asnjë këshillë të besueshme për jetën e përditshme. Nuk do të gjeje përgjigje bindëse për pyetjet rreth Perëndisë, jetës dhe së ardhmes. E as nuk do të dije si ka vepruar Jehovai me familjen njerëzore në të shkuarën.

2 Sa mirë që nuk gjendemi në këtë situatë të zymtë! Jehovai na ka siguruar Fjalën e tij, Biblën. Gjithashtu, ka garantuar se mesazhi i saj do të mbetet përgjithmonë. Apostulli Pjetër citoi Isainë 40:8. Ky varg nuk i referohet specifikisht Biblës që kemi në dorë sot; megjithatë, këto fjalë të frymëzuara zbatohen në kuptim më të gjerë për mesazhin e Biblës. (Lexo 1 Pjetrit 1:24, 25.) Natyrisht, mund të nxjerrim dobi nga Bibla sidomos nëse e kemi në një gjuhë që e kuptojmë mirë. Ata që e duan Fjalën e Perëndisë e kanë kuptuar prej kohësh këtë të vërtetë. Ndonëse nuk ka qenë gjithnjë e lehtë, përgjatë shekujve individë të sinqertë janë përpjekur me ngulm që t’i përkthejnë e t’i shpërndajnë Shkrimet. Dëshira e tyre ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».​—1 Tim. 2:3, 4.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih figurën hapëse.)

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa shembuj që tregojnë si ‘ka mbetur’ Fjala e Perëndisë pavarësisht nga (1) ndryshimet e gjuhëve, (2) zhvillimet politike që kanë ndikuar te një gjuhë e përbashkët ose ndërkombëtare dhe (3) kundërshtimi për ta përkthyer Biblën. Si do të nxjerrim dobi nga ky studim? Do të na thellohet çmueshmëria për Fjalën e Perëndisë. Veç kësaj, do të na thellohet dashuria për Autorin e Biblës që e siguroi për të mirën tonë.—Mik. 4:2; Rom. 15:4.

NDRYSHIMET E GJUHËVE

4. (a) Si ndryshojnë gjuhët me kalimin e kohës? (b) Ç’gjë tregon se Perëndia ynë nuk mban anën e asnjë grupi gjuhësor, dhe si ndihesh për këtë?

4 Gjuhët kanë prirjen të ndryshojnë me kalimin e kohës. Fjalët dhe shprehjet mund të marrin komplet tjetër kuptim. Mbase të vijnë në mendje shembuj se si ka ndryshuar një gjuhë që flet ti. Njësoj ka ndodhur me hebraishten dhe greqishten, gjuhë në të cilat u shkrua pjesa më e madhe e Biblës. Hebraishtja dhe greqishtja e sotme ndryshojnë jashtëzakonisht nga ato të kohëve biblike. Kështu, thuajse kushdo që dëshiron ta kuptojë Fjalën e Perëndisë duhet të lexojë një përkthim të saj​—madje edhe ata që dinë hebraishten ose greqishten e sotme. Disa kanë menduar se duhet të mësojnë hebraishten dhe greqishten e lashtë që ta lexojnë Biblën në gjuhët origjinale. Mirëpo kjo mund të mos jetë aq e dobishme sa ç’mendojnë. * Sa mirë që sot e gjithë Bibla ose pjesë të saj janë përkthyer në afro 3.000 gjuhë! Është e qartë se Jehovai dëshiron që njerëz të «çdo kombi, fisi, gjuhe» të kenë mundësi të përfitojnë nga Fjala e tij. (Lexo Zbulesën 14:6.) A nuk të afron më shumë kjo me Perëndinë tonë të dashur e të paanshëm?—Vep. 10:34.

5. Pse ishte i rëndësishëm versioni King James?

5 Fakti që gjuhët ndryshojnë me kalimin e kohës vlen edhe për gjuhët në të cilat është përkthyer Bibla. Një përkthim i Biblës që kuptohet lehtë kur botohet në fillim, mund të bëhet më pak i efektshëm më vonë. Të marrim si shembull një përkthim të Biblës në anglisht​—King James Version. Ai doli për herë të parë në vitin 1611. U bë një nga Biblat më të përhapura në anglisht dhe ndër vite ndikoi goxha te gjuha angleze. * Është për t’u theksuar se ky version, edhe pse në mënyrë të kufizuar, i kushtonte vëmendje emrit të Perëndisë. Në disa vargje përdorte emrin «Jehova» dhe në vargje të tjera të Shkrimeve Hebraike përdorte fjalën «ZOT» me shkronja të mëdha në vendet ku gjendej emri hyjnor në tekstin origjinal. Botime të mëvonshme të këtij versioni e përdorën fjalën «ZOT» me shkronja të mëdha edhe në disa vargje të Shkrimeve të Krishtere Greke. Në këtë mënyrë, versioni King James pranoi vendin që i takonte me të drejtë emrit të Perëndisë në atë pjesë të Shkrimeve që disa e njohin si Dhiata e Re.

6. Pse jemi mirënjohës për Përkthimin Bota e Re?

6 Mirëpo, shumë nga shprehjet e versionit King James u vjetruan me kalimin e shekujve. E njëjta gjë vlen për përkthimet e hershme të Biblës në gjuhë të tjera. A nuk jemi mirënjohës, pra, që i kemi Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re në gjuhët e sotme? Ky përkthim ka dalë i plotë ose pjesërisht në mbi 150 gjuhë, pra është në dispozicion të një pjese të madhe të popullsisë sot. Gjuha e tij e qartë ndihmon që mesazhi i Fjalës së Perëndisë të na depërtojë në zemër. (Psal. 119:97) Vlen të theksohet se Përkthimi Bota e Re e rivendos emrin e Perëndisë aty ku i takon në Shkrime.

GJUHA E PËRBASHKËT

7, 8. (a) Pse shumë judenj në shekullin e tretë p.e.s. nuk arrinin t’i kuptonin Shkrimet Hebraike? (b) Çfarë është Septuaginta greke?

7 Ndonjëherë zhvillimet politike kanë ndikuar tek ajo që ishte gjuha e përbashkët ose ndërkombëtare në një periudhë të caktuar. Si është siguruar Perëndia që këto zhvillime të mos e bëjnë të paqartë Fjalën e tij për njerëzit? Një shembull nga e kaluara na ndihmon të gjejmë përgjigjen. Tridhjetë e nëntë librat e parë të Biblës i shkruan izraelitët, ose judenjtë. Ata ishin populli që në fillim «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë». (Rom. 3:1, 2) Mirëpo, në shekullin e tretë p.e.s., shumë judenj nuk e kuptonin më hebraishten. Pse? Sepse me pushtimet e tij, Aleksandri i Madh kishte zgjeruar Perandorinë Greke. (Dan. 8:5-7, 20, 21) Teksa perandoria shtrinte kufijtë, greqishtja u bë gjuha e përbashkët e shumë nënshtetasve të saj, përfshirë judenjtë që ishin shpërndarë në një zonë të paanë. Mirëpo dora-dorës që një numër i madh judenjsh bëheshin greqishtfolës, shumica e kishin gjithnjë e më të vështirë të kuptonin Shkrimet Hebraike. Cila ishte zgjidhja?

8 Aty nga mesi i shekullit të tretë p.e.s., pesë librat e parë të Biblës u përkthyen nga hebraishtja në greqisht. Përkthimi i pjesës tjetër të Shkrimeve Hebraike përfundoi në shekullin e dytë p.e.s. Koleksioni i librave të Biblës që u formua, u njoh si Septuaginta greke. Septuaginta është përkthimi i parë i shkruar i krejt Shkrimeve Hebraike që njihet deri më sot.

9. (a) Si ndikuan Septuaginta dhe përkthime të tjera të hershme te lexuesit e Fjalës së Perëndisë? (b) Cili është fragmenti yt i preferuar nga Shkrimet Hebraike?

9 Septuaginta ndihmoi goxha që judenjtë dhe të tjerë që flitnin greqisht t’i lexonin me lehtësi Shkrimet Hebraike. Mendo pak sa emocionuese duhet të ketë qenë për ta që ta dëgjonin ose ta lexonin Fjalën e Perëndisë në gjuhën që ishte bërë gjuha e tyre amtare! Me kohë, disa pjesë të Biblës u përkthyen në gjuhë të tjera që fliteshin nga shumë njerëz, të tilla si gjuha siriake, gotike dhe latine. Ndërsa i shqyrtonin Shkrimet e Shenjta në një gjuhë që e kuptonin, me siguri lexuesit kishin fragmente të preferuara, tamam si ne sot. (Lexo Psalmin 119:162-165.) Vërtet, Fjala e Perëndisë ka mbijetuar, ose ‘ka mbetur’, pavarësisht se gjuha e përbashkët ka ndryshuar me kalimin e kohës.

KUNDËRSHTIMI NDAJ PËRKTHIMIT TË BIBLËS

10. Pse shumica e njerëzve nuk kishin thuajse fare mundësi ta lexonin Biblën në kohën e Xhon Uajklifit?

10 Hera-herës forca shumë të fuqishme janë përpjekur ta mbajnë Biblën larg njerëzve të thjeshtë. Gjithsesi, njerëz të sinqertë luftuan ndaj këtij kundërshtimi. Për shembull, mendo për teologun e shekullit të 14-të, Xhon Uajklifin. Ai kishte bindjen e fortë se të gjithë duhej të kishin mundësi të përfitonin nga Fjala e Perëndisë. Por në kohën e tij, njerëzit e thjeshtë në Angli nuk kishin thuajse fare mundësi të lexonin Biblën. Përse? Një arsye është se shumicës nuk ua mbante xhepi të blinin një Bibël, pasi kopjet e saj shkruheshin me dorë dhe kushtonin shtrenjtë. Veç kësaj, pjesa më e madhe e njerëzve ishin analfabetë. Patjetër, mund të kishin dëgjuar disa fragmente që lexoheshin në kishë, ama zor se i kuptonin. Pse? Sepse Bibla zyrtare e Kishës (Vulgata) ishte shkruar në latinisht. Mirëpo, në Mesjetë, latinishtja ishte praktikisht një gjuhë e vdekur për njerëzit e thjeshtë. Si do të zbuloheshin për ta thesaret e vyera të Biblës?​—Prov. 2:1-5.

Xhon Uajklifi dhe të tjerë donin ta vinin në dispozicion të kujtdo Fjalën e Perëndisë. A e ke edhe ti këtë dëshirë? (Shih paragrafin 11.)

11. Çfarë ndikimi pati Bibla e Uajklifit?

11 Në vitin 1382 doli në anglisht përkthimi që më vonë u njoh si Bibla e Uajklifit. Ajo u mirëprit menjëherë nga ithtarët e Uajklifit. Këta predikues udhëtues, të njohur si lolardët, donin që Fjala e Perëndisë të depërtonte në mendjet e në zemrat e njerëzve të thjeshtë. Prandaj udhëtonin më këmbë nga fshati në fshat anekënd Anglisë. Shpesh lolardët u lexonin atyre që takonin pjesë nga Bibla e Uajklifit dhe shpërndanin kopje të shkruara. Përpjekjet e tyre shënuan vërtet një pikë kthese, pasi rindezën interesin e njerëzve për Fjalën e Perëndisë.

12. Si reagoi kleri ndaj Uajklifit dhe lëvizjes së tij?

12 Si reagoi kleri? Tregoi urrejtje për Uajklifin, ithtarët dhe Biblën e tij. Autoritetet fetare i përndoqën lolardët. Kërkuan gjithandej kopjet e Biblës së Uajklifit dhe i shkatërruan të gjitha ato që gjetën. Edhe pasi vdiq, Uajklifin e shpallën heretik. Sigurisht, ishte e pamundur të ndëshkoje dikë që nuk jetonte më. Prapëseprapë, kleri urdhëroi të zhvarrosnin dhe të digjnin eshtrat e Uajklifit, dhe hirin e hodhën në lumin Suift. Ama Kisha nuk e ndalte dot përhapjen e vrullshme të Fjalës së Perëndisë mes atyre që dëshironin ta lexonin e ta kuptonin. Në shekujt që pasuan, shumë veta në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës nisën t’i jepnin shtysë përkthimit dhe shpërndarjes së Biblës për dobinë e njerëzve të thjeshtë.

«AI QË TË MËSON SE SI TË NXJERRËSH DOBI PËR VETE»

13. Për çfarë jemi të bindur, dhe si na e forcon kjo besimin?

13 Sot s’ka pse të mendojmë që puna e përkthimit të Septuagintës, të Biblës së Uajklifit, të versionit King James ose të çfarëdo përkthimi tjetër ishte e frymëzuar nga Perëndia. Gjithsesi, kur shqyrtojmë historinë e këtyre përkthimeve dhe të shumë të tjerave që janë botuar, kuptojmë se ajo mbështet këtë fakt: Fjala e Jehovait ‘ka mbetur’ tamam siç premtoi ai. A nuk ta forcon kjo besimin se çdo premtim tjetër i Jehovait do të plotësohet?​—Jos. 23:14.

14. Si na e thellon dashurinë për Perëndinë Fjala e tij?

14 Kur shqyrtojmë se si ‘ka mbetur’ Bibla ndër shekuj, përveçse na forcohet besimi, na thellohet edhe dashuria për Jehovain. * Në fund të fundit, pse e siguroi ai Fjalën e tij? Dhe pse garantoi se ajo do të mbijetonte? Sepse na do dhe dëshiron të na mësojë se si të nxjerrim dobi. (Lexo Isainë 48:17, 18.) Natyrisht, është me vend t’i përgjigjemi dashurisë së tij duke e dashur edhe ne e duke iu bindur urdhërimeve të tij.​—1 Gjon. 4:19; 5:3.

15. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

15 Është më se logjike të arrijmë në përfundimin se çmueshmëria për Fjalën e Perëndisë do të na ngjallë dëshirën të nxjerrim plotësisht dobi prej saj. Si mund të përfitojmë në maksimum nga leximi personal i Biblës? Ç’mund të na ndihmojë ta drejtojmë vëmendjen te Bibla në shërbim? Si mund t’i bëjnë Shkrimet boshtin e mësimdhënies së tyre ata që mësojnë nga podiumi? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.

^ par. 4 Shih artikullin «A duhet të mësosh hebraisht e greqisht?» në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2009.

^ par. 5 Disa idioma të gjuhës angleze e kanë zanafillën te versioni King James, si për shembull «ra përmbys me fytyrën përdhe», «me lëkurën e dhëmbëve» dhe «zbraz zemrën».​—Num. 22:31; Jobi 19:20, shën.; Psal. 62:8.

^ par. 14 Vër re kutinë « Eja ta shohësh vetë!»