Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 39

T’u bëhemi krah motrave tona

T’u bëhemi krah motrave tona

«Një ushtri e madhe janë gratë që shpallin lajmin e mirë.»PSAL. 68:11.

KËNGA 137 Besnike, të dashura, të vyera

PËRMBLEDHJE *

Motrat tona të zellshme e të palodhura marrin pjesë në mbledhje, dalin në shërbim, ndihmojnë për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë dhe interesohen sinqerisht për bashkëbesimtarët (Shih paragrafin 1)

1. Si janë një mbështetje për organizatën motrat, por cilat vështirësi hasin shumë prej tyre? (Shih figurën e kopertinës.)

SA BUKUR që në kongregacione kemi kaq shumë motra që punojnë pa u lodhur! Për shembull, marrin pjesë në mbledhje, predikojnë e mësojnë lajmin e mirë dhe disa ndihmojnë për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu interesohen sinqerisht për vëllezërit e motrat. Por, natyrisht, ato hasin edhe sfida. Disa kujdesen për prindërit e moshuar. Të tjera përballen me kundërshtime nga familjarët. E disa motra që janë prind i vetëm, punojnë pa përtuar për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme.

2. Pse duhet të përpiqemi t’u bëhemi krah motrave?

2 Pse është e rëndësishme t’u bëhemi krah motrave tona? Sepse shpesh bota nuk i trajton gratë me dinjitetin që u takon. Veç kësaj, Bibla na inkurajon t’u bëhemi krah. Për shembull, apostulli Pavël i kërkoi kongregacionit të Romës ta mirëpriste Febën dhe ‘ta ndihmonte për çdo gjë që mund të kishte nevojë’. (Rom. 16:1, 2) Kur ishte farise, Pavli bënte pjesë në një grup që i trajtonte gratë si inferiore. Por, pasi u bë i krishterë, ai imitonte Jezuin dhe i trajtonte gratë me dinjitet e dashamirësi.—1 Kor. 11:1.

3. Si i trajtonte Jezui gratë, dhe si ndihej për ato që bënin vullnetin e Perëndisë?

3 Jezui i trajtonte të gjitha gratë me dinjitet. (Gjoni 4:27) Nuk i shihte ato me syrin e krerëve fetarë judenj të kohës së tij. Në një enciklopedi për Biblën thuhet: «Jezui nuk tha kurrë ndonjë fjalë që i denigron ose i ul gratë.» Por ai kishte akoma më shumë nderim për ato gra që bënin vullnetin e Atit të tij. Madje Jezui tha se, mes atyre që i konsideronte si familjen e tij, kishte edhe burra, edhe gra.—Mat. 12:50.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Jezui ishte përherë gati t’i ndihmonte motrat. Tregonte konsideratë për to, i vlerësonte dhe i mbronte. Le të shqyrtojmë si mund ta imitojmë Jezuin.

TË TREGOJMË KONSIDERATË PËR MOTRAT TONA

5. Pse disa motra mund ta kenë të vështirë të gjejnë shoqëri inkurajuese?

5 Të gjithë ne, vëllezër a motra, kemi nevojë për shoqëri të mira. Por ndonjëherë motrat mund ta kenë të vështirë të gjejnë shoqërinë inkurajuese që u nevojitet. Pse? Shiko këto komente. Një motër që quhet Xhoana * thotë: «Ngaqë jam beqare, shpesh ndihem si e huaj në kongregacion, sikur nuk kam ndonjë vlerë.» Kristina, një pioniere që u transferua në një zonë tjetër për të zgjeruar shërbimin, thotë: «Kur shkon në një kongregacion të ri, mund të ndihesh e vetmuar.» Kush jeton në një familje të ndarë nga ana fetare, mund të ndihet disi e mënjanuar nga familja dhe, në të njëjtën kohë, e izoluar nga vëllezërit e motrat. Disa mund të ndihen të vetmuara ngaqë nuk dalin dot nga shtëpia për shkak të shëndetit ose ngaqë u duhet të kujdesen për familjarët e sëmurë. Për shembull, Aneta thotë: «Nuk pranoja dot ftesa nga vëllezërit e motrat se më duhej të kujdesesha për mamanë.»

Ashtu si Jezui, mund të tregojmë merak të dashur për motrat besnike (Shih paragrafët 6-9) *

6. Siç tregon Luka 10:38-42, si i ndihmoi Jezui Martën dhe Marinë?

6 Jezui kalonte kohë me motrat dhe ishte mik i vërtetë për to. Një shembull është miqësia e tij me Marinë dhe Martën që, me sa duket, ishin të dyja beqare. (Lexo Lukën 10:38-42.) Pa dyshim, me fjalët e veprimet e tij, Jezui i bënte të ndiheshin rehat. Për shembull, Maria u ndie rehat të ulej te këmbët e tij si një dishepulle. * Edhe Marta, e merakosur që Maria nuk po e ndihmonte, u ndie e lirshme t’ia thoshte Jezuit atë që mendonte. Në atë atmosferë të çlirët, Jezui i ndihmoi të dyja gratë të nxirrnin mësime me vlerë. Gjithashtu tregoi se interesohej për to dhe vëllanë e tyre, Lazarin, duke u shkuar për vizitë edhe në raste të tjera. (Gjoni 12:1-3) Prandaj kur Lazari u sëmur rëndë, Maria dhe Marta ishin të sigurta se mund të mbështeteshin te Jezui për ndihmë.—Gjoni 11:3, 5.

7. Cila është një mënyrë si mund t’i inkurajojmë motrat?

7 Për disa motra, mbledhjet janë një nga mundësitë e pakta për të qenë me bashkëbesimtarët. Ja pse duam t’i shfrytëzojmë këto mundësi që të ndihen të mirëpritura, që të bisedojmë me to dhe t’u tregojmë sa shumë i kemi për zemër. Xhoana, e përmendur më sipër, thotë: «Marr zemër kur të tjerët më lavdërojnë për ndonjë koment, planifikojnë të dalin me mua në shërbim ose tregojnë interes për mua në ndonjë mënyrë tjetër.» Duhet t’u tregojmë motrave se janë të rëndësishme për ne. Kiara thotë: «Nëse mungoj në ndonjë mbledhje, e di që disa do të më shkruajnë për t’u interesuar si jam. Kjo më tregon se vëllezërit e motrat kanë merak për mua.»

8. Cilat janë disa mënyra të tjera si mund ta imitojmë Jezuin?

8 Ashtu si Jezui, mund të programojmë kohë për të ndenjur me motrat. Ndoshta mund t’i ftojmë për një vakt të lehtë ose për t’u zbavitur. Në këto raste, duhet të sigurohemi që biseda të jetë inkurajuese. (Rom. 1:11, 12) Jezui e dinte se beqaria mund të ishte e vështirë për disa, por e bëri të qartë se çelësi i lumturisë së përhershme nuk është as të martohesh, as të kesh fëmijë. (Luka 11:27, 28) Përkundrazi, lumturia jetëgjatë vjen kur kemi në qendër të jetës shërbimin e Jehovait. Pleqtë bëjnë mirë të imitojnë pikëpamjen e Jezuit për beqarinë.—Mat. 19:12.

9. Çfarë mund të bëjnë pleqtë për të ndihmuar motrat?

9 Pleqtë në veçanti duhet t’i trajtojnë gratë në kongregacion si motrat dhe nënat e tyre. (1 Tim. 5:1, 2) Ata bëjnë mirë të gjejnë kohë para ose pas mbledhjes për të biseduar me motrat. Kristina, e përmendur më sipër, thotë: «Një plak e vuri re se isha goxha e ngarkuar dhe donte të dinte si e kisha programin. U ndjeva shumë mirënjohëse për interesimin e tij të sinqertë.» Kur pleqtë lënë kohë rregullisht që të bisedojnë me motrat, tregojnë se merakosen për to. * Aneta, që u citua më sipër, thekson një dobi të bisedave të rregullta me pleqtë. Ajo thotë: «Kështu i njoh më mirë pleqtë, dhe ata më njohin më mirë. Pastaj, kur kaloj një periudhë të vështirë, ndihem më rehat t’u kërkoj ndihmë.»

T’I VLERËSOJMË MOTRAT TONA

10. Si mund të ndihmojmë që motrat tona të ndihen të lumtura?

10 Të gjithë ne, burra a gra, çelemi kur të tjerët i vlerësojnë aftësitë tona dhe shprehin mirënjohjen për atë që bëjmë. Nga ana tjetër, nëse talentet dhe punën tonë nuk i vlerëson askush, shkurajohemi. Një pioniere beqare që quhet Abigaila pranon se ndonjëherë ndihet e shpërfillur. Ajo thotë: «Të tjerët më shohin thjesht si motra e filanit ose vajza e fistekut. Nganjëherë më duket sikur jam e padukshme.» Ama kur vëllezërit e motrat gjejnë kohë për motrat beqare e ua shprehin vlerësimin, ato mund të ndihen si Pamela. Ajo shërbeu shumë vjet si misionare. Kohë më vonë, u kthye në shtëpi që të kujdesej për prindërit. Tani që është në të 70-at, ajo vazhdon të shërbejë si pioniere. Pamela thotë: «Një gjë që më inkurajon shumë është kur të tjerët ma shprehin sa më vlerësojnë.»

11. Si tregoi vlerësim Jezui për gratë që e kishin shoqëruar në shërbim?

11 Jezui e vlerësonte ndihmën e grave besnike që i shërbenin «duke përdorur pasuritë e tyre». (Luka 8:1-3) Ai jo vetëm u dha privilegjin që t’i shërbenin, por edhe u mësoi të vërteta të rëndësishme për vullnetin e Perëndisë. Për shembull, u tregoi se do të vdiste e do të ringjallej. (Luka 24:5-8) Siç kishte bërë edhe me apostujt, i përgatiti ato gra për sprovat që do të hasnin. (Mar. 9:30-32; 10:32-34) Dhe ia vlen të përmendim që, ndërsa apostujt ia mbathën kur Jezuin e arrestuan, disa gra që e kishin mbështetur, i ndenjën pranë kur po vdiste në shtyllën e torturës.—Mat. 26:56; Mar. 15:40, 41.

12. Çfarë detyrash u besoi Jezui grave?

12 Jezui u besoi grave detyra të rëndësishme. Për shembull, gratë besnike ishin dëshmitaret e para të ringjalljes së tij. Ai u kërkoi t’u çonin apostujve lajmin se ishte kthyer në jetë. (Mat. 28:5, 9, 10) Gjithashtu, mes atyre që u mbushën me frymë të shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s, mund të kishte edhe gra. Nëse ishte kështu, motrat e sapomirosura ka të ngjarë që morën aftësinë e mrekullueshme që të flitnin në gjuhë të huaja dhe t’u tregonin të tjerëve «gjërat madhështore të Perëndisë».—Vep. 1:14; 2:2-4, 11.

13. Çfarë punësh bëjnë motrat tona sot, dhe si mund të tregojmë vlerësim për atë që bëjnë?

13 Motrat tona meritojnë lavdërime për tërë ato gjëra që bëjnë në shërbim të Jehovait. Ky shërbim përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e godinave tona, predikimin me grupet e gjuhëve të huaja dhe punën vullnetare në Bethel. Ato japin ndihmë në raste katastrofash, ndihmojnë për përkthimin e botimeve tona dhe shërbejnë si pioniere e misionare. Ashtu si vëllezërit, edhe motrat ndjekin shkollën e pionierit, Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe Shkollën e Galadit. Veç kësaj, gratë ndihmojnë burrat e tyre të mbajnë një peshë të rëndë në kongregacion e në organizatë. Këta vëllezër me përgjegjësi do ta kishin më të vështirë të shërbenin si «dhurata në njerëz» pa mbështetjen e grave të tyre. (Efes. 4:8) A të vijnë ndër mend disa mënyra si t’i mbështetësh motrat në punën që bëjnë?

14. Çfarë thotë për motrat Psalmi 68:11, dhe çfarë bëjnë pleqtë e mençur?

14 Pleqtë e mençur e kuptojnë se motrat janë «një ushtri e madhe» me lajmëtare të zellshme dhe janë goxha të zonjat në predikimin e lajmit të mirë. (Lexo Psalmin 68:11.) Prandaj ata përpiqen të mësojnë nga motrat. Abigaila, e përmendur më sipër, inkurajohet kur vëllezërit e pyesin se cilat mënyra i duken të efektshme për të hapur biseda me njerëzit në territor. Ajo thotë: «Nga kjo kuptoj se Jehovai më ka dhënë një vend në organizatën e tij.» Veç kësaj, pleqtë e kuptojnë se motrat e pjekura dhe besnike janë goxha të afta për t’i ndihmuar motrat më të reja që të përballojnë vështirësitë. (Titit 2:3-5) Pa dyshim, motrat meritojnë dashurinë dhe mirënjohjen tonë!

T’I MBROJMË MOTRAT TONA TË SHTRENJTA

15. Në cilat raste mund të kenë nevojë motrat që t’u dalim krah?

15 Në disa raste, motrat kanë nevojë që t’i mbrojmë ose t’u dalim krah kur hasin ndonjë sfidë. (Isa. 1:17) Për shembull, një vejushë ose një motër e divorcuar mund të ketë nevojë që dikush ta ndihmojë për disa punë që më parë i bënte i shoqi. Një motër e moshuar mund të ketë nevojë për ndihmë që të flasë me mjekët. Ose një pioniere që punon në projekte të tjera teokratike, mund të ketë nevojë që dikush ta mbrojë nëse e kritikojnë se nuk del në shërbim aq shpesh sa pionierët e tjerë. Cila është një mënyrë tjetër si mund t’i ndihmojmë motrat tona? Le t’i kthehemi edhe një herë shembullit të Jezuit.

16. Siç tregon Marku 14:3-9, si i doli Jezui në mbrojtje Marisë?

16 Jezui nuk ngurronte të fliste në mbrojtje të një motre nëse të tjerët e kishin keqkuptuar. Për shembull, ai e mbrojti Marinë kur Marta e kritikoi. (Luka 10:38-42) E mbrojti edhe në një rast kur të tjerët e qortuan ngaqë, sipas tyre, kishte marrë një vendim të gabuar. (Lexo Markun 14:3-9.) Jezui e dalloi motivin e Marisë dhe e lavdëroi me fjalët: «Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje. . . . Ajo bëri atë që mundi.» Madje profetizoi se ‘kudo që të predikohej lajmi i mirë në mbarë botën’, do të kujtohej edhe veprimi dashamirës i asaj gruaje, pikërisht siç po bën edhe ky artikull. Sa shumë duhet t’ia ketë ngrohur zemrën kjo Marisë pasi të tjerët e kishin keqkuptuar dhe e kishin parë shtrembër! Dhe sa e nderuar duhet të jetë ndier që Jezui e përmendi veprën mbarëbotërore bashkë me veprimin e saj altruist!

17. Jepni një shembull se kur mund të jetë e nevojshme ta mbrojmë një motër.

17 A u del në mbrojtje motrave të tua kur kanë nevojë? Mendo, për shembull, për këtë situatë. Disa lajmëtarë shohin se një motër që nuk e ka burrin Dëshmitar shpesh arrin me vonesë në mbledhje dhe ikën menjëherë pas mbledhjes. Gjithashtu vërejnë se rrallë i merr fëmijët me vete. Prandaj e kritikojnë që nuk mban një qëndrim më të vendosur ndaj të shoqit. Ama realiteti është që ajo po bën më të mirën. Motra nuk e ka plotësisht nën kontroll programin e vet, as nuk ka fjalën e fundit në vendimet që kanë të bëjnë me fëmijët e saj. Çfarë mund të bësh në rast se dëgjon që të tjerët e kritikojnë? Nëse e lavdëron motrën dhe përmend gjërat e mira që po bën, mund t’u vësh fre fjalëve negative.

18. Në cilat mënyra të tjera mund t’i ndihmojmë motrat tona?

18 Mund të tregojmë sa merak kemi për motrat tona duke u ofruar ndihmë praktike. (1 Gjon. 3:18) Aneta, motra që kujdesej për mamanë e sëmurë, kujton: «Disa vëllezër e motra vinin për të ma lehtësuar punën ose më sillnin diçka për të ngrënë. Kjo më jepte sigurinë se më donin dhe se isha pjesë e kongregacionit.» Edhe Xhoanës iu bënë krah vëllezërit e motrat. Një vëlla e mësoi si të mirëmbante makinën. Ajo thotë: «Ndihem mirë që vëllezërit e motrat kanë merak për mua dhe duan të jem e sigurt.»

19. Në cilat mënyra të tjera mund t’i ndihmojnë pleqtë motrat?

19 Edhe pleqtë bëjnë çmos të jenë një mbështetje për motrat. Ata e dinë se për Jehovain ka rëndësi mënyra si i trajtojmë ato. (Jak. 1:27) Prandaj imitojnë Jezuin dhe janë të arsyeshëm. Pleqtë tregohen mirëkuptues sa herë që kjo është e përshtatshme, pa nxjerrë rregulla. (Mat. 15:22-28) Kur pleqtë u shkojnë në ndihmë, motrat ndiejnë se Jehovai dhe organizata e tij i kanë për zemër. Mbikëqyrësi i grupit të Kiarës mori vesh se ajo po transferohej në një shtëpi tjetër dhe menjëherë mori masa për ta ndihmuar. Kiara tregon: «Kjo ma lehtësoi shumë stresin. Me fjalët inkurajuese dhe ndihmën praktike, pleqtë më treguan qartë se jam pjesë e rëndësishme e kongregacionit dhe se nuk jam vetëm përballë vështirësive.»

TË GJITHA MOTRAT KANË NEVOJË T’U BËHEMI KRAH

20-21. Si mund të tregojmë se të gjitha motrat janë të shtrenjta për ne?

20 Sot në kongregacione ka plot motra të palodhura që e meritojnë përkrahjen tonë. Siç kemi mësuar nga shembulli i Jezuit, mund t’i mbështetim duke kaluar kohë me to dhe duke i njohur më mirë. Mund t’u tregojmë se i vlerësojmë për gjithçka që bëjnë në shërbim të Jehovait. Gjithashtu mund t’u dalim krah sa herë kanë nevojë për mbrojtje.

21 Në fund të letrës që u shkroi romakëve, apostulli Pavël përmendi me emër nëntë motra. (Rom. 16:1, 3, 6, 12, 13, 15) Pa dyshim që ato morën zemër kur dëgjuan përshëndetjen dhe lavdërimet e tij. Le t’u bëhemi krah edhe ne të gjitha motrave në kongregacion. Kështu u tregojmë se janë pjesë e çmuar e familjes sonë.

KËNGA 136 ‘Një pagë e përsosur nga Jehovai’

^ par. 5 Motrat tona përballen me shumë vështirësi. Në këtë artikull do të shohim si t’u bëhemi krah duke imituar shembullin e Jezuit. Ai kalonte kohë me motrat, tregonte vlerësim për to dhe i mbronte.

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 6 Një vepër referimi thotë: «Dishepujt uleshin te këmbët e mësuesve të tyre. Kështu përgatiteshin që të bëheshin mësues—një rol që gratë nuk u lejohej ta kishin. . . . Pozicioni i Marisë dhe mënyra si i dëgjonte mësimet e Jezuit tërë sy e vesh, binin ndesh me pikëpamjen tradicionale për rolin e gruas . . . dhe shumë burra judenj do të skandalizoheshin nga kjo.»

^ par. 9 Pleqtë tregohen të matur kur ndihmojnë motrat. Për shembull, ata nuk shkojnë vetëm për t’i bërë vizitë një motre.

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ashtu si Jezui që tregonte merak e dashuri për motrat besnike, një vëlla ndihmon dy motra të ndërrojnë gomën e makinës, një tjetër i shkon për vizitë një motre të sëmurë dhe një plak tjetër merr pjesë bashkë me të shoqen në adhurimin familjar të një motre dhe vajzës së saj.