Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A ndodhte vërtet në kohët e lashta që dikush të mbillte egjër në arën e mbjellë të një tjetri?

Kjo kopje e vitit 1468 e veprës Digest të perandorit Justinian është një nga dokumentet e shumta ku jepen hollësi për çështje ligjore të kohëve të lashta

SIPAS Mateut 13:24-26, Jezui tha: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Kur njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. Kur filizi mbiu dhe prodhoi fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat.» Shkrimtarë të ndryshëm kanë ngritur dyshime nëse ky ilustrim duhet parë si real. Megjithatë, dokumente ligjore romake të lashtësisë tregojnë se duhet ta konsiderojmë real.

Një fjalor biblik thotë: «Të mbillje egjra në një arë për qëllime hakmarrjeje . . . ishte krim nën legjislacionin romak. Fakti që nevojitej një ligj për këtë çështje tregon se ky veprim nuk ndodhte rrallë.» Një studiues i ligjit, Alester Keri, shpjegon se më 533 të e.s., perandori romak Justiniani botoi veprën Digest. Ajo ishte një përmbledhje e ligjit romak dhe përmbante citime nga juristët e periudhës klasike të ligjit (rreth 100-250 të e.s.). Sipas kësaj vepre (Digest, 9.2.27.14), juristi Ulpian përmendi një rast të trajtuar nga Celsusi, një burrë shteti romak i shekullit të dytë. Dikush kishte mbjellë egjra në arën e një tjetri, dhe si pasojë prodhimi ishte dëmtuar. Në veprën Digest tregohen të drejtat ligjore që kishte pronari, ose bujku që e kishte marrë me qira arën, që të merrte dëmshpërblim nga keqbërësi për humbjet e tij.

Fakti që në Perandorinë Romake në lashtësi kishte raste që kurdisej me keqdashje një gjë e tillë, tregon se Jezui përshkroi një situatë që ndodhte në realitet.

Sa liri u jepte Roma autoriteteve judaike të Judesë në shekullin e parë?

GJATË asaj periudhe, në Jude sundonin romakët, që përfaqësoheshin nga një guvernator me trupa ushtarake nën komandën e tij. Shqetësimi i tij kryesor ishte të mblidhte taksa për Romën dhe të ruante rendin e qetësinë. Romakët kujdeseshin të shtypnin aktivitetet e jashtëligjshme dhe të ndëshkonin këdo që shkaktonte trazira. Për aspekte të tjera, në përgjithësi ata ia linin me kënaqësi administrimin e përditshëm të provincës autoriteteve vendase.

Sinedri judaik gjatë një seance gjyqësore

Sinedri shërbente si gjykata e lartë dhe si këshilli administrativ i judenjve për çështjet që lidheshin me ligjin judaik. Në mbarë Judenë kishte gjykata më të ulëta. Ka të ngjarë që këto gjykata të trajtonin shumicën e çështjeve civile dhe penale pa ndërhyrjen e qeveritarëve romakë. Megjithatë, ekzistonte një kufizim ndaj kompetencave të gjykatave judaike në lidhje me ekzekutimin e kriminelëve. Këtë të drejtë romakët zakonisht e rezervonin për vete. Një rast i famshëm që bën përjashtim është kur pjesëtarët e Sinedrit gjykuan Stefanin dhe urdhëruan të vritej me gurë.​—Vep. 6:8-15; 7:54-60.

Pra, Sinedri judaik kishte juridiksion të gjerë. Megjithatë, studiuesi Emil Shyrer thotë: «Kufizimi më i madh ishte se autoritetet romake mund të merrnin iniciativën në çdo moment dhe të vepronin të pavarura, siç ndodhte kur dyshonin për ndonjë krim politik.» Një rast i tillë ndodhi nën mbikëqyrjen e komandantit ushtarak Klaud Lisia, i cili arrestoi apostullin Pavël, që ishte qytetar romak.​—Vep. 23:26-30.