A e di sa është ora?
ÇFARË bën kur do të dish sa është ora? Ka shumë të ngjarë që i hedh një sy orës së dorës a një ore tjetër. Por, si përgjigjesh nëse një shok të pyet sa është ora? Ka lloj-lloj mënyrash për ta thënë këtë.
Për shembull, ta zëmë se ka kaluar një orë e gjysmë nga mesdita. Ti ndoshta përgjigjesh se ora është 1 e 30. Por, në varësi të vendit ku jeton e të mënyrës si shprehen zakonisht njerëzit, mbase thua se ora është 13 e 30. Kjo mënyrë e dytë bazohet në sistemin 24-orësh. Ka edhe vende ku do të përgjigjeshin se ora është «gjysmë dy», që do të thotë se duhen 30 minuta për të shkuar 2.
Si lexues i Biblës, ndoshta pyet veten si e përcaktonin njerëzit kohën në periudhën kur u shkrua Bibla. Ekzistonte më shumë se një mënyrë. Në pjesën hebraike të Biblës, gjejmë termat «mëngjes», «mesditë», «në mes të ditës» dhe «mbrëmja». (Zan. 8:11; 19:27; 43:16; Ligj. 28:29; 1 Mbret. 18:26) Megjithatë, në disa raste Shkrimet përdorin terma më ekzaktë për kohën.
Në kohët biblike ishte zakon të viheshin roja, sidomos për të vigjiluar natën. Shekuj para lindjes së Jezuit, izraelitët e ndanin natën në tri periudha që quheshin ndërresa, ngaqë ndërroheshin rojat. (Psal. 63:6) Te Gjykatësit 7:19 përmendet «ndërresa e mesnatës». Në kohën e Jezuit, judenjtë kishin përvetësuar sistemin grek dhe romak, sipas të cilit nata kishte katër ndarje ose ndërresa.
Këto ndërresa përmenden disa herë në ungjij. Për shembull, Jezui eci mbi ujë për të vajtur te barka ku ishin dishepujt «në kohën e ndërresës së katërt të natës». (Mat. 14:25, shën.) Në një ilustrim, Jezui tha: «Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë [në ç’ndërresë] do të vinte hajduti, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia.»—Mat. 24:43.
Jezui i përmendi të katra ndërresat e natës kur u tha dishepujve të tij: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur a në mesnatë, kur të këndojë gjeli a herët në mëngjes.» (Mar. 13:35) Ndërresa e parë, ajo «në të ngrysur», zgjaste nga perëndimi i diellit deri rreth orës nëntë të mbrëmjes. E dyta, ndërresa ‘e mesnatës’, fillonte rreth orës nëntë të mbrëmjes e mbaronte në mesnatë. Ndërresa e tretë, e përshkruar me fjalët «kur të këndojë gjeli», vazhdonte nga mesnata deri rreth orës tre të mëngjesit. Ka të ngjarë që gjatë kësaj ndërrese këndoi dy herë gjeli natën e arrestimit të Jezuit. (Mar. 14:72) Ndarja e katërt e natës, ndërresa e quajtur «herët në mëngjes», fillonte aty rreth orës tre të mëngjesit dhe mbaronte kur lindte dielli.
Pra, edhe pse njerëzit në periudhën kur u shkrua Bibla nuk i kishin mjetet e sotme për të matur kohën, kishin një sistem për të përcaktuar se ç’moment i ditës ose i natës ishte.