Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 36

A je gati të bëhesh peshkatar njerëzish?

A je gati të bëhesh peshkatar njerëzish?

«Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.»—LUKA 5:10.

KËNGA 73 Jehova, na jep guxim!

PËRMBLEDHJE *

1. Cilën ftesë u bëri Jezui katër peshkatarëve, dhe si reaguan ata?

DISHEPUJT Pjetër, Andrea, Jakov dhe Gjon kishin zanatin e peshkatarit. Imagjino sa u habitën ata kur dëgjuan ftesën e Jezuit: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» * Si reaguan? Bibla thotë: «I lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.» (Mat. 4:18-22) Ky vendim do t’ua ndryshonte jetën përgjithmonë. Ata nuk do të zinin peshq, por ‘do të zinin njerëz’. (Luka 5:10) Sot, Jezui u bën të njëjtën ftesë njerëzve me zemër të sinqertë që e duan të vërtetën. (Mat. 28:19, 20) A e ke pranuar ftesën e Jezuit që të bëhesh peshkatar njerëzish?

2. Pse duhet peshuar seriozisht vendimi për t’u bërë peshkatar njerëzish, dhe çfarë do ta ndihmojë dikë që ta hedhë këtë hap?

2 Ndoshta ke përparuar në studimin e Biblës dhe tani duhet të vendosësh nëse do të bëhesh lajmëtar i lajmit të mirë. Nëse ngurron ta pranosh ftesën e Jezuit, mos u shkurajo. Ka të ngjarë që heziton ngaqë e di sa i rëndësishëm është ky vendim. Vërtet, Bibla thotë se Pjetri dhe shokët e tij i lanë «menjëherë» rrjetat. Megjithatë, vendimi që morën nuk ishte i rrëmbyer. Ata kishin mbi gjashtë muaj që e njihnin Jezuin dhe kishin pranuar se ishte Mesia. (Gjoni 1:35-42) Edhe ti duhet të kesh mësuar për Jehovain dhe Jezuin e dëshiron të vazhdosh ta forcosh miqësinë me Jehovain. Ama këtë vendim nuk duhet ta marrësh pa llogaritur koston. Çfarë i ndihmoi Pjetrin dhe të tjerët ta merrnin këtë vendim?

3. Cilat cilësi do të ta forcojnë dëshirën të pranosh ftesën e Jezuit?

3 Dishepujt e parë të Jezuit ishin të motivuar dhe kishin njohuri, guxim dhe vetëdisiplinë, prandaj ishin peshkatarë të zotë. Pa dyshim që të njëjtat cilësi i ndihmuan të ishin të efektshëm si peshkatarë njerëzish. Në këtë artikull do të shohim si mund t’i kultivosh këto cilësi që të jesh i efektshëm në veprën e predikimit.

USHQE MOTIVET E DUHURA

Pjetri dhe shumë të tjerë u bënë peshkatarë njerëzish. Kjo vepër jetësore vazhdon edhe në ditët tona (Shih paragrafët 4-5)

4. Çfarë e motivonte Pjetrin të ishte peshkatar?

Pjetri zinte peshq për të mbajtur familjen, por kjo nuk ishte thjesht një punë për të. Ai e donte shumë peshkimin. (Gjoni 21:3, 9-15) Pjetri mësoi të donte edhe caktimin si peshkatar njerëzish. E me mbështetjen e Jehovait, u bë goxha i zoti në atë vepër.—Vep. 2:14, 41.

5. Sipas Lukës 5:8-11, pse kishte frikë Pjetri, dhe çfarë mund të na ndihmojë ne të mposhtim ndjenja të tilla?

5 Ne predikojmë ngaqë e duam Jehovain; ky është motivi kryesor pse e bëjmë këtë vepër. Dashuria për Jehovain mund të na ndihmojë t’u flasim të tjerëve për të edhe nëse ndihemi të pazotë. Kur e ftoi Pjetrin të bëhej peshkatar njerëzish, Jezui i tha: «Mos ki më frikë.» (Lexo Lukën 5:8-11.) Pjetrin nuk e paralizoi frika se ç’mund të ndodhte po të bëhej dishepull. Ai u trondit ngaqë pa sa shumë peshq zunë me ndihmën e Jezuit dhe ndihej i padenjë të punonte përkrah tij. Ashtu si Pjetri, edhe ti mund të ndiesh frikë. Ndoshta të kap ankthi kur mendon se çfarë përfshin të jesh dishepull i Krishtit. Nëse është kështu, forco dashurinë për Jehovain, për Jezuin dhe për njerëzit. Kjo do të të ndihmojë të pranosh ftesën e Jezuit që të bëhesh peshkatar njerëzish.—Mat. 22:37, 39; Gjoni 14:15.

6. Cilat janë disa motive të tjera që na shtyjnë të predikojmë?

6 Cilat janë disa motive të tjera që na shtyjnë të predikojmë? Ne duam t’i bindemi urdhrit të Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj.» (Mat. 28:19, 20) Predikojmë edhe ngaqë njerëzit janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur’ dhe kanë tmerrësisht nevojë të mësojnë të vërtetën për Mbretërinë. (Mat. 9:36) Jehovai dëshiron që njerëz të çdo lloji të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën dhe të shpëtojnë.—1 Tim. 2:4.

7. Si e tregon Romakëve 10:13-15 sa rëndësi ka vepra e predikimit?

7 Kur mendojmë për ndikimin që mund të ketë vepra e predikimit, kjo do të na motivojë të marrim pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Ndryshe nga peshkatarët që zënë peshq për t’i shitur ose për t’i ngrënë, ne ‘zëmë’ njerëz për t’u shpëtuar jetën.—Lexo Romakëve 10:13-15; 1 Tim. 4:16.

THELLO NJOHURINË

8-9. Çfarë duhet të dijë një peshkatar, dhe pse?

8 Në kohën e Jezuit, një peshkatar izraelit duhej të dinte se cilat krijesa ujore mund të zinte. (Lev. 11:9-12) Gjithashtu duhej të dinte ku mund të gjente peshq. Zakonisht peshqit rrinë në ujëra me kushte të përshtatshme për ta dhe ku gjejnë ushqim me bollëk. A ka rëndësi koha kur del për peshk një peshkatar? Një misionar në një ishull të Paqësorit mësoi se ka një kohë që është më e përshtatshme për të zënë peshq. Kur një Dëshmitar vendas e ftoi të dilnin për peshk, misionari i tha: «Epo mirë, shihemi nesër në mëngjes nga ora nëntë.» Vëllai ia ktheu: «Po peshkimi nuk bëhet ashtu. Ne dalim kur është koha më e mirë për të gjetur peshq, jo kur është koha më e mirë për ne.»

9 Edhe peshkatarët e njerëzve në shekullin e parë shkonin në ato vende ku kishte ‘peshq’ dhe në një kohë kur kishte shumë gjasa t’i gjenin atje. Për shembull, dishepujt e Jezuit predikonin në tempull e në sinagoga, shtëpi më shtëpi dhe në sheshe pazari. (Vep. 5:42; 17:17; 18:4) Edhe ne duhet t’i njohim mirë zakonet e njerëzve në territorin tonë. Duhet të jemi elastikë e të predikojmë në ato vende e në atë kohë kur ka më shumë gjasa të gjejmë njerëz.—1 Kor. 9:19-23.

PESHKATARËT E ZOTË . . . 1. punojnë në atë kohë e në ato vende ku ka më shumë gjasa të gjejnë peshq (Shih paragrafët 8-9)

10. Çfarë na siguron organizata e Jehovait që të jemi të efektshëm në shërbim?

10 Një peshkatar duhet të ketë pajisjet e duhura dhe duhet të dijë si t’i përdorë. Edhe ne duhet të jemi të pajisur siç duhet për veprën tonë. Gjithashtu duhet të dimë si t’i përdorim këto pajisje. Jezui u dha udhëzime të qarta dishepujve të tij si të peshkonin për të zënë njerëz. U tha çfarë të merrnin me vete, ku të predikonin dhe çfarë të thoshin. (Mat. 10:5-7; Luka 10:1-11) Sot, organizata e Jehovait na ka siguruar Çantën e mjeteve mësimore, e cila përmban mjete goxha të efektshme. * Ajo na mëson edhe si t’i përdorim këto mjete. Kjo stërvitje na ndihmon të fitojmë siguri dhe aftësitë e nevojshme për të qenë të efektshëm në veprën tonë.—2 Tim. 2:15.

PESHKATARËT E ZOTË . . . 2. dinë të përdorin pajisjet e duhura (Shih paragrafin 10)

MERR GUXIM

11. Pse u duhet guxim peshkatarëve të njerëzve?

11 Peshkatarët duhet të jenë të guximshëm, sepse ndonjëherë ndeshen me situata të papritura. Shpesh punojnë natën, dhe në det mund të shpërthejnë befas stuhi. Edhe neve si peshkatarë njerëzish na duhet guxim. Kur fillojmë të predikojmë dhe u themi të tjerëve se jemi Dëshmitarë të Jehovait, mund të përballemi me ‘stuhitë’ e kundërshtimit nga familja, të talljeve nga shoqëria dhe të qëndrimit armiqësor ndaj mesazhit tonë. Por kjo nuk na çudit. Jezui paralajmëroi se do t’i dërgonte dishepujt e tij të predikonin në një ambient armiqësor.—Mat. 10:16.

12. Në harmoni me Josiun 1:7-9, çfarë mund të na ndihmojë të marrim më shumë guxim?

12 Si mund të marrësh guxim? Në radhë të parë, ki besim të plotë se Jezui po vazhdon ta drejtojë këtë vepër nga qielli. (Gjoni 16:33; Zbul. 14:14-16) Pastaj forco besimin te premtimi i Jehovait se do të kujdeset për ty. (Mat. 6:32-34) Sa më shumë ta forcosh besimin, aq më i guximshëm do të jesh. Pjetri dhe shokët e tij treguan besim të madh kur lanë punën me të cilën siguronin jetesën, me qëllim që të ndiqnin Jezuin. Edhe ti tregove besim të madh kur u the shokëve dhe pjesëtarëve të familjes se kishe filluar të studioje Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të ndiqje mbledhjet. Pa dyshim, ke bërë ndryshime rrënjësore në sjellje dhe në jetë për të jetuar sipas normave të drejta të Jehovait. Edhe për këtë t’u desh besim dhe guxim. Ndërsa forcon edhe më shumë guximin, mund të jesh i sigurt se ‘Jehovai, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh’.—Lexo Josiun 1:7-9.

PESHKATARËT E ZOTË . . . 3. punojnë me guxim në çfarëdo rrethane (Shih paragrafët 11-12)

13. Si mund të të ndihmojnë meditimi dhe lutja që të marrësh më shumë guxim?

13 Çfarë tjetër mund të të ndihmojë të marrësh më shumë guxim? Lutju Jehovait të të japë guxim. (Vep. 4:29, 31) Ai do t’u përgjigjet lutjeve të tua dhe nuk do të të braktisë kurrë. Jehovai është gjithmonë pranë teje për të të mbështetur. Veç kësaj, mund të meditosh si ka shpëtuar ai në të kaluarën disa adhurues të tij. Gjithashtu, mendo edhe si të ka ndihmuar ty përballë vështirësive dhe si të ka dhënë forcë për të bërë ndryshime në jetë. Pa dyshim, ai që i priu popullit të tij dhe e nxori nga Deti i Kuq, mund të të ndihmojë edhe ty të jesh dishepull i Krishtit. (Eks. 14:13) Ki po atë besim të patundur si psalmisti që tha: «Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»—Psal. 118:6.

14. Çfarë të mëson shembulli i Masaes dhe i Tomojës?

14 Një mënyrë tjetër si të marrësh guxim, është të mendosh si i ka ndihmuar Jehovai të bëhen të guximshëm ata që janë tipa të ndrojtur. Të shohim rastin e një motre që quhet Masae. Ajo ishte e ndrojtur dhe mendonte se nuk do t’u fliste dot kurrë të tjerëve për besimin e saj. Thjesht mendimi që të fliste me të panjohur i dukej si një mur gjigant i pakapërcyeshëm. Prandaj u përpoq akoma më fort të thellonte dashurinë për Perëndinë dhe për njerëzit. Meditoi sa urgjente është vepra jonë sot dhe u lut për ndihmë që të forconte dëshirën për të predikuar. Ajo e mposhti frikën, e madje shërbeu si pioniere e rregullt. Jehovai i ndihmon edhe lajmëtarët e rinj të jenë të guximshëm. Këtë e tregon rasti i një motre që quhet Tomoja. Kur filloi të predikonte shtëpi më shtëpi, te dera e parë doli një grua që i bërtiti: «As dua t’ua shoh bojën Dëshmitarëve të Jehovait», dhe përplasi derën. Plot guxim, Tomoja i tha shoqes së shërbimit: «E pe? Pa thënë asnjë fjalë unë, ajo më njohu si Dëshmitare e Jehovait. Sa e kënaqur jam!» Tomoja tani shërben si pioniere e rregullt.

KULTIVO VETËDISIPLINË

15. Çfarë është vetëdisiplina, dhe pse është e rëndësishme për shërbëtorët e Jehovait?

15 Peshkatarët e suksesshëm kanë vetëdisiplinë. Vetëdisiplina përkufizohet si «aftësia për ta detyruar veten të bësh gjërat që duhen bërë». Peshkatarët duhet ta disiplinojnë veten që të çohen herët, të qëndrojnë derisa të mbarojë krejt puna e të ngulmojnë edhe në mot të keq. Edhe ne na nevojitet vetëdisiplinë për të treguar qëndrueshmëri e për ta çuar deri në fund veprën tonë.—Mat. 10:22.

16. Si mund të zhvillojmë vetëdisiplinë?

16 Ne nuk lindim me vetëdisiplinë. Përkundrazi, prirja jonë zakonisht është të ndjekim rrugën më të lehtë. Na duhet vetëkontroll për të disiplinuar veten. Prandaj kemi nevojë për ndihmë që të stërvitemi të bëjmë ato gjëra që na duken të vështira. Jehovai na e jep këtë ndihmë me anë të frymës së tij të shenjtë.—Gal. 5:22, 23.

17. Si i përshkroi apostulli Pavël te 1 Korintasve 9:25-27 përpjekjet e tij për të kultivuar vetëdisiplinë?

17 Apostulli Pavël kishte vetëdisiplinë. Megjithatë, ai pranoi se duhej ‘ta rrihte me grushte’ trupin e vet për të bërë atë që ishte e drejtë. (Lexo 1 Korintasve 9:25-27.) Ai i nxiti të tjerët ta disiplinonin veten e të bënin çdo gjë «në mënyrë dinjitoze dhe me rregull». (1 Kor. 14:40) Na duhet vetëdisiplinë që të mbajmë një program të mirë në adhurimin e Jehovait ku përfshihet edhe pjesëmarrja e rregullt në veprën e figurshme të peshkimit.—Vep. 2:46.

MOS VONO!

18. Ç’duhet të bëjmë që të jemi të suksesshëm në sytë e Jehovait?

18 Një peshkatar e mat suksesin e tij nga sasia e peshqve që zë. Kurse ne nuk e matim suksesin tonë nga numri i njerëzve që ndihmojmë të hynë në organizatën e Jehovait. (Luka 8:11-15) Për sa kohë të predikojmë e të mësojmë lajmin e mirë pa u dorëzuar, në sytë e Jehovait jemi të suksesshëm. Pse? Sepse po i bindemi atij dhe Birit të tij.—Mar. 13:10; Vep. 5:28, 29.

19-20. Cila është një arsye e veçantë që kemi sot për të predikuar?

19 Në disa vende, peshkimi lejohet vetëm në muaj të caktuar. Ndërsa sezonit të peshkimit i afrohet fundi, peshkatarët mund ta kenë më të fortë ndjenjën e urgjencës për të zënë sa më shumë peshq. Si peshkatarë njerëzish, sot kemi një arsye më shumë për të predikuar: fundi i këtij sistemi po afrohet me shpejtësi! Ka mbetur fare pak kohë për të marrë pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Prandaj mos vono e mos prit kushtet e përsosura që të marrësh pjesë edhe ti në këtë vepër jetësore.—Ekl. 11:4.

20 Vepro tani që të forcosh motivet për të predikuar, të thellosh njohurinë për Biblën, të marrësh më shumë guxim e të kultivosh vetëdisiplinë. Bashkohu me më shumë se tetë milionë peshkatarë njerëzish e do të provosh edhe ti gëzimin që jep Jehovai. (Neh. 8:10) Ji i vendosur të predikosh me gjithë shpirt dhe të ngulmosh derisa Jehovai të thotë se vepra ka mbaruar. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë tri mënyra si ta forcojmë vendosmërinë për të vazhduar veprën e predikimit për Mbretërinë si peshkatarë njerëzish.

KËNGA 66 Të predikojmë lajmin e mirë

^ par. 5 Jezui ftoi peshkatarë të përulur e të papërtuar që të bëheshin dishepujt e tij. Sot, Jezui vazhdon të ftojë njerëz me po këto cilësi që të bëhen peshkatarë njerëzish. Në këtë artikull do të shqyrtojmë se çfarë kanë nevojë të bëjnë ata studentë të Biblës që ngurrojnë ta pranojnë ftesën e Jezuit.

^ par. 1 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shprehja «peshkatarë njerëzish» përfshin të gjithë ata që predikojnë lajmin e mirë dhe i mësojnë të tjerët të bëhen dishepuj të Krishtit.

^ par. 10 Shih artikullin «T’u mësojmë të tjerëve të vërtetën» në Kullën e Rojës të tetorit 2018, f. 11-16.