ARTIKULLI I STUDIMIT 31
Çmoje si thesar privilegjin e lutjes
«Qoftë lutja ime si temjan i përgatitur mirë para teje!»—PSAL. 141:2.
KËNGA 47 Çdo ditë të lutem, Jehova!
PËRMBLEDHJE *
1. Si duhet ta shohim mundësinë që t’i lutemi Jehovait?
ÇFARË privilegji të mrekullueshëm kemi—të flasim në lutje me Bërësin e qiellit e të tokës! Imagjino: ne mund t’i hapim zemrën Jehovait në çdo moment e në çdo gjuhë, pa qenë nevoja të lëmë një takim. Mund t’i lutemi madje edhe nga shtrati i spitalit ose nga qelia e burgut, të sigurt se Ati ynë i dashur do të na dëgjojë. I jemi pafundësisht mirënjohës për këtë privilegj.
2. Si e tregoi mbreti David se e çmonte si thesar privilegjin e lutjes?
2 Mbreti David e çmonte si thesar privilegjin e lutjes. Ai i këndoi Jehovait: «Qoftë lutja ime si temjan i përgatitur mirë para teje!» (Psal. 141:1, 2) Në kohën e Davidit, temjani i shenjtë që përdornin priftërinjtë për adhurimin e pastër përgatitej me merak. (Eks. 30:34, 35) Duke përmendur temjanin, Davidi po tregonte se donte ta bluante mirë në mendje atë që do t’i thoshte në lutje Atit të tij qiellor. Edhe ne duam me gjithë shpirt që lutjet tona ta kënaqin Jehovain.
3. Çfarë qëndrimi duhet të kemi kur i lutemi Jehovait, dhe pse?
3 Kur i lutemi Jehovait, nuk duhet të jemi të shkujdesur, por duam të tregojmë respekt të thellë. Të mendojmë për vegimet e mahnitshme që panë Isaia, Ezekieli, Danieli dhe Gjoni. Edhe pse ndryshojnë nga njëra-tjetra, këto vegime kanë një gjë të përbashkët. Të gjitha e paraqesin Jehovain si një Mbret të lavdishëm. Për shembull, Isaia e pa «Jehovain të ulur në një fron të lartë e të madhërishëm». (Isa. 6:1-3) Ezekieli e pa Jehovain të ulur në karrocën e tij qiellore, me «një shkëlqim si ai i ylberit» përqark. (Ezek. 1:26-28) Danieli e pa ‘të Lashtin e Ditëve’ të veshur me rroba të bardha, e nga froni i Tij dilnin flakë zjarri. (Dan. 7:9, 10) Dhe Gjoni e pa Jehovain të ulur në një fron, rrethuar nga një ylber i bukur që ngjante si smerald. (Zbul. 4:2-4) Meditimi për lavdinë e pakrahasueshme të Jehovait na kujton çfarë privilegji i rrallë është të flasim me të në lutje dhe sa rëndësi ka ta bëjmë këtë me nderim të thellë. Por, si duhet të lutemi?
«LUTUNI NË KËTË MËNYRË»
4. Çfarë mësojmë nga fjalët hapëse të lutjes model te Mateu 6:9, 10?
4 Lexo Mateun 6:9, 10. Në Predikimin në Mal, Jezui i mësoi dishepujt e tij si të luteshin, në mënyrë që lutjet e tyre ta kënaqnin Perëndinë. Pasi u tha «lutuni në këtë mënyrë», Jezui përmendi në fillim disa çështje të rëndësishme që lidhen direkt me qëllimin e Jehovait: shenjtërimi i emrit të Tij, ardhja e Mbretërisë që do të shfarosë të gjithë armiqtë e Perëndisë dhe bekimet që do të derdhë Ai në të ardhmen mbi njerëzit dhe tokën. Kur i përfshijmë këto çështje në lutjet tona, tregojmë se vullneti i Perëndisë është i rëndësishëm për ne.
5. A është me vend të lutemi për gjëra personale?
5 Në pjesën tjetër të lutjes, Jezui tregoi se është me vend të lutemi edhe për gjëra personale. Mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë ushqimin për ditën, të na falë gabimet, të na mbrojë nga tundimi dhe të na çlirojë nga i Ligu. (Mat. 6:11-13) Kur i lutemi Jehovait për këto gjëra, pranojmë se kemi nevojë për ndihmën e tij dhe tregojmë se kemi dëshirë të fitojmë miratimin e tij.
6. A duhet të lutemi vetëm për gjërat që përmenden në lutjen model? Shpjegoni.
6 Jezui nuk po kërkonte që dishepujt e tij ta përsëritnin me pikë e me presje lutjen model. Në raste të tjera, Jezui u lut për gjëra të ndryshme që kishin rëndësi për të në atë moment. (Mat. 26:39, 42; Gjoni 17:1-26) Edhe ne mund të lutemi për çdo gjë që na duket e rëndësishme ose që na shqetëson. Kur na duhet të marrim një vendim, mund t’i lutemi Jehovait të na japë mençuri e të na ndriçojë mendjen. (Psal. 119:33, 34) Para se të fillojmë një caktim të vështirë, mund të lutemi për gjykim të mirë dhe aftësi dalluese. (Prov. 2:6) Prindërit mund të luten për fëmijët, fëmijët mund të luten për prindërit, e të gjithë ne mund dhe duhet të lutemi për studentët tanë të Biblës dhe për njerëzit që u predikojmë. Gjithsesi, lutjet tona nuk duhet të përfshijnë vetëm kërkesa.
7. Pse duhet ta lëvdojmë Jehovain në lutje?
7 S’duhet të harrojmë ta lëvdojmë Jehovain në lutje. Askush nuk meriton ta lëvdojmë më shumë se Perëndia ynë. Ai është ‘i mirë dhe mezi pret të falë’. Është edhe ‘i mëshirshëm dhe i dhembshur, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashuri e besnikëri’. (Psal. 86:5, 15) Sa shumë arsye kemi ta lëvdojmë Jehovain për cilësitë e mrekullueshme dhe për gjithçka bën!
8. Për çfarë mund ta falënderojmë Jehovain? (Psalmi 104:12-15, 24)
8 Përveçse ta lëvdojmë Jehovain në lutje, zemra na nxit edhe ta falënderojmë për gjërat e mrekullueshme që na ka dhuruar. Për shembull, mund ta falënderojmë për ngjyrat e mahnitshme të luleve, për larminë e pafund të ushqimeve të shijshme dhe për shoqërinë freskuese të miqve të mirë. Ati ynë i dashur na mbulon me dhurata të tilla vetëm e vetëm për të na bërë të lumtur. (Lexo Psalmin 104:12-15, 24.) Mbi të gjitha e falënderojmë Jehovain për ushqimin e bollshëm besimforcues dhe për shpresën fantastike që kemi për të ardhmen.
9. Çfarë mund të na ndihmojë që të mos harrojmë ta falënderojmë Jehovain në lutje? (1 Selanikasve 5:17, 18)
9 Por fare kollaj mund të harrojmë ta falënderojmë Jehovain për gjithë sa bën për ne. Çfarë mund të të ndihmojë të mos harrosh? Pse të mos bësh një listë me kërkesat që i ke drejtuar në lutje dhe t’i kthehesh herë pas here për të parë si u është përgjigjur Jehovai? Pastaj falënderoje në lutje për ndihmën e tij. (Lexo 1 Selanikasve 5:17, 18.) Mendo pak: ne ndihemi të lumtur e të vlerësuar kur dikush na shpreh mirënjohje. Po njësoj, Jehovait i ngrohet zemra kur nuk harrojmë ta falënderojmë që u është përgjigjur lutjeve tona. (Kolos. 3:15) Por ka edhe një arsye tjetër shumë të rëndësishme për ta falënderuar Perëndinë tonë.
FALËNDERO JEHOVAIN PËR BIRIN E TIJ TË SHTRENJTË
10. Në harmoni me 1 Pjetrit 2:21, pse duhet ta falënderojmë Jehovain që dërgoi Jezuin në tokë?
10 Lexo 1 Pjetrit 2:21. Duhet ta falënderojmë Jehovain që dërgoi Birin e tij të shtrenjtë për të na mësuar. Kur studiojmë jetën e Jezuit, mësojmë shumë për Jehovain dhe kuptojmë si ta kënaqim. Nëse tregojmë besim te flijimi i Krishtit, mund të gëzojmë paqe me Perëndinë Jehova dhe një miqësi të ngushtë e të ngrohtë me Të.—Rom. 5:1.
11. Pse lutemi në emër të Jezuit?
11 E falënderojmë Jehovain që na ka dhënë mundësinë t’i lutemi nëpërmjet Birit të tij. Jezui është mjeti që përdor Jehovai për të na plotësuar kërkesat. Jehovai i dëgjon e u përgjigjet lutjeve që i bëjmë në emër të Jezuit. Vetë Jezui tha qartë: «Çfarëdo të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj, që Ati të marrë lavdi nëpërmjet Birit.»—Gjoni 14:13, 14.
12. Cila është një arsye tjetër pse duhet ta falënderojmë Jehovain për Birin e tij?
12 Jehovai na i fal mëkatet në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Shkrimet thonë se Jezui është ‘kryeprifti ynë, që është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë së Madhërishëm, në lartësitë e qiejve’. (Hebr. 8:1) Po, ne kemi një «ndihmës pranë Atit». (1 Gjon. 2:1) Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka dhënë një Kryeprift të dhembshur që i kupton dobësitë tona dhe «ndërmjetëson për ne»! (Rom. 8:34; Hebr. 4:15) Meqë jemi të papërsosur, pa flijimin e Jezuit do të ishte e pamundur t’i luteshim Jehovait. Nuk do ta falënderojmë dot kurrë Jehovain aq sa duhet për këtë dhuratë të çmuar—Birin e tij të shtrenjtë!
LUTU PËR VËLLEZËRIT E MOTRAT
13. Si e tregoi Jezui dashurinë për dishepujt e tij natën para se të vdiste?
13 Natën para vdekjes, Jezui u lut gjatë për dishepujt e tij dhe i kërkoi Atit ‘t’i mbronte nga i Ligu’. (Gjoni 17:15) Çfarë dashurie tregoi Jezui! Pas pak, ai vetë do të përballonte një sprovë të rëndë, e prapë ishte i merakosur për apostujt e tij.
14. Si mund ta tregojmë se i duam vëllezërit e motrat?
14 Ashtu si Jezui, nuk përqendrohemi vetëm te gjërat që na nevojiten ne. Përkundrazi, lutemi vazhdimisht për vëllezërit tanë. Kështu i bindemi urdhrit të Jezuit që ta duam njëri-tjetrin e i tregojmë Jehovait sa e thellë është dashuria jonë për bashkëbesimtarët. (Gjoni 13:34) Të lutesh për vëllezërit e motrat nuk është humbje kohe. Në Fjalën e Perëndisë thuhet se «përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë».—Jak. 5:16.
15. Pse vëllezërit e motrat kanë nevojë të lutemi për ta?
15 Vëllezërit e motrat kanë nevojë të lutemi për ta, sepse hasin plot sprova. Mund t’i kërkojmë Jehovait t’i ndihmojë t’u bëjnë ballë sëmundjeve, katastrofave natyrore, luftërave civile, përndjekjes ose vështirësive të tjera. Mund të lutemi edhe për bashkëbesimtarët vetëmohues që u shkojnë në ndihmë atyre që janë goditur nga katastrofa natyrore. Ndoshta njeh disa që po luftojnë me probleme të tilla. Pse të mos i përmendësh me emër në lutjet e tua? Kur i lutemi Jehovait që t’i ndihmojë të qëndrojnë të fortë, tregojmë dashuri nga zemra për vëllezërit dhe motrat.
16. Pse duhet të lutemi për ata që marrin drejtimin mes nesh?
16 Ata që marrin drejtimin në kongregacion i vlerësojnë jashtë mase lutjet e të tjerëve dhe nxjerrin dobi prej tyre. Këtë e ilustron edhe shembulli i apostullit Pavël, që shkroi: «Lutuni edhe për mua, që të më vijnë fjalët e duhura kur ta hap gojën për ta bërë të njohur pa frikë sekretin e shenjtë të lajmit të mirë.» (Efes. 6:19) Edhe sot kemi shumë vëllezër të palodhur që marrin drejtimin mes nesh. Kur i lutemi Jehovait ta bekojë punën e tyre, tregojmë se i duam.
KUR PËRFAQËSOJMË TË TJERËT NË LUTJE
17-18. Në cilat raste mund të na ftojnë të përfaqësojmë të tjerët në lutje, dhe çfarë duhet të mbajmë parasysh?
17 Në disa raste, mund të na ftojnë të përfaqësojmë të tjerët në lutje. Për shembull, një motër që po drejton një studim mund t’i kërkojë motrës që e shoqëron të bëjë një lutje. Ajo motër mbase nuk e njeh dhe aq mirë studenten, prandaj mund ta ketë më të lehtë të bëjë lutjen në fund të studimit. Kështu mund ta përshtatë më mirë lutjen me atë që i nevojitet studentes.
18 Një vëlla mund ta ftojnë të lutet në mbledhjen për shërbim ose në një mbledhje kongregacioni. Vëllezërit që kanë këtë privilegj duhet të mbajnë parasysh qëllimin e mbledhjes. Lutjet nuk duhen përdorur për të dhënë këshilla ose njoftime. Në shumicën e mbledhjeve janë programuar gjithsej pesë minuta për këngën dhe lutjen, prandaj vëllai që lutet s’ka pse të përdorë «shumë fjalë», sidomos në fillim të mbledhjes.—Mat. 6:7.
JEPI PËRPARËSI NË JETË LUTJES
19. Çfarë do të na ndihmojë të jemi gati për ditën e gjykimit të Jehovait?
19 Tani që dita e gjykimit e Jehovait është te pragu, lutja duhet të ketë një vend akoma më të rëndësishëm në jetën tonë. Jezui tha për këtë: «Rrini zgjuar, duke u përgjëruar pareshtur, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin.» (Luka 21:36) Po, lutjet e pareshtura do të na ndihmojnë të qëndrojmë zgjuar, që dita e Perëndisë të mos na zërë të papërgatitur.
20. Si mund të jenë lutjet tona si temjan aromatik?
20 Çfarë kemi shqyrtuar në këtë artikull? E çmojmë pa masë privilegjin e lutjes. Lutjet tona duhet të përqendrohen te çështjet që lidhen direkt me vullnetin e Jehovait. Gjithashtu duam të shprehim mirënjohje për Birin e Perëndisë dhe për mbretërimin e tij, si edhe lutemi për vëllezërit e motrat. E pa dyshim, mund t’i lutemi Jehovait që të na sigurojë ç’na nevojitet dita-ditës nga ana fizike dhe për ta mbajtur besimin të fortë. Kur i bluajmë mirë në mendje ato që duam të themi në lutje, tregojmë se e çmojmë si thesar këtë privilegj të mrekullueshëm. Kështu, fjalët tona do të jenë ‘të pëlqyeshme në sytë e Jehovait’, si një temjan aromatik.—Prov. 15:8.
KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës
^ E vlerësojmë jashtë mase privilegjin që t’i hapim zemrën në lutje Jehovait. Dëshirojmë që lutjet tona të jenë si temjan aromatik e ta kënaqin. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë është me vend të përfshijmë në lutjet tona. Do të ndalemi edhe te disa pika që duhet të mbajmë parasysh kur na ftojnë të përfaqësojmë të tjerët në lutje.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një burrë lutet bashkë me të shoqen për vajzën e tyre, që ajo të jetë e sigurt në shkollë, për prindin e moshuar, që të përballojë një problem shëndetësor dhe për një studente të Biblës, që të përparojë.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla i ri falënderon Jehovain për flijimin shpërblyes të Jezuit, për shtëpinë tonë të bukur, tokën, dhe për ushqimet e shëndetshme.
^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër lutet që Jehovai të bekojë me frymën e tij Trupin Udhëheqës dhe të ndihmojë ata që po vuajnë nga katastrofat e përndjekja.