ARTIKULLI I STUDIMIT 15
KËNGA 124 Përherë besnik
Thello vlerësimin për organizatën e Jehovait
«Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, të cilët ju kanë mësuar fjalën e Perëndisë.»—HEBR. 13:7.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si t’i forcosh e t’i ruash të pacenuara vlerësimin dhe besimin tek organizata e Jehovait.
1. Si ishte i organizuar populli i Jehovait në shekullin e parë?
SA HERË i jep popullit të tij një caktim, Jehovai pret që ta përmbushin në një mënyrë të organizuar. (1 Kor. 14:33) Për shembull, vullneti i Perëndisë është të predikohet lajmi i mirë në gjithë tokën e banuar. (Mat. 24:14) Jehovai ia ka besuar drejtimin e veprës Jezuit, e Jezui është siguruar që ajo të kryhet në mënyrë të organizuar. Në shekullin e parë, ndërsa formoheshin kongregacione në vende të ndryshme, emëroheshin pleq që të jepnin udhëzime e të merrnin drejtimin. (Vep. 14:23) Në Jerusalem, një trup udhëheqës që përbëhej nga apostujt dhe pleq, merrte vendime të cilat duhej t’i zbatonin të gjitha kongregacionet. (Vep. 15:2; 16:4) Ngaqë u bindeshin udhëzimeve, «besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin».—Vep. 16:5.
2. Si na ka siguruar Jehovai drejtim dhe ushqim në kohën e duhur që nga viti 1919?
2 Jehovai ka vazhduar ta organizojë popullin e tij edhe në kohën tonë. Që nga viti 1919, Jezui ka përdorur një grup të vogël me burra të mirosur për të organizuar veprën e predikimit dhe për t’u dhënë ushqim në kohën e duhur dishepujve të tij. a (Luka 12:42) Duket qartë se Jehovai po e bekon punën e tyre.—Isa. 60:22; 65:13, 14.
3-4. (a) Jepni një shembull që tregon si nxjerrim dobi ngaqë jemi të organizuar. (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Po të mos ishim të organizuar, nuk do ta përmbushnim dot veprën që na ka caktuar Jezui. (Mat. 28:19, 20) Për shembull, sikur të mos kishim territore të caktuara, gjithkush do të predikonte ku të kishte qejf. Disa territore mund të stërpredikoheshin nga lajmëtarë të ndryshëm, kurse të tjera mund të liheshin krejt pas dore. A të vijnë ndër mend mënyra të tjera si nxjerrim dobi ngaqë jemi të organizuar?
4 Jezui po vazhdon ta organizojë popullin e Perëndisë sipas të njëjtit model që i organizoi dishepujt e tij kur ishte në tokë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembullin që na la Jezui dhe si po e ndjek organizata jonë shembullin e tij. Gjithashtu do të shohim si ta tregojmë vlerësimin për organizatën e Jehovait.
ORGANIZATA JONË NDJEK SHEMBULLIN E JEZUIT
5. Cila është një mënyrë si e ndjek shembullin e Jezuit organizata jonë? (Gjoni 8:28)
5 Jezui mësoi nga Ati i tij qiellor çfarë të bënte e çfarë të thoshte. Duke ndjekur shembullin e Jezuit, organizata e Jehovait bazohet te Shkrimet kur na ndihmon të kuptojmë ç’është e drejtë dhe e gabuar, si edhe kur na jep drejtim. (Lexo Gjonin 8:28; 2 Tim. 3:16, 17) Ajo na kujton rregullisht se duhet të lexojmë e të zbatojmë Fjalën e Perëndisë. Si nxjerrim dobi kur ndjekim këtë këshillë?
6. Cila është një mënyrë e rëndësishme si nxjerrim dobi kur studiojmë Biblën me ndihmën e botimeve?
6 Nxjerrim jashtë mase dobi kur studiojmë Biblën me ndihmën e botimeve tona. Për shembull, kemi mundësi t’i krahasojmë mësimet e Biblës me drejtimin që marrim nga organizata. E kur shohim se ky drejtim bazohet në Shkrime, na forcohet besimi tek organizata e Jehovait.—Rom. 12:2.
7. Çfarë mesazhi predikoi Jezui, dhe si po e ndjek shembullin e tij organizata e Jehovait?
7 Jezui predikoi «lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë». (Luka 4:43, 44) Ai i urdhëroi edhe dishepujt që të predikonin për Mbretërinë. (Luka 9:1, 2; 10:8, 9) Sot të gjithë ata që janë pjesë e organizatës së Jehovait predikojnë mesazhin për Mbretërinë, pavarësisht se ku jetojnë ose sa përgjegjësi kanë në organizatë.
8. Çfarë privilegji kemi?
8 Çfarë nderi është t’u tregojmë të tjerëve të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë! Ky privilegj nuk i jepet kujtdo. Për shembull, kur ishte në tokë, Jezui nuk i lejonte frymërat e liga të jepnin dëshmi për të. (Luka 4:41) Edhe sot, para se dikush të fillojë të predikojë me popullin e Jehovait, duhet të kualifikohet për këtë privilegj. Tregojmë sa e çmojmë privilegjin për të predikuar duke dhënë dëshmi kudo dhe kurdo që mundemi. Ashtu si Jezui, synimi ynë është të mbjellim e të ujitim në zemrat e njerëzve farat e së vërtetës për Mbretërinë.—Mat. 13:3, 23; 1 Kor. 3:6.
9. Si e bën të njohur emrin e Perëndisë organizata e tij?
9 Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë. Jezui i tha Atit të tij qiellor në një lutje: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» (Gjoni 17:26) Duke ndjekur shembullin e Jezuit, organizata e Jehovait bën të pamundurën që t’i ndihmojë njerëzit ta njohin emrin e Perëndisë. Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re kanë luajtuar një rol të rëndësishëm në këtë aspekt duke e rivendosur emrin e Perëndisë aty ku i takon. Ky përkthim i Biblës është në dispozicion, i plotë ose i pjesshëm, në mbi 270 gjuhë. Te shtojcat A4 dhe A5 të këtij përkthimi do të gjesh më tepër detaje në lidhje me rivendosjen e emrit të Perëndisë në Bibël. Aty shpjegohen edhe arsyet pse emri i Perëndisë duhet të dalë 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke.
10. Çfarë të mëson ajo që tha një grua në Mjanmar?
10 Njësoj si Jezui, edhe ne duam të ndihmojmë sa më shumë njerëz ta njohin emrin e Perëndisë. Kur mësoi emrin e Perëndisë, një gruaje 67 vjeçe në Mjanmar iu mbushën sytë me lot dhe i tha motrës që i bënte studimin: «Për herë të parë në jetën time po dëgjoj se emri i Perëndisë është Jehova. . . . Më ke mësuar gjënë më të rëndësishme në botë.» Siç e tregon ky rast, kur njerëzit me zemër të sinqertë mësojnë emrin e Perëndisë, kjo mund të ndikojë fuqishëm në jetën e tyre.
VAZHDO TË TREGOSH VLERËSIM PËR ORGANIZATËN TONË
11. Si mund të tregojnë pleqtë vlerësim për organizatën e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)
11 Cila është një mënyrë si mund të tregojnë pleqtë vlerësim për organizatën e Perëndisë? Kur marrin një drejtim, ata duhet ta lexojnë me kujdes e pastaj ta zbatojnë sa më mirë të munden. Për shembull, pleqtë udhëzohen jo vetëm si të mbajnë pjesët në mbledhje dhe si të përfaqësojnë kongregacionin në lutje, por edhe si të kujdesen për delet e Krishtit. Kur ndjekin drejtimin e organizatës, pleqtë i ndihmojnë vëllezërit e motrat që janë nën kujdesin e tyre ta ndiejnë se Jehovai i mbron dhe i do.
12. (a) Pse duhet të bashkëpunojmë me ata që marrin drejtimin? (Hebrenjve 13:7, 17) (b) Pse duhet të përqendrohemi te cilësitë pozitive të atyre që marrin drejtimin?
12 Kur marrim një drejtim nga pleqtë, duhet ta ndjekim me gatishmëri. Kështu ua bëjmë më të lehtë punën. Bibla na nxit të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Ama, kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Pse? Sepse ata janë njerëz të papërsosur. Megjithatë, po të përqendrohemi te cilësitë e tyre negative e jo tek ato pozitive, do të ndihmojmë armiqtë tanë. Pse e themi këtë? Sepse duke vepruar kështu do të na dobësohet besimi tek organizata e Perëndisë, dhe ky është synimi i kundërshtarëve tanë. Çfarë mund të bëjmë për ta dalluar dhe për ta hedhur poshtë propagandën helmuese të armiqve?
MOS LEJO ASKËND TË TA DOBËSOJË VLERËSIMIN PËR ORGANIZATËN
13. Si janë përpjekur armiqtë e Perëndisë t’i prishin emrin e mirë organizatës së tij?
13 Kundërshtarët e Perëndisë përpiqen t’i paraqesin në dritë negative aspektet pozitive të organizatës së tij. Për shembull, nga Shkrimet kemi mësuar se Jehovai pret që shërbëtorët e tij të jenë të pastër fizikisht e moralisht dhe që adhurimi i tyre të jetë i pastër. Ai kërkon që kushdo që praktikon gjëra të papastra dhe nuk pendohet, të mos jetë më pjesë e kongregacionit. (1 Kor. 5:11-13; 6:9, 10) Ne i bindemi këtij urdhri nga Shkrimet. Por kundërshtarët tanë përpiqen ta përdorin këtë kundër nesh, duke na akuzuar si njerëz jotolerantë, gjykues dhe pa dashuri.
14. Kush është burimi i historive të trilluara për organizatën?
14 Dallo burimin e sulmeve. Pas historive të trilluara fshihet Satana Djalli. Ai është «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44; Zan. 3:1-5) Ndaj duhet të presim që Satanai t’i përdorë përkrahësit e tij për të përhapur histori të trilluara rreth organizatës së Jehovait. Kështu ndodhi edhe në shekullin e parë.
15. Çfarë bënë krerët fetarë kundër Jezuit dhe dishepujve të tij?
15 Në shekullin e parë, përkrahësit e Satanait vollën një lumë gënjeshtrash për Birin e Perëndisë, ndonëse ishte i përsosur dhe bënte mrekulli. Për shembull, krerët fetarë u thoshin njerëzve se fuqia e Jezuit për të dëbuar demonë vinte nga ‘sundimtari i demonëve’. (Mar. 3:22) Kur Jezui ishte para gjyqit, krerët fetarë e akuzuan për blasfemi dhe nxitën turmën që të kërkonte vrasjen e tij. (Mat. 27:20) Më vonë, ndërsa dishepujt e Krishtit predikonin lajmin e mirë, kundërshtarët «ndikuan për keq te njerëzit . . . dhe i nxitën» që t’i përndiqnin. (Vep. 14:2, 19) Në lidhje me Veprat 14:2, Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1998 shpjegonte se kundërshtarët judenj jo vetëm hodhën poshtë mesazhin, por edhe ndërmorën një fushatë shpifjesh me synimin që jojudenjtë t’i paragjykonin të krishterët.
16. Çfarë nuk duhet të harrojmë nëse dëgjojmë histori të trilluara?
16 Gënjeshtrat e Satanait nuk morën fund në shekullin e parë. Ai akoma «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbul. 12:9) Nëse dëgjon fjalë negative për organizatën ose për vëllezërit që marrin drejtimin, mos harro si u sollën armiqtë e Perëndisë me Jezuin dhe me dishepujt e shekullit të parë. Sot populli i Jehovait është shënjestër përndjekjesh e shpifjesh, tamam siç e kishte parathënë Bibla. (Mat. 5:11, 12) Por, nëse e dallojmë burimin e historive të trilluara dhe veprojmë në çast për t’u mbrojtur, nuk do të mashtrohemi prej tyre. Si mund të mbrohemi?
17. Si mund të mbrohemi nga historitë e trilluara? (2 Timoteut 1:13) (Shihni edhe kutinë « Si të reagosh ndaj historive të trilluara».)
17 Hidhi poshtë historitë e trilluara. Apostulli Pavël na dha udhëzime të qarta si të veprojmë nëse na bien në vesh histori të trilluara. Ai i tha Timoteut ‘t’i urdhëronte disa të mos u kushtonin vëmendje përrallave’ dhe ‘t’i hidhnin poshtë përrallat që nuk e nderonin Perëndinë’. (1 Tim. 1:3, 4; 4:7) Ta ilustrojmë: një foshnjë mund të marrë pa e menduar diçka të pistë nga toka e ta futë në gojë. Ama një i rritur s’do ta bënte kurrë këtë, sepse e kupton rrezikun. Po njësoj, ne i hedhim poshtë historitë e rreme ngaqë e dimë burimin e tyre. Jo vetëm kaq, por u përmbahemi «fjalëve të dobishme» të së vërtetës.—Lexo 2 Timoteut 1:13.
18. Si mund të tregojmë vlerësim për organizatën e Jehovait?
18 Në këtë artikull kemi shqyrtuar vetëm tri nga mënyrat e shumta si e ndjek organizata e Perëndisë shembullin e Jezuit. Teksa studion Biblën, përpiqu të zbulosh mënyra të tjera si ecën organizata në gjurmët e Jezuit. Ndihmoji të tjerët në kongregacion ta thellojnë vlerësimin për organizatën. Gjithashtu vazhdo ta tregosh vlerësimin tënd duke i shërbyer me besnikëri Jehovait e duke qëndruar i lidhur ngushtë me organizatën që po përdor për të kryer vullnetin e tij. (Psal. 37:28) Le të vazhdojmë ta çmojmë si thesar privilegjin që bëjmë pjesë në popullin e dashur e besnik të Jehovait!
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
-
Në cilat mënyra e imiton populli i Perëndisë Jezuin?
-
Si mund ta tregojmë vazhdimisht vlerësimin për organizatën e Jehovait?
-
Çfarë duhet të bëjmë nëse dëgjojmë histori të trilluara?
KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai
a Shih kutinë «Pse viti 1919?» te libri Jehovai rivendos adhurimin e pastër!, f. 102-103.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pleqtë bisedojnë për masat në lidhje me dëshminë publike; pas kësaj, një mbikëqyrës grupi u kalon lajmëtarëve udhëzimin që të rrinë me kurriz pas murit për arsye sigurie.